Borxhi i FMN dhe monopolet në ekonominë shqiptare
Nga Ilirian Shehu, botuar në Panorama Online,5 mars 2014
Sipas njoftimit në faqen e tij zyrtare, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka miratuar këstin e parë të kredisë për Shqipërinë. Vlera e kësaj kredie është 339.9 milionë euro, ose 457.1 milionë dollarë. Aprovimi lejon dhënien e menjëhershme të 26 milionë eurove ose 36 milionë dollarëve për qeverinë shqiptare. Në deklaratë, FMN njofton se përveç saj, Shqipëria ka mundësi të marrë borxh edhe nga Banka Botërore dhe nga BE-ja. Shuma e dhënë e çon borxhin e Shqipërisë në 492.4 % të kuotës që vendi ka të caktuar nga FMN.
Davin Lipton, një nga drejtuesit e lartë të FMN-së, tha se “Perspektiva ekonomike e Shqipërisë pritet të përmirësohet për shkak të uljes së planifikuar të rreziqeve, pagesës së borxheve të prapambetura dhe fillimin e reformave strukturale. Sidoqoftë, rreziqet janë të mëdha dhe nevojat për rifinancim janë po ashtu të mëdha”. Ai tha se Shqipëria ka një borxh të lartë publik dhe se reformat konsoliduese kanë si qëllim uljen e tij nën 60 për qind, gjë e cila “do të kërkojë masa të forta sa u përket politikave të taksimit dhe shpenzimit të mbështetura nga menaxhimi i thellë financiar dhe reforma në administrimin e taksave. Ulja e borxheve të prapambetura dhe krijimi i mekanizmave për të parandaluar që ato të ndodhin përsëri do të jetë kritike”.
Lipton po ashtu deklaroi se “planet e autoriteteve për reformën e pensioneve, ato në fushën e energjisë (energji elektrike, naftë etj.), financimin e qeverive lokale, administratë publike dhe mjedis janë të mirëpritura. Nëse implementohen siç duhet, ato ka mundësi të rrisin zotësinë e Shqipërisë për të thithur investime, të përmirësojnë perspektivën për një rritje të mbështetur afatmesme dhe të zvogëlojnë rreziqet financiare”.
Ky është në fakt thelbi i deklaratës së FMN-së për borxhin e Shqipërisë, që në shtypin shqiptar u përkthye pjesërisht e sipas interesit të mediave të ndryshme. Më parë, Fatos Nano, e pas tij edhe më shumë Sali Berisha, i zhytën shqiptarët në borxhe deri në grykë. Ndërkohë Edi Rama mendon, e ndoshta nuk pati zgjidhje tjetër, se duke marrë më shumë hua me interes më të ulët në mënyrë që të paguajë sa më tepër borxhet e prapambetura që shteti shqiptar u ka të huajve dhe vendësve, do ta ulë borxhin e përgjithshëm të Shqipërisë nën 60 për qind të GDP-së (një nga qëllimet e shprehura në deklaratën e FMN). Strategjia mund të mos jetë gabim, por nga strategjia te përmbushja është në mes një det i tërë me kushte e të papritura. Sidoqoftë, ndryshe nga PD, e cila si moto të saj kish “vidh dhe lër të vjedhin”, një adaptim pervers i “jeto dhe lër të jetojnë”, PS e ka një strategji. Kjo strategji mund të mos jetë më e mira, por është e vetmja e mundshme për një vend si Shqipëria, që është në varësi totale të institucioneve perëndimore, qofshin ato publike apo private, dhe pa alternativa të tjera financimi.
Por të kesh një strategji është një gjë, ta implementosh atë është diçka krejt tjetër. Strategjia e PS-së ka vite që planifikohet nga financierët dhe ideatorët kryesorë të saj. Është pikërisht kjo strategji, e cila ka si synim final vënien nën kontroll dhe monopolizimin e tregut shqiptar në përgjithësi e të atyre të turizmit dhe energjisë në veçanti nga një elitë politikanësh e biznesmenësh. Kjo politikë ka si nevojë të saj një shtrëngim rripi për shqiptarët, forcim të rregullave dhe legjislacionit, si dhe të implementimit të tyre, ngritje taksash dhe sigurisht ristrukturim të menaxhimit financiar.
Ndërkohë, qeveria po mundohet të tregojë zellin e saj për plotësimin e këtyre reformave në mënyrë që të sigurojë thithjen e të gjithë fondit të vënë në dispozicion nga FMN. Pjesë e tyre janë edhe privatizimi i doganave, reformat në pensione, reformat në administratë, vendosja e taksimit progresiv (i implementuar pjesërisht dhe efektivisht duke lënë jashtë tij bizneset), dhe rishikimi i privatizimeve dhe licencave në fushën e energjisë. Po ashtu, pjesë e kësaj fushate është edhe vënia nën kontroll e turizmit, pjesë e së cilës është edhe fushata për prishjen e ndërtimeve pa leje. Prishja e këtyre ndërtimeve është vetëm një aspekt i një plani që përfshin financimin nga ana e qeverisë të subjekteve private, të cilat do të kryejnë zhvillimin e zonave turistike, sidomos atyre jugore, të cilat kanë edhe potencialin më të madh fitimprurës, e që pritet të përfitojnë më shumë prej tij. E gjitha kjo kërkon forcim të forcave të rendit, të cilat do të duhet të përballojnë përplasjet që këto reforma do të sjellin.
Plani për vënien nën kontroll të ekonomisë shqiptare nëpërmjet financimeve të huaja është vënë në veprim e prej tij pritet të përfitojë më së shumti një pakicë elitare. Në periudhën afatgjatë, sa i përket ekonomisë, përfitime mund të ketë edhe për shqiptarët në përgjithësi, për shkak të rritjes së punësimit, por kjo mbetet thjesht dhe vetëm një hipotezë. Kjo strategji përfshin disiplinimin e të gjithë sektorëve administrativë dhe ekonomikë. Kur kjo të ketë ndodhur, Shqipëria do të ketë më shumë rregull e zbatim të ligjit në kuptimin kapitalist të këtyre fjalëve e do të jetë tamam një vend perëndimor. Sidoqoftë, ky proces kërkon dhunë ligjore dhe shtetërore, e cila do të sjellë thellim të ndarjeve në shoqëri dhe përplasje interesash e deri atëherë, rruga është e mbushur plot e përplot me të papritura. Ajo që është e sigurt është se sot për sot shqiptarët kanë edhe më shume borxhe.
*PhD Candidate, Carleton University