Para e lirë dhe e lehtë, apo reformat e vështira?!
Nga Arben Malaj, botuar në Panorama Online, 23 shkurt 2014
Sot po zhvillohet një debat jo i lehtë lidhur me përdorimin e politikave fiskale e monetare në kundërpërgjigje të krizës. Ekonomia globale pësoi rënie të ndjeshme, deficitet, borxhet dhe papunësia u rritën ndjeshëm. Rritja e kostove dhe tensioneve sociale në disa vende rrezikuan deri në tensione politike. Ka studiues që vlerësojnë se kriza ka vënë në dyshim disa nga teoritë bazë makroekonomike, lidhjet midis borxhit dhe kostos së borxhit, midis borxheve dhe inflacionit, pa harruar të mbajmë parasysh që situata të jashtëzakonshme kanë përligjur politika dhe instrumente jo të zakonshme. Ekonomistët e ritheksojnë: “Nuk ka një kostum që iu rri mirë të gjithëve”, pra nuk ka një recetë ekonomike që mund të jetë e vlefshme për të gjitha vendet dhe për çdo fazë të cikleve ekonomike. Politikat monetare jokonvencionale, paraja e lirë për ekonominë, instrumentet e reja të ndërhyrjeve të bankave qendrore, rezultuan me efekte të ndryshme në vende të ndryshme, bazuar në specifikat e tyre strukturore, por edhe në shkallën, shpejtësinë dhe përmasat e ndërhyrjeve të tilla. Jo pak debat krijoi edhe iniciativa e Kryeministrit japonez Abe, për të aplikuar një plan të ri Abenomics, projekt shumë agresiv për të ndihmuar ekonominë japoneze të dalë nga periudhat e gjata e të vështira deflacioniste. Studiuesit e ekonomisë theksojnë se politikat e parasë së lirë nuk janë të reja, ato bazohen në teoritë (neo) kejnsianiste, të cilat në krizën e 1929-1933 gjejnë si faktor të përkeqësimit dhe tragjedisë së saj edhe ngurrimin e qeverive për të ndërhyrë. Edhe Abenomics nuk rezulton të jetë prova e parë për politika të tilla stimuluese të ekonomisë japoneze, por ndoshta është përpjekja më e madhe pas një periudhe relativisht të gjatë deflacioniste në ekonominë e këtij vendi të zhvilluar ku borxhi publik është mbi 230% të GDP-së. Ky debat zhvillohet edhe për sfidat e vendit tonë, ku rritja ekonomike vazhdon e ulët dhe ku deficiti e borxhi janë rritur në nivele kritike. Në këtë debat janë përfshirë edhe kolegë, disa prej të cilëve kanë studiuar dhe punojnë jashtë Shqipërisë, kjo e nxit më shumë debatin profesional. Disa prej tyre janë kritikë, duke sugjeruar që edhe Shqipëria duhet të ndjekë politika ekspansioniste sa më agresive, për të ndihmuar ekonominë të kthehet në ritmet e saj të larta. Disa fokusohen te roli dhe mundësitë e Bankës Qendrore për të ulur akoma më shumë normat e interesit dhe qeveria të rrisë akoma më shumë stimulin fiskal. Sugjerojnë që të përdoren politika dhe instrumente të reja për krijimin e likuiditeteve në ekonomi, që të rrisin kërkesën agregate që rrit rritjen ekonomike, duke kërkuar që deficiti dhe borxhi i lartë të mos shërbejnë si pengesë për rritje më të madhe të ndërhyrjes së qeverisë. Ajo që dëshiroj të nxis me këtë shkrim ka të bëjë me debatin se, a mundet që vetëm këto politika të ndihmojnë ekonominë tonë të rritet me ritme më të larta? Nga indekset ndërkombëtare, sidomos ai i lirisë ekonomike dhe i konkurrencës globale, pengesat tona kryesore janë mungesa e pronës, shtet i dobët ligjor dhe shqetësimi më kryesor i biznesit shqiptar, mungesa e aksesit në burime financimi. Ato kanë ekzistuar edhe më përpara, por tani vështirësitë janë më të mëdha. Mungesa e likuiditeteve nuk është specifike vetëm për Shqipërinë, por specifike për biznesin e vendit tonë është se kriza e likuiditeteve është përkeqësuar nga borxhet e trashëguara, niveli i lartë i kredive të këqija, shtrëngesat e bankave për mosdhënie kredie dhe interesat relativisht të larta të kredive. Nga politikat e Bankës së Shqipërisë për uljen e kostos së interesave të financimit të ekonomisë ka përfituar deri tani drejtpërdrejt kryesisht qeveria, pasi edhe pse borxhi është rritur, kostoja e shërbimit të borxhit ka pasur një trend rënës dhe kursimet nga kostoja e shërbimit të borxhit për vitin 2013 vlerësohen të jenë të konsiderueshme. Ulja e kostos së parasë nga Banka e Shqipërisë akoma nuk ka ndikuar në rritjen e ekonomisë reale. U konstatua se individët, bankat dhe institucionet financiare e përdorën paranë e lirë jo për të rritur investimet e tyre, por për të përmirësuar bilancet e tyre, duke e reduktuar impaktin përfundimtar në ekonominë reale. Ka diskutime se deri në çfarë mase mund të përdoret ulja e kostos së parasë në ekonomi, kur në disa vende interesat reale janë negative. Periudha e “easy money” është drejt përfundimit të saj. Ekspertët këshillojnë që tërheqja të jetë graduale dhe vetëm pasi të jetë verifikuar se rritja ekonomike do të jetë e qëndrueshme. Studimet vërtetojnë se reformat e tregut të punës, reformat e produktivitetit të ekonomisë, reformat e pronës dhe shtetit ligjor kanë një impakt më të plotë dhe më të qëndrueshëm në mbështetjen e një rritjeje ekonomike më të lartë. Ekspertët këshillojnë që të mos injorohen risqet e borxheve të larta dhe konkurrencës së ulët të disa vendeve, sidomos kur FED dhe BQE do të fillojnë të rrisin interesat, dhe kjo do të prekë vendet me borxhe të larta dhe jo konkurruese në tregjet potenciale. Ata paralajmërojnë që nga rritja e interesave preken më shumë vendet që kanë instrumente borxhi me maturitet të shkurtër. Këtu ne kemi problemin më të mprehtë të financimit të ekonomisë sonë, pasi maturiteti i bonove të thesarit është i shkurtër dhe pesha e bonove afatshkurtra është shumë e lartë. A kemi një risk potencial që duke absolutizuar politikat e parasë së lirë në ekonomi, të jemi të paangazhuar për reformat strukturore dhe të jemi të pakujdesshëm për nivelet e larta të borxheve, individuale, private dhe publike që mund të kërcënojnë rritjen ekonomike? Nuk ka një përgjigje të vetme për këto shqetësime, nuk ka një recetë specifike për Shqipërinë, por ka disa studime, gjetje dhe rekomandime që vlerësojnë se impakti, përfitimi dhe jetëgjatësia e efekteve pozitive të reformave të vështira strukturore është më i dobishëm se absolutizimi i efekteve te politikave jokonvencionale. Studiues të historisë së ekonomisë argumentojnë se pa pronën dhe shtetin ligjor është e vështirë të zhvillohet jo vetëm ekonomia, por edhe demokracia e një vendi. Të dy këta tregues, përcaktues për rëndësinë e tyre në cilësinë e zhvillimeve tona ekonomike e politike, vazhdojnë të jenë në nivelet më të ulëta të lirisë ekonomike, bile në nivelet që e pengojnë/mbysin zhvillimin tonë ekonomik. Edhe sikur të ishim më agresivë me politika ekspansioniste fiskale dhe monetare, edhe sikur të ulej akoma më shumë kostoja e parasë dhe të nxitej pa asnjë kufizim likuiditeti në ekonomi, impakti i tyre do të ishte i kufizuar apo i deformuar pa reformat që janë jetike për cilësinë e zhvillimeve tona ekonomike e politike.