Sfidat e harmonisë midis pjesëve të shtetit

Nga Mentor Nazarko, botuar në Panorama Online, 13 mars 2014

Është krejt e qartë për të gjithë se shumica e re është në një lloj konflikti të hapur me institucionet që mbijetuan prej zgjedhjeve të 23 qershorit.  Po përdorim këtë konvencion për të mos abuzuar me atë tjetrin, që i quan këto institucione ashtu siç don t’i quajë opozita në mënyrë shpërdoruese – “institucione të pavarura”. Ky lloj konflikti është periodik sa kohë që në Shqipëri ndodh herë pas here rotacioni politik, i cili detyron bashkëjetesën midis institucioneve që e kanë origjinën nga një shumicë e ndryshme nga ajo që qeveris aktualisht dhe mandat më të gjatë sesa 4 vjet. E veçanta, ama, është fakti se këto institucione e kanë origjinën nga partia e udhëhequr nga Sali Berisha, njeriu që e ka vulën e vet personale në këto emërime, ashtu si dhe në zhvillimet kryesore të tranzicionit shqiptar. Parë kështu, meriton vëmendje qasja e shumicës ndaj tyre –  sa e ndryshme është në raport me paraardhësen dhe cila do ishte qasja e duhur me kahje modernizimin e shtetit.

Ka një përmasë të këtij konflikti, që është ajo mediatike. Në një shikim ngushtësisht pragmatik politika në pushtet e don këtë konflikt për të prodhuar lajme, për të gjetur koka turku, për t’u justifikuar me të drejtë ose pa të drejtë për problemet që nuk arrihen të zgjidhen aq shpejt sa duhen, për ritmet e përparimit etj., etj. Por kjo s’është gjithçka dhe nuk mjafton për të shfajësuar apo për t’i dhënë të drejtë shumicës.

Në krye të herës duhet thënë se kjo shumicë nuk mundet kurrsesi të zëvendësojë të gjithë krerët e institucioneve brenda një mandati – Presidentin, kryetarin e SHISH, prokurorin e Përgjithshëm, zëvendëskryetarin e KLD-së, kryetarët e gjykatave eprore etj., etj., edhe sikur pretendimet ndaj tyre të ishin të gjitha të drejta. As bashkësia ndërkombëtare s’do ta toleronte nivelin kaq të lartë të konfliktualiteti politik që do prodhohej. Ndëshkimi kryesor do të ishte mosmarrja e ftesës për statusin e kandidatit në qershor të këtij viti. Në këtë kuptim, fushata polemike e njëkohshme ndaj thuajse të gjithë këtyre institucioneve ngjan tërësisht e paarsyeshme.

Megjithatë, brenda kësaj qasjeje tërësore ka disa nuanca që meritojnë shqyrtim të diferencuar. Po rrekemi ta bëjmë, por vetëm nga pikëpamja e rezultateve apo suksesit eventual, pra nga këndvështrimi pragmatik, dhe jo nga këndvështrimi ligjor.

 Përplasja me Presidentin

Po e nisim në fillim me qasjen ndaj Presidentit, pse ai është institucioni më i rëndësishëm dhe pse prej tij varet propozimi apo shkarkimi i krerëve të institucioneve të tjera. Presidenti nuk mund të kritikohet për gjithçka, duke nisur nga ftesa për kryetarin e opozitës në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, një institucion me natyrë këshillimore. Strategjia e sigurisë kombëtare në një vend normal do duhet të miratohet me konsensus, i cili do duhej të sigurohej në një forum si ky i Këshillit të drejtuar nga Presidenti. Prania e kryetarit të opozitës justifikohet me këtë qëllim. Në momentin kur mbledhja ishte me dyert të mbyllura, dhe kreu i opozitës nuk kishte mundësi të bënte politikë opozitare sfiduese ndaj shumicës, para kamerave, s’kishte asnjë arsye për ta komentuar negativisht një ftesë të Presidentit ndaj tij. Nuk mund të hidhen poshtë dekretet e Presidentit për anëtarë të Gjykatës së Lartë që janë negociuar dhe konsultuar me palët, për njerëz që vijnë nga drejtimi i gjykatave të apelit, sepse kjo mban era sfidë. Në rrethana sfide dhe Presidenti, varësisht dëshirës për protagonizëm e që s’ka ç’humbet, do të përgjigjet me bllokim diku tjetër, ta zëmë me firmën për ambasadorët.

Kreu i shumicës e di që herët a vonë do të shkojë në zyrën e Presidentit për firmën e tij jo vetëm për ambasadorët, por dhe për emërime apo shkarkime të tjera eventuale që varen prej kreut të shtetit. Nuk ka kurrfarë vlere arsyetimi se Presidenti komandohet nga Berisha etj., etj., sepse nga pikëpamja e rezultatit kjo s’ka rëndësi.

Shumica është e detyruar të bashkëjetojë me Presidentin dhe të japë e të marrë duke tentuar ta shkëpusë nga ky komandim nëse është e mundur, duke ia ruajtur dinjitetin dhe duke e lejuar Presidentin të kultivojë protagonizmin e vet. Nëse zoti Nishani e ka kuptuar se nuk mund të ketë një vend në histori nëse bën lojën e Berishës, atëherë ai do të bëhet bashkëpunues. Rruga e përplasjes së fortë publike me të nuk të çon asgjëkund, dhe kjo është e provuar me paraardhësit. Sigurisht, Presidenti e ka tepruar me gjuhën e vet kritike ndaj shumicës, gjuhë e cila cenon sadopak idenë e unitetit institucional në një shtet normal.

Në rastin e shkarkimit të kreut të ILKDP-së dhe emërimit të dikujt tjetër, shumica nuk ka marrë kompetencën e Presidentit në mënyrë banale, siç don ta quajë dikush, por thjesht ka përdorur zbrazëtinë kushtetuese për një rast si ky dhe ka bërë një artific. Ky artific mund të kontestohet në Gjykatë Kushtetuese, por është larg të qenit uzurpim i kompetencës së Presidentit. Uzurpimi, nëse ka ndodhur, ka ndodhur në fillim, kur kryetarja e Parlamentit nuk kishte futur në votim dy kandidatura, të Xhukës dhe Ganajt, por vetëm një, atë të Xhukajt, duke e zhvlerësuar kandidaturën e dytë. Presidenti do ishte i besueshëm sot nëse do kishte reaguar dhe atëherë.

Dhe me të tjerët…

Në përplasjen aktuale po dominon dhe ajo me kryetarin e SHISH. Presioni publik ndaj tij me historinë e përgjimeve nuk ka asnjë vlerë kur nuk është provuar autenticiteti i shkresës që thuhet se ai ka firmosur, me të cilën autorizoheshin përgjimet. Nëse kjo letër është e vërtetë, atëherë kryetari i Shërbimit ka shkelur ligjin dhe duhet dërguar në gjyq pa kurrfarë politizimi. Nëse s’provohet kjo, përpjekje si ato që kemi parë në Parlament s’do të kenë sukses. Për më shumë kur për emërimin dhe shkarkimin e kryetarit të shërbimit inteligjent, SHBA-të kanë peshën kryesore. A e kanë dhënë SHBA-të miratimin për këtë shkarkim? Nëse nuk e kanë dhënë miratimin, çfarë dobie kanë përplasje të tilla në stil të gjerë me një institucion si SHISH dhe kreun e tij? A nuk humbet më shumë shumica nëse bën zhurmë të madhe që nuk prodhon asnjë rezultat praktik?

E njëjta gjë mund të thuhet dhe për KLD-në. Nëse krahas polemikave apo kritikave nuk ka kurrfarë iniciative ligjore për ta vendosur në pozita pune atë institucion të rëndësishëm, apo për të ndërruar përbërjen e tij me kahje ekuilibruese, atëherë shumica s’do arrijë asgjë përveç mbushjes së hapësirës mediatike me polemika të zakonshme.

Qasja ndaj institucioneve shtetërore me origjinë të ndryshme nga shumica në pushtet nuk është tërësisht e ngjashme me atë që kemi pare 8 vjet më parë, me sulmet e egra ndaj prokurorit të Përgjithshëm, Presidentit Topi etj. Por ka nevojë megjithatë të kalibrohet gjithçka, të ruhet etika në maksimum, nga të gjitha nivelet e politikës. Ky do të ishte shndërrim i madh në raport me të shkuarën, por shndërrimi më i madh do të ishte megjithatë një tjetër. Shteti lipset të ketë unitet drejtimi institucionesh, harmonizim të interesave të tyre dhe jo pashallëqe apo feude që veprojnë në kokë të tyre. Kjo ka munguar sistematikisht në këta 23 vjet. Në diktaturë apo në kohën e mbretërisë këtë unitet drejtimi, që është dhe parim kushtetues në demokraci, e garantonte mbreti dhe diktatori. Sot është shumë e vështirë të arrihet, por kur të arrihet mund të themi se vërtet e kemi modernizuar shtetin. Kjo është sfida reale dhe më e madhe për shumicën e sotme në pushtet.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi