Nëpunësi civil, handikapet e mëdha të ligjit

Nga Gentjan Ruko, botuar në Shqip, 25 shkurt 2014

Në vend të propozimeve për “injeksione në trupin e paralizuar” të ligjit 152/2013, qeveria duhet të kërkojë shfuqizimin e tij. Ja përse.

Modifikimet që pritet t’i bëhen ligjit të ri të nëpunësit civil paraqesin në vetvete një përpjekje të kotë për të ripërtërirë një amalgamë juridike të përgatitur keq në embrion. Në vend të nxitjes nga nevoja dhe situata konkrete për të përmirësuar marrëdhëniet e punës në administratën publike, ligji 152/2013 u prodhua si një detyrë kursi formale e qeverisë “Berisha” para Brukselit si dhe për t’u vënë në shërbim të interesave të ngushta të një pjese. Nga ana tjetër, duke shfaqur një gjest vullnetmirë ndaj fillimit të ri me LSI-në, por dhe e shtyrë nga frika se mund të ngarkohej me faj nga qytetarët për shkak të refuzimit të vazhdueshëm të “ligjeve të integrimit”, PS-ja, në çastin e fundit, votoi symbyllurazi ligjin për shërbimin civil, një muaj para zgjedhjeve të reja të përgjithshme.

Por, kur erdhi koha që ky ligj të zbatohej, qeveria e re, socialiste, e pa veten në telashe. Pa aktet nënligjore, ligji nuk mund të funksiononte. Dhe pasi Gjykata Kushtetuese u shpreh kundër manovrës për të shtyrë fillimin e efekteve të ligjit të ri, qeveria e kapërceu të drejtën, duke kërkuar një ndryshim në ligj që i heq sigurinë e vendit të punës nëpunësit civil.

Mirëpo, edhe nëse do të ekzistonte një mirëkuptim mes shumicës dhe pakicës parlamentare për kohën e nisjes së efekteve të ligjit të ri, kjo tërësi dispozitash do të rezultonte e dëmshme për interesat e nëpunësve civilë, për shkak të handikapeve të mëdha që “fsheh” përmbajtja e tyre.

Ligji 152/2013 i “legalizon” të gjithë nëpunësit “informalë”. Ka improvizuar konceptin e rekrutimit “sipas një procedure pranimi konkurruese, të ngjashme me atë të përcaktuar nga ligji” i vjetër, që “ilegalët”, me “vendqëndrim” të njëjtë për më shumë se një vit, të fitojnë statusin. Ligji i vjetër njeh vetëm një procedurë të ligjshme: konkursin.

Dhe sipas projektvendimit të qeverisë, kush është rekrutuar pa konkurs, humbet punën.

Kjo ndeshje midis ligjit dhe projektvendimit mund të prodhojë pështjellim dhe të vërë në diskutim drejtësinë e vendimeve të Gjykatës Administrative, kur konflikti punëdhënës–punëmarrës të arrijë aty.

I veshur në të verdhë, edhe statusi i punonjësve të komunave dhe administratës së prefektit. Për këto “hyrje të reja” në fushën e veprimit të tij, ligji nuk përcakton si do të bëhet “konvertimi” në nëpunës civilë, teksa kanë nisur marrëdhëniet e punës mbështetur në Kodin e Punës. Në rastin e komunarëve, konfuzioni shtohet në projektvendim, sepse trajtohen si të ishin nëpunës civilë.

Ndërkaq, për ecurinë disiplinore, nuk ekziston filli i kuq midis kompetencave të eprorit direkt dhe Komisionit të Përhershëm Disiplinor (KPD). Kjo strukturë e re, inicialet e së cilës përkojnë ironikisht me KPD-në e famshme të socialistëve, ka të drejtë të mbajë 1/3 e pagës së plotë, për një periudhë deri në gjashtë muaj, dhe të vendosë deri dhe largimin e nëpunësit nga shërbimi civil. Ndërsa eprori direkt humbet fuqinë dhe “katandiset” në rolin e korrierit, që i jep vartësit një kopje të vendimit përfundimtar të KPD-së. Sidoqoftë, është e pamundur të përcaktohet qysh në fillim çfarë shkelje e supozuar e disiplinës i takon eprorit direkt dhe çfarë KPD-së (shqyrtimi i çështjes bëhet pikërisht për të konkluduar peshën e fajit dhe llojin e masës disiplinore ndaj nëpunësit).

Në nenin 66 të projektvendimit, njihet e drejta e ushtrimit të ankimit administrativ te Sekretari i Përgjithshëm i institucionit. Por krijohet sërish boshllëk ligjor për një mori institucionesh, ku ky pozicion nuk ekziston. Në ligjin e vjetër, ankuesi i drejtohej njësisë së burimeve njerëzore.

Ndërkohë, nuk përcaktohet cili është nëpunësi më i lartë civil, që do të kryesojë KPD-në, në institucionet e pavarura – çka lë shteg abuzimi.

Gjithashtu, lë shumë për të dëshiruar përkufizimi i sjelljes profesionale. Vihet theksi tek “interesi dhe dëshira për përmbushjen e detyrave”, dhe te krijimi i marrëdhënieve të mira të punës me kolegët, tregues që nuk mund të vlerësohen objektivisht. S’ka etalon, nuk ekziston ndonjë aparaturë për matjen e ndjenjës së dëshirës për punë.

Nëse analizojmë më tej treguesit për vlerësimin e performancës së nëpunësit civil, konstatojmë që te nëpunësit civilë të kategorive ekzekutive, të ulët dhe të mesme drejtuese vlerësimi bazohet, ndër të tjera, në “kolegjialitetin e marrëdhënieve, gatishmërinë për punë në grup dhe në shpeshtësinë e orëve të punës jashtë orarit, të bëra me qëllim që nëpunësi të përfundojë detyrat normale të punës”. Vihet re, pra, që në një masë të madhe, sjellja profesionale i referohet veprimeve kundrejt bashkësisë. E konsideroj të tepruar mëshimin mbi këta elementë, sepse çdo nëpunës ka detyrën dhe përgjegjësitë e veta, të përcaktuara nga rregullorja e brendshme e institucionit dhe nga përshkrimi i vendit të punës. Nëse secili bën punën e tij konform rregullave, nuk ka shumë rëndësi sa i shkrirë është me masën e kolegëve dhe eprorëve.

Gjithashtu, është vërtetuar dhe pranuar që orari 8-orësh i punës është i mjaftueshëm për realizimin e detyrave, në kohë dhe me cilësi. Nuk ka kuptim të trajtohet nëpunësi civil si një nxënës i dobët, që duhet të qëndrojë në klasë pas mësimit, për të mbaruar detyrat. Rasti kur nëpunësi civil duhet të punojë mbi kohën normale të punës është i një natyre krejt tjetër: ndodh “në raste të veçanta dhe të domosdoshme” me kërkesë të titullarit, siç përcaktohet në një udhëzim të ministrit të Financave, në bazë dhe në zbatim të vendimit përkatës të Këshillit të Ministrave për kohëzgjatjen e punës dhe të pushimit në institucionet shtetërore.

Neni 43 i ligjit legjitimon zbatimin e urdhrave të paligjshëm. Tashmë, nëpunësi ka detyrimin të zbatojë verbërisht çdo urdhër të eprorit të lartë (eprorit të eprorit), mjafton që urdhri të jetë i shkruar dhe të mos përbëjë vepër penale. Po nëse përbën kundërvajtje administrative? “S’ka problem!”, përgjigjet ligji i ri. Ndërsa në ligjin e vjetër (neni 19 shkronja “ë”), përgjigjja ishte e prerë: “Nëpunësi civil nuk është i detyruar të zbatojë një urdhër të paligjshëm”.

Kambanë alarmi duhet të lëshohet edhe ndaj dispozitës së pezullimit të nëpunësit civil. Sipas nenit 56, pika 4 të ligjit, kur KPD-ja e institucionit ndërmerr një hetim administrativ ndaj një nëpunësi civil dhe çmon se vijimi i detyrës prej tij mund të pengojë normalitetin e hetimit, ky pezullohet nga detyra dhe i mbahet gjysma e pagës. Në fund, nëpunësi civil mund të shpallet i pafajshëm, por nuk kompensohet financiarisht. Paradoksalisht, kur nëpunësi civil pezullohet me vendim gjykate dhe rezulton i pafajshëm, përfiton pagën e plotë.

Ligji 152/2013 ia heq Komisionit të Shërbimit Civil (KSHC) kompetencën e një quasi gjykate speciale të nëpunësit civil, ndërsa kjo strukturë do të funksionojë në cilësinë e Komisionerit dhe do të vazhdojë të ketë kompetenca mbikëqyrjeje mbi të gjitha institucionet publike që punësojnë nëpunës civilë. Komisioneri vishet dhe me kompetencën për të vendosur gjoba ndaj personit përgjegjës që shkel ligjin në administrimin e shërbimit civil. Por, a do të arrijë Komisioneri të identifikojë fajtorin e vërtetë? Qëndrimet e mbajtura në të kaluarën nuk japin shumë shpresë, sidomos po të kemi parasysh “predikimin” antiligjor dhe alogjik: “në rastin e administratës vendore është specifike se, në çdo rast, eprori i drejtpërdrejtë është Titullari i institucionit, pra, Kryetari i Bashkisë”.

Në këto rrethana, ligji i ri sjell gjoba, por nuk ofron garanci më shumë për mbrojtjen efektive të nëpunësit civil nga arbitrariteti dhe abuzivizmi i eprorëve. Nëse Departamenti i Administratës Publike ka shprehur shqetësimin që ajo çfarë nuk funksionoi në procedurën e pranimit të nëpunësit civil, ishte emërimi nga titullari i institucionit, duke e renditur këtë si problemin nr.1, kush garanton që të njëjtat akte të përvetësimit (tejkalimit) të kompetencave nuk do të ndodhin përsëri?

Administrata publike në Shqipëri nuk ka vuajtur nga mungesa e ligjit, por nga shkelja e tij dhe mosvënia e fajtorëve para përgjegjësisë.

Këto më sipër janë arsye për të konkluduar që ligji i ri do ta përkeqësojë gjendjen në shërbimin civil. Prandaj, në vend që të propozojë “injeksione për trupin e paralizuar” të ligjit 152/2013, qeverisë i takon të marrë nismën e guximshme për shfuqizimin e tij dhe rikthimin e ligjit nr. 8549, deri në formulimin e një ligji më të mirë dhe të dobishëm për administratën publike.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi