Reforma territoriale pezull, qeveria: Do presim opozitën
Redaksionale e Mapo Online, 3 shkurt 2014
Mazhoranca është e vendosur që të realizojë përgjatë këtij viti reformën territorialo-administrative.Por pavarësisht se ka votat e duhura në parlament për ta miratuar edhe e vetme, këtë kërkon me çdo kusht që ta bëjë së bashku me opozitën. Ndaj ka vendosur të presë reflektimin e të djathtëve dhe për të cilin ajo është e bindur se do të vijë. Burime nga shumica e majtë kanë bërë të ditur dje se, pavarësisht se kanë votat e duhura në parlament, ata do të presin konsensusin e opozitës. Madje për këtë ata janë shprehur optimistë, se falë edhe ndërhyrjes së ndërkombëtarëve, por edhe garancive që i ofrohen asaj për të zhvilluar një reformë të përbashkët, opozita do të pranojë ofertën për konsensus dhe shumë shpejt do të bëhet pjesë e komisionit të posaçëm parlamentar. Ndërkohë që ministri për Pushtetin Lokal, Bledi Çuçi, i cili është dhe personi që është përcaktuar nga qeveria si përgjegjës për këtë reformë, thekson se mazhoranca mbetet e hapur për të ofruar sërish konsensus. Por sipas tij, nisur nga qëndrimi i deritanishëm i opozitës, duket qartë se ajo nuk ka interes që të bashkëpunojë për reformat që kanë të bëjnë me procesin integrues. “I kemi dhënë gjithë hapësirat e mundshme opozitës për këtë reformë. Për fat të keq, opozita e ka refuzuar, gjë që tregon që qëllimi i opozitës nuk janë reformat për t’u integruar në BE. Por qëllimi është tërësisht politik, dhe nuk del nga territori, nga bahçja e partisë. Madje është qëndrim i një personi, do thosha. Por ne jemi të hapur për të përmbushur këtë reformë me konsensus”, – tha Çuçi. Gjithsesi, ai thekson se reforma administrative s’mund të jetë peng i asnjë oreksi politik, qoftë kjo dhe forca më e madhe e opozitës. Qëndrimi i opozitës sipas tij ka habitur edhe partnerët ndërkombëtarë, pasi nuk gjendet asnjë arsye e qenësishme për të mos marrë pjesë në të. “Nuk gjejnë arsye pse të mos jenë pjesë e këtij komisioni. Madje kam takuar ambasadorët e vendeve kryesore të akredituar, dhe ata thonë se nuk e kuptojnë qëndrimin e opozitës për këtë reformë. Është një paradoks i madh, sepse instrument për të garantuar konsensusin më shumë se e drejta e vetos nuk ka. Është absurditet që vihet re qartë edhe nga partnerët ndërkombëtarë”, – tha më tej Çuçi. Duke kërkuar të qetësojë opozitën se reforma nuk ka qëllime politike, ai sjell në vëmendje të saj se në këtë reformë të dyja palët do të kenë të drejta të barabarta. “Nëse do kishim qëllim politik, ne i kemi numrat dhe nuk do i hynim krijimit të konsensusit të gjerë, dhe prezencën dhe bashkëkryesimin, e sidomos vetos, tregon se ne nuk kemi interesa politikë. Interesi ynë është për ndërtimin dhe zhvillimin e Shqipërisë, për një të ardhme 50-vjeçare. Duam një konsensus sa më të gjerë politik. Po punojmë me ekspertët më të mirë ndërkombëtarë, që reforma të mos udhëhiqet nga interesat politike. Janë dy argumente të forta që e hedhin poshtë pretendimin e opozitës”, – shtoi ministri socialist. Sa i përket asaj që synohet me këtë reformë, Çuçi sqaron se të gjitha opsionet janë të hapura, por ajo që duket e rëndësishme për të është që të kthehen njësitë vendore në qendra funksionale ekonomike e sociale, me qëllim që t’u shërbejnë siç duhet banorëve të tyre. Në këtë kuadër ai evidenton një fakt që mund të jetë produkt edhe i reformës, dhe që ka të bëjë me atë se qarqet aktuale edhe mund të mos ekzistojnë më. Sipas Çuçit, asnjë nga vendet fqinje nuk ka qarqe apo rajone. “Të gjithë fqinjët s’kanë rajone, kanë bashki dhe qeveri. Qarqet nuk ekzistojnë. Por kjo është një çështje e analizave. Por edhe nëse do të ketë qarqe, Shqipëria ka më shumë komuna e bashki se çfarë i duhen”, – u shpreh Çuçi. Të enjten e shkuar Kuvendi votoi anëtarët e majtë të komisionit të posaçëm, i cili si rrjedhojë e përcaktimeve të projektvendimit për ngritjen e tij, nuk do mund të funksionojë dot asnjë ditë, sepse kërkohet pjesëmarrja e 50 për qind plus 1 e anëtarëve. Në rast se mazhoranca do vendosë të vijojë e vetme këtë reformë, asaj do t’i duhet të ndërmarrë njërin nga dy veprimet: ose të ndryshojë projektvendimin, ose të gjejë një nga aleatët e PD-së që të bëhet pjesë e reformës.