Reforma në arsim dhe pikëpyetjet e mbartura

Nga Edi Puka, botuar në Mapo Online, 7 shkurt 2014

Përgjatë dy dekadave të fundit është diskutuar pafund në lidhje me nevojën e një reforme kapilare të sistemit tonë arsimor. Qeveritë e ndryshme, herë pas here kanë bërë përpjekje për realizimin e strategjive të ndryshme kombëtare para dhe pasuniversitare, të hartuara në përputhje me zhvillimin dhe koordinimin e sistemit tonë arsimor me atë të vendeve të zhvilluara të BE-së, por nisur nga gjendja aktuale në të cilën ndodhemi, mund të nxjerrim një përfundim të qartë: nuk është arritur objektivi dhe të gjitha tentativat e bëra kanë dështuar.

Në një kohë në të cilën cilësia e sistemit arsimor është kthyer gjithnjë e më tepër në një shqetësim madhor jo vetëm për studentët, prindërit dhe pedagogët, është e rëndësishme të theksojmë se një reformim i tillë ka nevojë për përfshirjen e të gjitha strukturave përbërëse dhe gjithashtu për zhvillimin e burimeve njerëzore në të njëjtën kohë.

Së pari, duhet të reformohen rrënjësisht kurrikulat e sistemit parauniversitar, bazuar në nevojën e një koherence me sistemet shkollore të vendeve të zhvilluara dhe në nevojën e shprehur nga vetë zbatuesit e këtyre kurrikulave, që janë mësuesit. Shpeshherë mendimet e këtyre të fundit nuk janë marrë parasysh, pavarësisht që janë një faktor kyç në aplikimin e reformave arsimore.

Së dyti duhet të reformohen dhe të riorganizohen tekstet mësimore, si një nevojë parësore për të përçuar dijen tek brezat e ardhshëm.

Së treti, ndarja teknike në vite e shkollës sipas sistemit 6+3+3, nuk duhet të mbetet e tillë por duhet parë cilësia e produktit dhe produktiviteti i kësaj forme organizimi ose nevoja e një riorganizimi të mundshëm, bazuar në nevojat e vendit tonë dhe tregut respektiv të punës.

Gjithashtu një hallkë e rëndësishme e këtij zinxhiri reformues duhet të jetë edhe mirëmenaxhimi i burimeve njerëzore. Deri më tani me mësuesin është luajtur sipas dëshirës dhe sipas preferencave partiake, pa nxjerrë asnjëherë në pah rolin e meritokracisë. Ata janë parë, nga ana e qeverive të ndryshme, si gurë shahu, me të cilët mund të luash dhe t’i trajtosh si të tillë. Nuk është respektuar  në asnjë qasje dinjiteti dhe profesionalizmi i tyre, si përçues të dijes e qoftë dhe një herë të vetme nuk iu është dhënë vendi që meritojnë në hierarkinë e shkallës së rëndësisë që ata kanë në zhvillimin e shoqërisë, ashtu siç ka ndodhur për shekuj me radhë që nga Sokrati e deri në fillim të shekullit të njëzetë. Si pasojë e këtyre veprimeve, aktualisht gjendemi në një situatë tepër kritike, nga e cila duhet shumë mund, por jo e pamundur të dilet. Duhen parë me prioritet nevojat e mësuesve dhe në mënyrë imediate të rishikohet statusi i tyre dhe më pas të rishikohen nevojat e shkollës si një e tërë, larg interesave personale të drejtuesve përkatës dhe larg politizimit famëkeq që shkolla jonë përjetoi vitet e fundit.

Organet përkatëse vendimmarrëse duhet të bëjnë të mundur hartimin e një strategjie afatgjatë në lidhje me reformimin dhe zhvillimin e arsimit në të gjitha etapat e tij. Ka ardhur koha që arsimi të shikohet me prioritetin që i takon, pasi vetëm një sistem arsimor i zhvilluar mund të prodhojë produkt cilësor dhe të bëjë të mundur shmangien e greminës drejt së cilës kemi vazhduar të ecim vitet e fundit.

Aktualisht MASh është impenjuar të hartojë dhe zhvillojë strategjinë e nevojshme në lidhje me reformën e sistemit shkollor. Sigurisht që pikëpyetjet e mbartura janë të shumta. A do të funksionojë? A do të jetë jetëgjatë dhe e karakterizuar nga profesionalizmi? A do të bëjë të mundur zgjidhjen e krizës aktuale?

Mbetet ende për t’u parë dhe studiuar. Vlen të theksohet që një hap pozitiv është ndërmarrë, si p.sh, konkurset publike për mësuesit dhe drejtuesit e ardhshëm shkollorë, transparenca e zhvillimit të tyre, koherenca e treguar me nevojat aktuale etj. Gjithsesi mbetet për t’ia lënë kohës si i vetmi faktor i paanshëm vlerësues.

*Ph.D. Pedagog në Universitetin Europian të Tiranës.  

 

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi