Parimet e parimeve të reformës universitare

Nga Hysamedin Feraj, botuar në Panorama Online, 28 shkurt 2014

Përflitet se “rilindja” socialiste do ta lindë sërish arsimin e lartë shqiptar, por tani si anglosakson.  Që tani mund të vëmë bast se universitetet shqiptare mund të bëhen anglosaksone aq sa mund të bëhet Edi Rama mbretëreshë e Shqipërisë. Siguri për fitimin e bastit është logjika e sistemeve. Më tej është logjika e “parimeve”. Dhe më tej, logjika e parimeve të “parimeve”.

Për fatin e reformës dhe atyre që preken prej saj, domethënë gjithë kombit shqiptar, më të rëndësishmet në këtë vargan janë parimet e “parimeve”. Këto merren të mirëqena sepse ka pajtim të gjerë se qëndrojnë pa diskutim, dhe prandaj mbeten “transhedentalë” (Alain Badou), domethënë jashtë e tej çdo diskutimi. Mirëpo pikërisht këta “transhedentalë” vënë në lëvizje vetë “parimet” e shpallura, siç vënë fijet në lëvizje kukullat e teatrit, i drejtojnë vetë diskutimet e pafundme që bëhen gazetave e televizioneve, por pa u bërë vetë asnjëherë objekt i shqyrtimit kritik. Prandaj, për fatin e reformës së arsimit të lartë dhe së ardhmes së kombit shqiptar, është e rëndësishme që këto parime të nxirren nga fshehtësia prapa perdes ku rrinë të pashqetësuara, e të sillen këtej në skenë, në këtë botë, për t’iu nënshtruar shqyrtimit kritik.

Lodhja që shkakton të menduarit (filozofia), është ndër këto parime të “parimeve”, i cili shfaqet në formën e maskuar se na mungon koha, ndërkohë që çështja e reformës është urgjente; dhe në formën e hapur të imitimit, teksa kërkohet shkurt: të gjenden modelet e gatshme të suksesit dhe të imitohen. Ky parim, me konsensus të gjerë popullor, shmang si “filozofime pa fryt” diskutimin e pohimeve të para, domethënë të parimeve, dhe shpesh me arsyetimin se ato i kanë menduar të tjerët para nesh, duke lënë për ne vetëm përdorimin e gatshëm të tyre. Në kontekstin e këtij parimi, çka merret e mirëqenë është, për shembull, vetë ekzistenca e universiteteve në shoqëri (edhe në tonën). Prandaj pyetja “ç’kuptim ka qenia e universiteteve në shoqëri”, “pse të mos jemi shoqëri pa universitete?”, do të dukej shumë hutuese dhe absurde. Mirëpo përgjigjet në këso pyetjesh primitive, domethënë të para e themelore, do të na bënin të ndajmë mendjen të ndërtojmë ose jo universitet shqiptar. Qartësia për pse-në e universitetit e bën të lehtë paskëtaj dizajnimin dhe ngritjen tekniko-ligjore të tij, ashtu si vëzhgimin (dhe vlerësimin) nëse është ose jo në përputhje me pse-në themelore të tij.

