Hapësira europiane dhe ajo shqiptare e arësimit
Nga Pëllumb Karameta, botuar në Shqip, 10 shkurt 2014
1. Përmasat e hapësirës europiane të arsimit, të shprehura si kontribut për qytetarinë europiane, si ofrim i mundësive për përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe si përgatitje e të rinjve për integrimin në shoqëri dhe punë, i konturoi Komisioni i Bashkimit Europian në vitin 1993. Arsimi është përgjegjësi e shteteve anëtare, ndërsa institucionet e BE-së luajnë rol mbështetës. Sipas Art. 165 të Traktatit mbi Funksionimin e Bashkimit Europian, institucionet “do të kontribuojnë në zhvillimin e arsimit cilësor, duke inkurajuar bashkëpunimin mes shteteve anëtare, duke promovuar lëvizjen e qytetarëve, hartimin e programeve të përbashkëta studimore, krijimin e rrjeteve, shkëmbimin e informacionit apo mësimin e gjuhëve të BE-së. Traktati, gjithashtu, përmban angazhimin për të promovuar nxënien gjatë gjithë jetës për të gjithë qytetarët e Bashkimit”. BE-ja financon programe arsimore, profesionale dhe për formimin qytetar që nxitin qytetarët e shteteve anëtare të përfitojnë nga mundësitë e ofruara nga institucionet e BE-së për të jetuar, studiuar dhe punuar në vendet e tjera. Spikat programi “Erasmus”, në të cilin, gjatë 25 viteve të fundit, kanë marrë pjesë më shumë se tre milionë studentë në shkëmbimet ndëruniversitare. Përmend këtu “Programin e Nxënies së Përhershme 2007-2013”, i cili përmban një paketë nënprojektesh (Comenius, Leonardo, Grundtvig dhe Transversal) për shkollat, universitetet, arsimin dhe formimin profesional, arsimimin e të rriturve etj. Që nga viti 2004, BE-ja ka financuar 138 mastera të përbashkët “Erasmus Mundus” dhe 43 programe të përbashkëta doktorate që përfshijnë pothuaj 700 institucione të arsimit të lartë. Të ndërgjegjshëm për rëndësinë e arsimit dhe të aftësimit për objektivat ekonomikë dhe socialë, shtetet e BE-së, që nga viti 2000, kanë filluar të punojnë për të arritur 13 objektiva të veçantë në fushën e arsimit. Përmes praktikave politike të mira, pjesëmarrjes në veprimtaritë e nxënies së ndërsjellë, standardeve të përbashkëta dhe ndjekjes së përparimit kundrejt treguesve kryesorë, shtetet anëtare synojnë t’u përgjigjen sfidave të përbashkëta, duke ruajtur sovranitetin në fushën e politikës arsimore. Më tej, Horizonti 2020, një prej programeve më të mëdha të BE-së me mbi 70 miliardë euro, do të jetë i pranishëm në periudhën 2014 – 2020 dhe do të mbështetë ortakëritë rajonale dhe ato mes universiteteve, instituteve kërkimore dhe industrisë.
Sa u takon këmbimeve dhe bashkëpunimit ndërmjet institucioneve arsimore të BE-së me institucionet jashtë saj, Këshilli, në vitin 1990, ndërmori programin “Tempus”. Objektivat e programit mbulojnë reformimin e kurrikulave, reformat e menaxhimit dhe ndikimin e arsimit në shoqëri. Projektet e përbashkëta financojnë bashkëpunime shumëpalëshe ndërmjet BE-së dhe institucioneve të shteteve partnere, përfshirë Shqipërinë. Shqipëria ka përfituar nga programi “Tempus”, si shtet partner, dy vjet pas themelimit të tij në vitin 1990. Një nga qëllimet kyç të këtij programi është përkrahja e Procesit të Bolonjës që synoi krijimin e Hapësirës Europiane të Arsimit të Lartë.
2. Pak ditë më parë, ministrat e Arsimit të Shqipërisë dhe të Kosovës, në takimin e tyre në Tiranë, shpalosën idenë e njësimit të strukturave të niveleve arsimore parauniversitare (fillor, i mesëm i ulët dhe i mesëm) sipas skemës 5+4+3 si dhe të kurrikulave gjegjëse. Kështu, Shqipëria dhe Kosova, vendet që formësojnë pjesën kryesore të hapësirës arsimore shqiptare, në vijim, do të kenë jo vetëm tekste, por edhe sistemin arsimor të unifikuar. Sipas ministres së Arsimit dhe Sportit, znj. Lindita Nikolla, “fillon tani unifikimin që lidhet jo me sistemin arsimor 6+3+3, por 5+4+3, siç e ka Kosova. Ka filluar puna dhe jemi drejt fundit për sa i përket kornizës zyrtare të kësaj qasjeje të re, të cilën Kosova po e zbaton tashmë”. Sa i takon qasjes së re, ministri i Arsimit, z. Ram Buja, ka pohuar se “kalimi nga kurrikula e bazuar në përmbajtjet lëndore në një kurrikul që bazohet në kompetenca, synon sigurimin e një autonomie të shtuar të shkollës, ngritjen e llogaridhënies në nivel shkolle drejt mobilizimit të potencialit të rinisë kosovare që me sukses të konkurrojë në tregun e punës, si në vend ashtu dhe jashtë vendit”. Qasja e re kurrikulare, që mbështeten në logjikën e kompetencave, i aftëson nxënësit të dinë, të bëjnë si duhet dhe të shpjegojnë përse e bëjnë ashtu. Me larminë e mjeteve dhe të metodave që ofron, qasja është interesante për nxënësit dhe mësuesit, pasi kthen jetën në shkollë.
Përshtatja e Kurrikulës së Kosovës në sistemin tonë arsimor, nga një anë, siguron zbatimin e ligjit tonë të ri për arsimin parauniversitar, sipas të cilit “kurrikula hartohet dhe zbatohet në bazë të kompetencave themelore të nxënësve”. Nga ana tjetër, kurrikulat e dy vendeve konkretizojnë kornizën europiane të kompetencave kyç për nxënien gjatë gjithë jetës. Kështu, njësimi kurrikular do të integrojë më tej hapësirën arsimore shqiptare me zhvillimet bashkëkohore europiane e më gjerë. Zhvillime këto që e konceptojnë kurrikulën si frymë, si proces dhe produkt, si entitet elastik që integron nxëniet në situatat e kuptueshme me fushat e interesit të nxënësve. Reformat kurrikulare do të nxitin dhe do të zhvillojnë më mirë burimet vetjake të nxënësve (njohuritë e reja, kompetencat, vetëbesimin, vetëshprehjen, bashkëpunimin me të tjerët, shpirtin sipërmarrës etj.), të ndihmuar ata nga mësuesit dhe nga dijet e teksteve shkollore (të shtypura dhe dixhitale), nga laboratorët, punishtet, kompjuterët, tabletat, CD, videot, ndërveprimet praktike me mjedisin etj.
Njësimi i sistemit tonë parauniversitar me sistemin arsimor të Kosovës dhe sistemet europiane do të zhvillojë në vijimësi kapacitetet e sistemit arsimor për nxënie cilësore, të krahasueshme me ato të vendeve europiane. Shqipëria do të mund të përfitojnë jo pak nga mënyra si është konceptuar kurrikula e arsimit parauniversitar në Kosovë dhe në vendet e BE-së. Ndërsa, Kosova do të përfitojë nga ekspertiza dhe përvojat tona të mira në fusha të caktuara. Në kontekstin e ri, institucionet, ekspertët dhe punonjësit arsimorë në të dy anët e kufirit, do të mund të zhvillojnë, veçmas dhe së bashku, projekte dhe risi që u shërbejnë përmirësimit të cilësisë së arsimit, lëvizshmërisë së nxënësve / studentëve dhe mësuesve / pedagogëve për të fituar njohjen e ndërsjellë të kualifikimeve e të programeve të studimit dhe do të thellojnë bashkëpunimin për zgjedhjen e problemeve të përbashkëta arsimore etj.
Më e rëndësishmja është se kurrikulat e njësuara të dy vendeve do të përcaktojnë natyrën e shoqërive respektive demokratike për vitet në vijim, derisa të rinjtë të përfundojnë shkollën dhe të kontribuojnë në shoqërinë e gjerë, gjatë tërë jetës së tyre. Prandaj, njësimi i kurrikulave mund të konsiderohet një hap i sigurt në procesin e integrimit të hapësirës arsimore shqiptare me atë europiane, të referencave të qytetarisë shqiptare me referencat e qytetarisë europiane.