FMN miraton mbështetjen financiare për reformat. Priten të tjera fonde nga BB dhe BE
Washington, 21.2.2014
295.42 milionë SDR – Kjo shumë e akorduar për Shqipërinë në valutën e përdorur nga FMN është e barabartë me 330.9 milionë euro apo 457.1 milionë dollarë dhe është gati sa pesëfishi i kuotës së Shqipërisë në FMN
36 muaj – Shuma e akorduar për Shqipërinë do të lëvrohet gjatë tre viteve në vazhdim dhe do të shërbejë për të mbështetur planin e reformave të autoriteteve shqiptare për këtë periudhë
36.4 milionë USD – Kjo shumë, që përbën këstin e parë të fondit të miratuar nga Bordi Ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar do t’i vihet në dispozicion qeverisë shqiptare menjëherë
Fondi Monetar Ndërkombëtar miraton financimin e reformave në Shqipëri me 457 milionë dollarë. Marrëveshja që do të shtrihet në tre vjet është miratuar dje nga Bordi Ekzekutiv i FMN, në një mbledhje ku u fol edhe për situatën ekonomike në Shqipëri.
Me anë të një komunikate, FMN njoftoi dje miratimin e marrëveshjes për rezervë monetare 36-mujore prej 295.42 milionë SDR (valuta ndërkombëtare për rezervat monetare të FMN), që e konvertuar në euro është rreth 330.9 milionë, ndërsa në dollarë amerikanë 457.1 milionë. Kjo shumë është sa 492.4 për qind e kuotës së shtetit shqiptar në FMN dhe jepet në bazë të Objektit të Fondit të Zgjeruar (EFF) për Shqipërinë në mbështetje të programit reformues të autoriteteve.
Marrëveshja lejon të paguhen menjëherë 36.4 milionë dollarë për Shqipërinë. Në komunikatën e FMN thuhet se edhe Banka Botërore dhe Bashkimi Europian kanë gjithashtu gjasa të japin ndihmë për programin reformues të autoriteteve shqiptare.
Duke ndjekur diskutimin e Bordit Ekzekutiv mbi Shqipërinë, David Lipton, zëvendësdrejtor i përgjithshëm dhe kryetari i përkohshëm i fondit, deklaroi: “Perspektiva ekonomike e Shqipërisë pritet të përmirësohet në vitin 2014, nxitur nga reduktimi i planifikuar i rreziqeve themelore në fushën fiskale, pastrimi i borxheve, trajtimi i kredive me probleme të larta dhe nisja e reformave strukturore. Megjithatë, rreziqet janë të dukshme dhe nevojat e rifinancimit janë të mëdha. EFF-ja do ta ndihmojë Shqipërinë të përmbushë nevojat e financimit të jashtëm, ndërkohë që i siguron mbështetjen e duhur për të forcuar qëndrueshmërinë fiskale dhe të borxhit, për të ulur rreziqet e financimit publik dhe për ta vënë ekonominë në një rrugë të qëndrueshme afatmesme”.
Lipton tha se “borxhi i lartë publik i Shqipërisë bën thirrje për konsolidim fiskal, që ka si qëllim të ulë raportin e borxhit publik nën shifrën 60 për qind të PBB-së në afat të mesëm. Kjo do të kërkojë masa të mëdha për politikat e taksave dhe shpenzimeve, të mbështetura nga reforma të gjera në menaxhimin e financave publike dhe në administrimin e taksave. Ulja e aksioneve të papaguara të borxheve dhe vendosja e mekanizmave që do të parandalojnë përsëritjen e tyre, do të jetë thelbësore”.
Sipas tij, moderimi i mëtejshëm i lehtësimit të politikës monetare mund të ndihmojë në mbështetjen e rimëkëmbjes ekonomike, ndërsa pritjet e parashikuara të inflacionit dhe qëndrueshmëria financiare mbeten në gjendje të mirë. Megjithatë, theksohet se kjo duhet të harmonizohet me kujdes me rrezikun që vjen nga ekspozimi i madh dhe i pambrojtur me valutën e huaj.
“Ruajtja e stabilitetit financiar, së bashku me promovimin e qasjes në kredi, është e nevojshme për të lehtësuar një rimëkëmbje të qëndrueshme. Ulja e kredive me probleme do të ruajë stabilitetin financiar dhe do të ndihmojë në rritjen e furnizimit me kredi duke pakësuar rrezikun e bankave. Zbatimi i palëkundur i rekomandimeve të fundit të Programit për Vlerësimin e Sektorit Financiar, përfshirë ato që lidhen me uljen e rrezikut në sektorin financiar jobankar, do të jetë i rëndësishëm.
Autoritetet planifikojnë të reformojnë pensionet, energjetikën, financat e pushtetit lokal, administratën publike dhe mjediset e biznesit. Nëse zbatohen siç duhet, këto reforma duhet ta forcojnë aftësinë e Shqipërisë për të tërhequr investime, për të përmirësuar perspektivat e rritjes së qëndrueshme afatmesme dhe për të pakësuar rreziqet fiskale”, tha David Lipton.