Pensionet, “gropa” 420 mln dollarë mungojnë 500 mijë kontribues

Nga Sonila Isaku, botuar në Shqiptarja.com, 8 shkurt 2014

Skema aktuale e pensioneve ka dështuar pasi nuk u siguron të moshuarve mjaftueshëm të ardhura për të përballuar jetesën dhe nuk është e përballueshme nga financat publike. Deklarata u bë nga Ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj gjatë mbledhjes së grupit të punës për reformën në sistemin e pensioneve.  “Skema aktuale ka dështuar, masa e përfitimit është shumë e ulët dhe nuk e garanton mjaftueshmërinë e benefiteve. Skema është e pa përballueshme për financat publike dhe nuk e mban dot veten. Deficiti ka arritur ne 420 milionë dollarë.
Çka ka rezultuar në taksim të dyfishtë të të punësuarve të cilët po paguajnë edhe sigurime shoqërore dhe po taksohen për të mbajtur skemën gjallë”- u shpreh Veliaj. Sipas tij me këtë skemë rreth 1 milionë qytetarë shqiptarë, rrezikojnë të mbeten pa pension. Një tjetër problematikë e hasur është se ka një ngushtim të ndjeshëm të raportit kontribuues dhe përfitues. “Raporti mes kontribuuesve dhe përfituesve është ngushtuar shumë. Në vitin 2013 ishin 640 mijë kontribuues dhe 561 mijë përfitues, pra në një raport 1.1 kontribuues për 1 përfitues ndërkohë që që kjo skemë të funksionojë ky raport duhet të jetë 4-6 kontribuues për 1 përfitues” ka theksuar Veliaj.
Kjo bën që rreth 45 % e kësaj skeme të financohet nga buxheti i shtetit, me afro 42 miliardë lekë në vit. Sipas Veliajt, problem madhor sot është edhe informaliteti, çka tregohet në të dhënat e biznesit ku çdo biznes i vogël siguron mesatarisht vetëm 1.45 punonjës dhe këta me pagë minimale. Ndërkohë që problematika të tjera që renditen janë edhe  diferencimi mes skemës rurale dhe asaj urbane, derdhja e kontributeve vetëm për pagë minimale, po kështu edhe jetëgjatësia. Nëse sot 9.7 % e shqiptarëve janë mbi 65 vjeç, në vitin 2050 parashikohet që kjo shifër të shkojë në 25 % ndaj edhe është shumë e rëndësishme kryerja e një reforme të re për pensionet.
Për të kryer këtë reformë është ngritur grupi i punës me përfaqësues të gjithë grupeve të interesit, ndërsa kryesohet nga vetë ministri Veliaj. Ai theksoi se reforma do i nënshtrohet një diskutimi të gjerë dhe gjithëpërfshirës. “Pranë ministrisë është ngritur grupi i këshillimit. Kjo reformë nuk cënon të drejtat e qytetarëve që janë pranë daljes në pension. Ministria dhe ISSH do pastrojnë skemën e pensioneve nga çdo abuzivitet. Do ketë disiplinim dhe mbyllje të vrimave që ka skema aktuale”- u shpreh Veliaj. Sa i përket reformës ajo synon forcimin e tre shtyllave, kontributin e detyruar, kontributi vullnetar alternativ dhe skema private.
“Së pari, duhet të garantohet që çdo i moshuar të ketë mundësinë të ketë një pension kur të mbushë moshën e përcaktuar. Së dyti, duhet doemos që të forcohet lidhja mes kontributeve dhe pensionit, jo vetëm për të nxitur qytetarët për të kontribuar por për të qenë edhe të drejtë me ta. Ndaj është e arsyeshme që të hiqet pensioni tavan e t’i jepet kujtdo mundësia për të kontribuar më shumë në rast se dëshiron një pension më të lartë” ka theksuar Veliaj. Sipas tij, grupi i punës brenda 20 shkurtit duhet të plotësojë të gjitha raportet e nevojshme ndërkohë që në fund të muajit mars kjo reformë të jetë e përfunduar dhe më pas të nisë të bëhet edhe prezantimi i saj në qytete të ndryshme përballë qytetarëve, ndërsa në fund të vitit kjo skemë e re do të miratohet në kuvend.

Skema aktuale ka dështuar pasi: 
-Masa e përfitimit është shumë e ulët, skema  nuk garanton  mjaftueshmërinë e benefiteve për pensionistët.
-Deficiti i krijuar shkon në 42 miliard lekë, ose në 45 % të shpenzimeve të ISSH.
-Raporti mes Kontributeve dhe përfituesve është thelluar shumë. Në 2013 ishin 640 mijë kontribuues dhe 561 mijë përfitues një raport 1.1 me 1.  Duhet të jetë 406 kontribuues për 1 përfitues.
-Ka informalitet, çdo biznes i vogël siguron mesatarisht vetëm 1.45 punonjës dhe 65 %e forcave të punës marrin pjesë në sistemin e sigurimeve shoqërore.
-Diferencimi mes skemës urbane dhe asaj rurale, ku kjo e fundit është subvencionuar më shumë nga shteti.
-Janë mbi 1 milion shqiptarë sot të cilët janë në moshë pune dhe nuk janë pjesë e sistemit të sigurimeve, të cilët rrezikojnë të mos marrin pension fare në pleqëri.

Skema e re parashikon: 
– Çdo pensionist se asnjë e drejtë e fituar deri më tani nuk do të preket. Pra, kjo reformë nuk u drejtohet pensionistëve të sotëm, por të punësuarve të sotëm.
-Reforma nuk cënon të drejtat e fituara nga qytetarët që janë afër moshës së daljes në pension.
-Duhet të garantohet që çdo i moshuar të ketë mundësinë të ketë një pension kur të mbushë moshën e përcaktuar.
– Të forcohet lidhja mes kontributeve dhe pensionit, jo vetëm për të nxitur qytetarët për të kontribuar por për të qenë edhe të drejtë me ta. Ndaj është e arsyeshme që të hiqet pensioni tavan e t’i jepet kujtdo mundësia për të kontribuar më shumë në rast se dëshiron një pension më të lartë.
-Reforma do të synojë forcimin e hapësirave efektive për zhvillimin e skemave alternative të sigurimit shoqëror.
-Këto masa mundësojnë që të gjithë qytetarët të jenë të mbuluar nga skema por edhe që benefitet të jenë të mjaftueshme për të moshuarit – çka do të bënte që skema ta përmbushte funksionin e vet social, por edhe që deficiti të reduktohej duke e bërë skemën të përballueshme

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi