Disa premisa e mundësi për reformën në arsimin e lartë
Nga Adrian Civici, botuar në Mapo Online, 15 shkurt 2014
Universitetet, përtej misionit të tyre tradicional të prodhimit të dijeve dhe transmetimit të njohurive, po kthehen çdo ditë e më tepër në «aktorë influentë të ekonomisë dhe evolucioneve sociale». Shekulli XXI po i përball ato me një sërë sfidash të rëndësishme të tilla si: a) përballimi i presionit të masivizimit; b) plotësimi i financimeve dhe parave të domosdoshme për zhvillim; c) garantimi i cilësisë dhe standardeve; d) roli i ri i universiteteve në shoqëritë kapitaliste. Edhe diskutimet dhe debatet për një reformë thelbësore në arsimin e lartë shqiptar janë tashmë në fokus të gjithë shoqërisë shqiptare, politikës dhe ekspertëve akademikë. Çdo kontribut në këtë reformim të diktuar nga gjendja aktuale e universiteteve tona, por mbi të gjitha, të diktuar dhe nga shembujt më eficent të formave të organizimit, menaxhimit e financimit në shumë vende të zhvilluara e universitete prestigjioze të botës, do të ishte me interes maksimal për ne.
Bëhet fjalë për një reformë që mbi të gjitha e përpara gjithçkaje duhet të na garantojë një standard tjetër shumë më cilësor të diplomave tona, një standard që afron dijen me tregun dhe i jep fund diplomave masive pa vlerë, e shpesh tërësisht të pavërteta, një standard që garanton meritën, që siguron konkurrencën e lirë e të drejtë brenda sistemit arsimor, dhe së fundi, që na jep një mënyrë financimi që garanton plotësimin e nevojave të universiteteve si dhe autonominë financiare e administrative të tyre. Sipas Nicholas Barr, të London School of Economics, “imperativi moral i të drejtës së të gjithëve për arsim nuk duhet kushtëzuar nga instrumenti, që është çmimi i universitetit, por nga rezultati, që është cilësia e studentëve……me një sistem universitar në ekspansion të madh dhe me kufizime buxhetore po kaq të mëdha, cilësia e universiteteve do të vihet në dyshim n.q.s. ajo mbështetet vetëm te subvencionet shtetërore……por këtu ka edhe një padrejtësi tjetër, sepse duke insistuar vetëm në fondet publike që burojnë nga taksat, ne detyrojmë të paguajnë për shkollimin universitar mjaft prindër e familje që nuk do kenë kurrë dikë në universitet…dhe kjo është e pa drejtë po të kemi parasysh se, formimi universitar, është mbi të gjitha një investim profesional, që të krijon një status të privilegjuar në jetë ”.
Koncepti bazë apo platforma kryesore për nisjen e kësaj reforme mendoj se duhet të jetë kalimi nga një sistem arsimi të lartë të ndarë me thikë në dy pjesë : (1) sistem shtetëror të financuar pothuajse totalisht nga shteti dhe një pjesë të vogël modeste nga pagesat e studentëve në kuadrin e atyre që cilësohen si të ardhura dytësore, që zë gati 80% të numrit total të studentëve shqiptarë; dhe, (2) sistem privat të financuar 100% nga pagesat e studentëve….drejt një sistemi ku arsimi i lartë konsiderohet si “sektor dhe shërbim publik” dhe financohet në mënyrë të përbashkët nga shteti/buxheti, studentët, pushteti lokal, biznesi, donacione të ndryshme, të ardhura të tjera nga shërbimet e universiteteve, projekte kombëtare e ndërkombëtare, etj.
Financimi i Universiteteve dhe i arsimit të lartë është kthyer tashmë në një problem dhe debat mbarëbotëror: si duhet t’i financojmë arsimi i lartë objektivat dhe sfidat e tij në raport me mundësitë e kufizuara që të ofron konceptimi i tij tradicional vetëm si shërbim shtetëror? Duke parë strukturën dhe burimet e financimit të Universiteteve në BE, SHBA, Japoni, Australi, Kanada, etj., evidentohet fakti se financimet nga buxheti i shtetit variojnë rreth 25 -55%, nga pushteti lokal 10 –15%, nga sektori privat 8 –12%, nga institucionet e treta që kërkojnë e përfitojnë shërbime nga universitetet 15 –20%, nga të ardhurat nga studentët, vetëm 5 –8 %. Sipas S.Heyneman, “kreditë që shteti iu jep universiteteve publike amerikane përfaqësojnë tashmë vetëm 15-20% të buxhetit të tyre funksional….është detyrë e çdo universiteti që të organizohet për të financuar pjesën tjetër..duke stimuluar kështu një shumicë strategjish dhe objektivash kërkesash në drejtimin e universiteteve dhe mbi të gjitha në ngritjen e reputacionit të tyre”.
Kur diskutohet për mënyrat dhe format e financimit, sot në botë po fillon të humbasë sensi i ndarjes tradicionale në universitete shtetërore dhe Universitete private, duke konverguar drejt nocionit të “universiteteve publike”. Më e rëndësishme në ndërtimin e buxheteve të tyre po konsiderohen elemente të tilla si : diferencimi i burimeve tradicionale të financimit, diversifikimi i të ardhurave që sigurojnë universitetet, kombinimi i financimeve publike me ato private; hedhja e vështrimit drejt burimeve të reja të financimit, pak të njohura deri tani nga universitetet si p.sh., shitja apo dhënia e të drejtave të autorit për patentat dhe rezultatet e kërkimit shkencor të tyre, investimet në tregjet e aksioneve, bonot e thesarit apo bursa, pjesëmarrja në programet shtetërore të zhvillimit apo plotësimi i nevojave për kërkime dhe studime nga ana e biznesit privat; kalimi drejt pagesave të diferencuara sipas llojit dhe shërbimit të personelit të tyre, etj. Ato që sot cilësohen si universitete cilësore jo vetëm që i gjejnë me lehtësi burimet e tyre financiare duke e bërë shoqërinë më të interesuar për shërbimet dhe produktet e tyre, por kjo kategori konsiderohet si “grupi i universiteteve që kanë mundësi t’i realizojnë më mirë përgjegjësitë e tyre si shërbim publik. Thelbi i kësaj filozofie është ndarja e koncepteve dhe funksioneve të universiteteve : si sektor publik apo si shërbim publik. Përballë vështirësive që po ndeshin burimet publike që të financojnë arsimin e lartë, po konsiderohet e gabuar tendenca për ta përmbledhur gjithë sistemin universitar nën ombrellën e sektorit publik, ndërkohë që synohet për ta bërë atë një shërbim publik sa më cilësor.
Premisa e parë për ndryshimin e sistemit tonë universitar, gjithnjë nën këndvështrimin e mundësive financiare që ka aktualisht ky sistem është pamundësia e shtetit/buxhetit për të financuar dhe mbështetur arsimin e lartë në nivelet që kërkojnë standardet dhe cilësia bashkëkohore. Mendoj se pikërisht këtu fshihet dhe “thembra e Akilit” për cilësinë e shërbimeve që ofrojnë universitetet. Aktualisht, buxheti i shtetit ka në dispozicion rreth 40 milionë euro për të mbështetur mbi 140 000 studentë në universitetet shtetërore (kësaj shifre mund t’i shtohen dhe afërsisht 20 milionë euro të tjera nga të ardhurat dytësore të siguruara nga vetë universitetet), pra vetëm 380-400 euro për student në sektorin shtetëror. Sektori privat me rreth 22 000 studentë e ka çmimin rreth 1000-1500 euro/student ose rreth 20-25 milion euro plus, duke operuar në shifrat 900-1000 euro/student. Ndërkohë që vendet më modeste të BE si Rumania dhe Bullgaria kanë kuota financimi për student rreth 2700-2900 euro/student, pa folur për vende si Britania e Madhe, Franca, etj., që janë në kuotat 10000-11500 euro/student, Zvicra 15700 euro/student, Suedia 15210 euro/student, SHBA 22000 euro/student.
Në Shqipëri, duke filluar nga viti 1992, me përjashtime shumë të rralla, buxheti për arsimin në përgjithësi nuk ka qenë kurrë më i lartë se 3%/PBB duke u lëkundur në intervalet 2.2-2.8%/PBB, ose 10-15% të shpenzimeve totale të buxhetit. Ndërkohë që objektiv i domosdoshëm i sugjeruar nga UNESCO, UNDP, Objektivat e Mijëvjeçarit, OCDE, BE etj., është të paktën niveli 5% i PBB (çka nënkupton dyfishin e asaj që Shqipëria akordon aktualisht). Vendet e zhvilluara perëndimore në kuadrin e OCDE e financojnë në nivelet 5 – 8% të PBB arsimin e tyre universitar, nga i cili 1 – 3% e PBB shkon direkt për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor. Shqipëria e ka aktualisht 0.4 – 0.6% % të PBB, shpenzimet për arsimin e lartë – si shumë e përbashkët e universiteteve shtetërore dhe atyre private. Pra, Shqipëria harxhon sot rreth 500-600 euro/student, ndërkohë që i duhen të paktën 4-5 herë më shumë për t’u barazuar me Rumaninë dhe Bullgarinë, ose 8-10 herë më shumë për t’u afruar me Portugalinë, Spanjën etj. Pra, edhe duke mbajtur në konsideratë kushtet dhe mundësitë tona aktuale, Shqipëria duhet të synojë të paktën shifrat 1500-2000 euro/student, ose e thënë ndryshe një buxhet prej 250-350 milion euro për 162000 studentët e saj. Për buxhetin e shtetit, një shifër e tillë është e papërballueshme edhe në 10 vitet e ardhshme, pasi tashmë trendet dhe mundësitë reale të buxheteve tona janë të perceptueshme dhe të kushtëzuara nga shumë faktorë të tjerë strukturorë e madhorë.
Në këtë këndvështrim, interesant është qëndrimi që është vendosur të mbahet ndaj buxhetit të arsimit pas krizës ekonomiko-financiare botërore në mjaft vende të botës. Ndërsa shumë shtete po i përgjigjen krizës nëpërmjet investimit në kapitalin human (në 10 vitet e fundit shpenzimet për arsimin-kryesisht universitetet janë rritur me 30-35%), si një mundësi për daljen dhe lehtësimin e pasojave të saj, (SHBA shpenzojnë tashmë 2.8% të PBB për arsimin e lartë universitar, Koreja e Jugut 2.6%, Kanadaja 2.5%, Gjermania 1.5%, Franca 1.4%, Islanda 1.3%, Italia 1.1%, etj), buxheti i arsimit në Shqipëri nga viti 2010 e në vazhdim vazhdon të tkurret, megjithëse ne përsërisim çdo çast domosdoshmërinë e cilësisë së kapitalit njerëzor si faktor i qëndrueshëm zhvillimi.
Premisa e dytë që kërkon reformimin e sistemit arsimor universitar ka të bëjë me masivizimin e universiteteve deri në ekstremet e mundshme, duke ulur ndjeshëm cilësinë e diplomave në Shqipëri. Aktualisht Shqipëria ka rreth 162 000 studentë, numër ky me tendencë në rritje (në 5 vitet e ardhshme ky numër mund të shkojë deri në 175-180 000 studentë), dhe 1350 programe mësimore që zhvillohen në 59 IAL të vendit (44 private –megjithëse një pjesë e tyre janë formale – dhe 15 shtetërore). Pothuajse të gjitha standardet e një mësimdhënieje cilësore, kërkimit shkencor real e eficent, mjediset e laboratorët, bibliotekat, librat mësimorë e botimet akademike,etj., janë të mangëta, kryesisht si pasojë e mungesës së financimeve të domosdoshme, dhe universitetet janë shndërruar pothuajse totalisht në struktura formale mësimdhënëse. Edhe po të përballemi thjesht dhe vetëm me dy nga kërkesat bazë të standardeve të cilësisë, siç janë numri i pedagogëve/student dhe sipërfaqja/student, bindemi se sa larg jemi ndaj plotësimit të tyre. Kërkimi shkencor, laboratorët dhe botimet akademike janë tejet minimale. Edhe reforma e bërë para disa vitesh për atashimin e institucioneve kërkimore –shkencore brenda sistemit universitar nuk dha asnjë nga rezultatet dhe pritshmëritë e kësaj reforme. Këto institute, mjaft të vlefshme e të domosdoshme në shumë fusha të zhvillimit të vendit dhe në përbërje të tyre me ekspertë mjaft cilësorë, në fakt u minimizuan në rolin e tyre, u absorbuan në logjikën e mësimdhënies, apo mbetën rudimentare në krah të departamenteve e fakulteteve ku u dërguan. Arsyeja është ë thjeshtë : fondet për kërkim janë tejet minimale, tregu shkencor mjaft i vakët.
Në këto kushte kërkohet një ndryshim i rëndësishëm strukturor në mënyrën e organizimit dhe financimit të arsimit të lartë, që duhet të synojë realizimin e disa qëllime e objektiva thelbësore: 1) arsimi i lartë duhet të konceptohet si “shërbim publik” dhe e “mirë publike”, sektor ku shteti/qeveria garanton me politika specifike cilësi dhe standarde të larta të ofrimit të tij; 2) arsimi i lartë duhet të bëhet i hapur ndaj financimeve direkte e indirekte që vijnë nga burime të ndryshme të tilla si: buxheti i shtetit, studentët, pushteti lokal, biznesi, të ardhura nga shërbime specifike, projekte zhvillimi etj.; 3) autonomia/pavarësia e universiteteve duhet të zgjerohet në maksimum edhe në çështjet financiare e menaxheriale; 4) universitetet duhet të përcaktojnë lirisht çmimin e realizimit të studimeve që ato ofrojnë, numrin e pedagogëve, pagat, laboratorët, investimet thelbësore për një shërbim cilësor, etj., dhe bëhen pjesë e tregut të lirë e konkurrues arsimor, ndërkohë që universitetet private duhet të shndërrohen në Fondacione apo Organizata Jo-Fitimprurëse (OJF) duke përcaktuar dhe ato lirisht çmimet e studimeve. Megjithatë, kjo arkitekturë e re e sistemit universitar, nuk e përjashton mundësinë që një pjesë e universiteteve që dëshirojnë mund të ruajnë statusin e shoqërive aksionere apo “private”, por marrëdhëniet e tyre me formën e re të financimit dhe prezencën e Shtetit diferencohen nga universitetet me status OJF.
Shteti në kuadrin e politikave publike dhe nëpërmjet objektivave të tij mund të synojë të financojë/mbështesë një pjesë të studentëve duke nënkuptuar ata me të ardhura të pakta, studentët e talentuar, degët apo programet e studimit me interes kombëtar, degët pa treg për momentin por të domosdoshme për ekonominë e vendit si p.sh., gjeologji-miniera, etj., universitetet me cilësi specifike si p.sh., universitetin e Arteve, Sporteve, Mjekësisë, etj., universitetet rajonale në kuadrin e një specializimi më profesional/rajonal të tyre, degët me natyrë “bachelor profesional”, programe specifike akademike etj. Në lidhje me ciklin e dytë dhe të tretë të studimeve universitare, duke iu referuar dhe eksperiencës së shumë vendeve të botës, Shteti mund të mbështesë me bursa e financime të plota apo të pjesshme një pjesë të Masterave Profesionalë 60 e 90 kredite, dhe një pjesë specifike të doktoraturave, kryesisht në ato degë e drejtime që korrespondojnë me prioritetet, objektivat strategjikë dhe politikat themelore të zhvillimit të vendit. Në këtë kuadër, duke iu referuar veçanërisht eksperiencës anglo-saksone, ngrihen struktura të posaçme institucionale e operative/agjenci që garantojnë shpërndarjen e bursave dhe mbështetjen financiare për grupet e studentëve, degëve dhe drejtimeve që do mbështeten me fonde publike.
Shteti/qeveria garanton realizimin e standardeve në arsimin e lartë nëpërmjet kryerjes rigoroze të procesit të akreditimit dhe rankimit të universiteteve; përcakton kuotat maksimale/tavanet që çdo universitet mund të pranojë në bazë të kushteve dhe pajisjeve që ai disponon (nr pedagogësh, struktura e tyre në grada e tituj, ndërtesa, salla e klasa, laboratorë, biblioteka, botimet, etj.); kontrollon rregullisht e penalizon universitetet që nuk plotësojnë standardet; orienton dhe në raste të veçanta realizon vetë investime kapitale të rëndësishme në favor të mjediseve universitare; garanton studentët nga abuzimet me çmimet dhe standardet e universiteteve; kontrollon nëpërmjet pjesëmarrjes në bordet e drejtimit të universiteteve mënyrën e menaxhimit financiar e akademik të tyre; krijon mjedisin ligjor dhe institucional të domosdoshëm për të garantuar një mbështetje më të madhe në investime kapitale e strukturore për universitetet; krijon mundësi për universitetet që të jenë operatorë normalë në tregun financiar e monetar, të mund të marrin kredi, të pranojnë investime direkte nga të tretët, të investojnë vetë,etj.
Pyetja dhe pikëpyetja më e vështirë në realizimin e kësaj reforme duket se është procesi i transformimit juridik e institucional të universiteteve shtetërore e private në format e përmendura më lart. Duke iu referuar eksperiencave tashmë të konsoliduara në disa vende të botës, mund të sugjerohen, apo më mirë, të shtrohen si alternativa e të diskutohen nga një masë e gjerë ekspertësh ligjorë e akademikë, disa alternativa të mundshme :
Së pari, kthimi i tyre në korporata publike ku universitetet do kenë autonomi maksimale në menaxhim e administrim, por gjithsesi mbeten pronë shtetërore. Financimet dhe kuotat vazhdojnë të përcaktohen nga qeveria, por universitetet kanë të drejta maksimale në përcaktimin e pagave, disa lloj tarifash për shkollim e shërbime, disa lloj investimesh, për numrin e pedagogëve dhe punonjësve,etj.
Së dyti, transformimi i universiteteve në OJF/Fondacione (ky status nënkupton dhe universitetet aktualisht private që pranojnë të kthehen në OJF) – me status të pavarur. Universitetet funksionojnë institucionalisht si OJF ose Fondacione në bazë të ligjit specifik. Në këto kushte ato kanë liri maksimale për t’u administruar duke filluar nga zgjedhja e bordeve drejtuese, rektorëve, dekanëve, etj.; kanë liri të përcaktojnë “çmimin e studimeve”, pra të ofrojnë një çmim për çdo program studimi, të përcaktojnë vetë pagat, shpërblimet, numrin e pedagogëve, strukturat administrative, investimet,etj. Shteti ka në bord një përfaqësues të tij që garanton/kontrollon mirëqeverisjen e universiteteve, ndërkohë që edhe institucione si KLSH etj., kontrollojnë rregullisht cilësinë e administrimit të universiteteve.
Në raport me studentët, kjo kategori universitetesh mund të funksionojnë në tre versione : (1) shteti ruan një grant/financim që iu mbulon atyre rreth 30-40% të shpenzimeve (kryesisht shpenzimet bazë të funksionimit, një numër kritik studentësh në degët me interes kombëtar, bursash për studentët e varfër ose talentet,etj.); (2) shteti financon direkt vetëm një kategori studentësh në përputhje me politikat e tij për talentet, studentët e varfër, degët me interes kombëtar apo pa treg, bachelor-in profesional, universitetet e rretheve etj., duke iu dhënë atyre bursa të plota apo të pjesshme, dhe janë studentët pastaj që zgjedhin programet e studimit që dëshirojnë të ndjekin; (3) shteti e shpërndan në mënyrë të barabartë tek të gjithë studentët fondin që ka në dispozicion për arsimin e lartë dhe studentët zgjedhin vetë universitetet e preferuara duke plotësuar dhe diferencën e pagesës në përputhje me çmimin e studimeve që ofron çdo universitet. Në këtë model (personalisht mendoj se varianti i parë dhe i dytë janë më të aplikueshëm dhe pranueshëm në rastin tonë) realizohet më mirë konkurrenca ndërmjet universiteteve, zbatohet parimi i barazisë ndërmjet universiteteve dhe garantohet cilësi më e lartë shërbimesh.
Së treti, kthimi i gjithë universiteteve shqiptare me status “shoqëri aksionere” që në njëfarë mënyre ngjan me atë që cilësohet si “modeli kilian”. Në këtë rast, shteti thjesht garanton nëpërmjet mekanizmave institucionale e të kontrollit cilësinë dhe standardet, ndëshkon mos realizimin e tyre, fikson kriteret për hyrjen në universitet, bën rankimin e rregullt dhe transparencën e nivelit të universiteteve përpara publikut, merr pjesë me investime kapitale për zhvillimin e sektorit. Procesi i kthimit të universiteteve shtetërore në universitete “shoqëri aksionere” është i gjatë dhe i vështirë, sidomos në trajtimin e çështjeve të pronësisë, formën e menaxhimit dhe përcaktimin e organeve drejtuese, vështirësitë në kontrollin dhe rregullimin e çmimeve të studimeve, vështirësitë për imponimin e politikave sociale nëpërmjet bursave apo mbajtjes së degëve pa fitim por të domosdoshme me interes kombëtar,etj. Praktikisht, duket se është i pamundur për t’u zbatuar në Shqipëri. Në këtë status mund të vazhdojë të rrijë një pjesë e universiteteve private aktuale që nuk dëshirojnë të kthehen në OJF apo fondacione, por që nuk mund të përfitojnë nga subvencionet apo bursat e shpërndara nga shteti, që nuk mund të përfitojnë gjithashtu lehtësi fiskale apo pjesëmarrje në tendera e projekte publike në favor të zhvillimit të universiteteve.