Përdorimi i përgjigjeve të gatshme, pa i shteruar pyetjet nëpër mendim, është ndër këto parime të “parimeve” që rrjedh nga i pari dhe drejtojnë konkretësinë e diskutimeve për reformën. Përgjigjet për “pse”-në e universiteteve në shoqëri rrëshqasin shpejt nëpër përgjigje të gatshme: “të transmetojë dije”, “të përgatisë brezin e ardhshëm” dhe të tjera të këtij soji. Mirëpo pikërisht këso përgjigjesh të gatshme na çojnë te pyetësimi i modeleve të zgjedhura për imitim, na çojnë të mendojmë për “krizën e universiteteve” në vetë shoqëritë perëndimore, dhe pikërisht në masën që edhe atje universitetet thjesht po “përçojnë dije”: dije të gatshme për përdorim dhe përgatitjen e brezit të ardhshëm për punësim… në tregun e punës! Ndërkaq, përshtatja e universiteteve ndaj tregut menjëherë bën dy gjëra: Nga njëra anë, e kthen universitetin në ndërmarrje ekonomike, prodhuese të një malli specifik: të studentëve si mall i ardhshëm tregu. Vendim ky që e bën vetiu të parëndësishëm diskutimin dihotomik “privat-publik”, sepse tregu gjithsesi është shtëpia e privates. Nga ana tjetër, e përmbys idenë liberale të ekzistencës së vetë tregut, sepse e bën tregun masë të njeriut e të përshtatjes së njeriut (studentit) ndaj tregut, ndërsa në filozofinë liberale tregu dhe ekonomia e tregut legjitimohen e mbahen në ekzistencë me të vetmin argument: çon në mirëqenien e njeriut. Prandaj gjithë aktivitetin dhe mendimin modern liberal e përshkon ky tension ndërmjet njeriut dhe instrumenteve të tij, domethënë tregut, industrisë, teknologjisë, shkencës etj. Dhe është e lehtë e nuk do asnjë ndihmë ose përgatitje (universitare) njerëzore që “tregu i lirë” të gllabërojë e të mbysë gjithçka dhe çdo vlerë tjetër: madje edhe veten e vet (nëpërmjet trusteve, monopolizimit etj.). As është habi që ndër njerëzit më të suksesshëm në ekonominë e tregut (dhe të universiteteve private) të kenë qenë individë pa ndonjë arsimim ose diplomim universitar, sepse i tillë, siç na mësojnë Hobbes e këtej, njeriu është i lindur nga natyra e vetë biologjike-shtazore. Ndërsa universiteti i duhet shoqërisë më shumë pikërisht për përgatitjen e njeriut të aftë të mbrojë e zhvillojë njerëzoren e vet, përfshirë edhe mbrojtjen e tregut të lirë nga prirja e natyrshme vetëvrasëse e tregut.

Importimi dhe imitimi i një krize për të zgjidhur krizën tonë është tjetri parim i “parimeve”, i cili teksa rrjedh nga dy të parat, luan fijet e “diskutimit publik” për reformën e arsimit të lartë në Shqipëri. Me fjalë të tjera, “kriza e arsimit të lartë shqiptar” quhet e zgjidhur me importimin në Shqipëri të “krizës së universiteteve perëndimore”, ndonëse është e njëjta krizë të cilën tashmë e kemi dhe të cilën “reforma” e tillë vetëm e përforcon. Mirëpo kjo zbulon, nga njëra anë, vetëkonceptimin tonë “transhedental” se kemi një pasuri kohe të madhe sa për t’ia lënë së ardhmes reformimin e menduar të arsimimit të lartë, për të cilin kur të vijë koha prapë do të themi se nuk kemi kohë; dhe nga ana tjetër, se jemi pikërisht “produkt i universiteteve perëndimore” të sotme: tashmë prej tyre na janë përçuar dije (të gatshme), të cilat ne i zbatojmë në vendin tonë (treg pune) si të tilla, pa asnjë reflektim themelues. Nuk është çudi pse simptomatik për këtë “krizë të universiteteve perëndimore” janë më të njohurit e tyre si Harvardi, Oksfordi, Kembrixhi etj., deri në atë shkallë sa as e kanë vetëdijen për të. Eficientë në kulm për “përçimin e dijeve” dhe zbatimin e tyre mekanik për treg, nuk dihet që në këta shekuj të kenë themeluar ndonjë mendim shoqëror (veç pragmatizmit), ndërkohë që përçojnë dhe komentojnë teknikisht përkryer mendimin e krijuar jashtë tyre, qoftë ai ekzistencialist, strukturalist, poststrukturalist, postmodern, antihumanist, psikanalitik, skizanalitik, pozitivist etj. [Një shenjë që mund të merret për të dalluar universitetin nga shkollat e larta që prodhojnë profesione për treg]. As renditja e listës së personaliteteve politike të dalë prej tyre, ose nobelistëve në fusha të ndryshme nuk e ndryshon gjendjen, sepse të parët nuk kanë lidhje me krijimin e mendimit, por me zbatimin e tij duke e marrë të gatshëm, ndërsa të dytët, kur nuk janë “blerë” të formuar tashmë në universitete të tjera, e vënë në vështirësi vetë dhënësin e çmimit “Nobel” kur vetëdijësohen se teoria për të cilën e kanë marrë atë ka qenë e gabuar (si Milton Friedman nën pleqërinë e tij etj.).

Inferioriteti ndaj Perëndimit, përkthyer si ksenomani, është parimi tjetër i “parimeve” që rrjedh nga tri të parat. Në kontekstin e këtyre parimeve duket politikisht armiqësore dhe faktikisht absurde të flitet për “krizë të universiteteve perëndimore”, e sidomos të tillë si i Harvardit apo Oksfordit. Mbyllur brenda krahasimit me universitetet tona, “universitetet perëndimore” duken një mrekulli e “paarritshme” dhe fat sikur të kishim “krizën” e tyre, ndërsa megalomani të “vajtosh kalorësin se i varen këmbët”. Mirëpo jashtë kësaj mbylljeje, duke u hapur ndaj universales njerëzore, nuk ka asnjë arsye të ndihem inferior ndaj asnjë universitari perëndimor, qoftë ai edhe më i shquari i Harvardit, Kembrixhit apo Oksfordit, sepse (veç parave), gjithë ç’ka në dispozicion ai e kemi edhe ne, domethënë faktet dhe universalët logjikë, si të dhëna natyrore njeriut si njeri. E për arritjen e tyre mjafton me qenë i tillë dhe i përgjegjshëm për këtë. Prandaj arsimi i lartë shqiptar do të ndërtohej shëndetshëm pikërisht nëse pikënisje bëhen këto të dhëna.

Plagjiarizmi ligjor, i cili rrjedh natyrshëm nga irritimi ndaj mendimit kritik, importimi dhe imitimi, inferioriteti dhe ksenomania, është parimi tjetër që drejton “parimet” e reformës së përfolur. Derisa plagjiarizmi mbahet si ves i dënueshëm në gjithë fushat e tjera, mbahet si virtyt për ligjbërësit. Mirëpo këtu hyn logjika e sistemit, e cila garanton dështimin e reformës së ngritur mbi parime të tilla “të parimeve” të saj, përfshirë plagjiarizmin ligjor. Në termat e sistemit, sistemi ligjor është një nënsistem i shoqërisë. Nëse një ligj nuk është koherent brenda një sistemi ligjor (p.sh. të financave) dhe me nënsistemet e tjera shoqërore, përfshirë sistemin e vlerave, sistemin kulturor, sistemin e administratës ose burokracinë etj., ai ligj dështon sado i mirë në vetvete, sepse sistemi, me përkufizim është tërësi pjesësh të lidhura funksionalisht, ku secila ndihmon e bën të mundshëm funksionimin e tjetrës. Përndryshe, sado të eficiientë në vetvete, një motor i aeroplanit reaktiv po t’i vihet biçikletës, asnjëri as e kryen funksionin e vet, as e ndihmon tjetrin ta kryejë atë. Prandaj njëlloj, kopjimi apo imitimi i modelit anglosakson “pa mbretëreshën” e Anglisë, garanton se ligji i tillë do të jetë funksional aq sa është e mundshme që Edi Rama të bëhet mbretëreshë e Shqipërisë. Ndërkaq, është e vërtetë se shqyrtimi e hulumtimi i parimeve, i pohimeve themelues të universitetit, ashtu si i fushave të tjera, më shumë sesa detyrë e politikanëve, është para së gjithash detyrë (e pakryer) e intelektualëve, të cilët, ndër të tjera e kanë luksin e gjithë kohës së nevojshme dhe të mjeteve që ta bëjnë këtë. Sigurisht që tashmë është vonë të bëhet diçka e menduar për këtë reformë, por reforma pasardhëse do të jetë shumë e shpejtë. Së paku deri atëherë le të jenë shtranshedentuar parimet që na vënë në lëvizje e t’i jenë nënshtruar shqyrtimit kritik.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi