Reforma administrativo–territoriale, domosdoshmëri për menaxhimin e resurseve
Nga Prof.Dr. Selman Sheme, botuar në Gazeta Telegraf
Fragmentizimi i tejskajshëm i njësive vendore, në bashki dhe komuna, përbën një copëzim që dëmton rëndë dhe asfikson potencialin e zhvillimit në shumë rajone të vendit.
Konferenca shkencore, ”Reforma administrativo-territoriale”, e organizuar në muajin Tetor nga Qeveria përbën një ndër reformat prioritare në fushën e decentralizimit dhe qeverisjes vendore. Fragmentizimi i tejskajshëm i njësive vendore, në 373 bashki dhe komuna, përbën një copëzim që dëmton rëndë dhe asfikson potencialin e zhvillimit në shumë rajone të vendit. Harta e ndarjes administrativo-tokësore nuk lejon më gjatë realizimin e objektivave të zhvillimit kombëtar dhe prirjen integruese europiane të vendit. Që nga shek XIX-të e deri sot janë aplikuar tre kritere racionale në ndarjen juridike –administrativo-tokësore të një shteti si: grila gjeometrike, kriteri natyror gjeografik dhe kriteri socio-ekonomik. Ndarja më e mirë administrativo-territoriale është ajo që realizohet mbi bazën e regjioneve gjeografike të përcaktuar sipas kriterit natyror, socio-ekonomik, kulturor etj. Në shekuj trojet shqiptare kanë njohur organizime të ndryshme administrativo-territoriale, të cilët kanë shprehur veçoritë e evolucionit historik, nivelin e zhvillimit ekonomik dhe social, shkallën e emancipimit të pushtetit politik. Synimet e fuqive të huaja pushtuese kanë qenë faktor që kanë ndikuar në shpërbërjen e homogjenitetit etnik në hapësira të caktuara. Për këtë arsye çdo organizim administrativo-territorial mban vulën e etapës së caktuar historike, duke u karakterizuar nga diferencime të dukshme sipas motiveve të caktuara politike, ekonomike, ideologjike, ushtarake etj.
Gjatë periudhës së socializmit janë bërë disa ndryshime në ndarjen administrativo-territoriale të Republikës së Shqipërisë, të bazuara kryesisht në frymëzime ideologjike.
Më 1990 Shqipëria përbëhej nga 26 rrethe, 67 qytete, 589 fshatra të bashkuar dhe 2848 fshatra të thjeshtë. Me gjithë ndryshimet e herëpashershme të ndarjes territoriale të Shqipërisë, nuk ka pasur deri tani një reformë të vërtetë në këtë drejtim. Duke filluar nga viti 1992 u realizua procesi i ndarjes së re administrative, i cili e rajonizoi Shqipërinë në 36 rrethe. Kjo ndarje vazhdoi deri në vitin 2000. Në vitin 2001 rrethet u bashkuan në 12 qarqe dhe sot kemi një pamje të tillë të ndarjes administrativo-territoriale të Shqipërisë: 12 qarqe, 65 bashki, 308 komuna dhe më shumë se 3 000 fshatra.
Problematika e ndarjes territoriale gjatë periudhës së tranzicionit.
Ndarja territoriale është një instrument për të ndërtuar një raport të drejtë në trinomin mjedis gjeografik-popullsi-zhvillim ekonomik. Aktualisht një pjesë e konsiderueshme e njësive vendore nuk i plotësojnë parametrat e nevojshme për t’u vetëqeverisur, duke u bërë pengesë jo vetëm për rritjen e mirëqenies së komunitetit që ato përfaqësojnë, por edhe frenuese për zhvillimin ekonomik e social të vendit në përgjithësi. Fragmentizimi i skajshëm i territorit në 308 komuna dhe 65 bashki ka çuar në formimin e njësive vendore me popullsi shumë të vogël, ku rreth 101 komuna kanë popullsi më pak se 2000 banorë dhe 37 prej tyre kanë më pak se 1000 banorë. Afro 71 komuna nuk sigurojnë asnjë të ardhur dhe qëndrojnë në këmbë me pagesat e financuara nga buxheti i shtetit.
Faktorët kryesorë që e bëjnë të domosdoshëm reformën administrative janë: ndryshimet e thella demografike, shpenzimet e larta administrative, niveli i ulët arsimor i administratës, etj. Si rrjedhojë e lëvizjeve të popullsisë, hapësira u bë më e gjerë, dendësia e popullsisë për njësi të sipërfaqes u ul nga 113 banorë/km² (1990), në 97 banorë/km² (2011). Si rezultat i përqendrimit demografik, ngushtohen, tkurren dhe krijojnë më pak mundësi punësimi. Të mirat materiale përpjesëtohen në një popullsi më të madhe dhe rritet shkalla e ndotjes së mjedisit. Detarizimi dhe përqendrimi i popullsisë dhe ekonomisë në boshte lineare tokësore dhe ujore është një prirje botërore, pasojë e procesit të globalizimit dhe ndërkombëtarizimit të prodhimit shkëmbimit dhe shpërndarjes së produktit shoqëror. Por Shqipëria është një vend i vogël me territor përgjithësisht të kufizuar. Duke qenë kryesisht një vend malor me burime natyrore të caktuara që avantazhojnë zhvillimin e bujqësisë, blegtorisë, industrisë minerare, energjetikës, ekonomisë pyjore, etj. Përqendrimi i popullsisë në qendrat urbane ka çuar në braktisjen këtyre pasurive natyrore të rëndësishme. Migracioni ka ndryshuar edhe strukturën e popullsisë sipas vendbanimit. Shumë rajone kanë pësuar rënie të ndjeshme të numrit të popullsisë. Këto janë territoret dhe komunat që gjatë viteve 1990-2011, kanë pasur intensitet më të madh të dezertifikimit demografik. Për pasojë, në këto rajone është prishur ekuilibri midis natyrës dhe njeriut gjë që ka shkaktuar erozionin e tokave, konservimin e resurseve minerale dhe në tërësi braktisje të pasurive natyrore në hapësira të gjera rurale. Njësitë e vogla vendore (komunat), kanë nivelin e mbledhjes së taksave shumë të ulët dhe gati 50% e komunave mbledhin 0-2% të buxhetit nga taksat vendore. Administrata e komunës i kushton financave të shtetit 25 milion dollarë në vit. Nga ana tjetër po t’i referohemi vetëm muajit Qershor të këtij viti (2013), në 11 komuna të Qarkut të Shkodrës 40-72% e familjeve ishin të regjistruara në skemën e ndihmës ekonomike. Këto janë njësi vendore ku popullsia është nën nivelin zyrtar të varfërisë. Në Qarkun e Kukësit 11 800 familje janë në skemën e ndihmës ekonomike, nga të cilat 2 200 familje trajtohen me ndihma ekonomike vetëm në bashkinë e Kukësit. Shërbimi Social Shtetëror është një kosto që rëndon aktualisht buxhetin e shtetit. Një pjesë e komunave, në rastin më të mirë, me buxhetin e tyre mbulojnë vetëm shpenzimet për administratën, duke mos plotësuar as minimumin e domosdoshëm të shërbimeve publike për banorët. Në komunat e thella malore largimi i popullsisë ka vështirësuar gjithnjë e më shumë zgjidhjen e problemeve të lidhura me arsimimin, shëndetësinë, rrjetin e transportit, të shërbimeve tregtare dhe artizanale, duke rritur ndjeshëm koston e tyre për një banor.
Domosdoshmëria e reformës administrative dhe menaxhimit të qëndrueshëm të territorit.
Që prej vitit 2004, ka filluar diskutimi lidhur me reformën administrativo-territoriale dhe përcaktimin e kufijve optimal të komunave dhe bashkive në nivel mikrorajonal dhe kufijve makrorajonal në kuadër të të gjithë vendit. Megjithëse ka modele të ndryshme, nuk ekziston një standard madhësie që të respektohet nga të gjithë shtetet. Në të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe në ato të Ballkanit, që synojnë të anëtarësohen në BE vërehet një tendencë e përgjithshme për uljen e njësive administrativo-territoriale.
Nëpërmjet reformës administrativo-territoriale synohet rritja e përmasave të komunave dhe bashkive në nivel mikrorajonal dhe e qarqeve në nivel makrorajonal, përafrimi i tyre me konceptet e BE-së. Zmadhimi i njësive vendore aktuale krijon shanse më të mëdha zhvillimi dhe shmangie të diferencave ekstreme në zhvillimin rajonal, duke sjellë njëherësh edhe zbutje të varfërisë. Në kuadrin e diskutimeve të gjera dhe studimeve që kanë filluar kohët e fundit mbështesim opsionet që janë publikuar për rikthimin në rrethet e dikurshme. Bashkia e shtrirë në hapësirat e rrethit do të menaxhojë më lehtë, në mënyrë racionale dhe me më efektivitet. Ajo do të rriste cilësinë e shërbimeve për qytetet duke evituar burokracinë aktuale që e vështirëson realizimin e projekteve nga vendimmarrja deri në implementimin e tyre.” Për nivelin e dytë të qeverisjes vendore (qarqet), ristrukturimi i tyre duhet të synojë në krijimin e rajoneve me popullsi minimalisht prej 500 mijë banorësh. Këtë e rekomandon Bashkimi Evropian dhe është kriteri për krijimin e makrorajoneve . “Ristrukturimi i qarqeve është një domosdoshmëri imperative në kushtet e marrjes së shpejtë të statusit nga BE. Fondet e akorduara nga BE në interes të makrorajoneve do të kalojnë vetëm nëpërmjet “Grupeve Lokale të Veprimit” (LAG), prandaj riorganizimi i qarqeve, krijimi i makrorajoneve dhe ngritja e Grupeve Lokale të Veprimit, të cilat duhet të krijojnë platformat e bashkëpunimit dhe projektet përkatëse për absorbimin e fondeve të kredituara, është në bazë të reformës administrativo-territoriale.”
Një variant oportun i riorganizimit të qarqeve mund të jetë krijimi i 6 makrorajoneve dhe Tiranës si kryeqytet me status të veçantë. Në variantin e rioganizimit hipotetik që propozohet, Rajoni Verior i Shkodrës, i formuar nga bashkimi i tre qarqeve, ( Shkodër, Lezhë, Kukës), arrin në një sipërfaqe prej 7 355km² ose rreth 27% të sipërfaqes së vendit dhe një popullsi prej 434 666 banorë ose 15% të popullsisë së përgjithshme të vendit.
Ja argumentet që avantazhojnë ndarjen e re administrativo-territoriale të Rajonit Verior, Shkodër
Së pari: Rajoni Verior i Shkodrës me dalje të gjerë në detin Adriatik, nga grykëderdhja e Bunës në Kepin e Redonit do t’i shërbejë rivitalizimit, shfrytëzimit dhe modernizimit të pasurive të mëdha që kanë hapësirat detare. Këto hapësira janë të pashfrytëzuara pasi historikisht shqiptarët i kanë kthyer shpinën detit. Kohët e fundit kanë filluar të shfrytëzohen resurset turistike, por deti mund të shfrytëzohet edhe për zhvillimin e ekonomisë së peshkimit, për transportin detar, për rezervat e hidrokarbureve, që potencialisht mbart Shelfi Kontinental etj. (ujerat territoriale ).
– Riaktivizimi i korridorit ujor, Deti Adriatik-Lumi i Bunës-Liqeni i Shkodrës-Virpazar (Mal i Zi), do të rivendoste lidhjet tradicionale ekonomiko-tregtare në këtë bosht linear ujor .
Së dyti: Rajoni Verior i Shkodrës është i papopulluar, kryesisht zona malore e kodrinore. Këto hapësira janë të pasura me minerale, pyje, kullota etj. Në këtë rajon ndodhen vendburimet më të rëndësishme të xeherorëve të bakrit: Mirditë, Shkodër, Kukës, Pukë që aktualisht, pjesa më e madhe e tyre janë të konservuara. Potencialet mineralmbajtëse në rajon janë të konsiderueshme dhe të domosdoshme për zhvillimin e qëndrueshëm të zonave rurale me burime të varfra jetese. Ka mekanizma ekonomik të njohur si: dhënia me qira, dhënia në koncesion apo edhe mbështetja dhe nxitja nga ana e shtetit për krijimin e distrikteve industrial për prodhimin, përpunimin, marketingun e produkteve bujqësore-blegtorale, lëndës drusore, minerare etj. Krijimi i një hapësire të gjerë prej 7 355km² të shtrirjes e Rajonit Verior të Shkodrës mundëson dimensionet konvergjente, (vertikale), anësore dhe diagonale të distrikteve industriale.
Së treti: Rajoni Verior i Shkodrës dallohet për pasuritë me vlera të mëdha të kulturës materiale, shpirtërore, shoqërore dhe artistike. Shpella prehistorike e Gajtanit, qytezat ilire të Marsheit, Shurdhahut dhe Gajtanit, Kalaja e Rozafës, Kalaja e Lezhës, Kalaja Dalmacia në Koman, monumentet historike të kultit, arkitektura urbane dhe rurale etj, përbëjnë një pasuri etnokulturore, e cila së bashku me monumente kulturore përbëjnë potenciale të konsiderueshme të resurseve turistike që mund dhe duhet të menaxhohen në procesin e ngritjes dhe zhvillimit të distriktit të industrisë së turizmit në rajon. Qendrat turistike në: Velipojë, Shëngjin, Shirokë, Razëm, Theth, Vermosh, Valbonë, Shishtavec etj, mund të organizohen në një strukturë ekonomike të integruar me sektorët e agro-industrisë, agro-turizmit, sektorin e shërbimeve etj, duke i dhënë distriktit industrial dimensione konvergjente anësore dhe diagonale.
Së katërti, Rajoni Verior i Shkodrës ka hapësira të mëdha të pashfrytëzuara që gjenden në zona kufitare. Meqenëse Shqipëria ka qenë e izoluar për 50 vite, zonat kufitare kanë mbetur të pazhvilluara. Ato u fortifikuan dhe u trajtuan si rajone gjeo-strategjike me instalimin e forcave ushtarake për mbrojtjen e vendit. Me zhvillimet e reja dhe të favorshme gjeo-politike janë krijuar kushtet që kufijtë fizik në hapësirat shqiptare në Ballkanin Perëndimor të kthehen në kufij virtual duke mundësuar realizimin e projektit të “komunellsit ekonomik shqiptar”, krijimit të eurorajoneve dhe bashkëpunimit subrajonal dhe ndërkufitar. Në këto kushte po hartohen projekte për riakrtivizimin e lidhjeve tradicionale ekonomike dhe kulturore të Pejës, Gjakovës, Prizrenit etj, me Shkodrën në një hapësirë ekonomike të lëvizjes së lirë të mallrave njerëzve dhe kapitaleve.