Akordi me FMN-në, garanci për stabilizim, reforma, zhvillim
Nga Anastas Angjeli, Deputet, botuar në Shekulli Online, 2 mars 2014
Miratimi i marrëveshjes trevjeçare mes qeverisë shqiptare dhe FMN-së, nga Bordi Ekzekutiv i FMNsë është një sinjal pozitiv për ekonominë dhe financat shqiptare, të tronditura në themel nga politikat ekonomike e financiare të trashëguara prej vitit 2009, por edhe ndikimi i krizës globale dhe asaj të eurozonës; ajo është një garanci për kthesën e nisur drejt stabilizimit, vazhdimit të reformave dhe zhvillimit. Miratimi i kësaj marrëveshjeje vë në dispozicion një rezervë monetare 3-vjecare prej 295,42 milionë SDR (njësi monetare ndërkombëtare për rezervën valutore të FMN-së), e barabartë kjo me 330,9 milionë euro. Sipas marrëveshjes, tranzhi i parë prej rreth 36 milionë euro, është i pagueshëm (vihet në dispozicion) menjëherë. Marrëveshja e qeverisë shqiptare me FMN-në erdhi pas vlerësimit, që qeveria “Rama” dhe misioni i FMN-së i bëri në fundvitin e kaluar, situatës ekonomike dhe financave publike, të trashëguara nga qeverisja e mëparshme. Ky vlerësim konstatoi se ekonomia e vendit dhe financat publike vazhdonin të kërcënoheshin nga rënia e ritmeve të rritjes ekonomike, nga prishja e ekuilibrit fiskal, rritja e borxheve, rritja e deficitit buxhetor, rritja e kredive të këqija dhe papunësia, që mund të destabilizonin zhvillimin e qëndrueshëm afatmesëm.
Në këto kushte, nevoja për financim të jashtëm (nga FMN-ja, por edhe nga Banka Botërore dhe BEja që pritet të ofrohet), ishte jo vetëm e domosdoshme, por njëherazi dhe një instrument i nevojshëm, një mbështetje e duhur për të nxitur reduktimin e risqeve themelore në fushën fiskale, shlyerjen e borxheve të trashëguara (borxhet ndaj biznesit), trajtimin e kujdesshëm të kredive me probleme dhe shtimin e kujdesit, fleksibilitetin e politikës monetare, vazhdimin e reformave rregullatore dhe strukturore në ekonomi. Natyrisht miratimi i kësaj marrëveshjeje, erdhi edhe si rrjedhojë e besimit të FMN-së ndaj vendosmërisë së qeverisë për vazhdimin e reformave, për stabilizimin dhe konsolidimin fiskal dhe “zgjerimin e frymëmarrjes” së ekonomisë sonë, thuajse “të vdekur klinikisht” gjatë vitit 2013, përmes reformave strukturore.
Kësisoj, funksionimi normal i marrëveshjes është i lidhur me realizimin e objektivave për reduktimin e borxhit publik, duke filluar nga viti 2015, të deficitit buxhetor, për zbatimin e paketës së re fiskale dhe përmirësimet e nevojshme për vitin 2015, reduktimin e informalitetit të ekonomisë, realizimin e reformës së pensioneve tashmë të iniciuar, të reformës administrative dhe asaj energjetike. Kjo do të thotë se ndërgjegjësimi për marrjen e përgjegjësisë për realizimin e reformave të rëndësishme dhe mbështetja sa më e gjerë për to, tashmë është më e nevojshme se kurrë. Gjithsesi, sigurimi i mbështetjes financiare nga marrëveshja me FMN-në, kaq e rëndësishme, është dhe mbetet njëra anë e medaljes. Ana tjetër është e lidhur ngushtë me zbatimin e politikave të reja të zhvillimit ekonomik që qeveria po ndërmerr, reformës strukturore dhe veçanërisht nxitjen e biznesit vendas dhe të huaj për të investuar në ekonominë tonë.
Kthimi i besimit në mbështetjen e siguruar nga institucionet ndërkombëtare, sinjalet pozitive të fillimit të fundit të krizës në eurozonë, shenjat e kthesës në rritjen ekonomike në vend, përmes orientimit të drejtë në rritjen e kërkesës së brendshme dhe produkteve për eksport, ofrimit të paketave lehtësuese për investitorët e huaj në zhvillimin e turizmit dhe të agrobiznesit, janë instrumentet e nevojshme në suksesin e zbatimit të marrëveshjes së mësipërme. Së fundmi, vlen për t’u theksuar, se fillimi i zbatimit të marrëveshjes së miratuar me FMN-në, në terma konkrete dhe reale, duhet konsideruar edhe si një vlerësim që ky institucion “shtrëngues”(për disa), duket se krijoi hapësirat e duhura për t’i dhënë frymëmarrje ekonomisë shqiptare dhe biznesit në veçanti. Orientimi drejt sipërmarrjes, nxitja dhe ndërmarrja e masave lehtësuese në vazhdimësi, duhet të jetë një indikator për t’u patur në konsideratë dhe për përshpejtimin e reformave që do të zgjerojnë më shumë lirinë ekonomike në vend dhe do t’i japin zhvillim biznesit, krahas zbatimit të politikave fiskale dhe masave të tjera me karakter stabilizues në ekonominë dhe në financat tona.