A. Civici: Nuk mjafton të shpjegojmë se ç’ka ndodhur, duhet të propozojmë zgjidhje
Intervistë me Ardian Civici, botuar në Mapo Online, 8 mars 2014
A ka aktualisht në ekonomi, në rrafsh botëror, një ide të ideve? Një lloj risie ose kundërideje në lidhje me shpëtimin ekonomik dhe qëndrueshmërinë, pas krizës globale që nga viti 2008?
Përpara se të konkludojmë nëse ka një ide të ideve, mendoj se duhet parashtruar një dekalog i shqetësimeve kryesore që mundojnë sot ekonomistët të vendosur përballë detyrës së shpëtimit ekonomik. Ato janë: përballimi i pasojave të ekuilibrave të rinj ekonomikë e strategjikë ndërkombëtarë; menaxhimi i situatave specifike që evidentohen në vendet ish-socialiste të Lindjes, apo atyre me socializëm specifik në Azi dhe Amerikën Latine; konsolidimi ekonomiko-financiar i BE dhe SHBA; përballja me problematikën e mos-zhvillimit dhe prapambetjes ekonomike që prek mbi 50% të popullsisë së globit; çështja e papunësisë si një plagë kronike; shtimi i varfërisë dhe diferencimit social që ka arritur përmasa të pahasura ndonjëherë në histori; sfidat e energjisë dhe mjedisit, përfshirë këtu dhe efektet e ngrohjes globale; gjetja e një raporti të drejtë ndërmjet rritjes ekonomike dhe mirëqenies ekonomike; parandalimi dhe menaxhimi i krizave të ardhshme financiare e monetare; roli i Shtetit në ekonomi.
“Ideja e ideve” sot po kërkohet në menaxhimin e kapitalizmit si sistem, në “zotërimin” e këtij modeli ekonomik e social që dominon botën, dhe për më tepër nuk ka asnjë konkurrent sfidues përballë. Të majtë e të djathtë, në substancë të diskutimeve kanë “ndryshimin/përmirësimin e natyrës së kapitalizmit, përmirësimin e rolit të aktorëve kryesorë të tij si tregu, shteti, sipërmarrja private, grupet e interesit, shoqëria civile etj.”. Ideja e ideve që po kërkohet qëndron në përgjigjen e pyetjeve: a është kapitalizmi i sotëm “shprehje autentike e vizionit modern për shoqërinë?”, “a duhet që logjika e tregut dhe fitimit të jetë shpirti i vetëm i kapitalizmit?”, “a mund të humanizohet kapitalizmi duke tejkaluar konceptin se në këtë botë gjithçka është mall që shitet e blihet me qëllim fitimi?”, “a mund të tejkalohet koncepti dhe paradigma e sistemit kapitalist si sundues absolut?” etj.
A flitet sot për, dhe a ekziston një rrugë e mesme që e sheh ekonominë të zhvillohet përtej dikotomisë së ideve të Keynes dhe Hayek?
Në debatet ndërkombëtare, në raportet ndërmjet shtetit “të përfaqësuar në shkollat e teorive ekonomike nga Marksi dhe Keynesi, dhe tregut, të përfaqësuar nga Smithi, Hayeku dhe Friedmani, qëndrimet radikale “bardh e zi” po ia lënë vendin pozicioneve më të zbutura: si Shteti ashtu dhe tregu kanë treguar limitet e tyre dhe është më mirë të kombinohen se sa të jenë opozitare të njeri tjetrit. Shteti duhet të merret me vendimet e natyrës strategjike, ndërsa tregu të luajë rolin e alokimit të përditshëm të kapitaleve. Logjika shteti në gjithçka apo vetëm tregu është e limituar për të garantuar zhvillimin e qëndrueshëm. Teoritë mikroekonomike evidentojnë kushte kufizuese që tregu të arrijë ekuilibrin optimal, ndërkohë që analiza e progresit teknik dhe zhvillimit social evidenton rëndësinë e ndërhyrjeve publike në favor të zhvillimit. Dhe ekonomia politike moderne dëshmon që Shteti nuk mund të jetë instrumenti i vetëm i zhvillimit. Alternimi i strategjive intervencioniste me ato liberale nuk është më një fatalitet dhe bën pjesë në debatin tashmë shekullor “Keynesi apo Hayek-u”? Krizat e viteve të fundit dhe teoritë moderne ekonomike kanë krijuar bazat e një koncepti të ri origjinal për shek. XXI: “marrëdhëniet plotësuese ndërmjet Shtetit dhe Tregut në kuadrin e rregullimeve institucionale të qëndrueshme si dhe kompletimi i arsenalit të instrumenteve koordinues pritet të jetë baza e zhvillimit në këtë shekull të ri”. Shumë ekonomistë, kur flasin për dikotominë shtet-treg, perifrazojnë themeluesin e sociologjisë moderne Durkheim, se në themel të çdo rregullimi qëndron garantimi i lirisë së vërtetë të forcave të tregut, ashtu si në themel të çdo lirie tregu qëndron gjetja dhe aplikimi i rregullimeve të duhura.
A nuk ju duket se pajtimi me një rrugë të tretë ekonomike apo politike, ose kombinimi i teorive apo praktikave ekonomike është në thelb streha e të pamundurve për të gjetur një ide të re në ekonomi apo politikë? Idetë e qarta e të forta, dhe jo shartimet apo hibridizimet, janë dëshmuar edhe si më të suksesshmet në ekonomi: për shembull Reagan me atë që u quajt reaganomics apo politikat ekonomike të Thatcher-it…
Thatcher dhe Reagan, dy nga figurat e shquara të konservatorizmit liberal i qëndronin mendimit se shteti nuk është zgjidhja e problemit…por është vetë problemi. Në të kundërtën e këtij pozicioni qëndron një nga reformatorët e mëdhenj kinezë, Teng Siao Ping, që theksonte se tregu është një zog shumë i çmuar, por që të shijosh cicërimat e tij, ai duhet mbajtur me kujdes në kafaz se mund të fluturojë dhe të të ikë. Ndërkohë, R.Wade, në librin Governing the Market shprehet se gjëja më e rëndësishme është të dish të qeverisësh tregun. Në themel të debatit qëndron konstatimi se zhvillimi nuk mund të kufizohet vetëm në rritjen ekonomike dhe shtimin e të mirave materiale në mënyrë globale….por ai duhet të gjykohet në përputhje me përmirësimet në nivelin e jetesës për grupet e ndryshme sociale…në përmirësimin e cilësisë së jetës dhe mirëqenies kolektive për çdo vend. Në fokus qëndron rikthimi në vlerësimin e rolit të Shtetit në raport me zhvillimin ekonomik e social: duhet të privilegjojmë shtetin e centralizuar e dominues (vende që kërkojnë kontroll absolut të jetës ekonomike dhe zhvillimit nga Shteti); shtetin liberal të tipit anglo-sakson; shtetin që i jep një autonomi të madhe kompetencave rajonale dhe prirjeve të unifikimit kontinental (rasti i BE); apo shtetit krejtësisht të hapur që aspiron të përfitojë nga efektet e globalizimit pa u kujdesur shumë për diferencimin social apo rajonal.
Libri i B.Klinton-it Back to Work – why we need smart government for a strong economy që vlerësohet si një bestseller në analizat dhe këshillat “për një ekonomi të zhvilluar, të qëndrueshme dhe larg krizave” i bën një skaner krizës financiare, por edhe “mjedisin e favorshëm” që ajo gjeti në mbarë botën. Pse u arrit deri këtu? A mund të nxirret një mësim për të zbuluar “gabimin e madh” që e çoi botën në prag katastrofe? Klinton e ka një përgjigje: rendja pas liberalizmit total, liria dhe pushteti absolut i pakontrolluar i tregut, si dhe diabolizimi i Shtetit dhe qeverisë janë shkaqet kryesore që na prodhuan krizën më të madhe në historinë e kapitalizmit modern. Leksioni përmblidhet në sentencën “jo shtet kudo prezent dhe as treg pa limit, por një partneritet cilësor publik-privat përbën çelësin e performancës së zhvillimit dhe qëndrueshmërisë së çdo vendi. Ideologjitë e tipit “anti-shtet” apo “vetëm treg” janë njësoj të rrezikshme. Pra, në një farë mënyre duhet pasur kujdes nga “idetë e forta”!
Konferenca e fundit e Forumit Ekonomik të Tiranës, organizuar nga FLE, ku morët pjesë edhe ju, theksonte frikën për një rikthim të etatizmit në Shqipëri pas ardhjes së të majtës në pushtet?
Jo vetëm në Shqipëri, por edhe vende të tjera të botës po përballen me pyetjen: e majta politike nënkupton domosdoshmërisht rikthimin e etatizmit dhe Shtetit kudo-prezent? Por, çështja apo pyetja duhet shtruar pak më gjerë: a kemi gjetur ne mënyrat apo politikat më të mira për të rritur eficencën e sektorit shtetëror…apo duhet të gjejmë zgjidhjen më të shpejtë e më të lehtë duke privatizuar gjithçka? Përballë çdo qeverie e administrate qëndrojnë disa pyetje që lidhen me politikat fiskale e ekonomike të tipit: shteti duhet të rrisë prezencën e tij në ekonomi që të sigurojë më shumë të ardhura për të mbështetur sektorin e shërbimeve publike?; duhet të rrisë akoma më tej tatimet dhe taksat për të mbushur buxhetin?; duhet të shkurtoje disa lloje shërbimesh për të mbështetur sektorin publik?; duhet të privatizojë masivisht për të alokuar kapitalet private drejt këtyre shërbimeve?; duhet të përmirësojë administrimin e sektorëve problematikë duke aplikuar metodat e sektorit privat në to?, etj.
Vende të ndryshme i kanë dhënë përgjigje specifike politikave në favor të njërit apo tjetrit variant, por, po ta shikojmë në tërësi, kjo problematike ka evoluar sipas një trajektoreje të përbashkët. Periudha 1945-80 u karakterizua nga një prezencë e lartë e Shtetit i cili garantonte dhe ofronte në një pozicion monopol pjesën dërrmuese të shërbimeve (ujë, elektricitet, arsim, shëndetësi, transport, telekomunikim). Mbas viteve ‘80, publiku u bë më i ndjeshëm ndaj shërbimeve që i ofroheshin dhe mundësive të zgjedhjes, ndërkohë që fatura financiare dhe buxhetore e qeverive filloi të rritej shumë dhe të bëhej e papërballueshme. Shumë qeveri në pamundësi për të financuar ekspansionin e shërbimeve vendosën: të reduktojnë dimensionet e sektorit të tyre publik, ose, të ndryshojnë strukturën e tij, por gjithmonë duke privilegjuar privatizimin e tij, si dhe kalimin nga praktika e sektorëve publikë në atë të shërbimeve publike, të cilat sigurohen edhe nga aktorë jashtë sektorit shtetëror. E rëndësishme është që shoqëria t’i marrë në cilësinë dhe sasinë e duhur këto shërbime.
Surpriza më e madhe si në fushën e teorisë ekonomike dhe filozofisë së zhvillimit ishte fakti se gjatë 2-3 dekadave të fundit prezenca e shtetit në këtë sektor jo vetëm që nuk është zvogëluar, por përkundrazi është zmadhuar. Ajo që ka ndryshuar është roli i tij, mënyrat e ndërhyrjes dhe doza e këtyre ndërhyrjeve. P.sh., shumë vende kanë privatizuar monopolet shtetërore në fushën e energjisë, ujit, telekomunikimit, arsimit, shëndetësisë,transportit,etj.,por nga ana tjetër shteti ka krijuar funksione të tjera të domosdoshme: rregullimin e tregut, eliminimin e monopoleve të sektorit privat, garantimin e konkurrencës dhe transparencës, unifikimin e standardeve bazë në shërbime,etj. Krahas evidentimit “surprizë” si një zhvillim i ri, kjo konsiderohet si një eksperiencë e mirë për t’u studiuar dhe marrë në konsideratë për vendet që janë në proces reformash modernizimi.
Cila, sipas jush është ideja më e gabuar ekonomike?
Ideja më e gabuar ekonomike, pa dashur ta specifikoj atë me një teori ekonomike, mendoj se është ajo ide që shfaqet si “ortodokse”, dmth., e padiskutueshme dhe e panegociueshme, që e lidh ekzistencën e saj pazgjidhshmërisht me një ideologji të caktuar, qoftë kjo e majtë apo e djathtë. Ekonomistët e politizuar apo “mbështetës pa kompromis” të një ideologjie duket se koha po i lë mbrapa. Në këtë fillim shekulli të ri, përballja e politikës dhe vendimmarrjes së saj specifike për çështjet e zhvillimit ekonomiko-social të çdo vendi po bëhet e kushtëzuar me disa fenomene tipike e të qëndrueshme të tilla si globalizimi, integrimet rajonale, krizat apo siç quhen më me përkëdheli “sfidat e modernizimit”, skenarët e mundshëm të modeleve të kapitalizmit dhe modifikimit të tij,etj. Thelbin e kësaj situate e shprehin dy koncepte apo filozofi politike që tashmë kanë fituar qytetarinë tek një masë e madhe ekonomistësh, sociologësh e politologësh. Formula e famshme e M.Thatcher e quajtur “TINSA” (There is no specific alternative–nuk ka alternativë specifike) dhe filozofia e cilësuar si “sentenca e 5 fjalëve e ish-Presidentit Sarkozy që përsëriste shpesh se what counts is what works, dmth, ajo që funksionon është e pranueshme. Në Europë, në SHBA, në vendet me ekonomi emergjente, etj., të gjithë duken të bindur se partitë e majta, të djathta apo të qendrës kanë filluar të përballen çdo ditë e më tepër me fundin e një cikli ideologjik e politik që i përkiste një periudhe të caktuar të zhvillimit ekonomik e politik të botës.
Analizat dhe studimet në kërkim të përgjigjes se “përse përqindjet e votuesve në zgjedhje po ulen vazhdimisht dhe si mund të interpretohet ky depolitizim apo largim i interesit të tyre për politikën”, si përgjigje më afër realitetit konsiderojnë faktin se nuk janë votuesit ata që po depolitizohen apo po e humbin interesin dhe besimin te politika, por është politika ajo që nuk shpreh e mbron më interesat dhe veçanërisht sfidat e tyre ekonomike. Shembulli i Bepe Grillos dhe lëvizjes “5 yje” në Itali me anë të sloganit nuk jemi një parti/ nuk jemi një kastë/ jemi qytetarë/ dhe vetëm kaq, tregon se si mund të orientohen votuesit edhe drejt një lëvizje thjesht kontestuese duke braktisur partitë politike tradicionale dhe idetë e tyre të vjetra për ekonominë dhe zhvillimin. Fillimi i shek.XXI, dhe pasojat e krizës financiare, po shënojnë fundin e një cikli politik dhe ideologjik mbi gjysmëshekullor. Projekti centrist teknokratik i Rrugës së tretë aplikuar në Angli, ai i qendrës së re aplikuar në Gjermani apo “trekëndëshi” alla Bill Klinton në SHBA, që u implementuan me sukses gjatë viteve ‘90 i arritën limitet e tyre dhe tashmë kanë filluar të konsiderohen si politikisht të ezauruara.
Cila është ideja më e gabuar ekonomike e djathtë?
Ideja ekonomike e djathtë që kontestohet më shumë është ajo që vlerëson se “tregu dhe vetëm tregu i lirë pa asnjë kontroll e ndërhyrje zgjidh gjithçka”. Sidomos në periudha krizash, e djathta detyrohet të përballet me kritika të ashpra ndaj tezës së saj kryesore “lirisë absolute të tregut”. Por, në këtë fillim shek.XXI, e djathta dhe ekonomistët e saj kanë hyrë në një proces reformimi në përballjen me sfidat e zhvillimit. Ajo po e shmang retorikën e saj radikale neoliberale dhe po tenton “terrenin e qendrës”. Ky riorientim i së djathtës mund të identifikohet në forma të ndryshme. G.Bush bëri dy fushata elektorale duke premtuar “compassionate conservatism” (konservatorizëm më social), F.Reinfeld, kryetari i Partisë Konservatore në Suedi u angazhua “të mbante shtetin social të modelit suedez duke e zvogëluar por njëkohësisht bërë më efikas atë”, CDU-ja gjermane ju bashkëngjit “vlerave sociale të shoqërisë gjermane”, D.Cameron në Angli ka marrë tashmë një kthesë të fortë dhe po paraqitet si një mbrojtës i investimeve publike, të shëndetit publik në Britani, të kujdesit parësor ndaj mjedisit etj. Ish-Presidenti i djathtë francez, Sarkozy gjatë mandatit të tij e hapi programin dhe qeverinë e tij për ide dhe personalitete të majta, për një patritozëm ekonomik më eficent etj.
Esenca e strategjisë së këtij konservatorizmi të moderuar konsiston në pranimin e sfidave të shoqërisë moderne, por “të djathtët” ndahen në instrumentet që ata propozojnë për t’i zgjidhur problemet. Për të djathtët klasikë Shteti vazhdon të jetë një instrument i pa-adaptueshëm, shumë i kushtueshëm dhe i rëndë për t’u manovruar me efektivitet. Përballë tij, neokonservatorët privilegjojnë zhdërvjelltësinë dhe efikasitetin e tregut, përshtatshmërinë dhe eficencën e sektorit privat, lirinë ekonomike në një mjedis ligjor e rregullativ cilësor, nxitjen dhe zgjerimin e incentivave të konkurrencës në emër të cilësisë,etj.. Ideja e të djathtës për të ndjekur një politikë ekonomiko-sociale të ngjashme në objektivat e saj me të majtën, por pa ngarkesën e saj ideologjike e historike duket se po josh zgjedhës nga shtresa të ndryshme sociale. Edhe një afrim i të djathtës me partitë populiste apo nacionaliste duket se po motivohet nga interpretimi se populizmi nuk është pozicion ideologjik apo filozofik siç mund të jenë liberalizmi, kapitalizmi, social-demokracia apo keynesianizmi, por është thjesht një stil politik. Thelbi qëndron në domosdoshmërinë e “modernizimit të funksioneve publike të shtetit dhe qeverisjes”, “në modernizimin e dialogut social”, në adoptimin e mënyrave eficente të zgjidhjes së konflikteve sociale që në thelb janë konflikte ndërmjet “punës” dhe “kapitalit” dhe rolit arbitër e garant të shtetit në këtë “kompromis”.
Cila është ideja më e gabuar ekonomike e majtë?
Mendoj se ideja më e gabuar ekonomike e majtë është se “drejtësia sociale dhe barazitizmi duhet të dominojnë me çdo kusht mbi liberalizmin dhe eficencën ekonomike”. Në të gjitha rastet kur një ide e tillë është tentuar të bëhet politikë zyrtare dhe zgjedhje e vetme, pasojat negative kanë qenë evidente. Aktualisht, e majta apo dhe qendra e majtë po tentojnë të formulojnë një projekt të ri politik dhe ideologjik, po tentojnë të çlirohen nga ekonomizmi pragmatik i Rrugës së tretë, por pa braktisur terrenin strategjik të qendrës sociale. Këtu nuk bëhet fjalë për t’ju kthyer koncepteve të vjetra të viteve ‘70-‘80 të shtetit social dhe solidar, por për të ndërtuar një propozim të ri politik i cili interpreton në mënyrë korrekte shpresat dhe ambiciet e popullsisë, dhe nga ana tjetër, i përgjigjet situatave të reja në një botë gjithnjë e më komplekse. Hartimi i programeve politike bazuar në drejtësinë fiskale, drejtësinë në zhvillim, punësimin, transformimin e rritjes ekonomike në zhvillim social,etj., është thelbi i këtij ndryshimi. Esenca e tij përmblidhet në sentencën shteti duhet të luajë një rol më aktiv, jo si ekzekutues i zhvillimit, por si mbrojtës i rregullave dhe krijimit të hapësirave sa më të gjera për zhvillim. Një element tjetër i këtij reformimi në emër të braktisjes së ideve të pavlefshme apo të këqija është një vëmendje substanciale e programeve politike ndaj problematikës së zhvillimit të qëndrueshëm, pra ndaj çështjeve mjedisore dhe zhvillimit social apo asaj që quhet cilësi e jetës.
Kjo filozofi e re përmblidhet në sentencën e famshme duhet t’u flasim njerëzve dhe jo të flasim në përgjithësi për shtetin. Një kryeministër social-demokrat suedez, disa vite më parë duke shpjeguar humbjen në zgjedhje të partisë së tij tha se nëpërmjet programit tonë “ne i folëm Suedisë, por jo direkt suedezëve”. Rasti i Presidentit Obama konsiderohet si përdorimi më brilant i kësaj filozofie. Origjinaliteti i tij qëndroi tek kontakti direkt me amerikanët, tek përdorimi i rrjeteve sociale si marrëdhënie direkte me çdo qytetar amerikan, tek krijimi i komunitetit Obama, tek imazhit se Ai ishte simboli i ndryshimit në kuadrin e simbolikës Yes, we can.
Cila është ajo ide ekonomike, së cilës ju i qëndroni besnik dhe mendoni se do mbetet aksiomatike për zhvillimin e një vendi?
Do më pëlqente që kësaj pyetje t’i përgjigjesha duke cituar një profesor të shquar ekonomie, B.Salanie i Columbia University, që nënvizon se shoqëria e sotme pret nga ekonomistët që ata jo vetëm të shpjegojnë se çfarë ka ndodhur, por të bëjnë propozime konkrete për zgjidhjen e problemeve konkrete të shoqërisë të tilla si papunësia, pagat dhe pensionet e ulëta, çmimet e larta, shërbimet cilësore, rritjen e fuqisë blerëse, kreditë me interes të favorshëm, klimë miqësore shtet-biznes, etj.
Cila është ajo ide ekonomike që e keni tradhtuar? I keni besuar dikur, por jo më?
Them se kjo më ka ndodhur në dy raste. Fillimisht, për faktin se ekonominë e mësova në kohën kur teoria marksiste-leniniste ishte teoria e vetme që bëhej në universitet, më dukej se Marksi, Lenini, Stalini apo Enveri kishin plotësisht të drejtë në interpretimet e tyre teorike ekonomike. Në pamundësi për të qenë në kontakt me asgjë tjetër në këtë fushë, deshëm apo nuk deshëm, brezi im u mbrujt me idetë ekonomike marksiste dhe duhet ta pohojmë se u “dashuruam” me to. Kriza e fundit të viteve 1980 dhe veçanërisht shembja e sistemit socialist e bëri evidente dhe të lehtë “tradhtinë” e këtyre ideve. Së dyti, në kundërpërgjigje të kësaj tendence, kur fillova të studioj makroekonominë dhe teoritë ekonomike liberale, m’u duk se rashë në dashuri me “liberalizmin ekonomik” që ishte ana e kundërt e socializmit dhe ekonomisë së planifikuar. Si revoltë ndaj teorisë marksiste u orientova vetëm tek Smithi, Hayeku, Friedmani, shkolla e Çikagos etj. Por, sa më shumë që kuptoja nga globalizimi, nga zhvillimet dhe debatet bashkëkohore, aq më tepër u binda se të qenit i njëanshëm deri në ekstrem, nuk përputhej me tendencat e reja, dhe për këtë arsye mund të them se tani ndihem më shumë një “keynesianist i moderuar”, një “liberal social-demokrat”, një përkrahës i “shkollës së sintezës” që përpiqet të bëjë një përafrim të tezave liberale me ato neokonservatore në emër të realiteteve të reja që po krijon globalizmi dhe shek.XXI.