Bujqësia shpëton ekonominë
Sipas BSH, 15 mars 2014
Bujqësia po profilizohet gjithmonë e më shumë si sektori shpëtimtar i ekonomisë që po mban gjallë rritjen e saj duke shmangur rënien e vendit në recesion.
Të dhënat zyrtare tregojnë se pas vitit 2009, kriza i ka goditur të gjithë degët e ekonomisë, duke sjellë uljen e fortë të prodhimit dhe kontributit që ato japin në rritjen e ekonomisë kombëtare. I vetmi sektor që ka mbetur jashtë kësaj tendence është bujqësia. Sipas instat, në vitin 2010 prodhimi bujqësor u rrit me 7.9 për qind krahasuar me një vit më parë. Kjo bëri gati 40 për qind e rritjes totale ekonomike të atij viti të vinte vetëm nga bujqësia.
Shifrat tregojnë se prodhimi bujqësor ka luajtur rol kyc në zbutjen e krizës edhe gjatë viteve pasardhëse. Në 2011, prodhimi i fermave kontriboi me 0.7 pikë përqindje në rritjen totale të ekonomisë, ndërsa pas këtij viti roli i bujqësisë u bë edhe më jetik për ekonominë.
Sipas Bankës së Shqipërisë, në vitin 2012 bujqësia e vetme e rriti Prodhimin Kombëtar me 1.1 për qind, nga 1.5 për qind që ishte rritja totale e ekonomisë në atë vit. Për vitin 2013, të dhënat nuk janë të plota, pasi INSTAT ende nuk ka raportuar shifrat e tremujorit të katërt. Por për 9 muajt e parë të vitit, ato tregojnë se nëse bujqësia nuk do të kishte vazhduar ritmet pozitive të rritjes ekonomia tashmë do ishte në recesion, pasi sektorët e tjerë kanë shënuar rënie të thellë.
Ekspertët thonë se bujqësia është një nga sektorët me potencialet më të mëdha për të rritur ekonominë. Madje edhe banka e shqipërisë prej disa vitesh ka kërkuar me ngulm nga qeveritë mbështetje më të fortë për këtë sektor, që sipas saj duhet të jetë në themel të modelit të ri ekonomik.