Përfundoi takimi ndërparlamentar Shqipëri-BE: deklarata nxit dialogun mazhorancë-opozitë

STRASBURG- 13 mars 2014

 Takimi ndërparlamentar ka përfunduar me miratimin e deklaratës Shqipëri-BE. Në deklaratë mbështetet anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Në të shprehet keqardhje që statusi nuk u mor që në dhjetor. Ndër të tjera në deklaratën e përbashkët bëhet thirrje për ndaljen e bojkotit në Kuvend dhe nxitjen e dialogut konstruktiv mazhorancë-opozitë.
Deklarata përshëndet angazhimin e qeverisë për reformën gjyqësore dhe thekson se diskutimet për propozimet e opozitës do të zhvillohen në Tiranë.
“Pas diskutimeve të gjata u arrit të miratohet pjesërisht deklarata e përbashkët. Në paragrafët e miratuar sot përshëndetet dialogu i nivelit të lartë BE-Shqipëri dhe pjesëmarrja e opozitës në këtë dialog. Mbështetet anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe shprehet keqardhje për vendimin e Këshillit në dhjetor për shtyrjen e vendimit për dhënien e statusit të vendit kandidat Shqipërisë në qershor të këtij viti.
Një pikë mjaft e rëndësishme e miratuar me konsensusin e të gjitha paleve ishte pika 3 sipas të cilës: “U nënvizua nevoja e ruajtjes dialogut politik në vend dhe i bëhet thirrje mazhorancës qeverisëse dhe partive të opozitës të mbeshtesin reformat kyçe që nevojiten për integrimin Europian;
U inkurajuan autoritetet përgjegjëse t’i implementojnë efektivisht në një mënyrë përfshirëse dhe konstruktive dhe të prezantojnë një listë rezultatesh konkrete përpara mbledhjes së Këshillit të Qershorit; iu kërkua të gjitha partive politike të heqin dorë nga retorika mosrespektuese dhe të shmangin bojkotimin ose bllokimin e punimeve të Kuvendit; thirrje për ndaljen e veprimeve obstruktive dhe bojkotin e punimeve të Kuvendit”- bëhet me dije nga PS.

Më tej sqarohet:” Për propozimet e opozitës u ra dakord të vazhdojë diskutimi në Tiranë sepse propozimet e deputetëve demokratë u vlerësuan si të paarsyeshme në formën e paraqitur, në disa raste ata ishin edhe me emra konkretë, apo që kërkonin anullim të vendimeve të Kuvendit.
Lidhur me procesin e miratimit të deklaratës finale duhet sqaruar se përfaqesuesit e Partisë Socialiste dhe të LSI shprehen që në fillim gadishmërinë që draft-deklarata të miratohet në variantin e propozuar nga bashkë-Kryetari i Komitetit Eduard Kukan. Mazhoranca dha konsensus të plotë për draftin e propozuar nga Parlamenti Europian dhe tregoi vullnet pozitiv ndaj amendamenteve te opozitës pavarësisht frymës destruktive të tyre.
Me deshirën e mirë për të patur një deklaratë finale, u ra dakord që për amendamentet e propozuara nga deputetet e PD, të vazhdojë shqyrtimi në një mbledhje në Tiranë gjatë javës së ardhshme, që do të drejtohet nga bashkë-Kryetari i Komitetit zoti Taulant Balla.
Pas miratimit këto amendamente do të përfshihen në deklaratën përfundimtare të mbledhjes së shtatë të Komitetit të Stabilizim-Asocijimit Shqiperi-BE.”
Deputetja e PD-se, Majlinda Bregu deklaroi në takim se opozita i kërkon qeverisë shqiptare t’i qëndroje standardeve evropiane dhe kritereve te Kopenhagenit.  “Ne do ta mbështesim që të jenë ambicioze nëse respektojnë standardin. Por nëse qeveria vendos se s’ka asgjë për të ndryshuar ne veprimet e saj, kam frike se do te humbasë përsëri statusin në qershor.

Boshtinaru foli përsëri për gjuhë nacionaliste para zgjedhjeve. Nese deklaratat e Kryeministrit Rama për ekstremistë dhe islamofobë në BE, ju duken korrekte, ateherë kuptojmë njelloj dëmin e nacionalizimit që përdoret për të justifikuar dështimin.”- u shpreh Bregu.

Deputeti Eduard Halimi akuzoi qeverinë se nuk po ecën në rrugën e BE-së dhe nuk po lufton korrupsionin.

“Rama vetëm akuzon paraardhësit dhe kërkon dënimin e tyre përmes FB. Ndërtoi kryeministrinë pa asnjë transparencë dhe nën korrupsion, gënjen për paketën antimafia. Paketa sulmon kundërshtarët poltike dhe intimdon gjyqësorin dhe prokurorinë.

Për paketën të gjithë agjensitë janë kundër. Rama nuk lufton korrupsionin, por kap institucionet e pavarura dhe kërkon mbrojtje ndaj korrupsionit”- është shprehur Halimi.

PD: JA PROPOZIMET E OPOZITËS TË BLLOKUARA NGA SHUMICA NË KSA
Zyra e Shtypit të Partisë Demokratike zbardh propozimet e opozitës të cilat u bllokuan nga përfaqësuesit e shumicës në Komitetin e Stabilizim Asociimit.

1- Shpreh keqardhje për skemën e blerjes së votave gjatë zgjedhjeve të pjesshme lokale në Korçë dhe bëjmë thirrje për një hetim të plotë dhe të shpejtë lidhur me këtë çështje. Dënojmë blerjen e votave duke e cilësuar si formën më të shëmtuar të korrupsionit politik dhe një kërcënim të vërtetë ndaj demokracisë.

2- I referohemi deklaratës në tetor 2013 dhe në rezolutat e Parlamenteve shqiptare dhe evropiane që bëri i thirrje parlamentit dhe qeverisë për të ruajtur dhe për të nxitur integritetin dhe pavarësinë e institucioneve kryesore të tilla si Instituti Kombëtar i Statistikave, Autoriteti Audio-vizual i Medias, Inspektori i Lartë për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurisë së Zyrtarëve etj; dënon shkarkimin e paligjshëm të znj Ines Nurja, Drejtore e Përgjithshme e Institutit Kombëtar të Statistikave si dhe vë në dukje vendimin e gjykatës që anulon vendimin për të shkarkuar znj Nurja dhe i kërkon Qeverisë të zbatojë vendimin e gjykatës dhe ta rivendosur atë në zyrë;

3- Shpreh keqardhje për shkarkimin e paligjshëm të Kreut të Inspektoratit të Lartë për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurisë së Zyrtarëve; shprehin shqetësim të thellë në lidhje me faktin që pushteti ekskluziv i Presidentit për të propozuar kreun e ILDKP në përputhje me ligjin është uzurpuar në mënyrë arbitrare nga maxhoranca në Parlament duke çuar kështu në shkeljen e parimeve të Kushtetutës për ndarjen e pushteteve dhe kontrollit dhe duke sjellë një situatë të paqëndrueshme në Parlamentin e Shqipërisë. Bëjmë thirrje për hapa të menjëhershëm për përmirësimin e situatës në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën.

4-Kërkojmë që të tërhiqet amendamenti i mbështetur nga maxhoranca për të shkarkuar këshillin e AMA-s dhe rithemelimin e saj, si dhe i bën thirrje maxhorancës të plotësojë vendet e lira në këshillin e AMA-s pa u vonuar.

5-Thirrje mazhorancës për të plotësuar vendet e lira në KQZ në përputhje me ligjin, për të ruajtur dhe nxitur integritetin e saj për të funksionuar normalisht.

6- Thirrje Parlamentit për të zhbllokuar emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë.

7-Ndihet e alarmuar nga përdorimi i Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar për të shkatërruar pronat e ligjshme të qytetarëve shqiptarë dhe të BE-së në kundërshtim me ligjin dhe vendimet e gjykatës dhe i bën thirrje qeverisë të ndalojë menjëherë praktika të tilla dhe të sigurojë dëmshpërblimin e duhur për palët e dëmtuara.

8-Shpreh keqardhje për incidentin në lidhje me shkeljen e paligjshme dhe kopjimin e dyshuar të të dhënave digjitale të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe bën thirrje për një hetim të plotë dhe gjithëpërfshirës të kësaj çështjeje.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi