Dy pyetje për 2939 vende pune

Nga Alba Meyer, botuar në Balkanweb, 19 shkurt 2014

Para disa ditësh ministri Veliaj deklaroi në parlament se 2939 vende pune janë afishuar në puna.gov.al. Të njëjtin mesazh të shoqëruar me komentin “përtej mallkimeve të Berishës …” postoi dhe në faqen e tij të “Facebook”-ut. Vijonin postime të tjera për hapjen e zyrës së punës në Durrës dhe histori suksesi punësimi. Së fundmi, një vajzë që kishte mbaruar Farmaci në Bologna. Si çdo shqiptar i mirë, megjithëse larg, më erdhi shumë mirë që punësimi po lëvizte dhe doja të mësoja më shumë. Pashë se puna.gov.al është një faqe interneti që liston vende pune në sektorin privat dhe se zyrat shtetërore të punës ofrojnë ndërmjetësim për aplikimin në këto vende. Provova disa qarqe (qarqet përfshijnë disa qytete) dhe mora këto rezultate -Gjirokastër -2 vende pune, Korçë – 5, Fier – 1, Elbasan -1, Tirana -71, e kështu me radhë. Vështirë të kalkulohen 2939 vende me këtë ritëm, por po e marr të mirëqenë, sepse nuk janë numrat objekt i shkrimit tim.
Distanca e të jetuarit larg, natyrshëm të ofron më shumë perspektivë dhe më shumë imunitet nga tymnaja lokale politike. Dhe larg çdo asocimi partiak, po reflektoj mbi çfarë lexova. Gjithashtu, po u qëndroj larg vlerësimeve që rrjedhin për shkak të dhe vetëm nga krahasimet me sisteme të huaja, psh. këtu ku jetoj, sepse jo vetëm që situata të ndryshme diktojnë zgjedhje të ndryshme, “fshat e zanat” thoshte gjyshja ime (megjithëse gjithmonë mund të argumentohet për praktika të mira – fshatrat e begatë janë bërë të tillë me trike të ngjashme) por sepse mbi të gjitha, çdo tentativë për krahasim do ishte fundi i diskutimit, jo fillimi. Faqe-dhe zyra-shtetërore-pune që të bëjnë inventarin e punëve të privatit dhe ndërmjetësim për to nuk ka këtu ku jetoj unë. Ka zyra që ofrojnë asistencë në formë trajnimesh për të papunë, fletëpalosje me informacione, ndërmjetësim pune për njerëzit me aftësi të kufizuar dhe kaq.
Ka dy çështje që më shqetësojnë mua me këtë model të zyrave të punës:
E para lidhet me filozofinë e modelit të qeverisjes:
A duhet të aprovojë shteti legjislacione të tilla paternaliste, shërbim kombëtar punësimi dhe të bëjë ndërmjetësimin e punësimit në sektorin privat për njerëzit e aftë për punë? A duhet që të aftët për punë të kenë pritshmëri të tilla që çojnë gradualisht në varësi direkte nga shteti për punësim? Asnjë filozofi e suksesshme qeverisëse- as modeli i shtetit social, të cilit në fakt unë i përkas dhe aq më pak kapitalizmi libertarian nuk ka eksperimentuar me sipërmarrje të tilla shtetërore. Në fakt, mua më kujtoi një histori vite me parë, kur në kuadrin e formulimit të një projekti zhvillimi, ekspertët e huaj pyetën disa fshatarë se çfarë ndihme donin nga shteti dhe përgjigjja e tyre ishte – magazinat shtetërore të grumbullimit të kohës së socializmit! Për fat të keq, shteti socialist që të siguron punë dhe shitje për do kohë nuk e ka të gjatë! Çdo lloj përqasje me këtë model, vetëm e bën më të vështirë përshtatjen me ekonominë e tregut.
Natyrisht, numri i vendeve të punës dhe efekti i zyrave është aktualisht i papërfillshëm për një Shqipëri të uritur për punë dhe për pasojë shumë mund të thonë se këto pyetje s’kanë shans të kenë përgjigje. As rëndësi përsa kohë s’ka punë. E vërtetë. Por numrat nuk kanë vlerë kur flasim për boshtin ideologjik të programit qeverisës. Nëse trumbetohet rregullisht për punë që të gjejnë zyrat e punës, njerëzit do i rikthehen pritshmërisë për “flete-pune”. Më shumë sesa modeli (me numra njëshifrorë), propaganda e fryrë mediatike për suksesin e modelit, me kalimin e kohës riskon të krijojë boomerang social dhe politik dhe të kthehet në një ortek që do zinte të parin qeverisjen që e kish krijuar. Është nxitja e autonomisë së individit dhe liria e sipërmarrjes ajo që sjell zhvillim, jo ecejaket e rinisë së papunë në perimetrin e mbyllur nga dera e shtëpisë te dera e zyrës së punës. Për t’u përsëritur të nesërmen!
E dyta ka të bëjë me vlerën praktike të modelit:
Sepse diskutimi parimor më lart nuk do kish vlerë vetëm në një rast – nëse tregu i punës në Shqipëri do ishte jofunksional, në kuptimin që ndonëse kërkesa për vende pune është e lartë, oferta megjithëse e ulët, nuk plotësohet. Në këtë rast do kishte nevojë për ndërhyrje rregullatore të shtetit. Por tregu në Shqipëri nuk vuan nga kjo anomali. Njoftime pune gjenden rëndom të publikuara kudo: në gazeta, faqe interneti dhe mbi të gjitha ato pak njoftime qarkullojnë nëpërmjet punonjësve aktualë. Nuk janë ngritur ndonjëherë pretendime që është problem të mbushen 5 vende pune në qarkun e Korçës, apo 71 në atë të Tiranës, apo ato 2 vendet në Gjirokastër kanë kaq muaj që s’po i përfill njeri! Është shumëfish kërkesa për çdo vend të ofruar. Inventari që mban shteti dhe ndërmjetësimi i zyrave të punës nuk plotëson asnjë nevojë kritike që nuk e plotëson aktualisht tregu privat i informacionit. Për pasojë, ai është një shërbim që mbivendoset në tregun privat të punës dhe nuk ka asnjë përfitim praktik. Dhe nëse nuk ka përfitim, është humbje – humbje burimesh financiare publike për të cilat ka nevoja emergjente në shumë fusha të tjera në Shqipëri. Shkollat do ishin zgjedhja ime e parë!
Vrava mendjen për ndonjë arsye tjetër të vërtetë për faqen – mbase duhet thjesht për inventar, statistikë mendova në fund. Por nëse kjo është e vërtetë, është mënyra më ineficiente dhe këta janë indikatorët më të pasaktë për të provuar ulje papunësie. Treguesit e papunësisë përpunohen periodikisht nga zyrat e statistikës sipas modelesh statistikore të caktuara dhe për një diskutim serioz kjo nuk është një fushë që ka vend për arnime të tilla origjinale.
Detyra e shtetit është të hartojë dhe implementojë politika që inkurajojnë dhe sjellin fuqizimin, zgjerimin e biznesit dhe për pasojë shtimin e vendeve të punës. Kjo është sfida e vërtetë e qeverisjes. Inventarizimi dhe ndërmjetësimi për punët në sektorin privat janë eksperimentime të rrezikshme dhe pa asnjë përfitim praktik. Ato janë një xhiro falas e qeverisë në kurriz të biznesit për të treguar se po bëhet shumë punë për të ndihmuar tregun e punës. Në fakt, është zhurmë për asgjë. Mbreti vazhdon të jetë zhveshur!
Ah dhe diçka, përsa kohë të qepet ndonjë petk, mëngët më mirë përveshur

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi