Rama-Basha: Reformat në stinën e acarit

Nga Aleksandra Bogdani, botuar në Mapo Online, 27 janar 2014

385 Njësi vendore ka aktualisht Shqipëria. Reforma administrativo-territoriale synon të zvogëlojë numrin e njësive vendore, për të rritur efikasitetin e pushtetit vendor

2 Bashkëkryetarë dhe nga 8 anëtarë për secilin krah politik është parashikuar të ketë komisioni bipartizan. Partia Socialiste ka caktuar Bashkim Finon si bashkëkryetar, ndërsa PD refuzon pjesëmarrjen

Askush nuk është kundër një ndarjeje të re të territorit, në Shqipërinë e copëzuar në 385 njësi. Politikanët shqiptarë, në të majtë a të djathtë qofshin, e rendisin prej vitesh në listën e gjërave që duhen bërë medoemos. E megjithatë, sëmundja e vjetër e bllokimit është rikthyer në politikën shqiptare, duke vënë në pikëpyetje jo vetëm këtë reformë, por edhe shumë të tjera që presin në axhendën e qeverisë së re. Reforma territoriale ishte debutimi i parë i kryeministrit Rama, me një nismë që shkon përtej shumicës së kartonëve që mazhoranca e drejtuar prej tij siguroi në zgjedhjet e 23 qershorit. Por opozita, e zhgënjyer që në start të qeverisë “Rama” për një sërë çështjesh, kërkon garanci. Në këtë rast, 85 votat në Kuvend nuk vlejnë për shërimin e virusit e përhershëm të ngërçit; një “perpetuum mobile” që rikthehet në arenën politike aq shpesh, sa shprehja e ndërkombëtarëve “duhen dy për të kërcyer tangon” është kthyer në një refren të pambarimtë. Por si do të dalë Rama nga ky ngërç? Ndonëse nën vëzhgimin e rreptë të Bashkimit Europian për marrëdhëniet e tij me opozitën, kryeministri duket i vendosur për t’i shkuar deri në fund punës së nisur. Qoftë edhe pa opozitën! Ndaj edhe këto ditë ai po jep shenja të kërkimit të aleancave të reja në të djathtë me Topin apo PDIU; një vello sidoqoftë transparente për të mbuluar mungesën e konsensusit.  Historia që po luhet sot është një “déjà vu” e sa e sa episodeve politike në Shqipëri që zhurmën e kanë pasur të madhe dhe përfundimin, aspak të lavdishëm.

Ngërç i ri, krizë e vjetër…

Pas 4 muajsh në qeveri, Rama lançoi nismën për reformën administrativo-territoriale, të cilën jo pa butafori e cilësoi si Kryereforma. Për një moment u duk se kryeministri i largoi retë e krizës me plotësimin e kërkesave të opozitës: një komision me dy kryetarë dhe numër të barabartë anëtarësh nga mazhoranca dhe opozita, ku asnjë vendim nuk merret pa shumicë.Dëshirojmë e urojmë që opozita ta nxjerrë jashtë axhendës së aksionit të vet legjitim antiqeveritar, këtë temë të madhe të politikës kombëtare dhe të mos mungojë në rrugën e kësaj reforme me interes të madh kombëtar, publik e komunitar”, – tha Rama përkrah diplomatëve të huaj, të cilët shprehën mbështetjen teknike dhe financiare për këtë reformë. Por përgjigja e opozitës ishte e prerë. Në konferencën e kryetarëve, Edi Paloka u shpreh pro reformës, por për t’u bërë pjesë e saj, i kërkoi qeverisë të anulojë aktin normativ për nëpunësin civil dhe të bllokojë procedurat për shkarkimin e Zana Xhukës dhe Endira Bushatit nga institucionet që ato drejtojnë. Të njëjtin qëndrim e konfirmoi edhe kryetari i PD-së, Lulzim Basha, i cili në një dalje publike për mediat e akuzoi mazhorancën për prishje të vazhdueshme të konsensusit politik. Qëndrim destruktiv? Kryeministri i ri nuk mund ta luajë këtë kartë! Në memorien e shqiptarëve është ende e freskët telenovela e 3 ligjeve për integrimin, që Partia Socialiste nuk i votoi me pretekstin e një çështjeje periferike si ajo e qarkut të Fierit. Asokohe, Rama refuzonte të merrte pjesë në një “makiazh” të qeverisjes së PD. Njësoj siç Basha refuzon sot të bëhet pjesë e një reforme për “fasadë”, të një qeverie të cilësuar prej tij si mafioze.

Reformë apo pjekuri politike?

Më shumë se për Ramën, reforma territoriale është kthyer tashmë në një test për pjekurinë politike në vend. Por kryeministri duket se nuk do të tërhiqet. Megjithë refuzimin e opozitës, Kuvendi vendosi të miratojë projekt-vendimin për ngritjen e komisionit bipartizan. Nga ana tjetër, shanset për të arritur një marrëveshje u rrudhën edhe më tej me votimin në Komisionin e Ligjeve të shkarkimit të kryetares së ILDKP-së, Zana Xhuka.  Zhvillimet publike, por më së shumti ato në prapaskenë e kanë shtyrë Partinë Demokratike drejt një qëndrimi edhe më kategorik. Nga Kurbini, Basha tha dje se komisioni është i pavlefshëm pa rivendosjen e plotë të parimit të konsensusit. “Dua t’u bëj me dije edhe partnerëve tanë ndërkombëtarë se produkti i një reforme të njëanshme arbitrare, nuk mund të njihet e nuk do të njihet kurrë nga Partia Demokratike dhe nga opozita shqiptare”, -tha dje Basha, duke paralajmëruar kështu një stinë të re debati mbi këtë çështje. Por a mund të bëhet reforma pa opozitën? Ambasadori i SHBA-së, Aleksandër Arvizu dhe ai i OSBE-së, Florian Raunig, dy mbështetësit kryesorë të kësaj reforme, e cilësojnë të domosdoshëm konsensusin mes mazhorancës dhe opozitës. Nga një konferencë në Korçë, Arvizu tha dje se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta ndihmojnë Shqipërinë për reformën administrative territoriale. “Ne besojmë fort që ky proces do ecë përpara, është diçka tepër e rëndësishme për Shqipërinë dhe shpresojmë që ky proces në fund të ketë një produkt të mirë”, -tha ambasadori, ndërsa përsëriti fjalën konsensus politik. Por në mungesë të konsensusit, kryeministri Rama nuk ka kryqëzuar duart.

Skenari B i reformave 

Me 85 vota në xhep, të mjaftueshme për miratimin e reformës, ai është në kërkim të një opozite të re, përballë refuzimit të opozitës zyrtare. Shenjat e para u dhanë me takimin “në të nxehtë” me Bamir Topin, ish-presidentin e idhnuar me PD-në, i cili ndodhet në kërkim të një trajektoreje të re për fatin e vet politik. Nuk ishte rastësi që kryeministri e gatoi shpejt e shpejt një dalje publike me Topin, pak orë pas Partia Demokratike kishte refuzuar pjesëmarrjen në komisionin për reformën territoriale. Linja e Topit për të njëjtën çështje ishte krejt e kundërt. Pa harruar të thumbojë Berishën, Bamir Topi tha nuk përjashton bashkëpunimin me kryeministrin Rama për reformën administrative apo të tjera reforma kushtetuese, që ai vetë i sheh në dobi të vendit. Por a mund ta mbulojë statura e Topit, aq më tepër jashtë parlamentit karrigen e lënë bosh nga opozita zyrtare? Afërmendsh jo, por një skenar i tillë nuk ka munguar në të shkuarën. Viti 1998 e gjeti Berishën jashtë parlamentit, ndërsa PD-ja e drejtuar prej tij refuzoi të merrte pjesë në komisionin e ngritur për hartimin e Kushtetutës. Asokohe, zgjidhja u gjet me Sabri Godon dhe Spartak Ngjelën, dy eksponentë të së djathtës të cilët legjitimuan procesin në sytë e ndërkombëtarëve. “Edhe si bashkëkryetar mund të imponoja vullnetin tim, sepse e thënë fare thjeshtë, socialistët nuk e bënin dot pa pasur në ballë të komisionit një eksponent të së djathtës”,-do të kujtonte vite më vonë Godo. Njësoj si sot kryeministri Rama, që përveç takimit me Topin, ka lënë një derë hapur edhe për PDIU-në e Shpëtim Idrizit. Kalimi në të majtë i kësaj force politike ka kohë që pëshpëritet në korridoret politike dhe reforma territoriale i ngjan qëllimit që justifikon mjetin. Por koniunktura politike e Ramës duket më e komplikuar se ngërçi i momentit, për t’i dhënë jetë të parës reformë të propozuar prej tij. Me radikalizimin e luftës së brendshme politike zbehen edhe më tej shanset që Shqipëria ta marrë statusin e vendit kandidat në qershor. Shuhen gjithashtu shpresat, që qeveria e drejtuar prej Ramës të realizojë reformat e mëdha në drejtësi, pensione apo ndërhyrjet në Kushtetutë, reforma që i shtrijnë efektet përtej një mandati qeverisës e bash për këtë arsye kërkojnë konsensus të gjerë. Vendet më të fuqishme të Europës e kanë thënë qartë fjalën e tyre: Dyert e BE-së janë të hapura për Shqipërinë, nëse vazhdon dialogu politik mes mazhorancës dhe opozitës. Por Shqipëria po zbarkon edhe një tjetër herë në fushë-betejën e politikës, në një stinë të rëndësishme për fatet e vendit.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi