Pagesa e besimit

Nga Fatos Coçoli, botuar në Mapo Online, 4 mars 2014

457 milionë dollarët e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore për Shqipërinë e viteve 2014-2016 nuk janë pak. Bullgaria dhe Maqedonia për vitet 2011-2013, po të bëjmë raportin e parave për frymë të popullsisë, kanë marrë më pak nga këto institucione. Sigurisht, Bullgaria ndihmohet fort edhe nga fondet e përbashkëta të Bashkimit Europian. Por edhe Bosnjë-Hercegovina, për mbështetjen e buxhetit të saj, ka marrë më pak nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN). Vetëm për këtë vit, ky institucion konservator dhe tejet i kujdesshëm ku investon paratë, do të na japë kredi të buta 130 milionë dollarë. Ose më shumë sesa nëntë vitet 2005-2013 të marra së bashku. Duhet ta kuptojmë se këto janë para besimi në përgjegjësinë e qeverisë së sotme, për të mbajtur shpenzimet dhe paranë publike nën kontroll. Nuk është se diku Rama apo Cani kanë biseduar me Shefen e madhe të FMN-së dhe u krye puna. Gjatë viteve të kaluara, FMN ishte lënë gradualisht në pozicionin e një spektatori ekspert, mendimi i të cilit dëgjohej me një respekt të shtirur dhe praktikisht asnjëherë nuk zbatohej. Kjo sjellje u bë tipike sidomos pas shpërthimit të krizës botërore financiare e ekonomike, pas shtatorit 2008 (falimentimit të bankës amerikane “Lehman Brothers”). Qeveria jonë i kishte mundësitë të kërkonte mbështetje më të madhe nga FMN, për zbatimin e buxhetit të saj dhe ruajtjen e treguesve ekonomikë të vendit. Një gjë të tillë nuk ngurroi ta bënte, për shembull, Hungaria, shumë herë më e zhvilluar se ne. Po qeveria jonë e atëhershme mendoi ndryshe. Kërkesa për disiplinë të hekurt financiare, që ishte lajtmotivi i FMN-së, nuk i shkonte për shtat. Ajo preferoi të përsëriste idenë ë saj se kriza nuk po na prekte dhe në heshtje la të nënkuptonte se politika e FMN-së për mbajtjen e një niveli shpenzimesh shumë të kontrolluar ishte jashtë realitetit shqiptar (?!). Kështu që edhe “daullet” e FMN-së, që paralajmëronin breshrin kokërrmadh mbi financat tona publike, nuk u dëgjuan asnjëherë nga qeveritarët tanë, gjatë katër viteve të fundit (tetor 2008-qershor 2013). Një injorim i tillë i plotë i mesazheve të këshilluesve të specializuar të huaj solli katrahurën financiare të periudhës janar-qershor 2013, kohë kur deficiti buxhetor fluturoi me herë më shumë nga niveli i parashikuar, mbi krahët e etheve politike për të fituar me çdo çmim zgjedhjet e 23 qershorit. Çmimi që tani po paguajmë të gjithë, është i hidhur dhe po e sjell ekonominë e vendit drejt pikës zero (që në gjuhën teknike quhet stanjacion, mosrritje). Kemi nevojë për një vinç të jashtëm, që të na lëvizë nga cekëtina ku po ngecim. Ky gati gjysmë miliardi dollarë mund të kryejë këtë punë, në rast se qeveria e sotme do të dijë t’i përdorë me mend paratë që do të marrë. Për shembull, FMN jep për këtë vit 130 milionë dollarë. Është mirë që qeveria shumicën e tyre t’i përdorë për të nisur pagesat e bizneseve të cilave u ka borxh. Ka shumë rëndësi cilat biznese do të shlyhen, pra do të ndihmohen fort të parat. Jo për nga ngjyra e pëlqimeve politike që ato mund të kenë. Por për nga mundësitë që mbartin dhe se ku mund t’i përdorin paratë që do të marrin nga shteti. Këto ditë, përfaqësues të Ministrisë së Financave dhe asaj të Ekonomisë ia vlen të punojnë fort së bashku, për të bërë gati një draft-listë të parë. Me emra kompanish, te të cilat besohet se me të marrë paratë, do të rinisin investimet dhe do t’i kthejnë këto para sërish në ekonomi. Ndoshta edhe kontakte gjysmë zyrtare mund të ndodhin dhe kompanitë të garantojnë se, me të marrë borxhin, do t’i investojnë paratë në bizneset e tyre. Në këtë mënyrë, paratë e marra nga FMN do të përdoreshin në variantin më të mirë, në atë që i intereson mbarë ekonomisë së vendit dhe ne qytetarëve të thjeshtë. Pse nga stanjacioni dhe ngelja në vend e ekonomisë nuk kemi asnjë të mirë? Veçse shtim papunësie dhe falimentime në masë të bizneseve të vogla e të mëdha. Këtë skenar nuk do t’ia uronim askujt e jo më vetes. Prandaj dhe duhet që pagesa e besimit prej afro gjysmë miliardi dollarë, e garantuar këto ditë nga FMN dhe Banka Botërore, të përshëndetet nga të gjitha forcat tona politike. Pse marrëveshjet e arritura nga qeveria jonë, këto para që bien si shiu në tokën e tharë, për ekonominë e vendit, mund të na largojnë nga skenari ogurzi grek?

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi