Promovimi i eksporteve në Europën Juglindore

Nga MICHAEL CZINKOTA & VALBONA ZENELI, botuar në Panorama Online, 24 shkurt 2014

Krizat e fundit financiare dhe ekonomike kanë prekur rëndë Europën Juglindore (EJL). Rritja ekonomike u ndal në vitin 2009 dhe zhvillimet e ardhshme duken ende të zymta. Modelet e vjetra të rritjes ekonomike nuk funksionojnë më. Nxitësit e rinj të zhvillimit duhet të ofrojnë një orientim të ri dhe fokus ndaj eksporteve dhe investimeve të huaja. Dhe rritja ekonomike duhet të vijë si rezultat i përmirësimit të investimeve, prodhimtarisë dhe integrimit ekonomik rajonal.

Performanca e deritanishme tregtare rajonale është zhgënjyese. Eksportet janë shumë të ulëta dhe të përqendruara kryesisht në lëndë të para dhe mallra prodhimi të industrisë së lehtë. Kompanitë vendëse në rajon përballën me sfida të shumta në lidhje me eksportet, duke filluar nga marrja e informacionit, kërkimi i tregut dhe financimi i tregtisë. Atyre u mungon eksperienca në sjelljen organizative, kapitali njerëzor dhe njohuritë, teknologjia, shërbimet dhe orientimi ndaj cilësisë. Kostot e prodhimit janë gjithashtu të larta për shkak të prodhimtarisë së ulët dhe kostove të larta logjistike.
Tani për tani, produktet që vijnë nga EJL nuk kanë asnjë lloj avantazhi marke në tregun ndërkombëtar. Raporti ndërkombëtar i konkurrueshmërisë globale i rendit vendet e EJL shumë ulët në drejtim të inovacionit. Këto ekonomi nuk kanë burimet e nevojshme financiare dhe njerëzore të investojnë në kërkim dhe zhvillim. E vetmja mënyrë për të tërhequr risi teknologjike është përmes tregtisë dhe sidomos investimeve të huaja direkte (IHD), të cilat inkurajojnë transferimin e teknologjisë. Kërkime statistikore në rajon kanë treguar se IHD-të kanë qenë veçanërisht jetike për rritjen, zhvillimin, përmirësimin e aftësive dhe rritjen e eksporteve.
Nga ana tjetër, integrimi rajonal është me rëndësi jetike për lehtësimin e tregtisë dhe për të rritur rëndësinë relative të rajonit në tregun global. Marrëveshja e Tregtisë të Europës Qendrore ka ulur ndjeshëm tarifat dhe ka lehtësuar problematikat tregtare ndërkufitare. Megjithatë, kjo kornizë e rëndësishme bashkëpunimi nuk është ende e implementuar mjaftueshëm. Nivelet ndërrajonale të tregtisë janë shumë të ulëta, me rreth 33 për qind të tregtisë totale të vendeve të rajonit. Çështjet më problematike fshihen te barrierat jotarifore, procedurat e gjata, korrupsioni i gjerë dhe mungesa e vullnetit politik për bashkëpunim rajonal.
Është e njohur qe eksportet janë shumë të rëndësishme për shëndetin ekonomik të një vendi, por edhe përfitimet financiare të kompanive. Atëherë përse këto kompani nuk angazhohen në eksporte, përderisa operojnë në një ekonomi të hapur tregu?
Arsyet janë të kuptueshme. Në fillimet e proceseve të eksportit, kompanitë ballafaqohen me risqe në rritje dhe përfitime në ulje. Në përgjithësi, duke u angazhuar në tregun ndërkombëtar, efektet e diversifikimit dhe familjarizimit me tregjet në periudhën afatgjatë ulin risqet dhe rrisin përfitimet, duke rritur performancën dhe konkurrueshmërinë e kompanive. Por në periudhë afatshkurtër krijohet një zbrazëti e përkohshme, e cila tremb kompanitë dhe i step ato për të ndërmarrë këtë proces.
Gjatë fazave të para të ndërkombëtarizimit, kompanitë përballen me faktorë të rinj, duke filluar nga taksat e këmbimit, distanca të mëdha, mënyrat e ndryshme të transportit, rregullat e ligjet e reja të vendeve pritëse, sistemet e ndryshme fiskale dhe ligjore, e deri te gjuhët e panjohura e kulturat e ndryshme. Pikërisht mbështetja shtetërore është shumë e rëndësishme për tregtinë ndërkombëtare, sidomos në 2 apo 3 vitet e para të këtij procesi, veçanërisht për bizneset e reja dhe ato në zhvillim.
Të gjitha vendet e Europës Juglindore kanë agjencitë e tyre të promovimit të eksportit, por si gjithmonë, vështirësitë hasen në implementim.
Asistenca qeveritare ndaj eksporteve ndihmon kompanitë, për aq kohë sa redukton rreziqet apo rrit fitimet nga eksportet, veçanërisht në vitet e para. Kjo mund të bëhet duke ofruar informacion mbi tregjet ku mund të eksportohet, apo duke u ofruar kompanive një lloj sigurimi në këtë ndërmarrje. E rëndësishme është asistenca që mund të ofrohet në lidhje me shtyllat kryesore të ndërkombëtarizimit, që janë: konkurrenca, risku, fitimi dhe mbajtja e pronësisë.
Konkurrenca është pika më kyçe në tregtinë ndërkombëtare. Bizneset konkurrojnë për të siguruar tregje për mallrat dhe shërbimet e tyre. Përfitimet e konkurrencës qëndrojnë në shpërndarjen dhe zhvendosjen e burimeve, efikasitetin e investimeve, si dhe cilësinë e furnizimit me mallra apo produkte. Në këtë spektër, asistenca e eksportit mund të ketë si qëllim të përmirësojë karakteristikat organizative dhe kapacitetet e kompanive për rritjen e cilësisë së produkteve përmes programeve të posaçme.
Lidhur me çështjen e riskut, i cili rrjedh nga konkurrenca e fortë globale, çdo kompani përpiqet të gjejë burimet e nevojshme për të qenë e suksesshme. Disa kompani do të kenë sukses në treg e të tjera do të dështojnë. Pala e suksesshme do të jetë e kënaqur, por humbësit mund të fillojnë të dyshojnë në konceptin ekonomik të pranimit të riskut, sidomos në një shoqëri si kjo e sotmja, ku “fituesi i merr të gjitha”. Sidomos gjatë fazave të para të eksportit, risku aktual i kompanive rritet ndjeshëm, e kjo është një nga arsyet që kompanitë stepen. Fitimi nënkupton flukse pagesash dhe fitimesh për aktivitete të biznesit. Fitimi, në përgjithësi përcaktohet nga sasia e produkteve të tregtuara, e ky mund të jetë shumë i ndryshëm për bizneset. Sfida qëndron në atë se një hendek i tillë midis kompanive të suksesshme ose jo, mund edhe të çojë në rritjen e pakënaqësisë shoqërore kundër “përfituesve”. Për shkak të investimeve të nevojshme për sforcot e eksportit, performcanca e fitimit në fazat e para ulet ndjeshëm për kompanitë e reja në këtë sipërmarrje.
Dhe së fundmi, çështja e mbajtjes së pronësisë, ku individëve dhe kompanive u jepet e drejta për të grumbulluar burime dhe pasuri dhe për t’i investuar ato në tregjet ndërkombëtare.
Miksi i duhur i hapave për të krijuar sukses varion sipas shoqërive dhe normave te saj. Gjithsesi, roli qeverisës mbetet më i rëndësishmi për drejtimin e vendit drejt zhvillimit ekonomik e shoqëror.
Asistenca shtetërore ndaj eksporteve mund të marrë formën e informacionit për tregjet potenciale, ofrimit të kreditimit me kosto të ulët, trajnimeve për të kuptuar ligjet ndërkombëtare të tregtimit, vendosjes së standardeve të teknologjisë dhe cilësisë në tregun vendës, ndër shumë forma të mundshme. Por shumë të rëndësishme janë dhe krijimi i një klime biznesi të favorshme dhe zvogëlimi i barrierave të eksportit përmes marrëveshjeve të tregtisë së lirë.
Qeveritë, sidomos të vendeve të vogla, mund të ndikojnë në mjedisin e tregtisë ndërkombëtare, vetëm duke u angazhuar ne negociata tregtare dhe marrëveshje të tregtisë së lirë. Integrimi rajonal vërteton se vendet së bashku mund të arrijnë më shumë në skenën ndërkombëtare sesa si aktorë të vetëm. Vetëm vendet e vogla janë shumë të dobëta dhe të vogla për të gjeneruar shkallë dhe kapacitete të mjaftueshme për tërheqjen e investimeve produktive. Një hapësirë e re e integruar ekonomike në EJL do të ofronte mundësi të reja për përdorim burimesh, tregje të reja dhe partnerë të rinj. Kjo situatë do të përmirësonte tregtinë dhe eksportet.
Ne lidhje me promovimin e eksporteve, janë qeveritë ato që duhet të vendosin se cilat kompani apo sektorë duhet të marrin asistencë, si do implementohet asistenca dhe çfarë pritet në këmbim për zhvillimin ekonomik të vendit. E zbatuar në mënyrë të drejtë, kjo asistencë është para publike e shpenzuar mirë. Hulumtimet e Bankës Botërore tregojnë se çdo dollar i shpenzuar për promovimin e eksporteve ka një kthim financiar deri në dyzet dollarë.
Fondet publike janë shumë të pakta në ditët e sotme dhe duhet të investohen ndershmërisht vetëm duke pasur objektiva afatgjatë të qartë për zhvillimin ekonomik. Asistenca e eksporteve duhet të synojë reduktim të risqeve apo një rritje të fitimeve të kompanive eksportuese. Matja efektive e suksesit duhet bërë duke studiuar numrin e konsumatorëve, transaksionet, pjesën e tregut, punësimin në rritje etj. Studimet nga vende të ndryshme tregojnë se kompanitë eksportuese paguajnë rroga deri 30 për qind më të larta për punonjësit, sesa ato që operojnë vetëm në tregun vendas.
Një tjetër çështje që diskutohet, është nëse duhet të përfitojnë asistencë vetëm kompanitë vendëse, apo dhe firmat e huaja prodhuese të vendosura në atë vend? Përgjigjja varet nga vendi dhe politikat ekonomike të tij, gjithsesi kryesore janë qëllimet afatgjata të zhvillimit, duke filluar nga përfitimet për punësimin e qytetarëve deri në rritjen e përgjithshme të standardit të jetesës. Koordinimi është thelbësor në këtë proces.
Në përgjithësi, qeveritë duhet të shmangin asistencën ndaj sektorëve të pjekur dhe industrive të vjetra me efekte relativisht të ulëta punësimi. Prioritet u duhet dhënë industrive të reja në zhvillim, me potenciale rritjeje. Në harresë nuk duhen lënë gjithashtu kompanitë, të cilat janë eksportuese, dhe duhen ndihmuar të përmirësohen.
Analizimi i programeve të ndryshme të asistencës të eksportit ka treguar efektivitet më të madh kur është studiuar fillimisht niveli i ekspertizës ndërkombëtare të kompanive potenciale dhe më pas është dhënë ndihma duke reflektuar nevojat e biznesit përkatës.
Në një botë të globalizuar, të gjitha kompanitë duhet të jenë të përgatitura për tregun global. Mbështetja e qeverisë ndaj bizneseve vendëse i ndihmon ato të rriten dhe të përballen me konkurrencën globale, duke rritur fitimet e tyre tregtare, por në të njëjtën kohë duke forcuar ekonominë e vendit.

1-Profesor në GeorgetownUniversity dhe ish Zv.Asistent Sekretar i Tregtisë në SHBA.
2- Profesore në George C. Marshall European Center for Security Studie
Artikulli është botuar në version më të gjatë “Security Insights Series” si edhe në gazeta të tjera ndërkombëtare.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi