Gjithëpërfshirja, nuk blihet në BE

Nga Ilva Tare, botuar në Java, 12 mars 2014

Duhet të gjejmë një model shqiptar ,që i përshtatet gjithëpërfshirjes perëndimore. Në radhë të parë duhet ta duam dhe të vetëdijësohemi se na duhet. Druaj se nuk jemi ende në këtë fazë

Ka një ilac që nuk gjendet në farmacitë e Europës së zhvilluar dhe që sipas atyre që ja kanë dalë të shërohen prej saj, është e domosdoshme për organizmin e një trupi të shëndoshë. Nëse do ta shihnim shtetin si një trup më gjymtyrë të ndarë midis pushtetit dhe opozitës, shoqërisë civile dhe institucioneve të pavarura, gjykatave dhe të pa gjykuarve, do të dilnim në një përfundim të vjetër për botën e qytetëruar, por ende të papërdorshëm në trojet shqipfolëse, gjithëpërfshirjen.

Duket si fjalë e komplikuar, por në të vërtetë, përfshirja e të gjithëve është një praktikë e huazuar nga koncepti sociologjik i marrjes pjesë në vendimmarrje, përmes përpjekjeve personale ose të partisë politike pavarësisht se ke mendime, qëndrime dhe origjinë të ndryshme. Qe t’ua bëj më të thjeshtë në kontekstin e Tiranës zyrtare, gjithëpërfshirja që kërkoi sërish Stefan Fule në vizitën disaorëshë, është mundësia për të punuar së bashku edhe kur janë përmbysur vendet në tavolinën e bisedimeve të dialogut të lartë, madje edhe kur je President me 73 vota dhe Kryeministër me 82.

Më thjeshtë akoma. Gjithëpërfshirje do të thotë që edhe kur mendon se një Shqipëri me rregulla e ligje, ku zyrtarët dhe familjarët e politikanëve nuk kanë një korsi të preferuar që zakonisht është e jashtëligjshme, duhet ta miratosh dhe të kontribuosh për ta instaluar, përkundër interesit personal dhe politik. Do të thotë të mendosh për vendin, për standardet, për të ardhmen dhe krijimin e një klime të favorshme zhvillimi dhe demokracie të shëndetshme. Do të thotë të japësh miratim edhe kur humbet zgjedhjet, edhe kur rrëzohen monopolet që favorizojnë interesat e rrethit tënd familjaro-politik. Do të thotë të dëgjosh turmën përpara se ta qëllosh me plumba dhe ti rezistosh tundimit për tu kthyer në regjim autokratik.

Do të thotë të numërosh deri në dhjetë përpara se të përgjigjesh me ironi në konferenca shtypi dhe akuza prej të sëmuri mendor në Kuvend dhe në ligjëratë publike. Do të thotë ta shohësh kundërshtarin në sy dhe jo tek mustaqet. Do të thotë të debatosh dhe të arrish më të mirën duke qenë i kundërshtuar dhe sfiduar. Do të thotë të tregosh përulësi jo vetëm në fjalime por edhe në veprime. Do të thotë të rrish në shtëpi kur e ke mbaruar misionin politik dhe të lësh pasuesin të pijë një birrë irlandeze me të ngjashmit në Dublin. Do të thotë të humbasësh nga interesi yt personal dhe politik për ti lënë hapsirë edhe palës më pak të përfaqësuar. Do të thotë të gjykosh me arsye dhe zemër edhe kur zemra mbart mëri të vjetra videosh me zë e me figurë. Do të thotë të zgjedhësh parimin në vend të pazarit. Do të thotë të zgjedhësh gjithmonë ligjin dhe të drejtën në vend të asaj që mendon se është e duhura. Do të thotë ekzaktësisht atë që nuk kemi parë në këto njëzet e tri vite të shkuara.

Gjithëpërfshirja, mund të implantohet edhe në trupa që refuzojnë ta pranojnë, por problemi është se nuk shitet si e tillë në asnjë nga vendet e Bashkimit Europian që po përpiqet të na e injektojnë. Duhet të gjejmë një model shqiptar ,që i përshtatet gjithëpërfshirjes perëndimore. Në radhë të parë duhet ta duam dhe të vetëdijësohemi se na duhet. Druaj se nuk jemi ende në këtë fazë. Deri atëherë, do kenë kaluar edhe shumë Qershorë dhe Tetorë të tjerë.


    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi