Robert Hand: Klasa politike shqiptare të mos bjerë në vetëkënaqësi

Intervistë Zërit të Amerikës me analistin Robert Hand, 13 shkurt 2014

Analisti me përvojë i politikës së Shqipërisë, Robert Hand vlerëson transferimin e rregullt të pushtetit në Shqipëri vitin e kaluar, por thotë se në kontekstin e përgjithshëm ky ishte thjesht një hap i vogël që në vendet demokratike duhet të merret si i mirëqenë. Këshilltari i lartë politik i Komisionit amerikan të Helsinkit, Robert Hand paralajmëron se klasa politike në Shqipëri nuk duhet të bjerë në vetëkënaqësi dhe të bashkëpunojë për të mirën e vendit. Në një intervistë për gazetaren Keida Kostreci, (Zëri i Amerikës) zoti Hand tha se shpreson që Shqipëria të marrë këtë vit datën për bisedime për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Zëri i Amerikës: Zoti Hand, kanë kaluar pesë muaj nga zgjedhjet në Shqipëri. Cili është vlerësimi juaj për zhvillimet politike në vend që nga ai moment deri tani?Robert Hand: Mendoj se në përgjithësi zhvillimet kanë qenë pozitive. Tranzicioni ishte shumë i rregullt dhe ky ishte një hap i rëndësishëm për Shqipërinë. Megjithatë duhet të kuptohet se në kontekstin e përgjithshëm, ishte thjesht një hap. Një tranzicion i rregullt duhet të jetë rruga normale për një qeveri demokratike, kështuqë shpresoj që si opozita ashtu edhe pala në pushtet të mos ndjehen të vetëkënaqur dhe të mendojnë se kjo mjafton. Ata duhet të bëjnë hapa përpara për të përballuar sfidat e tjera dhe të bëhen gati për integrimin në Bashkimin Evropian. Desha të them, që javën e kaluar Presidenti (Bujar) Nishani ishte këtu në Uashington dhe mendoj se ai kishte një vlerësim pozitiv për situatën në Shqipëri. Anëtarët e Kongresit vunë në dukje se partia që e emëroi atë për presidencën nuk është më në pushtet dhe ky është një zhvillim i ri për Shqipërinë,  është hera e parë që ndodh një gjë e tillë dhe duke pasur parasysh historinë e vështirësive mes partisë në pushtet dhe opozitës ndër vite, ky është një shans për të parë se si mund të funksionojnë gjërat.  Ne u inkurajuam që Presidenti Nishani shprehu angazhimin që ai të luajë rolin e vet që gjërat të funksionojnë dhe që të gjitha palët në Shqipëri, qofshin në qeveri ose jo, të tregojnë të njëjtin angazhim dhe të përpiqen ta çojnë vendin përpara, Shpresoj që qeveria të bëjë të njëjtën gjë në mënyrë që të shohim një konsolidim të vërtetë të instiucioneve demokratike në Shqipëri. Vendi ka vërtetë nevojë për një gjë të tillë dhe unë kam shpresë që të ndodhë.
Zëri i Amerikës: Tensionet politike mes dy partive kryesore kanë vazhduar dhe ka nga ata që mendojnë se këto janë tensione artificiale, ndërkohë që vendi përballet me sfida reale. Cili është mendimi juaj?
Robert Hand: Kjo që përshkruani ju, ndodh në çdo demokraci. Çështja është nëse del jashtë kontrollit, apo nëse për të siguruar një avantazh politik, njëra palë ose tjetra e frenon përparimin e vendit. Sigurisht që nëse kjo ndodh, do të thotë që po teprohet dhe një gjë të tillë e kemi parë në të kaluarën kur ka pasur bojkote dhe veprime të tjera të ngjashme. Përsa kohë të ketë pjesëmarrje dhe angazhim, le të ketë mosmarrëveshje, por duhet të ketë angazhim dhe përpjekje për të arritur kompromise për të mirën e vendit. Në politikë gjëja më e rëndësishme është që të të njihet merita për atë që bëhet dhe fakti që njëra palë është në pushtet nuk do të thotë që palës që është në opozitë, të mos i njihet merita për kontributin e saj. Në fakt, në vend që të hezitojë, opozita duhet të ndërmarrë veprime për të inkurajuar hapa me një ritëm edhe më të shpejtë.  Opozita ka një rol shumë të rëndësishëm në demokraci pra nuk bëhet fjalë vetëm për qeverinë por për gjithë sistemin politik.
Zëri i Amerikës: Si mund të gjejë qeveria një ekuilibër mes detyrës që ka për qeverisjen e vendit –për shembull lufta kundër krimit, duke pasur parasysh se kohët e fundit ka pasur shumë krime në Shqipëri – pa u shfaqur arrogante, ndërsa njëkohësisht të bashkëpunojë me opozitën në drejtim të realizimit të reformave?
Robert Hand:  Duhet të shohim sesi do ta realizojnë një gjë të tillë. Duhet të jenë të përkushtuar për të zgjidhur problemet me të cilat përballet Shqipëria dhe duhet ta bëjnë së bashku për aq sa është e mundur. Shqetësimi im kryesor është siç e thashë edhe më parë, që të mos ketë një vetëkënaqje me mënyrën e transferimit të pushtetit. Duhet të vazhdojnë hapat e tjera përpara më shpejtësi.
Zëri i Amerikës: Vetëkënaqësi nga ana e kujt?
Robert Hand: Nga të gjithë. Një si farë lehtësimi që zgjedhjet shkuan mirë, që u realizua transferimi i pushtetit dhe kjo ishte pozitive por nuk përfundon këtu, ky është vetëm fillimi i procesit. Është diçka që në vende të tjera është normë dhe merret e mirëqenë, por në Shqipëri nuk merret si e mirëqenë. Duhet të bëhet një normë në mënyrë të tillë që të konsiderohet si e mirëqenë në zgjedhjet e ardhshme dhe në gjithë procesin politik.
Zëri i Amerikës: Ju i njihni të gjithë faktorët e politikës amerikane që merren me Ballkanin. A i kanë Shtetet e Bashkuara këto pritshmëri që përmendni ju për Shqipërinë?
Robert Hand: Po, besoj se po. Nuk besoj se ka njeri në Shqipëri që të mos i konsiderojnë Shtetet e Bashkuara si miq dhe ne e shohim Shqipërinë nën një dritë shumë pozitive. Por ne gjithashtu e kuptojmë se si miq ne kemi përgjegjësinë të ngremë shqetësime kur i shohim ato. Aktualisht zhvillimet kanë në përgjithësi një prirje pozitive, por duhet të kenë kujdes të mos rrëmbehen nga entuziazmi, sepse ne duam që ata të hedhin hapa përpara. Gjithashtu – dhe tani po shpreh më shumë mendimin tim, nuk po flas për administratën apo anëtarët e Kongresit për të cilët punoj – mendoj se edhe Evropa duhet të luajë rolin e vet. Kemi parë në të kaluarën që vende të Ballkanit ndërmarrin hapa pozitivë dhe ato hapa nuk vlerësohen. Kjo krijon një ndjenjë cinizmi në këto vende, një ndjesi se nuk po trajtohen me drejtësi, nuk po merren seriozisht. Mendoj se Shqipëria ka marra hapa të mjaftueshëm pozitivë, prandaj shpresoj që gjatë këtij viti – përsa kohë të vazhdojë në këtë rrugë – Shqipërisë t’i jepet një datë për bisedime për anëtarësim. Unë personalisht do ta inkurajoja Bashkimin Evropian që të shkojë në këtë drejtim, sepse mendoj se kjo do ta ndihmonte Shqipërinë që të kuptonte se procesi ka marrë një ritëm të caktuar dhe se ata duhet të vazhdojnë në këtë rrugë.
Zëri i Amerikës: A mendoni se vendimi që do të marrë BE-ja në qershor varet më shumë nga ecuria e reformave nga ana e Shqipërisë, apo nga politikat e vendeve të veçanta të Bashkimit Evropian? Dhe a mendoni se ka ndryshuar gjë që nga fundi i vitit të kaluar kur  Shqipëria nuk e mori statusin?
Robert Hand: Është pak e vështirë për mua ta përcaktoj pasi nuk jam zyrtar i Bashkimit Evropian. Por unë jam i shqetësuar se nga ndjesia e lodhjes me zgjerimin, ose fajësimi i zgjerimit për disa nga problemet e tanishme, vendet që aspirojnë anëtarësimin dhe që kanë marrë hapat që u janë kërkuar për anëtarësim, mund të mos marrin përgjigjen që në fakt e meritojnë. Mendoj se ky do të ishte gabim. Unë nuk jam evropian, kështu që nuk mund të them se çfarë është në interesin e BE-së, apo vendeve anëtare, por mendimi im është se një Evropë më e madhe do të jetë një Evropë më e mirë. Ata kanë marrë angazhim para këtyre vendeve dhe duhet ta çojnë në vend këtë angazhim dhe duhet ta kuptojnë që nëse nuk e bëjnë një gjë të tillë, do të ketë pasoja. Politika e çdo vendi të BE-së është e ndryshme, diçka me të cilën udhëheqësit e tyre duhet të përballen, por shpresoj shumë që brenda BE-së këtë vit, të bëhet më e qartë që angazhimi i premtuar ndaj Ballkanit, duhet të plotësohet dhe se kur vendet marrin hapat e nevojshëm, këto hapa duhen vlerësuar.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi