A i asimilon Reforma Territoriale minoritetet?

Nga Ben Andoni, botuar në Java, 3 shkurt 2014

Pak ose aspak është folur deri më tani në përgatitjen e Reformës Territoriale për vendin e minoriteteve. Në draftin e përgatitur vite më parë, problemi përmendet në risqet që mund të përcjellë fenomeni me dominimin e shumicës shqiptare, ndërsa në përgatitjet e deri-më-tanishme pothuaj s’është përmendur fare…Megjithatë, minoritarët kanë filluar të përdorin pak më shumë fjalorin asimilim në fjalorin e tyre…

Në tryezën e rrumbullakët për pakicat, që organizoi Avokati i Popullit pak javë më parë, në morinë e problemeve pa fund të prezantuara nga minoritetet, ai që u artikulua disi me rezervë dhe më me shqetësim ishte pa asnjë dyshim çështja e Reformës Territoriale. Askush prej panelistëve nuk ish në gjendje të artikulonte diçka konkrete, kurse vetë përfaqësuesit e minoriteteve ndjeheshin të tërhequr. Kuptohet që pas asaj dite, asgjë nuk është artikuluar më, kurse Reforma është akoma duke marrë energjinë e përgatitjes së komisionit politik, që do ketë përfaqësimin e dy partive kryesore në vend. Gjithsesi, me atë që parashikojnë shumica e specialistëve me Reformën, Shqipëria realisht përfiton dhe mbi të gjitha do ketë efikasitet për t’u ardhur në ndihmë vetë njerëzve. Gjithsesi, nuk mund të përjashtohen sikletet që lindin.

Në draftin e përgatitur vite më parë dhe që do të jetë me shumë gjasa baza kryesore e draftit të ri, gjërat janë të përcaktuara qartë, pa harruar të theksohet atë që i frikëson komunat e vogla dhe në këtë rast komunat minoritare: largësia nga njësitë që do ja dyfishojë mundimin e përgatitjes së dokumenteve të ndryshme apo utilitete të tjera që u kërkohen. Por, nga ana tjetër bashkimi mund të përcjellë dhe tensione etnike, kur fshatra fqinje kanë etni të ndryshme. Ndodh kjo me komunat e pakicës maqedone, por më së shumti vllehe, që janë të rrethuar me fshatrat jo të etnisë së tyre. Në këtë rast, minoritetet mund të ndihen të dominuara. Në një rast të fundit, kryetari i komunës i Liqenasit ankohej për përfaqësuesit e Aleancës Kuq-e-zi që kishin ardhur dhe ishin futur me forcë në mjediset e tyre duke shkaktuar shumë tollovi dhe që ata nuk kishin ku të ankoheshin ose kur ankesa ishte marrë parasysh, dënimi i këtij rasti kish qenë gati qesharak! Në këtë rast, në mënyrë specifike në draftin e shkuar cilësohej “p.sh. komuna Liqenas që banohet nga minoritet Maqedonas, ndonëse është njësi relativisht e vogël, duhet të ekzistojë si njësi e veçantë duke marrë në konsideratë këtë faktor.(Citohet nga drafti)”.

Gjithsesi, përfaqësues të tjerë të komunitetit shprehen se reforma ashtu si është menduar duket e vlefshme dhe madje duhet bërë sa më parë. Ndër ta, një nga përfaqësuesit më të respektuar të komuniteti vlleh, z.Niko Simaku cilëson se: “Jam dëshmitar në një nga komunat ku veroj. Të vjen keq kur sheh nëpunësit e saj që rijnë pa punë. Kush shkon për bar, kush me lopët sipas radhës, të tjerë në qytet duke nxjerrë arsye nga më të ndryshme. I sheh duke bërë drutë e zjarrit në orarin zyrtar”. Ndoshta edhe pse nuk ka ardhur ende koha që të mendohet në mënyrë specifike për shumë kleçka, që përcjell ky realitet, nuk mund të lemë pa cilësuar se ekspertët ende nuk e shohin minoritetin si një nga problemet e reformës, kur shikojë ashpërsinë që ka faktori politik për ta pranuar si proces. Duke iu referuar sërish draftit të shkuar kujtojmë se është menduar indirekt edhe për masa që të mund të zbusin fenomenin: ” Së pari, administrata e bashkive ose  komunave mund të ketë degë lokale në fshatrat e veta me qëllim që bashkimi të mos çojë në një akses më të vështirë për qytetarët. Kështu duhet të veprohet me zyrat e gjendjes civile që duhet të ruajnë shtrirjen ekzistuese. Këto degë duhet të jenë mjaftueshmërisht të arritshme për t’u shërbyer banorëve sipas nevojave me kohë të plotë ose me kohë të reduktuar”. Mbase kjo është një lehtësimet, por problemi i asimilimit tashmë është real, kur shikon braktisjen e fshatrave minoritare, sipas përfaqësuesve të tyre. Një fakt, që reforma me vrullin e saj mund ta shpejtojë ose të mos e ndalojë dot. “Identiteti etnik dhe kulturor nuk përcaktohet përmes kufijve territorial por përmes hapësirës reale që ne krijojmë për qytetarët që të ndihen të përfaqësuar në një institucion që ka mundësitë reale për t’u ofruar cilësisht shërbimet  që ata kanë nevojë.  Duhet të kemi parasysh, që nga pikëpamja e territorit, reforma synon shmangen e fragmentimeve hapësinore të çfarëdo natyre dhe në këtë këndvështrim edhe minoritetet nuk bëjnë përjashtim nga nevoja për integrim territorial”,shprehet specialisti Dritan Shutina, një nga njerëzit që e njeh më mirë thelbin e kësaj reforme. Ka ende kohë, por aq shumë për minoritetet që të gjejnë veten e tyre dhe të propozojnë më të mirën për ta në këtë konfigurim të ri të zhvillimeve.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi