Memorandumet e Mirëkuptimit

Nga Perparim Kalo, botuar në Mapo Online, 7 mars 2014

Kohët e fundit është përhapur, madje sikur është kthyer në “modë”, nënshkrimi i memorandumeve të Perparim_Kalo_150 mirëkuptimit ndërmjet institucioneve të Shtetit Shqiptar. U nënshkruan një sërë memorandumesh ndërmjet ministrive, ku spikatin sidomos ai midis Ministrisë së Brendshme dhe Prokurorisë së Përgjithshme dhe ai midis Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Ministrisë së Drejtësisë. Nuk ka dyshim që ky zhvillim duhet parë pozitivisht, si një mjet që përpiqet të vërë në lëvizje institucionet duke forcuar bashkëpunimin mes tyre.

Për të trajtuar dy çështje që lidhen me thelbin e tyre, mendoj se vlen të kujtohet se memorandumet njihen si instrumente paraprake juridike që u hapin rrugë negocimit dhe nënshkrimit të marrëveshjeve përfundimtare. Ato janë kryesisht të natyrës deklarative dhe përmbajnë disa kushte që, në fund të fundit nuk janë detyruese, siç janë marrëveshjet apo kontratat. Memorandumet janë më tipike në marrëdhëniet ndërshtetërore, dy ose shumëpalëshe. Madje ato shpesh përdoren edhe si traktate në kuadrin e organizatave ndërkombëtare ku palët nënshkruese janë anëtare dhe kur kushtet në memorandume janë përcaktuar, ose siç thuhet në mënyrë tjetër, “kopsitur”, mirë nga ana juridike. Dy çështje që mendoj se meritojnë të shihen kanë të bëjnë pikërisht me natyrën, statusin e memorandumeve.

Së pari, mendoj se institucionet që nënshkruajnë Memorandume Mirëkuptimi duhet të jenë palë të mirëfillta, jo në vështrimin strikt të termit “palë”. Fakti është që kemi parë të nënshkruajnë memorandume institucione që nuk mund të jenë palë, pasi janë institucione të një qeverie, pra janë një palë, e vetme, e pandarë. Fakti që ato kanë personalitet juridik, do të thotë se kanë aftësi të hyjnë në marrëdhënie me persona juridikë që janë palë në kuptimin e mirëfilltë të statusit “person juridik”. Fjala vjen, Ministria e Energjisë dhe Industrisë mund të nënshkruajë memorandum mirëkuptimi me simotrën e saj në Maqedoni apo Kosovë, e gjetkë, ose me Universitetin e Tiranës. Ose mund të pranohet që Ministria e Drejtësisë të nënshkruajë Memorandum Mirëkuptimi me Komisionerin e Mbrojtjes së të Dhënave, por lidhja e Memorandumit midis Këshillit të Lartë të Drejtësisë me Ministrinë e Drejtësisë, apo ai midis Ministrisë së Brendshme dhe Prokurorisë së Përgjithshme, e ndonjë i ngjashëm me ta, mendoj se nuk mund t’i shërbejnë forcimit të zbatimit, por përkundrazi, mund të prodhojnë efekt të kundërt. Është e vërtetë që ka raste në demokracitë e përparuara e të qëndrueshme që institucionet lidhin Memorandume Mirëkuptimi brendapërbrenda, por mendoj se kjo praktikë në Shqipërinë tonë të brishtë me demokraci të pakonsoliduar, ku ende institucionet nuk mbajnë përgjegjësi për moszbatimin e ligjit, është ende herët të eksperimentohet.

Së dyti, ka rrezik që memorandumet të zbutin (në qoftë se nuk i kapërcejnë) detyrimet e përcaktuara në ligj, për zbatimin e të cilave edhe lidhen e nënshkruhen. Pra, me ose pa dashje, memorandum u bën njëfarë zhvlerësimi akteve ligjore në fuqi dhe detyrimeve që burojnë prej tyre. Pra, kur lidh memorandum Ministria e Brendshme me Prokurorinë e Përgjithshme, duket sikur bashkëpunimi midis këtyre dy institucioneve në luftën kundër krimit të organizuar, për shembull, është fakultativ dhe jo detyrim ligjor. Gjithashtu, memorandumet mund të ndikojnë në zbutjen e përgjegjësisë së institucioneve në rast se ndodh diçka për shkak të moszbatimit të detyrave funksionale, nga njëri apo tjetri institucion, pasi për t’i shpëtuar përgjegjësisë nuk përjashtohet mundësia që palët t’i referohen Memorandumit e jo ligjit, duke tentuar t’ia hedhin fajin (ose t’ia lënë topin në derë) palës tjetër

Në fund të fundit, edhe pse memorandumet bëhen në interes të zbatimit të ligjit, para se të shkohet në lidhjen e tyre, mendoj se ka vend të shterohen mjetet ligjore ekzistuese, siç janë kontrollet nga strukturat kontrolluese dhe llogaridhënia e institucioneve dhe drejtuesve të tyre. Në qoftë se zbatimi i ligjit vihet në rendin e ditës nga vetë agjencitë e zbatimit të ligjit dhe organet e organizmat kontrollues, vendimorë e ndëshkues e ndjekin këtë proces, duke marrë edhe masat përkatëse, mendoj se memorandumet që zëvendësojnë ose dalin mbi ligjin, do dalin jashtë mode.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi