Aurela Anastasi: Kushtetutën s’e ndryshon vetëm klasa politike

Intervistë me Prof. Aurela Anastasi në revistën Java, 25 shkurt 2014

Konstitucionalistja e njohur thotë se ka ardhur koha për nisjen e diskutimeve për ndryshimin e ligjit themeltar të shtetit. Ndryshimet në Shqipëri dhe afrimi me Europën, motive të mjaftueshme për fillimin e procesit. Anastasi thotë se nuk duhet të ketë ndryshime kushtetuese vetëm me konsensus politik, pa diskutim, pa debat dhe pa pjesëmarrjen e ekspertëve e grupeve të ndryshme të komuniteti

Zonja Anastasi, a mendoni se ka ardhur koha te amendohet Kushtetuta e Shqipërisë? Nëse po, për cilat arsye?

Kur flasim për amendimin e Kushtetutës, kemi nevojë të kuptojmë më mirë se Kushtetuta është ligji më i lartë në Shtet, prandaj ajo nuk mund të ndryshohet me procedurën dhe shpeshtësinë që ndryshojmë një ligj të zakonshëm. Kushtetuta është një normë elastike dhe e gjallë, që interpretohet dhe ndryshon edhe përmes zbatimit të saj dhe veçanërisht, nëpërmjet interpretimit përfundimtar që kryen gjykata Kushtetuese. Për këto arsye, një ndryshim i Kushtetutës me ligj, duhet të justifikohet nga një qëllim i rëndësishëm, i domosdoshëm ose i nevojshëm.

Aktualisht, e shoh me vend që të diskutohet për ndryshimin e Kushtetutës në kuadrin e proceseve të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Për më tepër, çështja e integrimit ka edhe një mbështetje të gjerë popullore. Në këtë kuadër, mund të përfshijmë: së pari, ndryshimet kushtetuese për të kryer reformat e nevojshme lidhur me problematikat e ndeshura në funksionimin e deritanishëm të institucioneve kushtetuese dhe të raporteve midis tyre dhe së dyti, ndryshimet për të mbështetur anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Nëse do të kemi fatin që të kemi statusin e vendit kandidat në Vjeshtën e këtij viti, duhet të fillojmë të mendojmë edhe për këto të fundit. Integrimi është jo vetëm një arsye e justifikuar, por edhe një arsye e lartë për të ndryshuar Kushtetutën, me qëllim që të autorizohen të gjitha institutet e reja të sovranitetit të popullit.

Për të qenë më të saktë mund të themi se, ka ardhur koha të fillojmë të diskutojmë për ndryshimin e mundshëm në Kushtetutën e Shqipërisë. Nevojitet një periudhë kohore e domosdoshme diskutimi dhe debati në nivel politik, në nivel ekspertësh, si dhe në grupet e ndryshme të interesit, në komunitet, që duhet t’u paraprijë ndryshimeve në Kushtetutë.

Pas aprovimit në 1998, Kushtetuta jonë ka pësuar disa ndryshime jo të vogla në vitin 2008. Cili është efekti i tyre, i parë sot, pas rreth gjashtë vitesh?

Është e vërtetë se ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, jo vetëm nuk ishin të vogla, por ndikuan ndjeshëm, duke ndryshuar raportet institucionale që ishin sanksionuar nga Kushtetuta e vitit 1998.  Nga klasa politike ato u paraqitën si një përpjekje për të arritur më në fund, konsensusin edhe me opozitën, i cili nuk ishte arritur fillimisht, kur u hartua dhe miratua Kushtetuta. Ndoshta për këtë arsye patën edhe mbështetjen e ndërkombëtarëve. Nuk e di nëse jemi të gjithë dakord por, sjellja politike nga viti 2008 nuk tregoi përmirësime sa i përket konsensusit.

