Mallkimi i partive të vogla e deputetëve të listave
Nga Mimoza Koçiu, botuar në Gazeta Shqiptare, 14 shkurt 2014
Ne nuk i kemi borxh askujt për këtë pozicion ku jemi”, tha Shpëtim Idrizi në studion e ‘ABC news’ kur u pyet, nëse lëvizjet e tij të fundit, do e çonin drejt bashkimit me koalicionin qeverisës. Ngërçi i krijuar në komisionin për reformën territoriale duket se është shumë më i madh nga ç’paraqitet publikisht. 85 votat e mazhorancës në Parlament janë të pafuqishme e nuk vlejnë për një komision të parashikuar për të funksionuar me 16 anëtarë, me dy bashkëkryetarë, e me të drejtën e vetos për secilën palë. Me 8 anëtarët e njërës palë komisioni nuk arrin as të konstituohet, e jo më të hartojë planin e punës, apo të kryejnë çdo lloj vendimmarrjeje tjetër. E thënë shkoqur, me 8 anëtarë nuk mund të përgatitet ai produkt, që duhet t’i çohet Kuvendit në seancë, aty ku numrat janë për ta miratuar. Kjo duket skema perfekte për të detyruar bashkëpunim e mazhorancës me opozitën, por njëkohësisht edhe kurthi pa rrugëdalje, se e vetme njëra palë nuk bën dot asnjë hap. Duket se mazhoranca nuk e ka paramenduar një refuzim të mundshëm të opozitës për të marrë pjesë në një komision, ku pakicës i ofrohen të njëjtat të drejta si shumicës. Këtë e ka kuptuar shpejt opozita, e cila kushtëzon pjesëmarrjen e saj në komision me respektimin nga mazhoranca të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që rrëzoi aktin normativ të qeverisë për nëpunësin civil. Debatet maratonë të dy javëve të fundit në Parlament ishin prova e njëpasnjëshme, se palët janë shumë larg njëra-tjetrës në qëndrimet e tyre. Konsensusi për të cilin flitet aq shumë, tundet midis e nga palët si shkopi i BE-së që do godasë atë që nuk e pranon, edhe pse të dy partitë e mëdha janë njëlloj të baraslarguara prej tij. Në këtë “garë” natyrisht që qeveria ka peshën, por edhe përgjegjësinë më të madhe. Flirtimi politik me parti e individë të krahut të kundërt është forma e shprehur e pafuqisë për të udhëhequr vendin në një proces bashkëpunimi me pakicën, si një element normal për sistemet demokratike. Mandatet e marra rrugës nga koalicioni kundërshtar janë vetëm provë e një “pazari” të volitshëm. Koha ka treguar se pazare të tilla, të frytshme për zgjidhje të momentit, kthehen në boomerang, sapo në horizont shfaqet një pazar tjetër më i mirë.
Protagonistë janë deputetët e listave, ata që kryetarët e partive, sipas dakordësimit disavjeçar politik, ia kanë njohur vetes si ekskluzivitet. Pazari bëhet vetëm me një individ, më të fortin politikisht, kryetarin e partisë, e për pasojë detyrimi për të qëndruar apo ikur nga grupi është një hesap mes dy vetave, shumë i lehtë për t’u zhbërë, pasi mungon detyrimi klasik ndaj elektoratit, ai kontraktues qytetar, në rastin e një sistemi zgjedhor maxhoritar. E njëjta logjikë shoqëron edhe partitë e vogla, që i bashkëngjiten në koalicion partive të mëdha për nevoja të pastra pragmatiste, krejt normale në politikë.
Eksperienca ka treguar se vetë partitë e mëdha i kanë trajtuar të vegjlit, jo si partnerë të barabartë, por thjesht aleatë të përkohshëm në situata të caktuara politike. Hartimi dhe rishikimi në mënyrë të njëanshme i legjislacionit zgjedhor nga dy partitë e mëdha, duke bashkuar muskujt për të maksimizuar përfitimet e tyre në dëm të të vegjëlve, është një realitet që nuk harrohet lehtë nga këto të fundit. Partitë e vogla e kanë të qartë se pesha e tyre rritet pikërisht kur të mëdhenjtë nuk merren vesh. Tani duket se është radha e PDIU-së dhe “nxitja” publike e ambasadorit amerikan, edhe pse një precedent i paparë në këto 24 vjet demokraci, duket se justifikon logjikën e “carpe diem”, të kapjes së momentit të volitshëm, që nuk vjen çdo ditë në skakierën politike, kur edhe një ushtar i thjeshtë merr peshën e një figure qendrore, që vendos fatin e mbretit në rrezik.
Në këtë sens, nuk është për t’u anatemuar PDIU, apo edhe deputetë të tjerë të listave, që mund të tundohen në betejat e ardhshme pozitë-opozitë që do kërkojnë 92 vota, e për të cilat konsensusi ende mbetet një objektiv i largët. Kjo sepse të gjithë bashkë janë produkt i çorbës politike që kanë gatuar dy të mëdhenjtë. Përzierja e saj, mund të nxjerrë në sipërfaqe një a më shumë “fatlumë”, që i duhen njërës palë për të dominuar palën tjetër.
Në këto kushte, të vegjlit “zgjohen” e fillojnë të evidentohen duke dhënë sinjalet se janë gati për të qenë interlokutorë, por jo pa kushte. I tillë është rasti i PDIU-së, që heshtjen e koalicionit opozitar në Kuvend, e theu me deklarata “rastësore” të disa eksponentëve të vet, se mbështesnin reformën territoriale si një interes mbarëkombëtar, ndërkohë që opozita kishte zgjedhur ta bojkotonte. Mesazhi u kaptua qartë, por befasues ishte ai që iu përgjigj i pari këtyre sinjaleve: Vetë ambasadori amerikan në Tiranë, që “kujtoi” publikisht se PDIU është forca e dytë më e madhe në opozitë, pra ajo me të cilën mund të merresh vesh pas PD-së “kokëfortë”. Me “lejen” e një faktori kaq relevant, z.Idrizi zhvilloi një takim në vilën 30 me dy drejtuesit e aleancës qeverisëse, kryeministrin e kryetarin e Kuvendit. Në logjikën e deklaratave të ambasadorit amerikan e të vetë z.Idrizi, për nevojën e një konsensusi mes palëve, duhej të kishim një takim të hapur, në sytë e publikut, meqë po flitej për përmbushjen e një reforme me interes për vendin, siç është reforma territoriale. Përse treshja në fjalë preferoi t’i fshihej syve të publikut? Pse nuk pranuan të jepnin sqarime për atë takim, kur u mor vesh nga mediat? A kishte një mandat nga opozita z. Idrizi për të ndërmarrë rolin e negociatorit?
Këto janë pikëpyetje që i përkasin një debati tjetër, që duhet të ketë në qendër mënyrën se si PD-ja po bën opozitë, por pragmatizmi i Idrizit duket krejt i natyrshëm në kushtet kur për definicion, çdo parti politike ka detyrimin që të maksimizojë kuotat e veta në raport me elektoratin që e mbështet. Partitë e vogla, apo deputetët “shëtitës” janë një realitet i krijuar e perfeksionuar nga dy partitë e mëdha. Sa kohë që nuk ka një përpjekje për të ndryshuar këtë realitet, pozita apo opozita në këtë vend do “emërohet” sistematikisht jashtë vullnetit të zgjedhësve. Partive të mëdha, u mbetet veç të paguajnë faturën, në çdo rast.