Kreditë e këqija rriten me 66.6% në tre vjet
Botuar në Shqip, 17 mars 2014
Gjatë katër viteve të fundit, nga janari i vitit 2011 në janarin e 2014-s, huat e pashlyera kanë pësuar rritje drastike
Kreditë me probleme janë kthyer në një shqetësim për sistemin bankar në Shqipëri. Raporti i fundit i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), e renditi vendin tonë me nivelin më të lartë të kredive të pashlyera në Europën Juglindore. Në janar të vitit 2011, totali i kredive ishte 490,3 miliardë lekë. Nga këto, 14.5 për qind ose 71 miliardë lekë klasifikoheshin si kredi të këqija.
Në vitin 2012, totali i kredive ishte 564,5 miliardë lekë. Nga këto, kreditë me probleme u rritën në 18.9 për qind ose 106 miliardë lekë.
Nga viti 2011, në 2012-n kemi një rritje të kredive të këqija me 30.3 për qind. Në vitin 2013, totali i kredive të dhëna nga bankat shkonte në 573,8 miliardë lekë, ku kreditë familjare ishin 148,2 miliardë lekë dhe ato për bizneset 425,5 miliardë lekë. Kreditë me probleme u rritën më tej 23.2 për qind të totalit të kredive.
Vëmë re se nga janari i vitit 2012, në 2013-n kemi përsëri një rritje të kredive të këqija me 22.8 për qind. Në vitin 2014, totali i kredive ishte 561,1 miliardë lekë dhe 24,1 për qind e përbënin kreditë me probleme. Kreditë për familjet ishin në shumën e 148,9 miliardë lekëve dhe për biznesin 412,2 miliardë lekë. Gjithashtu, nga 2013-a, në 2014-n përsëri kemi rritje të kredive me problem në masën 4.5 për qind.
Gjatë janarit të këtyre tri viteve kemi një rritje të kredive me probleme ose siç njihen kredi të këqija. Nga janari i 2011-s në janarin e 2014-s kemi një rritje me 66.6% të tyre.
Kjo shifër e lartë ka sjellë edhe alarmin për bankat, sepse një rritje e huave të pashlyera mund të sjellë pasoja të rënda për ekonominë e vendit, pasi bankat ngurrojnë të japin kredi të reja dhe rrjedhimisht ekonomia ngadalësohet.
Për sa u përket kredive të dhëna nga bankat, nga janari i 2011-s në janarin e 2012-s janë rritur me 15 për qind. Kreditë më të mëdha janë dhënë për bizneset. Gjatë 2011-s, kreditë për bizneset zinin 69.7 për qind dhe ato për familje vetëm 30.3 për qind.
Gjatë 2012-s, kreditë për biznesin zinin 73.6 për qind dhe kreditë familjare 23.7 për qind. Në 2013-n, kredia e biznesit ishte në masën e 74.1 për qind dhe kreditë familjare 25.9 për qind. Në 2014-n, kredia e dhënë për biznesin ishte 73.4 për qind dhe kredia për familjet 73.4 për qind. Nga të dhënat rezulton se në janarin e 2013-s ishte edhe shuma më e madhe e dhënë për bizneset, ndërsa gjatë janarit 2014 kredia me shumën më të madhe për familjet. Depozitat gjithashtu kanë pasur rritje nga janari i 2011-s në janarin e 2014-s. Nëse në vitin 2011 ishin 825 miliardë lekë, gjatë 2012-s u rritën me 11.8 për qind. Gjithashtu kemi rritje të depozitave edhe në 2013-n me 7.1 për qind në raport me një vit më parë. Në 2014-n, depozitat janë më të mëdha se tri vitet e marrë në shqyrtim, ku nga 2011-a në vitin 2014 u rritën me 24.4 për qind.
Totali i aktivit llogaritet më i lartë gjatë periudhës janar 2011-2012 me 11.3 për qind. Gjatë viteve 2012-2013, rezulton të jetë 6.3 për qind dhe në vitin e fundit, pra gjatë 2013-2014, në vlerën më të ulët me 4.38 për qind.
Gjatë janarit të këtyre tri viteve, janë rritur paralelisht depozitat, por në të njëjtën kohë janë shtuar edhe huat e pashlyera si nga familjet ashtu edhe nga bizneset.