T’ia nisim nga numri e të ndajmë territorin, apo të bëjmë ndarjen e numri del vetë?
Nga Gjovalin Gjeloshi, botuar në Tema, 5 mars 2014
Përveç qeverisë, që së paku deri më tash njihet si autore e projektit të “36 rrethe- 36 bashki”, edhe organizma të tjerë jashtëqeveritarë kanë dalë në këtë “treg”, secila me një numër të caktuar të njësive lokale në shkallë vendi: 80-90, 100-110 apo edhe deri në 150, janë disa prej shifrave të njësive vendore për të gjithë territorin e republikës.
Kushdo i prodhoftë këto shifra, kësaj i thonë që një punë që kërkon një kujdes tepër të veçantë, një studim tepër të thelluar, të bëhet prej tavolinës sipas opinionit të njërit apo tjetrit. Tashmë ka kaluar koha të diskutojmë domosdoshmërinë e ndarjes së re administrative-territoriale të Shqipërisë. Tash jemi në fazën: si, kur dhe sa? Nëse dikush do të tentojë të vërë në hartë lapsa të kuq dhe blu, do të bëhet një gabim i pallogaritshëm me pasoja që do të na ndjekin vite e vite të tjera. Nëse dikush do të mundohet të bëjë “bashki për vete”, ato nuk do të jenë asnjëherë për banorët. Nëse do të marrim bishtin e njërës “blu” e do ta bashkojmë me të tërën “të kuqe”, enkas për të humbur bluja apo anasjelltas, kjo do të ishte e pafalshme. E them këtë, sepse në diskutimet apo propozimet që bëhen, kryesisht ato me origjinë qeveritare, ka tendenca të tilla. Më të pandikuara duken këto të shoqatave, po i quaj unë, të mbështetura nga donatorë të ndryshëm.
Të caktosh përpara një numër bashkish e pastaj të mundohesh ta përshtatësh territorin sipas këtij numri, i thonë ta fillosh punën së prapthi dhe në fund do të na duhet të fusim 7-ën tek 13-ta dy herë. Gjithkush e shikon se kur caktohet përpara një numër, e ke filluar punën nga zyra, nga tavolina dhe jo nga terreni. Përveç Shtetiweb, të paktën ne të qarkut të Lezhës nuk kemi parë kënd tjetër që të diskutojë me shoqërinë civile, me faktorë përgjegjës. Mendoj se në këtë fazë është puna edhe në qarqet e tjera. Tavolina të tilla nuk “konsumohen” nga hotelet e Tiranës, sado luksoze qofshin ato. Ky program duhet të diskutohet në ato zyrat e thjeshta të rretheve apo qarqeve deri edhe komunave të veçanta. Vetëm atje e dinë se cilat bashkime janë më të efektshme. Në çdo rreth ka specialistë, ekspertë të çështjeve vendore, ish- drejtues lokal prej vitit 1992 që i kanë pasur në kurriz problemet vendore, që e kanë vuajtur realisht centralizimin. Që janë votuar, kanë besuar njerëzit tek ata e nga ana tjetër nuk kanë pasur asgjë në dorë për të zgjidhur. Madje do të thosha se përpara aftësisë që kanë sot shumë ekspertë vendorë nëpër rrethe, stonojnë vetë qeveritarët e sotëm që me pa të drejtë çirren se “do të bëjmë reformën edhe pa këtë e pa atë”. Kjo reformë nuk mund të bëhet pa asnjë. Jo vetëm faktori politik, po e po, por duhet të ziejnë mendimet e të gjithë atyre që kanë ç’të thonë në të mirë të saj. Unë nuk mendoj që kjo punë të diskutohet “fshatçe”, por edhe “fshati” edhe “qyteti” e thotë mendimin e vet nëpërmjet përfaqësuesve të vet, nëpërmjet shoqërisë civile që tashmë nuk mungon në asnjë rreth e qark dhe është më e ndërgjegjësuar se asnjëherë për “prapashpinat” që organizohen pas kulisave të pushtetit.
Nuk e di se si del shumatorja në shkallë kombëtare e numrit të bashkive dhe se me cilin propozim përkon ky numër, por sipas konsultimeve të organizuara në qarkun e Lezhës jo vetëm nga Shtetiweb, por edhe nga faktorë të tjerë që kanë pasur e kanë peshë në organizimin territorial të qarkut, në Lezhë nga 21 njësi vendore që ekzistojnë sot, numri më optimal pas rindarjes së re territoriale do të ishte 7. Tre njësi vendore (bashki) Lezha, 2 bashki Mirdita dhe 2 Kurbini. Me këtë rindarje, në rrethin e Lezhës dhe të Kurbinit krijohen bashki me mbi 30 mijë banorë, ndërsa në rrethin e Mirditës, kuptohet, ky numër është më i vogël. Në ndarjen e re duhet të bëhet kujdes (aq sa është e mundur) edhe në emërtimin e këtyre bashkive. Fjala vjen për rrethin e Lezhës, nëse emërtojmë: bashkia Lezhë-Shëngjin ku përfshihet edhe Malësia e Lezhës; bashkia e Bregut të Matit, ku bëjnë pjesë Shënkolli, Zejmeni, plus ndonjë shtesë tjetër që mbetet dhe bashkia e Zadrimës ku përfshihen komunat e pjesës veriore të qytetit të Lezhës: Balldre, Kallmet, Blinisht e Dajç, do të humbisnim shumë pak nga identiteti i sotëm. Vetëm Ungrej mund të lihej të zgjidhte: me bashkinë e re të Zadrimës apo me njërën prej atyre të Mirditës. Po kështu edhe dy emrat e bashkive të Mirditës: Orosh dhe Rrëshen, do të përfaqësonin për bukuri të gjithë ndryshueshmërinë e asaj zone. Për të përfunduar te Kurbini: kur vjen fjala te emri i Laçit, edhe sot ekziston në fjalorin popullor shprehja: “Laçi i Milotit” apo “Laçi i Vaut të Dejës”. Me fjalë të tjera, identiteti i Laçit të sotëm, është i lidhur me Milotin. Pra bashkia Laç-Milot dhe Mamurras-Fushkuqe, do të ishin dy bashkitë e reja të Kurbinit.
Ka ndonjë mendim që duke krijuar rrethin e dikurshëm të Zadrimës, kanë bashkuar në një bashki disa komuna të Lezhës dhe disa të Shkodrës së bashku. Ne nuk mund të marrim metrin e të matim largësinë e çdonjërës komunë nga qendra e nesërme, por hartën duhet ta shfrytëzojmë, ndoshta edhe “shkeljen me këmbë”, për të parë realisht bashkinë e nesërme përpara se të flasim e të vendosim. Zadrima e Lezhës vjen deri te portat e qytetit të Lezhës dhe ajo e Shkodrës po ashtu në Shkodër. E nëse qendrën e saj do të vendosim dikund në mes dy qyteteve, ku do ta çojmë komunën e Balldrenit që ka me vete edhe Torovicën e fshatra të tjera që përfundojnë në Shkodër nga ana perëndimore? Ç’është e nevojshme që territore krejt të afërta të ishin në njësi vendore të ndryshme, apo territore të largëta t’i bashkonim në një njësi. Sipas konsultave me të gjithë faktorët, së paku për Shkodrën dhe Lezhën, organizimi i ri duhet të bëhet pa prekur kufijtë ekzistues të rretheve të sotme.
Për të përfunduar me organizmin rajonal, qarku i sotëm i Lezhës mendohet së bashku me Kukësin dhe Shkodrën nën emrin “rajoni i Shkodrës”. Dhe me këtë emërtim askush nuk mund të ndihet i përthithur apo të bëhet “xheloz”. Ne nuk mund të harrojmë sanxhakun e vjetër të Shkodrës, vilajetin apo edhe prefekturën e viteve të mëvonshme. Gjithkush duhet të ndihet mirë kur ka një emër të madh.