Pabarazia dhe disa nga arsyet e krizës botërore
Nga Ermir Dardha, botuar në Mapo Online, 28 janar 2014
Rritja e pabarazisë në ekonomitë e zhvilluara globale e vendosi botën përballë një krize dhe recesioni. Cilat janë zgjidhjet për daljen nga kriza? Një përmbledhje e fundit e analizave më të mira ekonomike nga profesorë, analistë e nobelistë, si dhe një opinion personal mbi mbrojtjen nga kriza në Shqipëri.
Amerika me shkollën e saj të mendimit na kujton gjithmonë vendin e bazuar mbi demokracinë në politikë, dhe tregtinë e lirë në ekonomi. Dr. Henry Kissinger na shpjegon që sistemi amerikan i kapitalizmit, me gjithë problemet e tij, do të triumfonte mbi atë të ish-Bashkimit Sovjetik, referuar librit të këtij nobelisti të paqes me titull “Diplomacia”.
Por tashmë 25 vjet pas rënies së Murit të Berlinit, efekti domino do të përhapej edhe në pjesën tjetër të botës, duke e kthyer edhe atë nga një sistem antikapitalist në një sistem kapitalist. Teoritë e dorës së padukshme të Adam Smith-it, ku ofertë-kërkesa e tregjeve vetërregullon sistemin kapitalist, sot mund të themi që ngelen vetëm në teori. Por edhe teori të tjera liberale të ekonomisë nuk mund të lihen pa u analizuar. Lënia në dorë të lirë të sistemit dhe pa kontroll do të grumbullonte kapitalet me një lakmi që nuk njeh kufi. Referuar profesorit Robert Reich në Politika Publike, Universiteti i Kalifornisë dhe ish-Sekretar i Punës në administratën e presidentit Klinton, i cili konsiderohet si Sekretari më i mirë i shek. të 20-të, pabarazia është rritur nga 1979 në 2010-ën dhe ku 400 njerëzit më të pasur të Amerikës zotërojnë kapitale sa gjysma e popullsisë së Amerikës. Për këtë, Amerika në botë ka shpërndarjen më të pabarabartë. Rregullat e lojës së ekonomisë amerikane mund të përmirësohen nëpërmjet demokracisë funksionale. Kriza sipas Reich ka filluar përkatësisht pas përqendrimeve masive të kapitalit në pak duar, përkatësisht në dy shembje bursash në 1928 dhe 2007, ku ngjashmëritë janë shokuese dhe në 2012-ën kjo diferencë arrin kulmin, ku 95% e të ardhurave u përvetësuan nga 1% e popullsisë. Pavarësisht pikëpamjeve politike, ka gabime të shumta që duhen korrigjuar, shprehet Profesor Reich. Dhe zgjidhja, sipas tij vjen në vendosjen e sistemit të taksave efektive mbi të ardhurat deri në 50% në Amerikën e Hajzenaurit në vitet 1950. “Kapitalizmi është sistemi më i mirë që njeh historia globale, por që të mirëfunksionojë duhet ta ruajmë atë nga vetvetja”, – shprehet profesor Reich.
Përveç dallimit brenda shtresave dhe kategorive, Europa me shtetet e saj anëtare ka një problemtjetër, atë të kategorizimit të shteteve. Gjermania, lokomotiva europiane, Franca dhe Belgjika që ecin disi më mirë. Ndërsa nga ana tjetër kemi shtete si Anglia në recesion, që po del nga stanjacioni apo gjendja pezull për shkak të paundit, që tashmë e ka kaluar krizën, ndërkohë që Irlanda dhe Italia janë në situatë të rëndë ekonomike; Greqia në krizë të thellë, si dhe Spanja në depresion. Referuar Joseph Stiglitz dhe pikëpamjes së tij mbi recesionin në Europë, është e rëndësishme për ne shqiptarët që dëshirojmë të bëhemi pjesë e Europës. Joseph Stiglitz është një ekonomist që ka punuar për administratën Klinton në vitet 1995-‘97 si Këshilltar ekonomik dhe ka marrë çmimin “Nobel” në ekonomi në vitin 2001. GDP-ja në rënie në Itali, apo niveli i papunësisë së të rinjve në Greqi e Spanjë i kalon 50%. Por kjo krizë është totalisht e sjellë nga njeriu, dhe ka një emër, euro. Nobelisti Stiglitz shpjegon se integrimi ekonomik me një monedhë të përbashkët duke mos pasur e ruajtur një kornizë rregullash, solli këtë situatë të vështirë. Kushtet për t’u zbatuar ishin vendosur si 3% inflacion dhe jo shumë se 16% borxh. Por kjo nuk mjaftoi, Europa duhet ose të integrohet më shumë, ose të veprojë e ndarë. Ai veçon tri pika kryesore që ndihmojnë në zgjidhjen e situatës. E para, krijimi i një unioni fiskal dhe aplikimi i eurobondit. E dyta, krijimi i një unioni bankar që mosbesimi në sistemet bankare të shteteve europiane në recesion të thellë të zhduket dhe të mos kemi kategorizime të padrejta. Nga kjo situatë ngërçi nevojitet një plan rritjeje dhe zhvillimi e industrializimi. “Në përfundim, nëse nuk ndërmerren reformat e duhura në kohën që e kërkon tregu, kam frikë, – shprehet Profesor Stiglitz, – se euroja do të sakrifikohet. Sepse në vend ta bashkojë, ajo po e ndan Europën”.
Si konkluzion, Shqipëria duhet të marrë më të mirën nga debati botëror, i cili konsiston në thelbin që shtetet duhet të aplikojnë politika ekonomike të tilla që duhet të rrisin nivelin e barazisë së konkurrueshmërisë së individëve brenda një shteti. Kjo nuk do të thotë të shuhet pabarazia ekonomike, por të jetë nën kontroll distanca ndërmjet tri grup-kategorive apo shtresave; super të pasurve, të asaj të mesme dhe të varfërve. Gjithashtu zgjidhja duhet të marrë në mbrojtje bazën nga varfëria ekstreme, dhënien e mundësive të shanseve të barabarta sidomos të fëmijëve të kësaj kategorie për të pasur të drejta shkollimi apo profilizimi në zanate profesionale, me qëllim që kjo kategori t’i afrohet kategorisë së mesme. Këtu vjen edhe pjesa më me rëndësi për kategorinë e mesme, familjeve që jo vetëm buxhetojnë shpenzimet por që gjerësisht investimi më i madh dhe gjithçka që ato zotërojnë është një shtëpi. Gjithë ekonomia e konsumit është mbështetur në këtë kategori dhe kjo duhet mbrojtur me politika ekonomike që kjo kategori të zgjerojë bazën, në mënyrë që të zvogëlojë diferencën duke mbajtur kategoritë e tjera larg ekstremiteteve. Shqipëria duhet të jetë në nivel konkurrueshmërie të produkteve prodhuese të industrisë, bujqësisë apo turizmit. Funksionimi i sistemit të drejtësisë përsa i përket luftës ndaj korrupsionit dhe rikuperimit të kredive të këqija, që do të sjellë dhe uljen e riskut të mosshlyerjeve të kredive në sistemin bankar. Duke qenë se ky ka qenë dhe më i larti pas krizës globale, kjo u shfaq edhe tek ne pas 2008-ës në mosshlyerjen e kredive, si dhe mosekzekutimet e kolateralit si rrjedhojë e mosfunksionimit të sistemit të drejtësisë. Gjithashtu dhe pasja e një monitorimi nga ana tjetër për mbrojtjen e konsumatorit për mosmbingarkim me kredi, për mos të rënë në kurthin e borxhit, siç ka ngjarë në ekonomitë e tjera në Amerikën e Veriut, si dhe në Mbretërinë e Bashkuar por edhe në Europën Perëndimore.