Popullsia banuese – baza e reformës administrative-territoriale

Nga Luan Shahollari, botuar në Dita, 10 shkurt 2014

Në gjitha vendet, pavarësisht nga tipi apo lloji i shtetit (unitar, federal apo konfederal), shtrirjes gjeografike, numrit të popullsisë, sistemit politik (demokratik apo autoritar), ndahen në njësi më të vogla për të lehtësuar qeverisjen e banorëve të territorit të tyre.

Po për cilët banorë bëhet fjalë? Për ata që banojnë në juridiksionin e një bashkie apo komunë për jo më pak se një vit, apo edhe për banorët e tjerë, që janë larguar dhe figurojnë ende në zyrat e gjëndjes civile? Nga përgjigja e kësaj pyetje varet zgjedhja e alternativës së duhur e cila shërben si bazë për një ndarje më të drejtë administrative –territoriale dhe për një riorganizim efektiv të organeve të njësive të qeverisjes vendore.

Përgjigja e saktë do të ishte që të merrej për bazë treguesi i popullsisë banuese që del nga censuset (regjistrimet) periodike dhe nga vlerësimet e mëvonëshme, i cili njihet në literaturën demografike botërore dhe zbatohet në shkallë ndërkombëtare.

Mirëpo, në disa publikime zyrtare, dhe në analiza dhe propozime nga autorë vendor, shpesh përdoren të dhëna të zyrave të gjëndjes civile që funksionojnë pranë bashkive dhe komunave, të cilat përmbajnë një numur më të lartë popullsie, nga sa banojnë aktualisht.

Popullsia sipas censuseve

Të dhënat më të fundit për popullsinë e vendit tonë janë ato që dolën nga Censusi (regjistrimi) i popullsisë dhe i banesave të drejtuar nga INSTAT në tetor 2011. Ky regjistrim, siç dihet, u krye bazuar në kërkesat metodologjike të EUROSTAT-it (Zyrës të Statistikave të BE) dhe Seksionit të Statistikave të OKB-së.

Pavarësisht se ka vërejtje për saktësinë e këtyre të dhënave, pasi një numur banorësh mund të mos e kenë kryer detyrimin për t’u regjistruar, fakti që përkufizimet dhe klasifikimet metodologjike, procedurat e zbatuara gjatë procesit të numurimit të popullsisë si dhe treguesit e censusit janë në përputhje me standardet europiane i bëjnë ato zyrtare dhe të krahasueshme me statistikat botërore.

Këto të dhëna zakonisht përdoren për qëllime studimi dhe analizash të ndryshme demografike dhe socio-ekonomike, për projektimin e popullsisë dhe ndërtimin e politikave zhvillimore publike në sektorë të ndryshëm në periudha afat-mesme dhe sidomos afatgjata.

Kështu, ne publikimet statistikore ne hasim tregues të tillë si psh prodhimi i brendshëm bruto (PBB) për frymë të popullsisë, numri i lindjeve apo vdekjeve për 1000 banorë, numuri i pjestarëve për një familje, numri i popullsisë sipas vendeve, numuri i popullsisë sipas qarqeve, sipas bashkive e komunave etj.

Sipas të dhënave të tre regjistrimeve të fundit del se popullsia banuese e vendit tonë ka ardhur duke rënë: nga 3,182,417 banorë më 1989, në 3,069,275 banorë më 2001 dhe 2,800,138 banorë më 2011. Kjo do të thotë se në vitin 2011 popullsia ishte 382,279 banorë (12 %)  më pak se më 1989, kurse krahasuar me vitin 2001, 269,137 banorë më pak (8.8%).

Por ndryshime të thella kanë ndodhur nga lëvizjet e brendëshme: gjatë dy dekadave të fundit rritje të popullsisë kanë pasur vetëm qarku i Tiranës dhe i Durrësit, kurse dhjetë qarqet e tjera kanë pësuar rënie të numrit të popullsisë. Ka fshatra (madje edhe qytete të vogla industriale) që dikur kishin me qindra banorë, kurse tani kanë me dhjetra, ndoshta edhe më pak.

Popullsia sipas zyrave të gjendjes civile

Për këdo është e qartë se numri i popullsisë banuese i dale nga censuset është më i vogël se numri i banorëve që gjendet në regjistrat e zyrave të gjëndjes civile të bashkive dhe komunave për shkak se, një pjesë e popullsisë, madje e ndjeshme, ka lëvizuar brenda dhe jashtë vendit, pa ndryshuar dokumentacionin përkatës. Të dhënat e këyre zyrave përdoren për çështje të shërbimit të banorëve të juridiksionit si psh për çertefikata familjare, lindje dhe vdekje, për regjistrin e votuesve etj.

Kështu, duke marrë për bazë vetëm lëvizjet jashtë shtetit, sipas një analize të INSTAT-it, popullsia gjithsej në Shqipëri në vitin 2001, po të mos mbahej parasysh fenomeni i emigracionit, do të kishte arritur në 3,780 mijë banorë dhe jo rreth 3.070 mijë sa doli nga regjistrimi (censusi) i këtij viti. Kjo do të thotë se në vitet 1991-2001 kishin emigruar rreth 710 mijë shtetas shqiptarë, individë që kishin lënë vendin, dhe fëmijët e emigrantëve që kishin lindur jashtë shtetit. Pra, më shumë se 600 mijë persona kishin emigruar në vende të tjera në 2001, kryesisht të BE, veçanërisht në Greqi dhe Itali (INSTAT-2004).

Nëse bëjmë një karhasim midis të numrit të popullsisë sipas censusit 2011, prej 2 800 138 banorë dhe numrit sipas zyrave të gjëndjes civile prej 4,228,430 banorë, (ky numur u publikua edhe në prag të zgjedhjeve vendore të 2011) del një diferencë prej 1,428,292 banorë, të cilët janë shqiptarë, por që aktualisht banojnë jashtë vendit, shumica përmes emigracionit, dhe një pjesë që kanë lindur atje.

Shërbimet këta persona i marrin në bashkitë apo komunat e vendit ku ata banojnë për pjesën më të madhe të vitit apo për vite me radhë. Nëse do të mbahej parasysh numri i banorëve të zyrave të gjendjes civile do të na dilte një ndarje territoriale e deformuar, do të planifikoheshin më shumë burime financiare dhe personel administrative etj.

Prandaj është e nevojshme që, në procesin e reformës teritoriale, madje që në fillim të, të merret për bazë llogaritjeje numri i popullsisë që banon aktualisht në bashkitë dhe komunat e vendit tone, dhe jo ato të zyrave të gjendjes civile.

Popullsia banuese sipas njësive të qeverisjes vendore

Nga tabela në vijim, të ndërtuar me të dhëna të publikuara nga INSTAT nga rezultatet e censusit 2011, del se në vendin tonë nga 373 njësi bazë të qeverisjes vendore (bashki dhe komuna), 200 (shumica komuna dhe më pak bashki) ose rreth 54 për qind e tyre kanë më pak se 4,000 banorë. Madje 11 prej këtyre njësive tyre kanë më pak se 500 banorë (!?), 24 njësi kanë nën 1000 banorë, 70 njësi nën 2000 banorë etj. Sigurisht këto shifra do të ishin shumë më të larta po të merrnim për bazë numrin sipas zyrave të gjëndjes civile,për rrjedhojë nuk do të tregonin realitetin.

Popullsia banuese sipas madhësisë së bashkive dhe komunave

Bashkitë dhe komunave sipas numrit të banorëve

Numri i bashkive

dhe komunave

Numri i popullsisë

sipas grupimeve

Numri mesatar

për bashki

dhe komunë

Gjithsej

373

2  800  138

7,507

Mbi 100 000

2

531  744

265,872

50 000-99 999

6

407  601

67,934

20 000-49 999

10

278  733

27,873

10 000-19 999

26

354  314

13,627

8 000-9 999

26

224  733

8,643

6 000-7 999

40

279  739

6,993

4 000-5 999

63

311  090

4,938

2 000-3 999

95

283  814

2,988

1 000-1 999

70

104  905

1,498

500-999

24

19  233

801

Më pak se 500

11

4  232

385

Sigurisht kriteri i popullsisë për bashki dhe komuna nuk është i vetmi për një ndarje sa më të drejtë administrative territoriale, por gjithkush e kupton se nuk mund të mbahen më këmbë komuna me një numur kaq të vogël banorësh. Prandaj procesi i shkrirjes dhe i bashkimit (me vullnetin e banorëve të juridiksionit përkatës), krijimi i ndarjeve të reja dhe i riorganizimit të organeve të qeverisjes vendore do të përfshijë ndoshta të gjitha dhe një pjesë të bashkive me synim për t’i sjellë ato në parametra optimale nga pikpamja jo vetëm demografike por edhe ekonomike, sociale, gjeografike, lidhjeve midis tyre, etj. Kjo do të thotë se, në çfarëdo varianti, ndarja e re administrative do të ketë si përfundim shkrirjen e një numri të madh njësi të vogla, që do të sjellin një reduktim të numrit të tyre, ndoshta edhe gjysëm per gjysëm.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi