Konfliktimi politik, një arësye më shumë për reformën territoriale
Nga Artan Shkëmbi, botuar në Shqip, 4 shkurt 2014
Para disa muajsh kam shkruar për nevojën e reformës territoriale administrative, duke u përpjekur të argumentoj domosdoshmërinë e kryerjes së saj sa më shpejt dhe mbi kritere e metodologji që çojnë në një produkt sa më të mirë në interes të qytetarëve.
Tashmë, shumëkush është shprehur për situatën aktuale të qeverisjes vendore, për problematikën e saj dhe për nevojën për reformë të plotë. Që nga shkrimi im i parë, është shkruar aq shumë për këtë çështje sa askush nuk i shpëton dot rënies në përsëritje të fakteve dhe argumenteve për nevojën e kësaj reforme, aq sa çdo shkrim që lexon të duket sikur e ke lexuar një herë. Për këtë arsye nuk dua të bie edhe unë në përsëritje, duke u ndalur vetëm në dy çështje, në reagimin e politikës për këtë reformë dhe në nevojën për një reformë decentralizimi paralelisht me ndarjen e re administrative territoriale (kjo nevojë për reformë decentralizuese është po aq e lidhur me reagimin e politikës për reformën administrative).
Në lidhje me çështjen e parë, në shkrimin tim kam parashikuar kundërshtimin e reformës nga ana e kryetarëve të komunave ose ndoshta edhe të bashkive të vogla. Kam nënkuptuar me këtë jo thjesht kryetarët e njësive të vogla, por partitë politike që ata përfaqësojnë. Arsyet dihen, i ka argumentuar gjithkush që ka shkruar për këtë reformë, por ajo që kam konkluduar në shkrimin tim është fakti që … “nëse këta kryetarë do të kundërshtojnë reformën, kjo është një arsye më shumë për ta kryer atë”. Sot, kundër kësaj reforme, ashtu siç pritej, ka dalë një pjesë e politikës dhe pikërisht për të njëjtën arsye ky reagim duhet konsideruar si një arsye tjetër më shumë që kjo reformë të realizohet.
Një pjesë e politikës nuk do që reforma administrative e territoriale të realizohet. Mund t’ju duket e çuditshme, por kjo është e vërteta. Ndodh kështu, sepse kjo pjesë e politikës do të humbiste jo vetëm të ashtuquajturat “bastione”, por do të humbiste edhe arsyet se pse janë krijuar bastionet dhe po ashtu do t’i mungojnë edhe personat dhe mjetet e shfrytëzimit të këtyre bastioneve për të mbledhur vota. Demagogjia që jemi pro reformës, por për arsye të të ashtuquajturit “të përdorimit politik të saj” jemi kundër reformës, është dukshëm një mënyrë për ta penguar atë. Edhe teoria e pamjaftueshmërisë së kohës së nevojshme për ta kryer këtë reformë para zgjedhjeve të vitit 2015, është sërish një strategji për ta zvarritur atë deri në mosrealizim të saj. Nëse kjo reformë nuk realizohet brenda këtij mandati, ajo nuk ka më asnjë shans të realizohet për vite e vite me radhë. Nevoja për ta penguar atë është aq e rëndësishme, saqë edhe kërcënohet me mosnjohje të rezultateve të saj dhe protesta! Pjesa e politikës që është shprehur kundër reformës dhe po ashtu edhe shoqatat e të zgjedhurve vendorë të shprehura kundër kësaj reforme (sigurisht nën presionin politik!), kanë shumë pak ose aspak argumente për të justifikuar kundërshtimin. Aq pak argumente kanë, saqë e kushtëzojnë atë me gjëra që s’kanë asnjë lidhje me qeverisjen vendore, si statusi i nëpunësit civil, çështja e ILDKP, etj. Tashmë interesat e ngushta të ndonjë Kryetari Komune ose Bashkie, kanë siguruar një mburojë politike për të dalë kundër kësaj reforme jo individualisht, por në një fron të përbashkët politik.
Ndërkohë organizma prestigjiozë ndërkombëtarë, organizata e donatorë të rëndësishëm kanë dalë hapur në mbështetje të kryerjes së kësaj reforme në emër të interesave të mëdha të vendit dhe të qytetarëve që kanë nevojë e pritshmëri për shërbime më të mira.
Shoqata për Autonomi Vendore është shprehur qartë dhe ka argumentuar nevojën për kryerjen e kësaj reforme nëpërmjet kriteresh dhe metodash transparente, që çojnë në finalizimin e saj sa më të shpejtë, mundësisht brenda vjeshtës së këtij viti, për t’i dhënë mjaftueshëm kohë aspekteve të tjera të kësaj reforme, për të qenë gati aplikimi i saj në zgjedhjet lokale të vitit 2015. Kryetarë bashkish të mëdha e të vogla, kryetarë komunash të mëdha e të vogla, anëtarë të Shoqatës për Autonomi Vendore (rreth 160 të tillë) kanë shprehur gatishmërinë e tyre për bashkëpunim, për të ofruar eksperiencën e tyre, por edhe kontributin e tyre direkt në një proces që mund të ketë një produkt më të mirë në territor, nëse edhe realizimi i tij kryhet jo nga hartat e hapura në tavolina apo kompjuterë zyrash, por në teren aty ku qytetarët ndiejnë nevojën e ndryshimit. Kontributi i Kryetarëve dhe i administratës vendore mund të përcjellë procesin deri te qytetari i thjeshtë, shërbimi ndaj të cilit është edhe thelbi i kësaj reforme. Shumë nga njësitë administrative që ne drejtojmë nuk do të ekzistojnë më, të tjera ndoshta do të zvogëlohen e të tjera do të zmadhohen, por kjo nuk është gjithçka. Ndryshimi vetëm i kufijve administrativë si një proces mekanik, nuk përbën reformë, por thjesht një territor të vogël e zmadhon dhe numrin e madh të njësive e zvogëlon. Kjo është arsyeja që, nëse flasim për reformë, duhet të shohim më larg se thjesht një ndarje mekanike territori. Kjo është edhe çështja e dytë që dua të shtroj në këtë shkrim, që lidhet me decentralizimin.
Ndarja aktuale në njësi të vogla administrative bën të pamundur decentralizimin e kompetencave dhe shërbimeve. Që nuk ka pasur asnjëherë dëshirë për decentralizim drejt qeverisjes vendore kjo është e qartë për gjithkënd, por ajo që nuk njihet është fakti tjetër, që edhe nëse do të ekzistonte dëshira e mirë për decentralizim, ky decentralizim ishte i pamundur të realizohej ose do të modifikohej keqazi dhe në mënyrë gjysmake, siç ka ndodhur rëndom, pikërisht për shkak të ndarjes aktuale administrative e territoriale. Është e qartë tashmë që nuk mund të decentralizohej as dje e nuk mund të decentralizohet as sot arsimi, nëse Drejtoritë apo Zyrat Arsimore janë të organizuara mbi bazë rrethi, ndërkohë që në përbërje të rrethit janë pesë, shtatë apo pesëmbëdhjetë njësi administrative, secila me kryetarin e vet, me këshillin e vet dhe me administratën e vet. Për aq kohë sa ne do të kemi 38 drejtori dhe zyra arsimore dhe më shumë se 380 njësi të qeverisjes vendore, nuk mund të kemi asnjëherë decentralizim të arsimit, pjesëmarrje të komunitetit në shkolla dhe cilësi më të mirë në arsimimin dhe edukimin e brezave. Me këtë strukturë do të vazhdojë paradoksi që njësitë vendore janë pronare të objekteve shkollore, janë përgjegjëse për mirëmbajtjen e tyre, për përballimin e të gjitha kostove të shpenzimeve dhe të dëmtimeve të tyre, por përfaqësuesit e tyre jo vetëm që nuk kanë asnjë të drejtë ndaj administrimit të objekteve shkollore dhe procesit mësimor, por shpesh edhe nuk lejohet as të hyjnë në këto objekte, që janë pronë e tyre! Këtu çështja duhet shtruar thjesht dhe direkt: duam të bëjmë reformë në arsim apo jo? Duam të përmirësojmë shkollën tonë, apo do vazhdojmë ta lëmë atë peng në duart e politikës? Duam që të arsimojmë me mësues apo me militantë që ndërrohen sipas partisë së radhës në pushtet? Nëse duam ndryshimin, duhet të kryejmë reformën e vërtetë në arsim dhe nëse duam të kryejmë Reformën në Arsim, duhet të kryejmë Reformën Administrative e Territoriale. Këtu ndahen edhe rrugët e atyre që shohin interesat personale ose ato partiake me ata që shohin përtej kësaj dhe që duan që realisht të transformojnë shoqërinë, edhe duke hequr dorë nga llogaritë e vogla me numra e me vota.
Përmenda arsimin si model të nevojës emergjente për ndryshim, por e njëjta situatë është edhe për shëndetësinë, që sërish është e organizuar në bazë rrethi. E njëjta situatë është me Policinë e Shtetit, me zyrat e punësimit, me agjencitë e sigurimeve shoqërore, me zyrat e regjistrimit të pasurive, me ndërmarrjet e mirëmbajtjes së rrugëve, me ndërmarrjet e ujërave dhe ato të bujqësisë, me kontrollin e ushqimeve, të mjedisit, etj., etj. Asnjë nga këto shërbime nuk mund të përmirësohet nëse nuk decentralizohet dhe asnjë prej tyre nuk mund të decentralizohet nëse nuk ndodh reforma administrative territoriale. Të gjitha këto institucione do të mbeten peng i politikës dhe i partive politike dhe i militantëve që do të zënë vend ose do të lirojnë vendin sa herë që një parti do të vijë ose do të ikë nga pushteti. Ato kanë shansin të bëhen pjesë e administrimit nga specialistët dhe nëpunësit civilë, nëse shërbimet decentralizohen dhe ato bëhen pjesë e qeverisjes vendore që votëbesohen nga vetë qytetarët përfitues të shërbimeve të tyre. Këshillat e bashkive dhe kryetarët e njësive të reja administrative, do të dinë të ofrojnë më mirë atë që të emëruarit politikë të qeverive nëpër qarqe e nëpër rrethe nuk kanë ditur ta bëjnë asnjëherë në këta më shumë se njëzet vjet.
Lexuesi i këtij shkrimi mund ta kundërshtojë idenë e decentralizimit të përshkruar më lart, me arsyet që kryetarët dhe këshillat aktualë të qeverisjes vendore nuk kanë justifikuar plotësisht besimin dhe ndoshta nuk japin shpresa reale për të marrë më shumë përgjegjësi. Ky dyshim i arsyeshëm dhe ndoshta edhe në kufijtë e mosbesimit, është sërish një arsye më shumë për reformën që do t’i kthejë bashkitë në njësi vetëqeverisëse të afta financiarisht, me punonjës të kualifikuar, të gatshme për të marrë më shumë përgjegjësi dhe për t’i kryer ato me sukses.
Një ndarje e re administrative territoriale e kombinuar me përmirësime ligjore, si dhe me një strategji të qartë të decentralizimit, që përcakton qartazi përmirësimet, si dhe afatet e realizimit të tyre, mund të quhet një reformë e vërtetë, që do të prodhojë efekte pozitive në jetën e çdo qytetari. Për këtë reformë të vërtetë, Shoqata për Autonomi Vendore ofron mbështetjen e saj të plotë nëpërmjet më shumë se 160 të zgjedhur vendorë kryetarë bashkie dhe komune, nëpërmjet disa mijëra të tjerë të zgjedhur në këshillat bashkiakë e komunalë, si dhe me të gjitha mjetet dhe mundësitë që ajo disponon.
Ne besojmë se Reforma Administrative Territoriale dhe ajo Decentralizuese do të sjellin transformimin e madh të shoqërisë sonë, me shpresën që nga kjo reformë, shoqëria jonë do të përmirësohet në çdo qelizë të saj.
* Kryetar i Bashkisë së Pogradecit, kryetar i Shoqatës për Autonomi Vendore