Nëse bëjmë një bilanc të amendimeve kushtetuese deri tani, gjykojmë se ndryshimet kushtetuese të vitit 2007 dhe 2008 u kryen pa një qëllim të justifikuar qartë, ku spikati më tepër oportuniteti politik. Unë nuk e quaj me vend që Kushtetuta të ndryshohet lehtësisht, vetëm me konsensus politik,  pa pjesëmarrje, për qëllime të oportunitetit politik, ndërkohë që është shmangur ndryshimi i saj për qëllime integruese. Këtu e kam fjalën për shmangien e ndryshimit të nenit 12/3 i Kushtetutës, (dërgimi i forcave ushtarake shqiptare jashtë vendit dhe lejimi i forcave të huaja ushtarake në territorin shqiptar), ndryshimi i cili ishte i domosdoshëm në rastin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, por nuk u krye. Deri më sot, vetëm ndryshimi i vitit 2012, që ndërroi regjimin kushtetues të imunitetit parlamentar dhe atij të gjyqtarëve, ishte një ndryshim i nevojshëm në kuadrin e luftës kundër korrupsionit dhe reformave integruese.

Sot, kur shtrojmë çështje që kanë të bëjnë më amendimet e Kushtetutës, duke sjellë në vëmendje ndryshimet e vitit 2008, nxjerrim dy mësime kryesore: në radhë të parë, nuk duhet të lejojmë më që ndryshimet në Kushtetutë të kryhen vetëm nga klasa politike dhe përmes procedurave formale e të shpejta, pa diskutime, pa debat, pa ekspertizë dhe pa pjesëmarrjen e grupeve të ndryshme të komunitetit; në radhë të dytë, nuk duhet të lejojmë që të kryhen ndryshime kushtetuese vetëm si ndëshkim ndaj asaj që ndodhi në vitin 2008. Pra, nuk mund të themi se sot ka ardhur koha që të ndryshojmë Kushtetutën për t’u rikthyer në variantin origjinal të Kushtetutës së vitit 1998. Kjo nuk është një arsye e mjaftueshme për të ndryshuar Kushtetutën dhe, as thjesht për të kryer një restitucion në përmbajtjen e saj fillestare. Ne do të shohim përpara dhe vetëm integrimi mund të justifikojë ndryshime në Kushtetutë, në këtë situatë.

Ka pasur disa propozime konkrete për të nisur një tryezë diskutimi, siç është ai i Fondacionit Soros në Tiranë. Kush duhet ta inicojë, sipas jush, procesin e diskutimit e më pas të formulimit të ndryshimeve kushtetuese? 

Unë jam njohur me këtë iniciativë dhe e vlerësoj si një iniciativë mjaft pozitive, që vjen nga përfaqësues të shoqërisë civile. Përmes kësaj iniciative kanë filluar përgatitjet për të krijuar ekspertizën e nevojshme, me qëllim që të ofrohet një bazë e mirë opinionesh për diskutim, si dhe të analizohen idetë për nevojat që paraqiten në kuadrin e një reforme Kushtetuese, të cilat deri më sot janë shprehur në forume të ndryshme nga studiues, juristë e analistë, si dhe nga subjekte politike. Kjo do të ndihmonte që subjektet politike të gjykonin me objektivitet, por njëkohësisht, do të ushqente debatin dhe pjesëmarrjen e gjerë për ndryshimet kushtetuese. Sidoqoftë, e gjitha kjo nuk do të kishte vlerë pa përfshirjen e klasës politike, pasi sado e mençur të jetë ekspertiza konstitucionale, mendoj se konsensusi politik është i pari. Këtu duhet të dallojmë qartë atë që ju e quani nismë për procesin e diskutimit dhe të formulimit të amendamenteve nga “nisma për rishikimin e Kushtetutës”, sikurse parashikohet në Kushtetutë (neni 177). Juridikisht kjo i përket vetëm deputetëve dhe konkretisht jo më pak se 1/5 së anëtarëve të Kuvendit. As Këshilli i Ministrave dhe as 20 mijë zgjedhës, nuk mund të propozojnë ndryshime në Kushtetutë.

Ka disa ide të hedhura deri më sot, rreth aspekteve konkrete të amendimeve kushtetuese. Ju në cilat pjesë do të donit që të prekej teksti i Kushtetutës?

Unë e quaj të filluar mirë këtë proces me ndryshimet kushtetuese të vitit 2012, për imunitetet. Më tej, kam nevojë që mendimet e mija t’i konsultoj edhe me kolegët e tjerë. Sidoqoftë, do të doja të tregoja paraprakisht, se me kandidimin e Shqipërisë në BE, është mirë të fillojë diskutimi për dispozitat që do të ndërfuten në Kushtetutë për të konsoliduar hapësirën kushtetuese të anëtarësimit. P.sh., mendoj se duhet të ndryshojë ajo që ne e kemi quajtur “klauzola e integrimit”, (neni 122/3 e Kushtetutës). Kur gjykoj sot, kjo klauzolë më duket mjaft e hapur, ndërkohë që ajo duhet adresuar qartë në lidhje me Bashkimin Evropian. Gjithashtu, jam e mendimit se do të ketë nevojë për një kre të veçantë, që do të vendoset në Kushtetutë për këtë qëllim. Ky kre, do të rregullojë efektin e drejtpërdrejtë dhe epërsinë e normave të Acquis Communautaire, ndaj të drejtës së brendshme të vendit, si dhe të drejtat e qytetarëve evropianë. Ndërsa, lidhur me reformat për të siguruar mbarëvajtjen e shtetit të së drejtës, mendoj se mund të përligjen ndërhyrje me konsensus politik, që do të sillnin rregullimin e raporteve institucionale. P.sh., mendoj se ka nevojë të rishikohet institucioni i zgjedhjes së Presidentit të Republikës dhe procedurat e emërimeve presidenciale. Këto, formula kushtetuese janë keqzbatuar disa herë dhe kanë krijuar bllokime të herëpashershme.

Përgjithësisht thuhet se kjo kushtetutë nuk arriti të sigurojë stabilitetin politik në vend, nuk arriti të mbajë dhe konsolidojë marrëdhënie normale mes institucioneve, përfshiu përcaktime të tilla jashtë kontekstit, siç është rasti i pronës. Sa të sakta i gjeni këto komente?

Natyrisht unë mendoj që analizat dhe komentet që bëhen për situata të ndryshme në lidhje me Kushtetutën janë shumë të shëndetshme për forcimin e kushtetutshmërisë dhe të shtetit të së drejtës në Shqipëri. Por, për ne juristët është shumë e rëndësishme të dallojmë nëse këto probleme që ju sillni në vëmendje vijnë nga vetë Kushtetuta, nga dispozitat e formulimet e saj, apo nga zbatimi i keq dhe mosrespektimi i saj? Është e vërtetë se pas ndryshimeve të vitit 2008, për probleme që shfaqeshin në politikë, analistët fajësuan gjithmonë e më shumë formulat e reja kushtetuese. Por, le të mos harrojmë se, institutet e sanksionuara nga Kushtetuta e vitit 1998 kanë qenë një përvjelje e përvojave më të mira të konstitucionalizmit në fazën e historisë kushtetuese që u zhvillua pas rënies së murit të Berlinit. Ato vetë nuk janë përcaktime penguese. Edhe përcaktimet mbi pronën, pavarësisht nga problemet, nuk mund t’i quajmë penguese. Përkundrazi, subjektet që e zbatojnë, me formimin dhe mentalitetet që mishërojnë në vetvete, bëhen pengesë për zbatimin e mirë të saj. Këto janë çështje komplekse dhe kërkojnë një sërë analizash, por në një vështrim të shpejtë unë do të përmendja se, faktorët kryesorë pengues për moszbatimin e mirë të Kushtetutës kanë qenë: korrupsioni në drejtësi dhe administratë, mentaliteti i operatorëve politikë që e shohin kushtetutën si mjet të oportunitetit politik dhe jo si ligj themelor, si dhe lufta e ashpër politike. Sidoqoftë, gjetjet e juristëve në këtë kuadër duhet të synojnë modele të formulimeve kushtetuese që parandalojnë dhe minimizojnë mentalitete e praktika të tilla. Në këtë pikëvështrim forcimi i institucioneve të drejtësisë mbetet në plan të parë.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi