Shqipëria dhe strategjia mesdhetare e rajonit
Nga Ditmir Bushati, botuar në Shqiptarja.com, 10 shkurt 2014
Duke u ndodhur në kryqëzimin e gadishullit të Ballkanit, Evropës Qendrore dhe Mesdheut, baseni Adriatiko-Jonian ka një vendndodhje gjeostrategjike. Historikisht, hapësirat e ndara të sovranitetit kombëtar nga njëra anë dhe integrimi i mëtejshëm rajonal, nga ana tjetër kanë ushtruar forca centrifugale dhe centripetale, të cilat ende janë aktive. Me gjithë përmirësimet e rrënjësishme në aspektin e stabilitetit demokratik, rajoni ynë sot përballet me dy dinamika të ndryshme gjeopolitike: Integrimi i mëtejshëm evropian dhe fuqizimi i dimensionit mesdhetar të BE-së.
Në Qershor të vitit 2013, Shqipëria mori kryesimin njëvjeçar të Nismës Adriatiko-Joniane (NAJ), një nismë e bashkëpunimit rajonal midis tetë shteteve, katër prej të cilave janë shtete anëtarë të BE-së (Itali, Kroaci, Greqi, Slloveni) dhe katër “ende jo” (Shqipëri, Mali i Zi, Serbi dhe Bosnja-Hercegovina). Në kuadër të kësaj nisme, bashkëpunimi midis këtyre tetë shteteve është zhvilluar dhe thelluar duke prekur fusha të rëndësishme si, turizmi, kultura, bashkëpunimi në nivel universitar, bizneset e vogla dhe ato të mesme, transporti, bashkëpunimi në fushën detare dhe mbrojtja e mjedisit.
Por ky bashkëpunim ka hasur edhe në disa pengesa, ndër të cilat më e spikatura është shumëllojshmëria e praktikave administrative dhe e mënyrave organizative në nivelin lokal dhe rajonal. Për më tepër, pavarësisht përkatësisë gjeografike, mungesa e lidhjeve të ngushta që deri tani kanë ekzistuar midis baseneve të Adriatikut dhe Mesdheut, pasqyron mungesën e një qasje të përbashkët gjeopolitike të vendeve të Adriatikut ndaj Mesdheut, në tërësi.
Duke marrë shtysë nga praktikat e sukseshme të mëparshme si strategjitë për makro-rajonet e Danubit dhe vendeve të Baltikut, BE-ja i është përgjigjur këtyre sfidave duke fuqizuar dimensionin mesdhetar të saj. Ky dimension mishërohet në strategjinë për makro-rajonin e Adriatikut dhe Jonit (EUSAIR), që pritet të miratohet nga BE-ja në fund të vitit 2014.
Në përputhje me detyrimet që burojnë nga kjo strategji dhe qasje makro-rajonale e BE-së, Shqipëria hartoi prioritetet e kryesimit të Nismës Adriatiko-Joniane, të cilat janë përmirësimi i situates ekonomike të rajonit, promovimi i dimensionit turistik dhe bashkëpunimi në funksion të përmirësimit të cilësisë së kushteve të jetesës.
Në këtë kontekst kemi ndërmarrë konsultime të shumta me Bashkimin Evropian dhe aktorë të tjerë rajonalë, me synim kryesor krijimin e një sinergjie midis programit të presidencës së NAJ-it dhe Strategjisë së BE-së për makro-rajonin Adriatiko-Jonian. Shqipëria punoi për të siguruar mbështetjen e plotë nga Komisioni Evropian për organizimin e Takimit të Këshillit të Ministrave të Punëve të Jashtme të Adriatikut e Jonit (AIC), njëkohësisht me Konferencën për Strategjinë e Bashkimit Evropian, në datat 6-7 shkurt 2014 në Athinë, gjatë presidencës greke të BE-së.
Fruti i këtij takimi ishte “Deklarata e Athinës”, ku konfirmohet angazhimi i plotë i tetë shteteve për miratimin dhe zbatimin e strategjisë së BE-së për makro-rajonin, si instrumenti i duhurpër krijimin e kushteve të favorshme, për zhvillimin ekonomik dhe kohezionin shoqëror-territorial në rajonin tonë. Ky instrument është mishërimi i një pune të përbashkët të BE-së dhe të vendeve të rajonit, për të krijuar një paketë zhvillimore të integruar ku ndërthuren infrastruktura, energjia, administrimi i bregdetit dhe transporti.
“Deklarata e Athinës” e propozuar gjatë kryesisë së Shqipërisë na vendos para përgjegjësive të reja lidhur me hartimin e projekteve konkrete, si dhe harmonizimin e praktikave administrative për një zhvillim afatgjatë dhe të qëndrueshëm, duke përfituar nga ndërveprimi i aktorëve publikë dhe privatë nëpërmjet mbështetjes financiare nga programet e BE-së.
Sa më lart, lidhet kryekëput me orientimin e politikës së jashtme të Shqipërisë në rajon. Fuqizimi dhe përmirësimi i rrjetit të infrastrukturës rajonale, sipas akseve të linjave kryesore të lëvizjes dhe shkëmbimit, si dhe lidhja e tyre me rrjetet e infrastrukturës dhe energjetike evropiane dhe euro-aziatike do të kenë ndikime pozitive në rajon, duke e bërë atë më të sigurt, duke rritur dimensionin gjeopolitik, duke zgjeruar tregun dhe duke i dhënë shtysë interesit për investime të huaja në rajon.
Shqipëria beson se nëpërmjet instrumenteve ekzistuese mund të zbatohet në mënyrë sa më efikase kjo strategji, e cila ka ndikim të drejtëpërdrejtë në ekonominë e vendit duke mundësuar kësisoj arritjen e standarteve të nevojshme për anëtarsimin në BE. Kjo qasje, shprehet qartë në moton e presidencës shqiptare të Nismës Adriatiko-Joniane, “Sa më afër njeri-tjetrit, aq më pranë BE-së.”