Statistikat, si matës i zhvillimit

Prof. ERMELINDA MEKSI, botuar në Shqip, 17 mars 2014

Nga (pa)varësia e INSTAT-it te publikimi çdo muaj për të dhënat e tregut të punës dhe rishikimi i metodës për inflacionin

Debatet e nisura së fundi nga INSTAT-i mbi sfidat e përmirësimit të llogaritjes së treguesit të Produktit të Përgjithshëm Bruto, më nxitën që të adresoj disa sfida të rëndësishme që qëndrojnë para INSTAT-it, si institucion i pavarur me rëndësi të madhe për prodhimin e statistikave zyrtare të vendit. Statistikat zyrtare janë të një rëndësie të veçantë, sepse u paraprijnë ndërtimit të strategjive të zhvillimit ekonomik dhe social të një vendi. Kjo ka ndodhur dhe ndodh rëndom në vendet e zhvilluara dhe në zhvillim. Pa njohje të saktë të situatës aktuale, nuk mund të ndërtosh të ardhmen afatmesme dhe aq më tepër atë afatgjatë. Ka një gjykim, i cili merr vlerën e një “aksiome”: “Niveli i statistikave zyrtare tregon masën e zhvillimit të një vendi!”. Në këtë këndvështrim, zhvillimi i sistemit statistikor në Shqipëri, nuk ka ecur me shpejtësinë që kërkonin ritmet e zhvillimit të një vendi që aspiron anëtarësimin në BE. Kritika të drejtpërdrejta janë bërë në raportet e BE-së për sistemin statistikor në vend. Në çdo raport-progresi për Shqipërinë është theksuar: Nevoja për ndërtimin e një sistemi statistikor kombëtar të mbështetur në parimet themelore të statistikave të besueshme dhe cilësore, ndër të cilët i pari dhe më i rëndësishmi është ai i pavarësisë institucionale dhe profesionale të agjencive statistikore.

Pavarësia e INSTAT-it për një pushtet të statistikave versus statistikave të pushtetit

Kjo pavarësi duhet të jetë jo vetëm e garantuar me ligj, por edhe e zbatuar në praktikë. Vetëm një sistem statistikor që funksionon në mënyrë të pavarur dhe që udhëhiqet nga parime shkencore dhe profesionale, mund të sigurojë besimin e publikut dhe t’i ofrojë atij statistika cilësore, të besueshme dhe të paanshme. Një kusht tjetër shumë i rëndësishëm është bashkëpunimi dhe bashkërendimi i punës së agjencive statistikore kombëtare, duke filluar që me konsolidimin dhe forcimin e profesionalizmit të Këshillit të Statistikave, me hartimin dhe ndjekjen rigoroze të programit pesëvjeçar të statistikave e duke përfunduar me ngritjen e strukturave ndërinstitucionale dhe grupeve të punës kushtuar bashkëpunimit, koordinimit dhe hartimit të metodologjive dhe nomenklaturave statistikore. Që ky bashkëpunim të funksionojë, është e nevojshme që INSTAT-i të mbështetet dhe ndërveprojë në mënyrë të vazhdueshme me agjencitë e tjera që administrojnë dhe përpunojnë statistika, kryesisht Banka e Shqipërisë apo Ministria e Financave. Këto të fundit, nga ana e tyre, duhet të kenë struktura të mirëfillta kushtuar mbledhjes dhe hartimit të statistikave dhe të koordinojnë punën për të rritur eficiensën dhe maksimizuar dobinë e burimeve të të dhënave në shërbim të statistikave zyrtare. Po ashtu, është mjaft me vlerë ngritja e strukturave kushtuar statistikave edhe në njësi të tjera administrative që nuk janë agjenci statistikore, por që disponojnë të dhëna mjaft të vlefshme për fusha dhe fenomene të caktuara të ekonomisë apo shoqërisë.

Vakuumi statistikor

Për situatën joideale në të cilën gjendemi sot, shkaqet mund të gjenden pikërisht te mungesat apo mosadresimi i çështjeve të lartpërmendura. Mungesat e vazhdueshme të të dhënave statistikore i ndiejnë ekonomistët, politikëbërësit dhe vendimmarrësit, bizneset, akademikët, analistët e ekonomisë, vetë gazetarët dhe publiku i gjerë. Më konkretisht: statistikat ekzistuese, kryesisht ato tremujore, vuajnë: nga vonesa e publikimit të të dhënave, si p.sh. ato dalin me rreth 90 ditë me vonesë për tremujorin që u referohen (p.sh. publikimi i PPB-së tremujore etj).

Në terma tremujore, mungojnë të dhëna të rëndësishme statistikore, si p.sh. llogaritja e Produktit të Brendshëm Bruto sipas metodës së shpenzimeve dhe të të ardhurave. Aktualisht ai llogaritet me metodën e vlerës së shtuar të prodhimit. Gjithashtu nuk njohim tregues të investimeve, të kursimeve, të konsumit në terma privatë dhe publikë. Aktualisht nuk ka të dhëna mbi indekse të prodhimit industrial, as në terma mujore dhe as në terma tremujore, që në praktikën europiane sinjalizojnë zhvillimet në aktivitetin ekonomik. Dega e bujqësisë është një nga degët më të pambuluara me të dhëna mujore, tremujore dhe vjetore. Ka disa vlerësime tremujore, të cilat nuk mund të konsiderohen matje dhe statistika të mirëfillta. Gjithashtu, nuk bëhen publike treguesit e deflatorëve të PBB-së, madje edhe kur botohen, janë të viteve të kaluara, edhe ato jo të detajuara sipas degëve.

Tregu i punës me statistika të konsoliduara

Ekonomitë e zhvilluara përdorin të dhënat për tregun e punës si indikatori kryesor për matjen e zhvillimit ekonomik (si temperatura për gjendjen shëndetësore) dhe çdo rritje e punësimit tregon shëndoshjen e ekonomisë dhe anasjelltas. Në Shqipëri, lajmet për tregun e punës mbeten sporadike dhe pa mbështetje të saktë mbi të dhëna mujore mbi tregun e punës, pavarësisht se në gjykimin tim këto të dhëna janë lehtësisht të verifikueshme dhe të raportueshme. Mjafton një koordinim mes zyrave të punës, inspektoratit të punës, drejtorive të sigurimeve shoqërore dhe INSTAT-it për të publikuar në kohë reale të dhënat e tregut të punës për të matur ecurinë e ekonomisë.

Në kushtet aktuale, statistikat e tregut të punës mbeten një problem madhor i statistikave zyrtare dhe sa herë publikohen, shoqërohen me një zhurmë mediatike, sepse më shumë çorientojnë sesa japin një vlerësim të saktë për numrin e të punësuarve, të të papunëve, të forcës së punës dhe përfundimisht të normës së papunësisë. Punësimi në sektorët bujqësorë mbetet gjithashtu elementi mbi të cilin lindin debatet dhe që krijon hapësira për dyshime. Veçanërisht kur të punësuarit gjithsej rriten apo ulen në varësi të rritjes ose uljes së të punësuarve në bujqësi, siç ka ndodhur në vitet 2007-2009.

Në parim, nuk duhet të PUBLIKOHEN për të njëjtin tregues dhe për të njëjtën periudhë kohore, statistika që dalin nga burime të ndryshme siç ndodh me statistikat e punës. Më konkretisht: treguesit e punës shpallen si statistika zyrtare në faqen e uebit të INSTAT-it në dy publikime: a) Bilanci i forcave të punës — ka të dhëna për punësimin dhe papunësinë sipas burimit administrativ dhe b) anketa tremujore e forcave të punës — burimi, vrojtim statistikor pranë familjeve. Kjo situatë krijon konfuzion te përdoruesi, sepse nuk bëhet e qartë se cila është shifra zyrtare e papunësisë! I përket INSTAT-it të përzgjedhë burimin e informacionit dhe të përcaktojë shifrën zyrtare të shkallës së papunësisë. Në gjykimin tim, anketa e forcave të punës duhet të shërbejë si burimi kryesor për të dhënat e punësimit dhe shifrat që rezultojnë nga ky burim duhet të shpallen si statistika zyrtare. Përdoruesit e të dhënave statistikore duhen informuar dhe sqaruar jo vetëm mbi ndryshimet përkatëse metodike, por edhe në kufizimet praktike dhe studimore të të dhënave të publikuara.

Inflacioni dhe statistika që duhen rishikuar

Kritike janë statistikat e çmimeve të konsumit, të cilat ndonëse duken më të plotat dhe më të mirëmbajturat dhe publikohen çdo muaj, kanë probleme serioze. Indeksi i Çmimeve të Konsumit (IÇK) matet mbi një shportë konsumi tashmë të vjetruar, atë të vitit 2007, struktura e së cilës nuk i përgjigjet situatës aktuale të strukturës së konsumit të një familjeje mesatare shqiptare në vitin 2013. Në vendet e BE-së, shporta rishikohet në çdo vit, ndërsa shporta po rishikohet këtë vit pas 7 vjetësh. Ky proces është jo vetëm një ndërmarrje e madhe, por edhe e kushtueshme. Prandaj INSTAT-i duhet të bëjë publike nevojën e rishikimit çdo vit të këtij treguesi, duke kërkuar mbështetjen e merituar financiare që ky proces meriton.

Gjithashtu, problematike mbeten statistikat e ndërmarrjeve që dalin nga anketat strukturore, të cilat janë mjaft të vonuara. Ato dalin me një deri në dy vite vonesë, si dhe statistikat demografike mbeten një çështje tjetër e rëndësishme, që ndonëse absorbojnë burime të mëdha financiare dhe njerëzore, përsëri nuk gëzojnë besueshmëri të plotë, siç duhet të gëzonin rezultatet e dala nga regjistrimi i përgjithshëm i popullsisë.

Statistikat monetare vlerësohen relativisht të plota dhe thuajse të publikuara në kohë reale. Megjithatë, një sistem më efikas informatizimi, përllogaritës dhe kontrollues mund t’i bëjë ato edhe më të gatshme në kohë për përdoruesit dhe vendimmarrësit. E njëjta gjë mund të thuhet për statistikat e bilancit të pagesave, ku shpejtësia e publikimit mund të rritet.

Statistikat e qeverisë apo të buxhetit mbeten një shtyllë e rëndësishme për t’u monitoruar dhe përmirësuar. Këto të dhëna karakterizohen shpesh nga botimi me vonesë i tyre.

Në tërësi sistemi statistikor, kryesisht ai që lidhet me INSTAT-in, është i avashtë dhe pak aktiv. Mendoj se zyrat e statistikave nëpër qarqe dhe bashki, si edhe prodhuesit e tjerë të statistikave administrative (tatime, dogana, zyra të gjendjeve civile…) duhet t’u nënshtrohen një detyrimi të madh ligjor, për të raportuar në kohë dhe saktësisht. 

Besueshmëria e statistikave mbetet e ulët

Sa kohë që ato shoqërohen nga një proces i fortë rishikimi dhe sa kohë që varësia politike është e dukshme në prodhimin e tyre. Tipik për këtë është rishikimi i shumëpërsëritur i treguesve të rritjes ekonomike tremujore i PPB-së, i cili, sipas një analize statistikore, rezulton se ata fillimisht janë të mbivlerësuar dhe pastaj rishikohen drejt uljes, që të kemi rritje në tremujorin pasardhës e kështu me radhë. Analiza hedh dritë e na sinjalizon se PPB-të e rishikuara paraqesin devijime domethënëse, krahasuar me vlerat e fundit të publikuar. Kjo kërkon të reflektohet me kujdes nga INSTAT-i mbi arsyet e rishikimeve, nëse ato janë rezultat i vlerave të publikuara në fillim ose nga ndryshimi i metodologjive të përdorura. Nuk mund të vazhdohet me fabulën e rrobave të bukura të mbretit të Andersenit, në një kohë që nëpërmjet statistikave të sakta kërkohet diagnostikim i situatës, nga e cila buron terapia dhe zgjidhja e duhur.

Ky realitet kërkon ndërtimin e një raporti të drejtë ligjor midis stafeve teknike dhe atyre politike, për adresimin e duhur të përgjegjësive. Është e vërtetë që vendimet i marrin politikanët, por është detyrë e ekonomistëve të thonë se cilat janë pasojat e këtyre vendimmarrjeve. Krenaria e qeverisë së kaluar ishte rritja e PPB-së, e cila megjithëse rishikohej vazhdimisht, përmendej vetëm shifra fillestare e mbivlerësuar dhe askush në INSTAT nuk shpjegonte më pas shkaqet e këtyre rishikimeve.

Prandaj, para INSTAT-it shtrohen sfida të mëdha, disa prej të cilave kanë të bëjnë me adresimin e mangësive që parashtrova më sipër. Zgjidhja e tyre kërkon mbështetjen e duhur institucionale të INSTAT-it si nga qeveria dhe Kuvendi, mbështetje që kërkon fuqizimin e tij jo vetëm nga pikëpamja ligjore, por edhe financiare. Vetëm kështu statistika do të kthehet nga statistika të pushtetit, si rëndom ka ndodhur deri më sot, në pushtet për vendimmarrje cilësore në dobi të zhvillimit të vendit.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi