Dhe integrimi rri e vështron

Nga Fatos Çoçoli, botuar në Panorama Online, 11 mars 2014

Arsyet kryesore të mosbesimit të disa shteteve anëtare të Bashkimit Europian (Holanda, Çekia etj.) për përparimin e Shqipërisë dhe sjelljen e saj në një pikë ku të pranohet nga të gjithë se e ka merituar dhënien e statusit “vend kandidat për në BE”, duhen thënë qartë. Janë sidomos tri: një luftë jofrontale ndaj trafikut të drogës, një përpjekje jofrontale ndaj krimit të organizuar, një front i pabashkuar dhe jokonkret kundër korrupsionit. Në takimin e dy ditëve më parë në Tiranë, gjëja më pozitive ishte prania e titullarit të zgjerimit në Bashkimin Europian, komisionerit Stefan Fyle. Por ama dihet nga të gjithë vullneti i BE-së për zgjerim në Ballkan, edhe përballë krizës ukrainase (ose, ndoshta, pikërisht më shumë për shkak të kësaj krize). Përsa i përket përmbajtjes së takimit, sinjalet për të tria frontet ku Bashkimi Europian ende nuk ka besim të plotë te ne, duhet të ishin dhënë më me forcë. Për frontin e kufizimit të trafikut të drogës, kapja e rritur e drogës kanabis brenda kufijve tanë është për t’u përshëndetur. Por përbën vetëm fillimin e punës. Puna e vërtetë është të nxjerrësh Lazaratin nga puna, pra t’u japësh banorëve të kësaj komune një mundësi për të jetuar pa kultivuar drogën. Kjo komunë e pret ministrin e Brendshëm që t’i shkojë me një dritë shprese, dhe ministri duhet të shkojë. Mundësisht të marrë dhe 2-3 ministra të tjerë me vete. “Halli” i Lazaratit, sa më shpejt të zgjidhet, aq më mirë për të gjithë. Për frontin e dytë kundër krimit të organizuar, gjendja është ende në pelenat e progresit. Bashkëpunimi me Interpolin po forcohet dhe më së fundi është real. Por që të kapin kriminelët në tokën tonë, drejtuesit e rinj të Policisë shqiptare duhet ta dinë mirë se nuk kanë gjë në vijë po nuk punuan me njerëzit. Ajo që quhet punë në komunitet. Duhet të kenë durimin dhe kujdesin për t’iu shpjeguar dhe për t’u bërë të besueshëm te qytetarët. Vetëm po morën gradualisht besimin e tyre për të bashkëpunuar dhe sigurinë se denoncimet nuk do të tradhtohen nga brenda, kriminelët ende të fshehur do të kapen. Nuk kanë ku të shkojnë, po i besuan policisë, qytetarët që i shohin përditë nëpër rrugët dhe baret tona. Rigjallërimi i arrogancës në raportet me njerëzit do të ishte harakiri për sfidën kryesore të Policisë shqiptare. Për frontin e tretë, zëre se jemi në vendnumëro. Asnjë peshk i madh i korrupsionit nuk ka rënë në rrjetën e drejtësisë shqiptare. Shanset për të marrë statusin e vendit kandidat në qershor 2014 do të ishin shumë më të mëdha e më të sigurta nëse një peshk i tillë tani do të ishte vënë prapa hekurave. Dosjet e para të qeverisë së re, që si shi i dendur trokitën në dyert e Prokurorisë në muajt tetor-dhjetor, tani duket se i ka zënë gjumi i dimrit, të papasuara me të tjera. Presioni ndaj Prokurorisë sikur ka rënë, ndërkohë që duhej të ishte në nivelet më të larta, si presingu në një ndeshje futbolli. Qeveria e sotme ende nuk ka dhënë shenja të bindshme se po kërkon realisht një front të përbashkët kundër kancerit të mirëfilltë të shoqërisë sonë. Korrupsioni nuk luftohet me një konferencë antikorrupsion, as me dy, as edhe me dhjetë të tilla. As edhe me marrëveshje bashkëpunimi mes ministrash. Qeveria, e vetme, sado e përkushtuar, e ka davanë të humbur. Duhet të mbështetet dhe t’u besojë institucioneve të pavarura që kanë vullnet real për të luftuar korrupsionin. Mjafton të përmendim një syresh, Kontrollin e Lartë të Shtetit. Është një institucion që në dy vitet e fundit e ka rritur me herë numrin e kallëzimeve penale që ka çuar në prokurori. Dhe ka kërkuar, njëlloj si dhe ambasadori i BE-së, Sekui, luftë në sistem kundër korrupsionit. Dorën e nderur ndaj institucioneve të pavarura si Prokuroria, KLSH apo Inspektorati i Deklarimit të Pasurive, i takon qeverisë sonë ta mbajë shtrirë në pafundësi. Është e vetmja mënyrë për të qenë efikas me kurimin e superplagës korrupsion. Sa për reformën në Drejtësi, ajo nuk ka filluar dhe nuk do të përfundojë sot. Të shpresosh në hapat e shpejtë reformues të Drejtësisë sonë, për të luftuar realisht sot korrupsionin, është të bësh diskutimin: “Ka qenë më parë pula apo veza?”. Qeveria duhet të tregojë artin e ngjizjes së bashkëpunimit me institucionet e pavarura në frontin e parë të antikorrupsionit, dhe jo të ngelet vetëm në terrenin e takimeve të bukura e të goditura, me fjalime patetike. Për sa kohë nuk bashkëpunon konkretisht me institucionet e tjera kushtetuese, por vetëm prodhon mosbesim apo injorim ndaj tyre, integrimi te ne do të rrijë e të na vështrojë, si dhe yjet e ftohta të librit të famshëm të shkrimtarit skocez Arçibald Kronin.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi