Komisioni “Penelopa”

Nga Besnik Gjongecaj, botuar në Shqip, 31 janar 2014

Një nga dilemat më ekzistenciale për shqiptarët është dilema mbi kohën, ose e ardhmja përkundrejt së shkuarës. Gjithsesi, raporti midis kohës së jetuar dhe asaj që projektohet për të ardhmen ka devijuar esencialisht nga raporti i konceptuar deri me sot, sepse, esencialisht, edhe vetë e shkuara është relativizuar në botëkuptimin e shqiptarëve. E shkuara nuk përfaqësohet më nga komunizmi i largët. E shkuara është, thjesht, tranzicioni njëzetvjeçar; plot trishtim, po aq sa vetë e kaluara komuniste, po aq i pabesë, po aq barbar, por, gjithsesi, i ndryshëm, esencialisht. Një komision i iniciuar nga qeveria me mision reformimin e arsimit të lartë sapo e ka paraqitur këtë dilemë. Ekzaktësisht si nuk do të duhej ta paraqiste. Ekzaktësisht në formën që nuk do të duhej ta artikulonte: me të shkuarën apo me të ardhmen!? Duke e ndarë përfundimisht të sotmen nga tranzicioni i deritanishëm dhe duke e konsideruar atë, të sotmen, si kohën zero, pas së cilës fillon tik-taku që krijon një kohë tjetër, kohën e një sistemi tjetër universitar, i cili jo vetëm nuk ekziston, por nuk është projektuar kurrë si i tillë brenda kufijve të Shqipërisë! Megjithëse e shkuara ka ndryshuar, dilema jo. Madje është e njëjtë me dilemën ku si e shkuar përfshihej sistemi totalitar i pas viteve ‘90 dhe si e sotme dhe e ardhme konceptohej tranzicioni i pasviteve 90. Një dilemë përjashtuese, e egër, që vë përballë anë armiqësore, të pangjashme, të pakrahasueshme, prej të cilave njëra duhet të asgjësohet, bëhet copë e çikë, domosdoshmërisht. Si të qe në vitet 90, komisioni i sotëm qeveritar për reformën universitare fshiu tranzicionin shqiptar, madje nuk denjoi as ta përmendë atë, dhe i hapi rrugë një tranzicioni të ri. Ekzaktësisht si atëherë kur shqiptarët rrëzuan (zeruan) sistemin totalitar për t’i hapur rrugë demokracisë. I pangjashëm në thelbin e tij me atë kohë të madhe, Komisioni i sotëm, ashtu i vogël, nën sqetullën e një qeverie, duket sikur thërret: E shkuara nuk vlen kurrë! Rroftë e ardhmja!

***

Duke e zgjidhur dilemën mbi kohën po aq egërsisht sa ajo mund të zgjidhet vetëm në kufirin (“edge”) e dy kohëra përjashtuese ndaj njëra-tjetrës, ku lindja e një sistemi mund të realizohet vetëm mbi gërmadhat e sistemit tjetër, komisioni i sotëm i krijuar nga qeveria për projektimin e reformës së arsimit të lartë harron se vetë ekzistenca e tij nuk është pjesë e së sotmes, por e një rituali që është përsëritur jo rrallë në të shkuarën. Menjëherë pas fitores elektorale në vitin 2005, PD formoi një komision për ristrukturimin e kërkimit shkencor në vend dhe një komision tjetër për hartimin e ligjit të arsimit të lartë, ashtu si vetë komisioni i sotëm. Edhe në atë kohë u shtruan të njëjtat parime si edhe sot, madje u shkua shumë më larg se ç’mendohet të shkohet sot. Në fillim u mendua të homogjenizohej lënda mbi të cilën do të kryhej reformimi, pra, mbi të cilën do të vepronte ligji. Prandaj, hartimit të ligjit i parapriu projektimi i Reformës së kërkimit shkencor, e cila synonte të krijonte një sistem unik të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor, si dhe përfshirjen e të gjitha burimeve njerëzore dhe materiale në funksion të arsimimit të rinisë universitare. Madje u përfshi edhe një reformë tjetër, ajo e projektimit afatgjatë të zhvillimit universitar të vendit, sepse u projektua Master Plani i Arsimit të Lartë, një nga dokumentet më të rëndësishëm të përpiluar ndonjëherë për universitetet e këtij vendi. Lehtësisht kuptohet që komisioni i sotëm, megjithëse mbi një koncept shumë më të ngushtë, ka nisur një rrugë që është përshkruar vite më parë nga Komisioni i djeshëm. Ngjashmëria e rutinës së sotme me atë të djeshme vazhdon madje. Edhe Komisioni i djeshëm kryesohej nga një njeri pranë qeverisë, si ky i sotmi, që kishte mbrojtur doktoraturën dhe dhënë mësim në një universitet anglosakson; jo në Angli, por në Gjermani, pra në vendin ku ka lindur edhe vetë modeli von Humboldt, si zemra e sistemit anglosakson. Madje, ngjashmëria tejkalohet në favor të së shkuarës. Në Reformën e shkuar mori pjesë dhe luajti një rol shumë të rëndësishëm informues dhe formues Quentin Thomson, ish-këshilltari për arsimin i zj. Thatcher, Kryeministre e Anglisë, i cili, me siguri që, më shumë se çdo tjetër, sido që të rrotullohet puna, i njeh sistemet universitare thellë në embrionin e tyre. Mund të vazhdoj pa fund, për shkak të eksperiencës sime, të faktoj që Komisioni i sotëm i vitit 2014 nuk është gjë tjetër veçse pjesë e rutinës së komisioneve të djeshme të tranzicionit. I vetmi ndryshim mbetet të jetë që një nga komisionet e mëparshëm, ai i vitit 2006, nuk u mundua të bëhej interesant duke bërë copë e çikë të shkuarën, sepse, së paku, pranoi parimet dhe punën e bërë nga universitetet në bashkëpunim me Këshillin e Europës në ngushtinë e kohës së vitit 1996. Komisioni i sotëm po bën të kundërtën. Po bën copë e çikë të shkuarën në emër të një fillimi tjetër. Duke harruar në këtë mënyrë, fatalisht, madje në kushtet e formësimit të një plagjiature, së bashkë me të shkuarën po copëton edhe vetveten. Po vetëdizintegrohet për t’u harruar para se të fillojë punë.

***

Gjithsesi, meqenëse Komisioni i sotëm është produkt i qeverisjes socialiste, është e rëndësishme të analizojmë qëndrimin politik të vetë socialistëve në të shkuarën, kur ishin në opozitë, për të depërtuar në konceptin e tyre politik mbi universitetet e vendit. Nga pikëpamja e formës gjithçka është e qartë. Qeveria e sotme, njësoj si ajo e djeshme, ka zgjedhur të njëjtën rrugë për të reformuar sistemin: duke krijuar një Komision ekspertësh që do të përgatisë një platformë mbi të cilën do të mbështetet, më vonë, vendimmarrja politike e saj. Deri këtu nuk ka asgjë të jashtëzakonshme. Por, i jashtëzakonshëm mbetet të jetë aksioni politik i socialistëve në fushën e arsimit të lartë kur ishin në opozitë, i cili, paradoksialisht, nuk mori kurrë në substancë, në përmbajtje, natyrën e një aksioni opozitar, sepse shkoi vazhdimisht paralel dhe pa kundërshti me qeverisjen e demokratëve, sado e shëmtuar u bë kjo e fundit; dhe kjo është një nga gjërat më të çuditshme në politikën e këtij vendi. Opozita socialiste nuk tha asgjë kur në mars të vitit 2006 u shkel Ligji dhe autoritetet universitare vazhduan të drejtonin universitetet e vendit pa pasur mandat. Opozita socialiste nuk mbajti asnjë qëndrim kur me anë të një amendamenti paçavure qeveria e demokratëve zgjati një vit mandatin e autoriteteve universitare. Opozita socialiste nuk mbajti asnjë qëndrim kur me anë të një amendamenti që nuk mund të kishte fuqi prapavepruese, autoritetet universitare qëndruan në drejtim të universiteteve edhe për një mandat tjetër. Opozita socialiste nuk mbajti asnjë qëndrim dhe nuk përkrahu variantin e Ligjit të përgatitur nga Profesorati Shqiptar “Për Arsimin e Lartë” të paraqitur dhe të mbrojtur para “Komisionit Parlamentar të Arsimit” të Kuvendit, megjithëse në të ishin mishëruar të gjitha parimet që sot mundohet t’i materializojë Komisioni. Përkundrazi. Opozita socialiste heshti dhe pranoi në vitin 2007 miratimin e një Ligji për Arsimin e Lartë që e nxori Shqipërinë nga sistemi i Bolonjës dhe e la atë jashtë për një kohë të gjatë për shkak të kualifikimeve monstruoze që parashikoheshin në të. Opozita socialiste nuk mbështeti Master Planin e përpunuar nga ekspertë të njohur të Bankës Botërore dhe aq më shumë, nuk ushtroi presion mbi qeverinë e asaj kohe që ky dokument, si një plan zhvillimi afatgjatë, të miratohej në Kuvend para vetë Ligjit, pasi vetë Ligji nuk është gjë tjetër veçse një pjesë, konkretisht pjesa ligjore e Master Planit. Opozita socialiste e asaj kohe nuk ushtroi presion, me gjithë rekomandimet e bëra nga Profesorati Shqiptar, që t’i impononte Kuvendit të asaj kohe që dokumenti i Master Planit të miratohej prej tij dhe jo vetëm kaq, por edhe me tri të pestat e Kuvendit, që të mos kishte mundësi të çmontohej lehtësisht nga qeverisjet që do të vinin. Më në fund, opozita socialiste heshti dhe nuk u çua në këmbë, ashtu si një opozitë e vërtetë duhet të bëjë, kur i gjithë procesi i zbatimit të Reformës së Kërkimit Shkencor, i materializimit të Master Planit, i aplikimit të parimeve demokratike në Ligjin e Arsimit të Lartë, u komprometuan rëndshëm nga vetë qeveria e demokratëve. Pasi dolën nga duart e ekspertëve, qeveria e demokratëve i transformoi dokumentet kryesore të Reformës në të kundërtën e frymës dhe të thelbit të tyre, i zbatoi ashtu si nuk do të duhej të zbatoheshin, duke i bërë një dëm të pandreqshëm sistemit universitar shqiptar, duke e gjymtuar atë. Gjymtim që do të mbetet i tillë edhe për shumë kohë që vijnë.

***

Asgjë të re nuk ka në reformën e sistemit universitar të iniciuar nga qeveria e sotme nëpërmjet krijimit të Komisionit. Gjithçka që ky Komision kërkon të provojë sot është provuar në të shkuarën. Dokumentet janë aty dhe të përgatitura me një profesionalizëm shumë të lartë, ndoshta edhe të paimagjinueshëm për anëtarët e tij. Sistemi universitar shqiptar u zhyt në mjerim jo për shkak të konceptimit të gabuar të Reformës, por për shkak të zbatimit kriminalizues të saj. Personazhet politike përgjegjës të qeverisjeve të shkuara do të duhet të japin një ditë llogari për këtë dhe me siguri që do të ndodhë kështu. E gjithë analiza e kryer këtu, megjithëse e ngushtuar në kornizën e një shkrimi, mbështetet rëndshëm, jashtë çdo dyshimi, mbi fakte dhe ngjarje që nuk mund t’i deformojë kush, madje nuk mund t’i gërryejë as koha. Prandaj mbi të mund të ngrihen konkluzione dhe ai më kryesori është se sot nuk është kohë komisionesh, përkundrazi, sot është koha e politikës. Në fund të fundit, ato tetë vite të gjata që kaluan na mësuan një gjë thelbësore: se beteja në terrenin universitar, në terrenin teknik, ka përfunduar pa rezultat dhe se të vazhdosh atë do të thotë se lufton në një terren të gabuar. Beteja duhet të zhvillohet në terrenin e politikës. Beteja tashmë nuk mund të jetë e asnjë Komisioni, madje as vetëm e universitarëve, por e krejt qytetarëve të këtij vendi. Aq më shumë nuk mund të jetë e një Komisioni që mendon se mund të kesh sukses duke bërë, në rastin më të mirë, sikur nuk di gjë se ç’është ndërtuar më parë. Universitetet shqiptare nuk kanë më nevojë për Komisionin “Penelopa”. Sot diferencën e bën qeverisja, vullneti i saj politik. Sot, prandaj, është kohë kthese, kohë paralajmërimi.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi