Reforma territoriale ose Epoka e Tretë
Nga Bashkim Muça, botuar në Shqiptarja.com, 27 janar 2014
Modeli i sotëm i ndarjes territoriale, i aplikuar që prej vitit 1992, është marrë nga koha e Zogut. Atëkohë Shqipëria administrativo-territoriale ishte e ndarë në 10 Prefektuara, ndërsa sot, për shkak të ndryshimeve të mëdha demografike, ekonomike dhe sociale, kemi dy prefektura të reja: Lezhën dhe Fierin. Zingjiri i administratës vendore është i të njëjtit model: Prefekturë-Rreth (Nënprefekturë)-Bashki/Komune-Fshat, ku institucionet më të rëndësishme janë Prefektura dhe Bashkia/Komuna.
Gjatë kohës së komunizmit (1945-1990) gradualisht qeverisja vendore ka funksionuar sipas skemës: Rreth-Qytet-Fshatra të Bashkuar/Ferma Bujqësore. Institucioni i Rrethit ka qenë më i rëndësishmi dhe i vetmi i tillë. Shqipëria ka patur 26 rrethe të cilat drejtoheshin nga Komitetet Ekzekutive. Qytetet drejtoheshin nga Këshillat Popullore, që nuk kishin kompentenca ekzekutive, ndërsa Fshatrat e Bashkuara drejtoheshin nga Këshillat e Bashkuara/Ndërmarrjet Bujqësore nga drejtoritë përkatëse.
Gjatë periudhës tranzitore 1991-1992, deri në adoptimin e modelit që kemi sot, pushtetet vendore u drejtuan nga Komitete Ekzekutive Pluraliste të ndërtuara mbi bazën e votave të marra nga partitë politike përkatësht në zgjedhjet parlamentare të 31 marsit 1991 dhe ato të 22 marsit 1992.
Në vitin 1992 nuk pati ndonjë diskutim me bazë të gjërë lidhur me adoptiomin e modelit të ndarjes administrative-territoriale. PD-ja nuk preferoi të merrej gjatë me këtë punë. Thjeshtë u adoptua modeli i para Luftës së Dytë Botërore dhe kaq. Fillimisht u krijuan Bashkitë dhe Komunat dhe u rujajt struktura e rretheve. Më vonë, në vitin 1996, rrethet u suprimuan, u krijuan Prefektuarat . siç e thamë 12 prefektura dhe akoma më vonë në çdo prefekturë u mbivendosën qarqet, ndërsa rrethet u konvertuan në nënprefektura. Kjo ndarje, me disa modifikime rrugës, është edhe sot.
Pavarësisht se kur dhe si u zbatua modeli që kemi sot, të paktën gjatë dekadës së parë të viteve të pluralizmit, ai mund të konsiderohet i suksesshëm. Por fakti që lëvizjet e popullsisë në Shqipëri kanë qenë, ndryshimet ekonomike dhe sociale të thella, reforma administrative-territoriale do duhej të ishte bërë të paktën para 10 vitesh. Kështuqë, si në çdo punë tjetër, edhe në këtë reformë shqiptarët janë të vonuar.
Të gjithë e dinë se Shqipëria ka një numër shumë të madh njësish administrative Bashki/ Komuna, rreth 380 njësi të tilla shumica e të cilave nuk gjenerojnë zhvillim, por vetëm marrin nga taksat e qytetarëve shqiptarë për të paguar rroga administratorësh parazitë, të panevojshëm. Shqipëria ka po ashtu një numër shumë të madh këshilltarësh, mbi 6 mijë, që marrin shpërblime mujore vetëm për të marrë formalisht vendime që ndajnë atë çfarë komunave u vjen nga qendra, përkrahejn sociale dhe ndonjë bursë për nxënës e studentë. Miliona euro në vit shkojnë për të mbajtur disa administrata ku kryetarët qeverisin vetëm kushurinjtë e tyre. Kemi dhjetra komuna me më pak se 1 mijë zgjedhës dhe nuk ka kuptim të ekzistojnë si të tilla. Për sipërfaqen dhe numrin popullsisë Shqipëria ka numrin më të madh të njësive administrative në rajonin e Ballkanit. Serbia me popullsi dyfish dhe sipërfaqe mbi trefish, nga ne, ka 138 njësi, Kroacia me popullsi dhe sipërfaqe gati dyfish ka 429 njësi, Sllovenia me popullsi dhe sipërfaqe pak më të vogël ka 211 njësi, Maqedonia me parametra të përafërta me ne ka 84 njësi, Mali i Zi me sipërfaqe dy herë dhe popullsi pesë herë më të vogël ka vetëm 21 njësi, njëzet herë më pak pra, ndërsa Kosova me parametra të përgjysmuara në raport me ne ka 38 njësi, ose dhjetë herë më pak.
Askush nuk thotë se reforma nuk duhet bërë. Më parë PS-ja në pushtet (1997-2005) e më pas edhe PD-ja (2005-2013) e kanë pasur në plan miratimin e një reformë të tillë, por në të vërtetë PS-ja nuk pati kohë pasi u kujtua vonë, ndërsa PD -ja, fillimisht nuk e pati vullnetin, ndërsa në mandatin e dytë qeverisës pati një shumicë të kontestuar nga opozita, gjë që nuk favorizonte konsensus për të ndërmarrë një reformë kaq të rëndësishme për të cilën po flasim. Duhet ditur që kjo është ndër reformat më të mëdha që mund të bëjë një shtet, një komb, e krahasueshme vetëm me reforma që përcaktojnë sistemin politik, po aq e rëndësishme sa vetë sistemi. Në njëfarë mënyre është miratimi i një sistemi më vete qeverisës për funksionimin e të cilit vendi zhvillon zgjedhje çdo katër vjet.
Parlamenti ka miratuar, vetëm me votat e shumicës, ngritjen e një komisioni të posaçëm parlamentar me 16 anëtarë, me pjesëmarrje të barabartë të shumicës dhe opozitës (secila nga 8 anëtarë) dhe me të drejtë vetoje, për të cilin parimisht ishte rënë dakord. Opozita e ka bojkotuar nisjen e procesit duke kërkuar garanci për konsensus në të gjitha hapat si dhe duke vendosur kushte që lidhen me ndryshimin e disa krerëve të institucioneve.
Një ditë më herët, shumica e prezantoi nismën e saj për reformën administrative-territoriale, në praninë e përfaqësive më të rëndësishme diplomatike në Tiranë, nga ku Kryeministri Edi Rama shprehu gadishmërinë për ti njohur opozitës të drejtën e barazisë së plotë në komision, përfshirë edhe të drejtën e vetos. Për realizimin e kësaj reforme Qeveria ka siguruar mbështetje finaciare dhe asistencë teknike nga disa institucione të njohura ndërkombëtare si SIDA, USAID, SDC, PNUD, Kooperacioni Italian dhe OSBE.
Megjithëkëtë Kryeministri Rama ka lënë të kuptohet se, në rast se opozita nuk do të përfshihet në proces, ai do të përdorë shumicën e cilësuar si arsyen e fundit ta miratuar këtë reformë. Që do të thotë se brenda kësaj legjislature Shqipëria do të ketë një ndarje të re administrative-territoriale, të paktën me votat e shumicës në Parlament.
Në këto rrethana problemi kryesor mbetet përfshirja e opozitës në këtë proces. Me sa kuptohet dyshimi më i madh i opozitës është se, në rast dështimi të konsensusit në komisionin parlamentar qoftë edhe për një çështje të vetme, shumica do ta miratojë ligjin në Kuvend pa konsensus dhe këtu gjithçka prishet. Opozita po kërkon një garanci që është e vështirë të jepet sepse i bie që shumica duhet të marrë parasysh çdo tekë, çdo kapriçio të opozitës, e cila duke qenë në këtë pozicion nuk mban përgjegjësi për reformat aq sa Qeveria, që është votuar për këtë punë. Kështu i bie që shumica të miratojë një draft të opozitës dhe kjo nuk ka sens kur flitet për konsensus. Pyetjet që shtrohen në këto momente ngërçi akoma pa filluar janë: A ka interes opozita të përsërisë rastin e bojkotit të procesit për miratimin e Kushtetutës më 1998? Sa janë gjasat që shumica të bëjë hile bazuar në interesa elektorale, siç pretendon opozita? Si mund të dilet nga ky ngërç?
Së pari, opozita duhet të kujtojë se sot Shqipëria ka një Kushtetutë të standardeve ndërkombëtare miratuar pa pjesëmarrjen e saj në nëntor 1998, në një periudhë shumë më të vështirë. Megjithatë për Kushtetutën nuk flitet më, ajo e ka pranuar. Opozita vetëm sa humbi pikë me bojkotin që i bëri procesit të miratimit të dokumentit më të rëndësishëm të një shteti, Kushtetutës. Ajo duhet ta kujtojë këtë moment për të mos përsëritur të njëjtin gabim.
Së dyti, reforma territoriale lidhet më së pari me traditën, lëvizjet demografike, nivelin ekonomik dhe gjendjen sociale të vendit. Nuk ekziston ndonjë arsye e fortë për të kërkuar përfitime politike, sepse në fund të fundit, populli shqiptar po ai është, as nuk shtohet as nuk paksohet, sido që ti ndërtosh njësitë administrative. Krijimi i njësive për interesa politike-elektorale do kishte efektin boomerang, sepse nëse pretendon të fitosh njërën njësi, do humbasësh tjetrën. Njësoj si me caktimin e numrit të deputetëve në qarqe, ku shumica e PD-së, në përpjekje për të marrë maksimumin, duke manipuluar me lojëra sasiore, mori minimumin.
Së treti, në kushtet e mungesës së besimit nga ana e opozitës shikoj si mundësi për të pasur një reformë pa përplasje dhënien përparësi të ekspertizës ndërkombëtare dhe marrja parasysh e mendimit të komuniteteve në bazë.
Me një proces konsensual vështirësitë do të reduktoheshin në gjëra të kapërcyeshme që lidhen me bashkimin në një njësi të komunave që përbëhen nga fshatra me distanca të mëdha, përcaktimin e qendrave të komunave pas bashkimit të tyre, në kushtet kur shqiptarët duan të gjithë të dalin të parët, kapërcimet nga një rreth në tjetrin, nga një komunë në një bashki etj. Ndarja e re pritet të garantojë një zhvillim më harmonik urban dhe rural, menaxhim më të mirë të potencialeve njerëzore dhe natyrore, dhënien e shërbimeve më cilësore për komunitetin dhe përshtatje të qeverisjes vendore e qëndrore me zhvillimet e fundit në Shqipëri. Po ashtu kjo ndarje eliminon krijimin e “bejlerëve” të korruptuar që zgjidhen disa herë rresht si kryetarë në komunat e vogla të vendit.
Problemi më i madh në procesin e miratimit të reformës administrative-territoriale pritet të jetë ndarja territoriale dhe jo modeli administrativ. Qyshse ka filluar të funksionojë si shtet, Shqipëria ka njohur deri tani dy epoka të mëdha të ndarjes politiko-teritoriale, dy eksperienca të ndryshme, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Kjo është Epoka e Tretë ajo e stabilitetit demokratik. Janë të gjitha mundësitë që opozita do të kapërcejë vetveten, për interesa të mëdha, ndërsa shumica do të bëjë të gjitha përpjekjet për ti dhënë opozitës garancitë maksimale të barabartësisë.
Shqiptarët nuk duan të shohin një shumicë të detyruar të miratojë një reformë kapitale vetëm me votat e saj dhe as një opozitë që kërkon shkas për të zbritur në rrugë duke kërkuar të rikuperojë në kurriz të një procesi kapital. Politika duhet të jetë e përgjegjshme në një proces që është i vetëndërtuar si i barabartë në raport me interesat politike. Për të respektuar në radhë të Shqipërinë dhe qytetarët e saj.