Që strategjitë të mos mbeten vetëm në letër
Nga Pirro Naçi, botuar në Shekulli, 11 shkurt 2014
Në këto 10-15 vitet e fundit problemet që shfaqen në sektorin e turizmit po bëhen gjithnjë e më evidente. Kemi arritur në një fazë ku diskutojmë dhe deklarojmë se sektori i turizmit është një nga degët kryesore të ekonomisë dhe nga ana tjetër mungojnë politikat ekonomike për të mbështetur këtë zhvillim. Flasim vazhdimisht dhe hartojmë objektiva dhe strategji për një turizëm gjithëvjetor, por rezultatet flasin të kundërtën: ai tkurret vetëm në një sezon.
Në këto muaj zbresin në anë të detit të gjithë, që nga punonjësit e shtetit e deri tek çdo kategori tjetër. Madje në këto ditë presim edhe fluksin e vizitorëve të huaj. Vendosim pikësynime për zhvillimin e turizmit elitar dhe në praktikë bëjmë të kundërtën, tërheqim vetëm shtresën e mesme dhe të ulët. Investojmë në këtë sektor dhe efikasiteti i investimit zvogëlohet. Kemi nevojë për personel të kualifikuar dhe në praktikë stimulojmë të pakualifikuarin. Hartojmë ligje në Kuvend, i votojmë ato dhe pas 3-4-vjetësh i hedhim poshtë.
Dhe kështu prapë nga e para. Kemi dhënë dhe mund të them se vazhdojmë të japim mesazhin se zhvillimi do të vijë nga lart, kur në të vërtetë ai vjen nga poshtë. Trumbetojmë vazhdimësinë dhe politika mbipartiake në strategjinë e kësaj ekonomie; edhe ministri përgjegjës, para dorëzimit të detyrës në gusht të 2013-ës, deklaronte se nuk është bërë dhe duhet të bëhet: e para, e dyta, e treta…e shtata, e shumë të tjera.
Edhe e pabesueshme edhe pajustifikueshme. Atëherë pse ishte në atë detyrë? Dhe kur kjo ndodh me njërin nga politikanët më të mirë të tranzicionit, çdokush mund ta kuptojë se me sa vullnet dhe seriozitet kanë punuar politikanët në fushën e turizmit. Është fare e qartë se modeli i strategjisë për turizmin i predikuar deri më tani nuk mund të vazhdojë të mbajë peng këtë degë të rëndësishme të ekonomisë. Në Ministrinë e Turizmit thonë se po punohet me specialistët e disa fushave për hartimin e një strategjie të re.
Kjo është pozitive dhe optimiste. Meqenëse jemi në fillim të punës(në fakt duhet të ishim në fund të saj) do të doja të qëndroja dhe të veçoja disa fakte dhe të shprehja disa mendime. Edhe strategjia sektoriale e turizmit 2007-2013, e miratuar me VKM-në nr. 884 datë 11.6.2008, u reklamua se është projektuar me mbështetjen dhe financimin e Republikës Federale Gjermane. Faleminderit, por strategjia dështoi.
Edhe tani deklarojmë se grupi i punës pranë ministrisë po bashkëpunon me zyrën e Kooperacionit të Zhvillimit Gjerman për strategjinë e re “Vizioni 2020”. Unë do të thosha prapë “faleminderit”, por mund ta realizojmë edhe pa këtë ndihmë. I kemi të gjitha mundësitë. Nuk duhet të mbivlerësojmë apo të nënvlerësojmë as edhe ndonjë. Kam mendimin se duhet treguar kujdes edhe me frazeologjinë që përdoret me disa fjalë paksa të kaluara: “imazhi i Shqipërisë”, “rikthimi në destinacion”, “zbulo Shqipërinë”, etj.,etj..
Gjatë viteve të kaluara kishim një strategji dhe produkt turistik që e kishim pagëzuar me emrin turizmi i “diellit dhe i rërës”. Për fat të keq këtë e dëgjojmë edhe në 2014-ën. Për mendimin tim produkti ynë nuk është dielli dhe rëra, por “Dielli dhe Deti”. Ndoshta jam i gabuar, por ky motiv, apo mesazh mund të ishte i përshtatshëm dhe u bë i përshtatshëm për degë të tjera të ekonomisë siç është ndërtimi, por jo për turizmin.
Këtu, tek ky produkt turistik do të doja të ndalesha më konkretisht. Ka ardhur koha për t’u shkëputur pak nga pak nga modeli që ne na frekuentojnë- “ëanderlust” dhe të kalojmë edhe në një produkt më specifik në: “Albania-Sunshine”. Saranda me pothuajse 300 ditë në vit me diell, Vlora dhe gjithë bregdeti i Jonit,veçohen në të gjithë Evropën, por për çudi nuk na promovojnë, nuk na llogarisin.
Nga studimet dhe nga informacionet e agjencive më të mëdha turistike, bëhet fjalë për rreth 12 milionë angezë në muajin janar që kërkojnë vendet më të pasura me diell për të kaluar pushimet e tyre. Pothuajse 40% e tyre interesohet vetëm për diellin dhe jo për detin. Një komb në kërkim të diellit. Madje këto agjenci kanë hartuar, për t’u ardhur në ndihmë të interesuarve “sunshine index”, ku ndër vendet e para e zënë pothuajse të gjithë fqinjët tanë.
A mund të futemi edhe ne në këtë indeks, ku me të drejtë mund të kemi edhe parametra më të lartë? A jemi të përgatitur për këtë lloj turizmi? Përfaqësia diplomatike në Londër a mund të promovojë pak “Albania Sunshine”? Mekanizmi turistik europian ndodhet në pikun e punës për mbylljen e kontratave të reja për sezonin e ri turistik, por përfaqësitë tona diplomatike nuk e kanë vënë ujin në zjarr akoma për të ndihmuar edhe në sektorin e turizmit.
Nuk do të doja të zgjatesha për turizmin dhe turistët që do të na vijnë nga jashtë, por do të doja të qëndroja edhe tek turizmi i brendshëm, sepse edhe ai ofron dhe ka mundësi të mëdha. Ashtu siç përmendëm edhe më lart, të gjithë duan të bëjnë pushimet në gusht, mundësisht në pikun e tij, të gjithë presin turistët e huaj në gusht, të gjithë mbyllin zyrat në gusht. Të gjithë presin që zhvillimi të vijë vetëm nga një ministri dhe pikërisht nga Ministria e Turizmit. Por a mund edhe ministritë e tjera të ndihmojnë në këtë drejtim?
Padyshim që po. Për të mos u zgjatur shumë me të gjitha ministritë po veçojmë dy prej tyre, atë të Arsimit dhe të Punës. Ministria e Arsimit, mendoj, ka mundësi që në hartimin e programit mësimor, të paktën për nxënësit që janë në vitet e fundit të maturës t’i lërë një kohë të lirë pothuajse një javore në muajt prill dhe maj për t’i bërë ekskursionet e tyre 2 dhe 3-ditore më turistike dhe më kuptimplote.
Praktika të tilla kanë dhënë rezultate në vende të tjera të Evropës. Edhe Ministria e Punës në bashkëpunim me Institutin e Sigurimeve dhe do të shtoja pse jo edhe Banka Kombëtare, por edhe me organizmat e BE-së të shikojnë mundësinë për të nxitur me subvencione, apo grante për paketa turistike në kategori të ndryshme punonjësish që marrin pjesë dhe janë anëtarë të ISSH.
Dhe këto për muaj të caktuar siç është qershori, shtatori,tetori etj., por edhe për destinacione të përcaktuara dhe kategori të caktuara hotelesh. Në qoftë se këto organizma do të stimulojnë p.sh. me një euro, shumë shpejt në treg ajo do të bëhet 6-të apo 7-të euro. Edhe këtu nuk po ndalemi në hollësi, por padyshim mund të shërbejë si një frymëmarrje në tregun turistik dhe atë kulinar. Vetëm me shembujt e dy ministrive mundëm të kapim një diapazon mjaft të gjerë, nga prilli në tetor. Shembuj të tillë mund të sjellim edhe nga mjaft ministri të tjera për ndihmesën në fushën e turizmit.
Por koordinimi dhe menaxhimi i një politike të tillë mbarë ministrore, kërkon një qendër me specialistë dhe këshilltarë të specializuar pranë kryeministrit, për të vënë në lëvizje dhe në rrugë të mbarë strategjinë dhe ekonominë turistike. Grupi i punës për hartimin e strategjisë së turizmit, mendoj se duhet të jetë më aktiv dhe më i hapur si në media ashtu edhe në faqet e internetit. Komunikimi sa më i gjerë do të ndihmojë në këtë drejtim.
Por këtu do edhe pak kujdes, se zhvillimi nuk do të vijë vetëm me emisione televizivë, as me deklarata, as me firma,vula e kontrata siç pamë pak ditë më parë në një emision televiziv nga përfaqësuesit e ministrisë. Vulat, firmat dhe kontratat u bënë më 23 qershor. Tani duam rezultate.