INSTAT: Paketa fiskale rriti çmimet në janar

Botuar në Mapo Online, 12 shkurt 2014

Çmimi i cigareve dhe duhanit u rrit më shumë se 12 për qind në janar, ndërsa çmimet e naftës dhe benzinës u rritën nga 3.5-3.9 për qind, në krahasim me janarin e vitit që shkoi, raportoi dje INSTAT në publikimin e inflacionit për muajin që shkoi. Kjo rritje shpjegohet me ndryshimet që u bënë në paketën fiskale të muajit dhjetor, ku u vendos rritja e akcizës për këta artikuj.

Ndryshimet

Kërkesa e ulët ka mbajtur rritjen e çmimeve në nivele poshtë objektivit optimal 2 %. Në janarin e 2014-ës, rritja e përgjithshme e çmimeve rezultoi 1.7 për qind më e lartë se ajo e janarit të vitit 2013, por edhe kjo rritje nuk do të ishte në këto nivele nëse rritja e taksave nuk do të kishte dhënë efekte në rritjen e çmimeve. INSTAT vëren se, krahasuar me muajin janar 2013, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Pije alkoolike dhe duhan” me 7,3 %, pasuar nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 2,7 %;  “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 2,0 %; “Hotele, kafene dhe restorante” me 1,8 % etj. Ndërsa në grupin “Veshje dhe këpucë” 2,7 %, në shërbimet shëndetësore dhe në grupin ”Komunikimi” është shënuar një rënie 2,8 %. INSTAT pohon se, krahasuar me një vit më parë, çmimi i duhanit u rrit me 12,7 %. Por ekspertët dhe Banka e Shqipërisë mendojnë se ai që ndez rritjen e çmimeve në mallra dhe shërbime është karburanti. Për tregun shqiptar kufiri i rrezikut që e lëshon në shock ekonominë konsiderohet niveli 200 lekë të reja për litër. Dje një litër naftë u shit me 186 lekë dhe një litër benzinë me 188 lekë, me një rritje prej 12 lekësh në krahasim me muajin dhjetor.

 Kriza plogështon çmimet

Kriza ekonomike ndikoi në sjelljen e shqiptarëve për të shpenzuar. Edhe ata që kanë mundësi të harxhojnë, kanë ulur kuotat për mallrat e luksit dhe po ekonomizohen me blerjen e mallrave dhe shërbimeve të domosdoshme. Këtë tendencë e pohojnë disa faktorë; rritja e kursimeve në banka dhe nga ana tjetër, rënia e kërkesës për të blerë shtëpi, prona, pajisje shtëpiake etj. Në kushtet e një pasigurie për të ardhmen dhe sidomos për vendin e punës, shqiptarët nuk po kryejnë disa lloj shpenzimesh. Kjo sjellje ka ndikuar në rënien e konsumit në tërësi e për pasojë në vlerat e çmimeve të disa artikujve. Ky vit ka nisur me rënie të çmimeve për mobiliet e pajisjet shtëpiake dhe të pasurive të paluajtshme, të cilat të ndikuara nga psikologjia e krizës janë shtyrë për t’u kryer më vonë. Banka e Shqipërisë parashikon se çmimet e konsumit do të vazhdojnë rritjen me norma të ulëta. Me një probabilitet ndodhjeje 90%, inflacioni vjetor pritet të luhatet në nivele të ulëta. Banka e Shqipërisë pohon se shpenzimet e shqiptarëve për ushqime janë rritur. Pasi ecuria e inflacionit 90 për qind dominohet nga ushqimet. Sipas vlerësimeve të BSH-së, vendeve në tranzicion si Shqipëria, u takon një nivel inflacioni 2-3%. Nivelet mbi 3 për qind dhe nën 2 për qind janë tregues të paqëndrueshmërisë së ekonomisë.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi