A kemi dalë vërtet nga tranzicioni?
Nga Skender Minxhozi, botuar në JAVA, 28 janar 2014
Kjo paaftësi endemike për t’u ulur në tryezë dhe për të arritur marrëveshje madhore, është një shenjë e sigurtë se tranzicioni në këtë vend jo vetëm që nuk është shkulur ende, por vijon të mbijetojë në stilin, konceptin dhe sjelljen e politikanëve kryesorë të vendit.
Këto orë politika shqiptare po tregon se i është kthyer reflekseve më të vjetra të saj, duke vënë në përdorim, krahas fjalorit të saj të njohur të ashpër, edhe një armë të vjetër sa edhe vetë mosha e pluralizmit: mungesën totale të vullnetit për t’u marrë vesh mes vetes! Pas përplasjeve për reformën në administratën shtetërore, pas refuzimit të prerë dhe të politizuar për çdo tentativë për të reformuar sistemin e drejtësisë, më e fundit që po e pëson nga akulli mes partive të mëdha duket se do të jetë reforma territoriale. Një nismë që parashikon t’i ndryshojë kryekëput pamjen një pushteti vendor të zhytur në abuzim, injorancë e klientelizëm politik. Nuk dihet ndërkohë se ç’fat do të ketë reforma arsimore, pasi ende ndodhet në hapat e para të saj.
Në 23 qershor, kur Shqipëria habiti vetveten dhe ndërkombëtarët me rotacionin paqësor të pushtetit, shumëkush u hodh përpjetë e brohoriti me gëzim se tranzicioni postkomunist dha shpirt. E ky sihariq, i cili në ato momente dukej i vërtetë dhe i prekshëm, mbështetej në faktin se klasa politike ja kishte arritur të bënte rotacionin e dytë paqësor rresht, të pushtetit qendror. Kjo aksiomë politike, e cila figuron në shumë e shumë manuale e libra të shkencave politike, ka megjithatë përjashtimin e saj shqiptar. Sepse mesa po shohim në këto orë, zgjedhjet e fundit sollën vërtet ndryshimin e qeverisjes dhe kalimin e pushtetit nga njëri krah në tjetrin, porse defektet e sëmundjet e tjera të sistemit të deformuar shqiptar ndodhen sërish aty, të plotfuqishme dhe të paevitueshme.
Është normale që një parlament të bëjë debate dhe sherre, të përdorë madje edhe gjuhë të fortë, e ndoshta edhe fyerje të rënda si ato që dëgjuam në prag të Vitit të Ri, kur miratohej ligji financiar. Në çdo vend të botës së zhvilluar parlamentet debatojnë e disa herë shkojnë edhe në përplasje fizike. Bota e informacionit global ofron shembuj thuajse të përditshëm me deputetë që kacafyten (për hir të të vërtetës, kjo ndodh shumë rrallë brenda kontinentit ku jetojmë).
Është gjithashtu e kuptueshme që pozita dhe opozita të mos pajtohen në shumë e shumë gjëra, që të kenë vizione dhe ide të ndryshme për shtetin, shoqërinë, ekonominë dhe sferat e tjera të jetës sociale. Por është krejt e pakuptueshme, arkaike dhe e tejkaluar që dy palët e mëdha politike të mos merren vesh për asnjërën nga pikat e axhendës kombëtare që kanë mbi tryezë. Është jonormale, për shembull, që t’i mëshohet bllokimit dhe bojkotit, për një reformë si ajo territoriale, ku të gjithë e shohin batërdinë që shtrihet nga Vermoshi në Konispol. Dhe kur ka konsensus për nevojën e saj, qoftë edhe në parim, është mjaft e vështirë të kuptohet bllokimi i saj përmes futjes në axhendë të pretendimeve të tjera, që nuk kanë të bëjnë fare me të! Dikur qeveria e djathtë e akuzonte (jo pa të drejtë) opozitën e majtë, se po bllokonte integrimin, duke vënë mbi tryezë krizën e organeve vendore të Fierit. Sot në opozitë, e djathta po bën fiks të njëjtën gjë, duke e kushtëzuar reformën territoriale, me probleme të tjera që nuk lidhen me të.
Kjo paaftësi endemike për t’u ulur në tryezë dhe për të arritur marrëveshje madhore, është një shenjë e sigurtë se tranzicioni në këtë vend jo vetëm që nuk është shkulur ende, por vijon të mbijetojë në stilin, konceptin dhe sjelljen e politikanëve kryesorë të vendit. Do të duhet të presim ende që të kërcejmë përpjetë nga gëzimi për daljen nga tuneli. Jemi akoma brenda tij.