Llogaritja e re e papunësisë: nga 13% në 21%
Sipas Top Channel, 10 shkurt 2014
Shifra zyrtare e papunësisë pritet të pësojë ndryshime të forta. INSTAT do të përdorë shumë shpejt një metodë tjetër për llogaritjen e saj, sipas standardeve të fundit të Organizatës Botërore të Punësimit.
Fahrad Mehrani, konsulent i INSTAT, thotë: “Standardet ndërkombëtare mbi punësimin dhe papunësinë kanë ndryshuar në tetor të vitit të kaluar pas 31 vjetësh. Kështu që është natyrale që INSTAT, i cili do të ndjekë standardet ndërkombëtare të adoptojë ato më të fundit. Norma e papunësisë bazuar në metodën e vjetër ishte rreth 13%. Me standaret e reja, papunësia në Shqipëri është 21%.”
I kontaktuar nga INSTAT si konsulent për përmirësimin e statistikave zyrtare, Mehrani thotë se metoda e re pasqyron më mirë realitetin e Shqipërisë. Por, cilat janë arsyet që ajo jep një shifër gati dy herë më të lartë për papunësinë?
“Arsyeja kryesore lidhet me trajtimin e personave që punojnë për të siguruar jetesën, veçanërisht në bujqësi. Këta janë fermerë që prodhojnë kryesisht për veten e tyre, jo për të shitur. Në Shqipëri janë rreth 300 mijë të tillë. Deri tani këta quheshin si të punësuar. Por, me standardin e ri kjo kategori nuk konsiderohet si e punësuar. Ajo pjesë e tyre që bën presion në treg duke kërkuar punë, do regjistrohen si të papunë dhe janë rreth 40 mijë të tillë”, shpjegon Mehrani.
Por, të punësuarit në bujqësi janë vetëm një pjesë e problemeve në tregun e punës: “Paralelisht janë dhe të punësuarit me pak orë që duan të punojnë më shumë. Gjithashtu është edhe kategoria e të dekurajuarve. Në standardet e reja këto përkufizime janë qartësuar dhe po ashtu edhe mënyra se si llogariten. Nëse i shtojmë dhe këto dy kategori në shifrën e papunësisë në Shqipëri ajo shkon 40%. Pra, totali i njerëzve që janë të papunë ose të nënpunësuar ose të dekurajuar është rreth 40%.”
Shifrat e papunësisë kanë qenë një temë e nxehtë debati politik mes socialistëve dhe demokratëve. Në opozitë të majtët deklaronin se shifra zyrtare e papunësisë nuk ishte reale duke pretenduar se në Shqipëri ekzistojnë 1 milionë të papunë.
/ Top Channel