Dy parakushtet për sukses të reformës territoriale

Nga Gentjan Kaprata, botuar në Mapo Online, 31 dhjetor 2014

Elita politike shqiptare bie dakord për domosdoshmërinë e një reforme territoriale. Të gjitha palët gentian kapratapolitike mendojnë se një ndarje e re territoriale do ndikojë pozitivisht në qeverisjen e mirë vendore. Të njëjtin mendim ndan edhe ekspertiza e profileve të ndryshme, por edhe shoqëria civile. Konsensus më të gjerë shoqëror, mbi nevojën e ndërmarrjes së një nisme të tillë, është i tepërt të kërkohet. Dhe ka kuptim. Sot Shqipëria ka të njëjtën ndarje administrative sikurse 20 vjet më parë ndërkohë që popullata ka përjetuar lëvizje të forta nëpër territor. Realiteti i ri urban patjetër duhet projektuar në një ndarje të re administrative, e cila duhet të jetë në paralel me numrin e banorëve të një njësie të qeverisjes vendore dhe sipërfaqes së shtrirjes së saj. Këto janë dy nga treguesit më të rëndësishëm për formulimin e kësaj reforme. Kurse, synimi kryesor është shërbimi sa më i mirë ndaj qytetarëve. Pra, ndarja e funksioneve qeverisëse në një frymë të fortë decentralizuese, midis dy niveleve.

Në një kontekst të tillë, pyetja e parë që lind është se sa produktive dhe afatgjatë do të jetë produkti i kësaj reforme? Sepse duhet thënë qartë dhe që në fillim. Gjendja faktike e shpërndarjes së popullsisë nëpër territorin kombëtar nuk është një produkt i një qasje apo qëndrimi politik të caktuar qeverisës, por, produkt i vendimmarrjeve personale dhe i fragmentarizuar i familjeve shqiptare. Dhe se ky realitet nuk mund të merret si tabu dhe përfundimtar. Vetë konteksti formues i kësaj gjendjeje ishte i rastësishëm dhe në kushte shumë specifike. Kushte të një përmbysjeje të madhe jo vetëm ideologjike dhe që as nuk mund të përsëriten më as nuk mund të ngelen të pandryshuara. Në këtë kontekst, një reformë territoriale pa një qëndrim të ri politik mbi shpërndarjen e popullsisë në mënyrë të balancuar nëpër territor do të ishte një gabim i madh.

Një gabim edhe më i madh do ishte ndërmarrja e nisme të tillë pa qartësuar më parë funksionet dhe kompetencat e secilit nivel qeverisës. Në fakt, ne kemi një ligj që përcakton kush janë funksionet e ‘përbashkëta’, ‘të deleguara’ dhe të ‘veta’ të njësive të pushtetit vendor që prej vitit 2001. Kemi gjithashtu, praktika dhjetëvjeçare qeverisëse të këtyre njësive në kryerjen e këtyre funksioneve. Praktika cilat mund të vlerësohen si të mira apo të këqija, në përputhje me ligjin apo në shkelje të tij, por sidoqoftë kishim një qasje qeverisje me dy nivele. Bile, po tentohej të shkohej më tej. Po tentohej t’u kalohej edhe e drejta praktike për politikëbërje lokale. Ku në përputhje me specifikat lokale pushteti vendor mund të hartonte politikat e veta. Ishim në rrugën e duhur. Por performanca e qeverisjes së re i ktheu këto përpjekje në ëndrra të largëta.

Dhe do mbeten të tilla për sa kohë qeverisja qendrore e sheh veten si “shefi” i qeverisjes vendore dhe jo si një nivel tjetër i qeverisjes. Që ka funksione dhe kompetenca të tjera. Që është votuar për të tjera detyra. Është votuar për të formuluar politika në kuadër kombëtar dhe jo për të kryer funksionet e njësive të qeverisjes vendore. Askush nuk e ka votuar qeverisjen qendrore për të mbledhur taksat e pushtetit vendor. Askush nuk e ka votuar qeverinë qendrore për lejedhënie në ndërtim. As për të vlerësuar nëse një ndërtim është me leje apo pa leje dhe për të marrë vendim nëse duhet prishur apo jo. Askush nuk e ka votuar qeverinë qendrore për hartuar listat e të pastrehëve apo të familjeve në nevojë për ndihmë ekonomike. Por ajo është duke i kryer këto detyra vendore duke vënë në diskutim vijimësinë e procesit të decentralizimit.

Kështu, qeverisja e re ka ndërmarrë një nisëm për ndarje territorialo-administrative pa përcaktuar më parë si e shikon të ardhmen e vendosjes së popullsisë nëpër territor dhe të ardhmen e ndarjes së funksioneve midis dy niveleve qeverisëse. Madje duke shkuar në kah të kundërt për këto çështje. Prandaj reforma territoriale nuk premton përfundime të qëndrueshme dhe në  shërbim të brezave të sotëm apo të ardhshëm. Ajo pritet të denigrojë në një hartë tjetër dhe me kufij të rinj, por që nuk mbart asnjë gjë të re. Dhe që koha do ta vjetërsojë shumë shpejt.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi