Arsimi i lartë midis privates dhe publikes

Nga Artan Fuga, botuar në Panorama Online, 12 shkurt 2014

Para dy a tri ditësh, sipas mediave, u shpreh nga ana e qeverisë vullneti i saj për të ndërmarrë reforma në arsimin e lartë.

Nuk mund të mos pritet me shpresë dhe padurim se cili do të jetë sensi, ritmi dhe objektivat e reformës. Uroj të ecë në drejtimin e duhur. E vërteta është që reformat, në vazhdim të atyre që janë ndërmarrë në këto vite, duhen sepse i presin familjet, shoqëria, studentët edhe pedagogët. Shoqëria është në lëvizje. Ka kohë që idetë vlojnë dhe kanë avancuar. Mbi të gjitha, duhet një reformë për fatin e brezave të rinj të diplomuar, të cilët, si pasojë e shumë rrethanave të stërditura tashmë, në masë shumë të madhe, pas diplomimit, nuk u mbetet veçse të punojnë si kamerierë, shitës ose, nëse fati u ndrit, në ndonjë call center. E gjitha kjo, sipas tezës xhepmbushëse: “Ne japim diploma, mundësisht pa fund, punën gjejeni vetë! A nuk jemi ekonomi tregu!”.

Pra, situata është e vështirë, por reforma duhet të shkojë në atë drejtim që të mos influencohet dhe sugjestionohet në përcaktimin e objektivave dhe strategjive të veta nga lobingje interesash të ngushta, por të orientohet nga e mira publike, pra nga mendimi shoqëror, nga ai i studentëve, nga i pedagogëve, pra nga përfaqësuesit më legjitimë të botës universitare. Mbi të gjitha, për të mos futur në veprim mekanizma tashmë të vjetruar edhe në Perëndim, si rezultat i faktit që ne nuk kemi specialistë profesionistë të menaxhimit të arsimit të lartë, dhe ende flitet për mekanizma që Perëndimi i ka tejkaluar tashmë.

Pa u zgjatur këtu, sepse do të kemi kohën e duhur për të debatuar për interesat e studentëve dhe pedagogëve, ajo që tërhoqi vëmendjen ishte se sipas mediave, është paraqitur edhe një deklarim zyrtar, sipas të cilit, kryetari i Këshillit të Ministrave pohohet të ketë thënë se deri tani universitetet publike kanë qenë të nënës, kurse ato private kanë qenë të njerkës.

Unë nuk jam në gjendje ta verifikoj nëse kjo fjali është thënë apo jo, por nuk kam asnjë arsye të besoj se media raporton gabim sa kohë që nuk ka ndonjë përgënjeshtrim. Prita se mos kishte ndonjë komunikatë shtypi sa më sipër, por nuk gjeta dot.

Pse, ky pohim, i raportuar nga media, krijon një farë shqetësimi?

Për tri arsye kryesore:

E para, po qe se është autentik si pohim, konstatoj një ndryshim të orientimit politik të veprimit qeveritar. Para zgjedhjeve, në fushatë thuhej se vëmendja duhej përqendruar te cilësia, duke kritikuar ato universitete publike dhe sidomos private që në vend të arrinin këtë cilësi, lejonin elemente korrupsioni ose ishin kthyer në fabrika diplomash për parà. Tani çështja duket është shtruar si një marrëdhënie mes privatit dhe publikut, ku privati konsiderohet se ka qenë i njerkës, pra është përbuzur, shtypur, injoruar, braktisur, si një Hirushe e vockël, kurse publiku, si një Titanik në mbytje, paska qenë i privilegjuar, pa merita dhe në pozita mbisunduese!!!

Si ndodhi ky ndryshim?

Nuk ka ndonjë problem ndryshimi i formulave të veprimit, por gjithsesi, njeriu përpiqet të kuptojë se përse ndodhin ndryshimet.

Së dyti, sepse ka faktorë që qëndrojnë shumë më larg, përtej, më lart se sa kundërvënia midis universiteteve publike dhe atyre private. Ka elemente thelbësore që lidhen me modelin e kulturës dhe arsimit në një shoqëri bashkëkohore si e jona. Kjo duhet zgjidhur parimisht në fillim.

Cili është vendi i kulturës dhe arsimit në shoqërinë e sotme dhe të ardhshme shqiptare?

Së treti, duke pasur ndrojtjen se formula që universitetet publike janë të nënës kurse ato private të njerkës, është futur nën rrogoz nga lobingje interesash të ngushta, kam frikën se ajo nënkupton, ose mund të paralajmërojë rënien e mëtejshme të fondeve për arsimin publik, zbrazjen e xhepit të shqiptarëve edhe më tepër për arsimimin e fëmijëve, degradimin e cilësisë universitare më tepër sesa sot. Pra me ndërgjegje bëj lobingun e familjeve shqiptare, e studentëve, e pedagogëve, duke paraqitur para fuqisë publike si shërbyese e shoqërisë të vërtetën se universitetet publike deri më sot nuk kanë qenë aspak të nënës në krahasim me ato private, që thuhet se kanë qenë të njerkës.

Duke renditur këto argumente, shpresoj se autoritetet ekzekutive do të dëgjojnë të gjithë zërat, jashtë konfliktit të interesit, sepse anësitë dhe ndikimet e lobingjeve, marrë të veçuar, mund të dëmtojnë dhe mund të jenë me pasoja negative në të gjitha planet.

E para, për të gjykuar nëse vërtet universitetet publike kanë qenë më të privilegjuara nga ato private, duhen statistika, dhe kritere financiare të sakta, dhe përllogaritje mbi baza njësish matëse të duhura.

Ja pra, hajdeni të bëjmë një llogari të thjeshtë. Merrni numrin e studentëve të universiteteve publike dhe buxhetet për ta, si edhe numrin e studentëve në universitetet private dhe buxhetet që ato kanë ngritur nga pagesat studentore. Pjesëtoni buxhetet përkatëse me numrin e studentëve dhe do të shihni se cila palë ka pasur mundësi të ketë më shumë mbështetje financiare, publiku apo privati, per capita. Studenti i publikut, me atë buxhet të dobët e të mjerë që i akordon shteti, apo studenti te privati duke paguar mijëra euro në vit për arsimim? Duket se në këtë plan universitetet private nuk kanë qenë aq të njerkës. Mos të flasim pa shifra, le të bëjmë llogaritë sipas kritereve të sakta financiare.

Së dyti, po të shohim disa operatorë privatë në arsimin e lartë, ata nuk duken shumë të njerkës sepse veç investimeve që kanë bërë në ndërtesa, kanë dhe media, gazeta, televizione gjeneraliste, të cilat nuk kanë shumë lidhje me procesin mësimor, pra brenda një kohe të shkurtër kanë arritur të kenë investime, aq sa shihet në kapitalin e ngurtësuar, që universitetet publike nuk kanë mundur të kenë. Pra ritmi i investimeve midis dy krahëve nuk ka pasur të krahasuar. Kush ka qenë i njerkës dhe kush i nënës? Pjesëtojini këto kapitale të investuara me numrin e studentëve dhe do të shohim se çfarë ka ndodhur.

Së treti, le të shohim pak nëse universitetet publike kanë pasur po ato lehtësi administrative dhe financiare sa edhe universitetet private.

Unë i qëndroj idesë se universitetet ose shkollat e larta private kanë një rol në këtë vend. Ka universitete apo fakultete që vërtet e meritojnë këtë emër, privat apo publik qofshin. Shkollat e larta private patjetër do të kenë publikun e tyre. Janë të domosdoshme. Fundja kjo është liria e veprimit. Por, ky publik do të shkojë atje sepse gjen cilësi dhe profile të veçanta, dhe jo sepse hyrjet e studentëve në universitetet publike bllokohen pa asnjë logjikë. Universitetet publike marrin studentë me kuota krejt burokratike, kurse ato private sa të duan; publiket pranojnë pasi nxënësi të kishte marrë provimet e maturës, te privati për kohë të tëra jo, s’kishte nevojë; te publiku e bën konkursin ministria, te privati mjafton një intervistë pa kritere notash; te publiku ia përcakton degën e studimeve ministria, te private kokrra e qejfit e studentit etj.

Universiteti privat merr kredi, bën transaksione financiare, zhvendos kapitale, mund të vërë edhe depozita bankare me interes, blen ndërtesa sipas logjikës së pronarit, jep me qira, me një fjalë ka liri ekonomike, merr e nxjerr jashtë aksionerë, po universitetet publike çfarë mund të bëjnë nga këto veprime financiare elementare që as mund të mendohet ndonjë organizatë të administrohet?

Duhet të bëjë tenderë edhe për të blerë fshesa, stilokalema për administratën, ose ndonjë bravë dere.

Kështu sillet nëna?

As njerka nuk të trajton kështu.

Duket se e detyrojnë universitetin publik të menaxhohet si në shoqërinë feudale para lindjes së tregut të huas dhe kredisë.

Së katërti, bëni një llogari ju lutem se sa i privilegjuar është studenti i universiteteve publike dhe shihni të ardhurat e tij dhe të familjes së tij. Ka bërë kush ndonjë analizë të shtresave shoqërore nga vijnë studentët e universiteteve publike dhe çfarë sakrificash duhet të bëjnë familjet e tyre sikur vetëm paratë për strehim, ushqim, libra të llogariten? I kanë bërë menaxherët tanë këto llogaritje?

Krahasoni rrogën mesatare të një pedagogu në universitetet publike dhe pagën që merr një pedagog a drejtues në universitetet private.

Krahasojeni pak se do të shihni çudira.

Pedagogu i universitetit publik me atë pagë as mund të mendojë të blejë një libër të mirë në muaj që i përket disiplinës të tij, le më pastaj të abonohet në ndonjë revistë apo të pretendojë t’i financohen kërkimet shkencore që bën.

Ku është nëna këtu? Me thënë të drejtën, s’ka as nënë, madje as njerkë. Nganjëherë njerkat janë të mira…

Së pesti, kur llogaritet se çfarë ke marrë duhet menduar edhe se çfarë ke dhënë. Universitetet publike kanë nxjerrë gjithë personelin e universiteteve private. Është investim i universiteteve private te personeli që punon për llogari të privatit. Normale. Po a llogaritet kjo kosto? A ka kuptim të flitet këtu me gjuhën e tregut?

Ja përse bëj lobing për studentët, pedagogët, universitetet. Shqipërisë i duhen edhe universitetet private dhe publike, por nuk më duket se problemi është te fakti se universiteti publik ka qenë i privilegjuar, kurse shkollat e larta private nuk kanë qenë trajtuar me legjitimitet.

Ato kanë të drejtë të ekzistojnë, të drejtën e Zotit, pa diskutim, shyqyr që janë dhe lulëzofshin, por sipas hakut dhe me kritere të drejta. Deshën të ishin jopublike, ta përballojnë. A duhet shteti t’i përkrahë? Patjetër, por pa ndjenjë fajësie dhe borxhi sepse nuk u ka asnjë borxh. Fuqia publike nuk mund të denigrojë sektorin publik. Kanë vepruar si operatorë privatë, pra nuk munden që fitimet t’i llogarisin për vete dhe shpenzimet për buxhetin publik. A luan shkolla një rol social? Patjetër, prandaj duhet mbështetur, publike dhe private qoftë. Por, kujdes mos ekzagjerojmë. Në kohën sotme thuhet se çdo sipërmarrje duhet të ketë dhe ka një përgjegjësi sociale, pra kontribuon për shoqërinë. Mos duhet subvencionuar çdo sipërmarrje private? Pra, duhen matur mirë dhe parë saktë përvojat.

Mbi të gjitha mendoj se problemi i shkollës sonë nuk ka qenë trajtesa e diferencuar publik – privat, sikurse shprehen disa lobistë, dhe e bëjnë mirë punën e tyre, u lumtë! Por përtej, te fakti se prodhojnë diploma pa vlerë në treg, si burim fitimi ose të ardhurash, njësoj është, dhe sistemi universitar punon në boshllëk. Këtu është sekreti. Këtu duhet përgjigjja, jo si ideologji, as si spin, si lobing, por me fakte shkencore dhe studime, të cilat janë, por s’i kërkon kush…

Edhe universitetet publike, studentët, pedagogët, janë ndier si të njerkës kur u vihen pengesa burokratike për t’i penguar të shpalosin energjitë e tyre, nuk dihet se për llogari të kujt…

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi