Koherenca në reformën territoriale
Nga Dr. Erion Piciri, botuar në Mapo Online, 17 shkurt 2014
Ditë më parë mazhoranca e re përfshiu në axhendën publike reformënadministrativo-territoriale të vendit. Me një retorikë politike shpresëdhënëse, shumica afroi gjithëpërfshirjen, duke i garantuar opozitës të drejtën e vetos. Deri këtu gjithçka dukej si një realitet politik skandinav. Por kur opozita filloi të ushtronte të drejtën e vetos – të refuzonte bashkëpunimin pa garanci, për arsye mosbesimi – zëra me autoritet nga shumica flasin për një zgjidhje të njëanshme. Ka një inkoherencë, kur nga njëra anë ofron veton dhe nga ana tjetër i vendos reformës afate, përcakton rregullat e zgjedhjeve lokale të 2015-ës, sfidon me politikën e faktit të kryer dhe me aleanca alternative, që zbehin rolin e një fraksioni politik e shoqëror të qenësishëm që shkon 40/47% në zgjedhjet e fundit parlamentare/lokale. Gjithkush do pyeste: I keni ofruar opozitës veton, apo një propozim për të kaluar radhën?
Dua të ndalem në këtë pikë për të trajtuar më gjerë konceptin e vetos dhe efektet e natyrshme të saj. Meqenëse ne kemi një traditë të munguar demokratike, na ndodh shpesh që për koncepte të qarta diku tjetër, të kemi një inflacion interpretimesh nga më origjinalet dhe krijueset. Druaj se kështu po ndodh me veton e reformës territoriale – nuk është kuptuar siç duhet nga një pjesë e atyre që e kanë ofruar.Për të qartësuar se ç’kuptim ka vetoja, po citoj disa përkufizime fjalorësh online të cilët i atribuojnë këtij koncepti: “ushtrimin e të drejtës për të refuzuar diçka, veçanërisht një masë politike”, “fuqinë për të parandaluar legjislacionin apo veprimin e propozuar nga të tjerët” (thefreedictionary.com), “refuzimin e pëlqimit për një propozim, veçanërisht një projekt-ligj të qeverisë” (dictionary.com).
Nën optikën e këtyre përkufizimeve, shumica duhet të kuptojë se vetoja e ofruar do ketë forcën e një ligji suprem që nuk mund të shkelet nga ana e saj, por do të respektohet në çdo rrethanë. Kur i premton tjetrit veton, duhet të kuptosh se procesi mund të bllokohet në çdo kohë dhe pafundësisht, se mirëkuptimi i dyanshëm është kusht i patjetërsueshëm, se reforma mund të mos realizohet nëse pala tjetër nuk të jep miratimin e saj. Në këtë kontekst të ri, që premton të krijosh, nuk të lejohet më ekskluziviteti, përjashtimi, apo kërcënimi se mund t’i shkosh procesit dhe i vetëm, se ke shumicën e nevojshme për të miratuar gjithçka. Për të qenë serioz, koherent dhe i besueshëm, duhet jo vetëm të lavdërohesh se i ke dhënë oponentit të drejtën e vetos, por dhe të respektosh vendimin e tij. Me dhënien e vetos, maksimumi që mund të bësh është ndërmarrja e një fushate sensibilizuese, për të përhapur idetë e tua mbi procesin, krijimi i një rryme të favorshme në opinionin publik, por dhe këtë me maturi për të mos denigruar kundërshtarin sa ta bësh konsensusin potencial të paarritshëm.
Kështu që shumica është në kohë të kuptojë ç’do të thotë veto dhe ta respektojë atë, ose ta ndërrojë me një koncept tjetër, sikurse është ftesa për takime konsultative apo e drejta sugjerimit jo obligues, me gjithë risqet që mbart ky propozim. Nëse e ka seriozisht premtimin e vetos, duhet t’i japë forcë premtimit, të investojë në veprime koherente dhe mirëbesuese, të demonstrojë sinqeritet për të rikuperuar besimin e dëmtuar ndër vite. Kësaj i thonë t’i mbyllësh derën retorikës përjashtuese dhe të kërkosh me durim mirëkuptimin.
Besoj se fillimi i procesit ishte i mbarë dhe duhet çuar më tej. Ideja e një partneriteti të barabartë i shërben interesit publik. Politikanët e mençur dinë t’i ndajnë territoret e polarizimit politik nga ato të konsensusit real dhe bashkëpunimit. Rikonfigurimi territorial është nga ato çështje që tejkalon një shumicë kalimtare (pretendohet një jetëgjatësi mbi dy dekada), një arsye themelore për të këmbëngulur tek një miratim i gjerë politik dhe popullor, garantimin e të drejtës së vetos për fraksionet e qenësishme social-politike dhe respektimin fanatik të vetos së ofruar. Ka ardhur koha të tejkalohet politika e faktit të kryer për çështje themelore dhe të eliminohen inkoherencat në bashkëpunimet ndërpartiake.