Vizioni strategjik dhe dokumentat kombëtare të sigurisë
Nga Edval Zoto, botuar në Shqip, 14 mars 2014
Sektori i sigurisë në Shqipëri, duke përfshirë të gjitha strukturat përkatëse, përballet me disa probleme themelore, të cilat jo domosdoshmërisht shkaktohen nga keqfunksionimet e sektorëve. Këto probleme janë kryesisht strukturore dhe si të tilla, më shumë se vullnet menaxhues, kërkojnë vullnet politik që të ofrojë zgjidhje strukturore e funksionale afatgjata.
Problemi i parë lidhet me mungesën e një ndarjeje efektive të kompetencave sipas sektorëve dhe institucioneve të sigurisë. Ndonëse në debatin politik para e paszgjedhor të vitit të shkuar u përmend më shumë rasti i Policisë së Shtetit, edhe në institucionet e tjera me kompetenca në fushën e sigurisë në Shqipëri konstatohet një shpërndarje pa vizionin e duhur ose me vizion të kushtëzuar të kompetencave të tyre. Në rastin me të mirë modeli në fuqi mundëson mbivendosjen e kompetencave dhe kështu disa institucione njëherazi angazhojnë fuqi e burime për të realizuar të njëjtat detyra, një praktikë kjo që dëmton interesat e shtetit si element garantues të sigurisë së përgjithshme, por që të paktën ofron shërbimin ndaj interesave të qytetarit; ndërsa në rastin më të keq mundësohet një përplasje kompetencash që shkakton apati tek institucionet e parashikuara të ofrojnë shërbim. Praktika institucionale ndërkombëtare në ndarjen e përgjegjësive në aspektin e sigurisë njeh këto grup-përgjegjësi dhe shërbime: shërbimet e mbrojtjes kombëtare (ku futen forcat e armatosura nën shërbim ushtarak); shërbimet inteligjente; shërbimet e mbrojtjes civile (ato shërbime që shërbejnë për mbrojtjen nga fatkeqësi dhe në raste të jashtëzakonshme natyrore); shërbimet policore kombëtare (përfshin policitë e çdo lloji); shërbimet hetimore kombëtare (përfshihen shërbime të veçanta për hetimin e veprimtarive kriminale); shërbime policore/sigurie lokale ose komunitare (përfshihen të gjitha ato institucione të promovimit të sigurisë dhe parandalimit të kriminalitetit, si dhe shërbime të tjera në dobi të mirëqenies së komuniteteve të përqendruara). Për të mbuluar këto gjashtë grup-përgjegjësi në Shqipëri ka mbi 30 institucione të ndryshme, duke filluar nga Forcat e Armatosura tek Avokati i Popullit. Më e keqja është se krahas përplasjeve të kompetencave të sigurisë ekzistojnë dhe përplasje parimore të kompetencave që lidhen me pushtetet kryesore. Si shembuj në këtë rast shërbejnë inspektoratet e ndryshme të pavarura ose të varura drejtpërdrejt nga kreu i ekzekutivit, paçka se në praktikë puna e tyre praktike lidhet tërësisht me institucione të një niveli më të ulët vendimmarrës të ekzekutivit.
Problemi i dytë është i karakterit të ngushtë hierarkik strukturor. Pjesa më e madhe e institucioneve të sigurisë, e sidomos ato më kryesore kanë probleme strukturore, qoftë të aspektit funksional, por edhe të karakterit të administrimit të personelit në varësi. Në këtë rast vlen të përmenden shembuj si: Shërbimi Informativ Ushtarak, tashmë i quajtur Agjencia e Inteligjencës e Mbrojtjes, e cila paçka se është pjesë e Forcave të Armatosura dhe e përbërë nga një shumicë personeli ushtarak është nën varësinë e drejtpërdrejtë të autoritetit të ministrit të Mbrojtjes dhe jo të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, siç do të ishte natyrale të ishte; si dhe shërbimi i policisë gjyqësore, i cili përbën një hibrid midis Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë së Përgjithshme. Përvoja më e mirë perëndimore për këtë problem është ruajtja e vertikalitetit në vendimmarrje për këto sektorë, si dhe rregullimi i marrëdhënieve ndërinstitucionale përmes strategjive dhe protokolleve të përbashkëta, në vend të krijimit të strukturave me varësi hibride.
Problemi i tretë lidhet me mungesën e një strategjie për nisjen (rekrutim dhe kualifikim fillestar), zhvillimin dhe përfundimin e shërbimit të punonjësve të sektorit të rendit dhe sigurisë. Ky problem lidhet me formimin profesional, përzgjedhjen, formimin dhe edukimin gjatë karrierës, garantimin e statusit të veçantë, avancimin në karrierë, si dhe daljen jashtë shërbimit. Në fakt, ky problem është i lidhur ngushtësisht me dështimin e dy problemeve të fillimpërmendura por është më se i domosdoshëm të trajtohet si problem më vete. Edhe për këtë rast, sipas përvojës perëndimore, këtij problemi i është dhënë zgjidhje duke ndërtuar strategji të kujdesshme për ciklin e shërbimit të nëpunësit të këtij sektori delikat, si dhe i është garantuar statusi i veçantë (me përfitimet, por edhe kufizimet e veta) sipas kompetencave të shërbimeve. Më qartë, në shumë vende perëndimore punonjës të sektorëve të sigurisë, kur dalin nga shërbimi përkatës, për shkak të sistemit piramidal të organizimit të karrierës së tyre, kanë lehtësira për kalimin në shërbim (nëse janë në moshën e pranueshme) të një nënsektori sigurie më pak të ndjeshëm ndaj kërkesave të nënsektorit paraardhës.
Këto probleme janë thelbësore dhe shpeshherë hasen në shtetet me probleme në organizimin ose riorganizmin e sektorit të sigurisë sipas kërkesave të kohës. Zgjidhja e këtyre problemeve kërkon një plan afatgjatë zhvillimi. Ky plan duhet të përfshijë dhe zbatimin e ndryshimeve ligjore kushtetuese me qëllim rirregullimin e kompetencave të sektorit, pasi në origjinën e problemeve qëndron kryesisht diktimi ligjor për shpërndarjen e kompetencave përkatëse, kusht i cili ka lindur si nevojë e përballjes së vendit me tranzicionin politik nga një shtet totalitar në një shtet demokratik dhe që aktualisht është ezauruar. Dokumentet e sigurisë kombëtare që janë në proces hartimi duhet më së pari të arrijnë të zhdukin frymën ligjore të cenimit të efektshmërisë funksionale së institucioneve të sigurisë për hir të mungesës së sigurisë së keqpërdorimit politik të tyre.
Në këtë linjë mendimi mund të jenë të vlefshme disa sugjerime praktike për një përqasje të re në dokumentet strategjike kombëtare ndaj problemeve të sipërpërmendura.
Në kuadrin e ripërcaktimit të kompetencave të institucioneve të sigurisë në vend qasja duhet të jetë e tillë që të garantojë unifikimin e institucioneve të ofrojnë shërbime të njëjta ose të ngjashme në fushën e sigurisë. Në këtë plan mund të ndryshojnë kompetencat e Forcave të Armatosura, duke i shkëputur detyrat e llojit të mbrojtjes civile, e duke formuar me to një strukturë të re sigurie të qëndrueshme ku mund të përfshiheshin dhe shërbimet për mbrojtjen ndaj zjarrit, shërbimet e emergjencave etj. Gjithashtu, mund të unifikoheshin shërbimet informative të vendit, ai shtetëror dhe ai ushtarak sigurisht duke rregulluar kuadrin ligjor përkatës. Një ndryshim tjetër do të ishte dhe krijimi, i parashikuar tashmë, i një strukture me kompetenca hetimore të specializuara ku mund të bashkoheshin një sërë agjencish e strukturat gjysmë të pavarura në mënyrë për të pasur një organizim sa më të plotë e të kualifikuar.
Një qasje efektive ndaj problemit të sipërpërmendur do të lehtësonte dhe përballjen me problemin e mungesës së hierarkisë vertikale në organizimin e strukturave të sektori të sigurisë. Në këtë kuadër, rregullimet ligjore janë të domosdoshme me qëllim për të rritur efikasitetin e institucioneve, por edhe për të zvogëluar rëndesën e burokracive të panevojshme në punën e tyre. Një qasje gjithëpërfshirëse për vendosjen në udhën e zgjidhjes së këtyre problemeve është dhe hartimi i ligjeve të reja e përmbledhëse për secilin institucion sipas grup-përgjegjësive. Një parim tepër i rëndësishëm që duhet marrë parasysh është dhe ngushtimi i bazës vendimmarrëse në brendësi të institucioneve të sigurisë dhe shpërndarja e kujdesshme e përgjegjësive dhe detyrave. Në këtë plan, por edhe për shkak të karakteristikave të aparatit të sigurisë në Shqipëri, ndërveprimi institucional mund të realizohet nëpërmjet ngritjes së grupeve të punës me detyra, kohëzgjatje dhe veprimtari të përcaktuara, një zgjidhje kjo më pak e kushtueshme sesa ekzistenca e mikro-strukturave me kompetenca ekskluzive ose jo.
Në kuadrin e përkujdesjes komplekse të personelit (pra duke përfshirë fazat e rekrutimit, kualifikimit, zhvillimit dhe largimit nga shërbimi) rregullimet ligjore janë më se të domosdoshme. Në dy dekadat e pasrënies së sistemit komunist asnjëherë punonjësit e sektorit të sigurisë nuk janë ndier të sigurt dhe të qartë mbi të ardhmen e tyre. Kjo si pasojë e mungesës se ligjeve apo statuseve përkatëse, por edhe për shkak të ekzistencës së boshllëqeve ligjore në ato ekzistuese, pa përmendur këtu dhe shkeljet e natyrës korruptive të çdolloj niveli. Dokumentet e reja strategjike duhet të sanksionojnë dhe nevojën për rregullimin afatgjatë të statusit ligjor të punonjësve të sektorëve të ndryshëm të sigurisë.
Në brendësi të problemit spikat çështja e arsimimit të personelit. Qasja historike në gjithë vitet e tranzicionit ka qenë mbështetur kryesisht në dy drejtime: E para, për secilin nga shërbimet sistemi arsimor është i veçantë (dhe në lidhje me këtë janë ngritur shkolla e institucione arsimore të panumërta, që në thelb trajtojnë të njëjtat nevoja arsimore); së dyti, kur sistemi arsimor nuk ka garantuar rrjedhshmëri dhe “prodhim” është përthithur personel i papërgatitur për të kryer detyra të ndryshme, ose është kërkuar asistencë e huaj për arsimimin e kuadrove të sektorit, por dhe këto pa asnjë planifikim të qëndrueshëm. Dokumentet strategjike të sigurisë që janë në proces hartimi duhet të parashikojnë dhe krijimin e një politike arsimimi të re e të qëndrueshme për sektorin e sigurisë në Shqipëri. Nuk është ide e keqe as të ngrihet një akademi e vetme që të merret me trajnimin e kuadrove të sektorit të sigurisë në nivel kombëtar. Ngritja e një institucioni të tillë jo vetëm u përshtatet sfidave të sigurisë, ku mbizotëron kompleksiteti dhe ndërvarësia, por dhe financiarisht mund të ishte një zgjidhje e favorshme, për të mos përmendur të gjithë ato elementë që lidhen me krijimin e frymës bashkëpunuese dhe nxjerrjen e mësimeve të përbashkëta.
Në përfundim, procesi i cili është nisur, pra hartimi i dokumenteve të reja strategjike për sigurinë, është tepër e rëndësishme të përfundojë me hartimin e dokumenteve të cilat të japin politikisht e më një qasje strategjike zgjidhje për çështje të mbështetura në problematikën reale të sektorit të sigurisë në Shqipëri, dhe jo vetëm dokumente të përditësuara me çështje e terminologji që, siç janë përmendur në opinionin publik dhe praktikisht, tashmë janë të vjetra për vetë institucionet e këtij sektori.