Me “një rreth-një njësi vendore”, qeveria forcon akoma më tepër centralizimin e sotëm

Nga Gjovalin Gjeloshi, botuar në Tema, 18 shkurt 2014

-Vendin e ka mbërthyer një merimangë institucionesh rajonale shpërndarë në të gjithë territorin, të cilat i zapton dhe i drejton qeveria qendrore. Agjenci, inspektorate, institute e ministri të Tiranës kanë shtrirë “kthetrat” e tyre drejt bazës. Çdo shërbim ndaj qytetarit kryhet prej qeverisë. Radhë të gjata, sorollatje e hajnina në sportelet e shërbimeve. 

-Ka mbetur vetëm Ministria e Jashtme pa pasur drejtori rajonale në qarqe.

Ata që e konceptojnë reformën territoriale-administrative vetëm si heqje mekanike e “dy vizave” të reja në hartën e Shqipërisë, e kanë gabim. Kjo do të ishte thjesht një ndarje e re administrative, që për mua nuk është “as e lehtë, as e vështirë”, por jo e pamundur dhe e padomosdoshme për t’u bërë. Nëse flasim për reformë administrative-territoriale, “vizat e reja” janë gjëja e fundit që duhet të bëjmë. Për të ardhur deri te ndarja e re e territorit kemi një mori punësh të tjera që duhet të kryhen. Dhe kjo “mori punësh” ka të bëjë para së gjithash me decentralizimin e pushtetit vendor, i cili, hiq propagandën apo teorinë që bëhet me shumicë, është tejet i centralizuar.

Përveç paaftësisë së drejtuesve vendorë, që e hasim edhe në vetë radhët e anëtarëve të qeverisë, dy mund të konsiderohen shkaqet të cilat mund të na çojnë në mendimin se “qeverisja vendore e sotme ka dështuar”. Dhe që të dyja, “hyjnë e dalin” përditë nga dera e pushtetit qendror: centralizimi i skajshëm i kompetencave dhe efektiviteti i ulët i organeve të kontrollit qendror. Autonomia vendore nuk ka të bëjë me moskontrollin e kësaj të fundit nga organet e specializuara të kontrollit të pushtetit qendror. Ka vite që kryetarët e njësive vendore “ndihen rehat” në ato “parcelëza” komunash apo bashkish dhe nuk kam parë se ka ndonjë organizim kolektiv serioz të shoqatave ku aderojnë, për të kërkuar të drejtat që ua jep e ashtuquajtura “Kartë e Autonomisë Vendore”. Ndihen rehat se, as nuk kanë kompetenca, as nuk tentojnë dhe as nuk mund të kryejnë shërbime ndaj qytetarëve të tyre. Ndihen rehat sepse në të vërtetë ka ekzistuar një decentralizim fiskal, aq sa për ta përdorur pa ndonjë kontroll të imtësishëm buxhetin vendor: si grantin të ardhur prej shtetit, ashtu edhe të ardhurat, në ato njësi ku ka pasur të tilla. Duket si një marrëveshje e heshtur: pushteti vendor bën sikur ka kompetenca dhe qeveria ia ka mbushur mendjen vetes se e ka kryer decentralizimin. Kjo e fundit bën sikur kontrollon zbatimin e buxhetit, ndërkohë që vendorëve nuk u hyn asnjë ferrë në këmbë në rastet e keqadministrimit të tij.

Sidomos pas vitit 2000, kur doli ligji i ri i qeverisjes vendore, është abuzuar shumë me firmosjen e “Kartës së Autonomisë…”. Decentralizimi fiskal, që edhe ky kishte e ka kufizimet e veta, ka eklipsuar krejt autoritetin e njësive vendore në të drejtat dhe detyrat që ato kanë në shërbimin ndaj zgjedhësve të tyre. Parë në këtë kënd, edhe ato pak kompetenca që ekzistonin në dy legjislaturat e para 1992-2000, si në arsim, shëndetësi etj, tashmë pushteti vendor nuk i ka më. Decentralizimi vërtet është një rrugë e gjatë dhe e vështirë, sepse qeveritë, të kujtdo qofshin, nuk janë të prirur për ta realizuar, por kjo nuk do të thotë që 20-30 vjeçarët e vitit 1992 të mos e arrijnë atë as kur të dalin në pension.

Vendin e ka mbërthyer një merimangë e gjallë institucionesh rajonale, shpërndarë në të gjithë territorin, të cilat i zapton dhe i drejton qeveria qendrore. Agjenci, inspektorate, institute e ministri të Tiranës kanë shtrirë “kthetrat” e tyre drejt bazës. Çdo shërbim ndaj qytetarit kryhet prej qeverisë. Radhë të gjata, sorollatje e hajnina në sportelet e shërbimeve. Të moshuar në prag pensioni që harxhojnë ditë me radhë dhe udhëtojnë kilometra të tëra e përballen me nëpunës që askush nuk u kërkon llogari për cilësinë dhe shpejtësinë e kryerjes së shërbimit. Prindër nxënësish dhe mësues që e gjejnë rrugën e zgjidhjes së ankesave të tyre vetëm në dyert e ministrisë. Pacientë apo të sëmurë kronikë që s’dinë ku të përplasin kokën nëse nuk u kryhet shërbimi që kanë nevojë, etj,etj.

Duhet një vëmendje e madhe të ulesh e të numërosh “fijet” që përbëjnë rrjetën e kësaj merimange frymë-marrëse të shërbimeve ndaj popullatës, e cila voton dhe nuk dinë se ku ta kërkojnë shërbimin e domosdoshëm. Sot pushteti vendor përballet me një centralizim të skajshëm dhe sigurisht ka një indiferencë të plotë të shërbimeve ndaj votuesit të vet. Kësisoj edhe qytetari nuk ka pse t’i mësyjë zyrat e tij, se nuk ka asgjë në kompetencë për të zgjidhur. Arsimi, shëndetësia, zyra e pensioneve (sigurimet shoqërore), zyra e regjistrimit të pasurisë së paluajtshme, zyra e administrimit të tokës, administrimi i kullimit të tokave, zyra e siguracionit shëndetësor, pajisja me licencë biznesi apo transporti, shërbimi i furnizimit me energji elektrike, zyrat e punësimit, statistikat, shërbimi postar, shërbimi i ujësjellësit (i përgjysmuar), shërbimi ekstensiv i bujqësisë, shërbimi i kontrollit ushqimor, legalizimi i ndërtimeve, shërbimi i turizmit etj. Ka mbetur vetëm Ministria e Jashtme pa pasur drejtori rajonale në qarqe.

Përball kësaj “dare” centralizimi, unë nuk e di se përse duhet të votohet pushteti vendor, kur ai ligjërisht nuk i kryen shërbimet më minimale zgjedhësit të vet. Sot qytetarët e mësyjnë derën e komunës së tyre vetëm për të marrë certifikatën në zyrën e gjendjes civile, nëpunësi i së cilës, edhe ky varet nga prefekti dhe kryetari i njësisë vendore, duhet t’i marrë leje këtij të fundit për t’i kërkuar llogari për cilësinë e shërbimit ndaj shtetasit. Sot pushteti vendor nuk vendos në punë as pastruesen e shkollës e jo më drejtorin e saj, nuk emëron e kontrollon as infermieren e fshatit e jo më mjekun a kryemjekun e komunës, nuk cakton në punë as punëtorin e pastrimit të rrugëve. Kompetencat e sotme të këtij pushteti janë në gjendje më të mjeruar se sa ç’ishin ato të këshillave popullore të bashkuara në kohën e monizmit.

Ja pse tingëllon bosh “alarmi” i reformës administrative-territoriale, i parë vetëm në numrin e njësive vendore të Shqipërisë dhe pa u konceptuar si një qeverisje vendore në shërbim të qytetarëve të saj. Sot po diskutohen disa variante, së paku nga numri i tyre. Prej të gjitha mendimeve që jepen prej grupeve të ndryshme, më i papërshtatshmi dhe me pritshmëri më të paktë për shërbim më të mirë ndaj qytetarëve, është ai që propozon vetë qeveria aktuale: një rreth- një njësi vendore. Kjo nuk është pa shejtanllëkun brenda. Një strukturë e tillë as sjell decentralizimin, as ushqen kapilarët e subsidaritetit. Qeverisë, me këtë rindarje territor, as nuk do t’i dalë gjumi, as nuk do të shqetësohet edhe për vite të tëra, që të delegojë kompetencat e shërbimeve ndaj popullatës drejt pushtetit të zgjedhur administrativ. Duke i ndërruar etiketën nga rreth në bashki, qeveria ka ndërmend ta kufizojë reformën e shumëdiskutuar e të shumëpritur vetëm në “vizat” e reja të hartës dhe jo në një platformë të decentralizimit të vërtet dhe të realizimit të parimit të subsidaritetit. “Rreth e bashki”, janë konturet e një ngrehine vendore që do t’i shërbejë vetëm qëllimeve politike të qeverisë dhe do të përkeqësohet akoma më shumë shërbimi ndaj qytetarit. Në mos, edhe kështu siç është, na vjen për ta vajtuar. 36 rrethe-36 bashki do të thotë të mos prekësh asnjë ligj tjetër që rregullon jetën publike e civile të shtetasve tanë, t’i lësh të paprekura strukturat e dekoncentruara të organeve qendrore dhe t’i lësh qytetarët e tu “rrugëve” në përkujdesje të askujt.

Nëse qeveria do të vazhdojë në të sajën, do të kemi një ligj që shtetasit e këtij vendi do t’ia shohin sherrin edhe për një kohë boll të gjatë. “Hidh e prit” do të na kalojë edhe një njëzetvjeçar tjetër me pushtet vendor të pastabilizuar dhe me tendencë që të gjithë shtetasit t’i kërkojnë shërbimet jetësore në sportelin e qeverisë.

Përkundër kësaj, ekziston shpresa që qeveria e sotme, ashtu siç është paraqitur gjatë kësaj periudhe e paaftë në marrjen e disa vendimeve, është treguar po aq e aftë për t’i braktisur ato në kohën e duhur.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi