Reagimi i munguar për shtetin dhe për jetën

Nga Afrim Krasniqi, botuar në Shqiptarja.com, 4 shkurt 2014

Kur Policia e Shtetit lajmëroi se ka arrestuar disa individë të akuzuar për një sërë vrasjesh me pagesë të gjithë duartrokitëm policinë dhe morëm frymë të çliruar. Shteti veproi, jeta e prona janë të sigurt, askush nuk mund të dalë mbi ligjin dhe se nga sot lajmet negative në media nuk do të jenë më dominuese. Zhvillimet më pas, nxjerrja në media e detajeve të ngjarjeve kriminale dhe sidomos e faktit se burimi i hetimit nuk ishte policia, shërbimi sekret apo strukturat shtetërore, por pendesa dhe frika midis vetë anëtarëve të grupit kriminal, – ishin dyfish shokuese. Një individ që shkon në polici, denoncon veten dhe vrasjet, por refuzohet prej policisë. I njëjti individ shkon në media, denoncon veten dhe vrasjen dhe përsëri refuzohet nga kanalet zyrtare të verifikimit. Vetëm kur pasoja ndodh, një biznesmen tjetër vritet, shteti zgjohet, e kupton gabimin, organizohet dhe bën arrestimet.

Policia e Shtetit dhe titullari i saj e konsideroi këtë suksesin më të madh të 24 viteve të tranzicionit. Një vetë-lëvdatë pa sens, pa bazë dhe tregues se me gjithë rotacionin politik ka mbetur i njëjtë mentaliteti i pushtetit politik, i cili si dje edhe sot çdo veprim rutinë  e quan “sukses historik”.  Ky rast nuk pati vend për shampanjë, as për dekorata. Ka vend më tepër për vetëpërmbajtje, reflektim, kritikë dhe hetim mbi segmentet e ligjit që siç po provohet, nuk kanë funksionuar as në standardet më minimale, siç është regjistrimi dhe hetimi i një denoncimi për vrasje.

Nuk është kritikë vetëm për Ministrin politik që flet përpara policisë për diçka që është detyrë kushtetuese dhe atribut vetëm i policisë së shtetit, as për këtë të fundit që deri dje fajësonte për aktet terroristë kartat e paregjistruara të kompanive celulare, dhe as për strukturat e tjera të hetimit në polici e prokurori, të cilat më shumë sesa hetimit të krimit i kushtojnë kohë gjetjes së miqve me pushtet për të ruajtur vendin e punës. Është diçka jashtë tyre, më shumë sesa ata, një tipar i shtetit të brishtë shqiptar, i institucioneve të brishta shqiptare, i kulturës së shtetit dhe ligjit, – pra i sjelljes së shtetit ndaj përgjegjësive të veta dhe i varësisë tonë fatkeqe nga kanalet e nëndheshme të një rrjeti tipik mafioz që na kërcënon sa herë që preken interesat e saj, dhe vet-denoncohet, sa herë prishen pazaret brenda saj.

Një muaj më parë Prokurori deklaroi se në Shqipëria nuk ka akte mafioze dhe as mafia. Politika deklaroi në parlament se nuk ka më krim të organizuar dhe se strukturat policore janë shkëputur nga çdo lidhje kriminale. Politika rivale keqpërdori ngjarjet e rënda për të bërë akuza politike, për të krijuar alibi në tregun mediatiak të kundërta me të vërtetën, dhe kështu, duke ndihmuar me dashje apo pa dashje mekanizmin kriminal që vijonte të listonte në shënjestër biznesmenë e politikanë, zyrtarë e qytetarë të pafajshëm.

Brenda muajit u provua se të tri palët janë gabim, tri palët janë nxituar, tri palët nuk kanë sens mase dhe as përgjegjësie dhe tri palët indirekt mbajnë në këmbë një sistem që mbron, nxit apo fsheh veprimtarisë antiligjore të oligarkisë dhe grupeve kriminale. Imagjinoni sikur prokurori të kishte deklaruar: po, kemi grupe kriminale dhe mafioze dhe po i hetojmë; që ministri e policia të kishin pranuar se situata nuk është nën kontroll por me çdo çmim do të rivendoset drejtësia; që opozita të kishte kërkuar hetime dhe vetëm hetime profesionale pa alibi politike; që SHISH të kishte informuar për lëvizjet e grupeve kriminale nga Shqipëria në Greqi dhe anasjelltas, apo që organet e tjera të hetimit dhe informacionit të kishin paralajmëruar pista të tjera hetimi nga praktika e deritanishme e “ikjes në drejtim të paditur”.

Pyetjet që nuk bëhen nga askush por që kanë vlerë thelbësore në këtë histori mbeten pa përgjigje. A mban dikush përgjegjësi që nuk e mori seriozisht dhe nuk e regjistroi denoncimin e të penduarit të grupit kriminal siç edhe e kërkonte ligji? A mban dikush përgjegjësi që policia ka info për çdo politikan e njeri kritik se me kë pi kafen apo nëse ka gjoba makine të papaguar dhe nuk ka asnjë info për një grup që vijon të ekzekutojë publikisht pa asnjë shqetësim këdo që përbën burim fitimi apo rivaliteti? A mban dikush përgjegjësi se nëse ligji e procedura do të ishin zbatuar të paktën vrasja e një biznesmeni tjetër të pafajshëm do të ishte shmangur? A mban dikush përgjegjësi kur rekruton në shtet, në organet e zbatimit të ligjit, persona me dosje kriminale që kanë kurajën të kërcënojnë me jetë edhe zyrtarët më të lartë të shtetit? Cila strukturë (policia, prokuroria, SHISH, etj) bëri një analizë për ngjarjet dhe pranoi përgjegjësi minimale duke premtuar korrigjimin e gabimeve? Asnjë.

Secila palë flet për suksese, secila mbush faqet e gazetave me info të nxjerra në mënyrë të paligjshme nga dosja hetimore, secila pra vijon ta ushqejë sistemin abuziv, korruptiv, informal dhe kërcënues të një shteti që është larg modelit të shtetit të së drejtës. Nuk është çështja të kërkohen fajtorë apo thjesht koka turku, por që situata të trajtohet me seriozitet, dhe të kërkohen gabimet, minimalisht që ato të mos përsëriten më.

Zgjedhjet politike janë zhvilluar me 23 qershor. Kanë kaluar shtatë muaj. Qeveria e re është në detyrë prej 5 muajsh. Janë shkarkuar të gjithë zyrtarët e palës tjetër dhe janë graduar të rinjtë, me të njëjtin sistem klientele e mentalitet si të parët. Siç edhe zyrtarët e lartë amerikanë paralajmëruan me të drejtë, nuk ka më vend për alibi dhe përfshirje të politikës në diçka që është thelbësore për një shtet: nevoja që jeta jonë të mos jetë në dorën e mafies, që jeta jonë të mos varet nga fakti nëse brenda grupeve kriminale dikush pendohet ose jo, por që jeta jonë, prona jonë, liria jonë, institucionet tona, dhe gjithçka kemi, – të kenë për garant vetëm shtetin dhe ligjin, me çdo çmim dhe në çdo rrethanë.

Ne paguajmë me taksat tona policë e prokurorë, gjyqtarë e pjesëtarë të policisë sekrete, zyra hetimi dhe institucione të provës apo analizës, – pra një sistem brenda sistemit që ka për detyrë të garantojë ligjin, jetën, sistemin demokratik dhe vlerat e tij. Ata nuk paguhen për të kaluar orët në studiot televizive, për të krijuar alibi për keqbërësit, për të krijuar pista të gabuara hetimi, për të arrestuar persona të gabuar dhe as për të numëruar viktimat në rrugë. Paguhen për të kundërtën, – për punë, punë dhe profesionalizëm, – cilësi ende arkaike në një vend ku teserat e partive vlejnë më shumë se diplomat universitare.

Ajo që ndodh në rrugë fatkeqësisht vjen si reflektim i asaj që ndodh edhe në institucione, p.sh, në parlament. Deputetë me dosje problematike në të kaluarën dhe që sot përfaqësojnë “sovranin”; deputetë që grinden, fyhen, kërcënojnë, dhe përmes retorikës së ashpër inkriminojnë en block votuesit kundër. Politikanë që për vete marrin pozat e mesia-s, dhe tek tjetri shohin djallin, një politikë e paaftë të pranojë gabimet e veta dhe dyfish e aftë të inkriminojë palën tjetër, një gjuhë përjashtuese bardh e zi që krijon dhe nxit dhunë, – është larg çdo standardi demokracie dhe na vjen, si zgjatim i mekanizmit informal të rrugës, asaj që vendos gjoba e tritol kundër rivalëve, konkurrentëve dhe klientëve oligarkë. Kur politika vuan nga sëmundje të tilla tranzicioni, fatet e vendit merren nga institucionet garantuese të ligjit, kushtetutës dhe vazhdimësisë së vetë shtetit demokratik.

Në këto rrethana shteti është në provën e vet më të madhe, institucionet duhet të reagojnë. Jo në facebook apo twitter por në rrugë institucionale. Kushtetuta ka krijuar institucionin e Presidentit, Parlamentit, Qeverisë, Këshillit të Sigurisë Kombëtare; sistemi qeverisës ka krijuar Policinë e Shtetit, Prokurorinë, Shërbimin Sekret, siç legjislacioni ynë ka krijuar njësi antikrim, drejtorinë e pastrimit të parave, si dhe njësi të tjera të shumta që kanë të gjithë akses-in ligjor për të verifikuar çdo akt abuziv që lidhet me tjetërsimin e pronës, prishjen e konkurrencës financiare në treg, pastrimin e parave përmes krimit të organizuar apo trafikun e lëndëve narkotike.

Dikush duhet t’i mbledhë, t’i testojë, të analizojë çdo rrethanë dhe të ketë një reflektim të thellë ligjor, administrativ, politik dhe personal. Në çdo praktikë të ngjashme në vendet e tjera shteti e politika reagojnë me paketa ligjore dhe reformim profesional, – diçka që tek ne ende mungon. Koha për reagim, sa më parë, sa më institucional, serioz dhe të përgjegjshëm,  në mënyrë që fati i qytetarit, biznesit dhe shtetit të mos jetë më në dorën e krimit, që të rikthehet normaliteti dhe besimi publik tek shteti e ligjit, si nevojë, si kërkesë popullore, por mbi të gjitha, si parakusht thelbësor për më shumë demokraci, stabilitet, mirëqenie dhe integrim.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi