Analizë e Fondacionit Bertelsmann për Shqipërinë

DW, 24 janar 2014

Në Shqipëri, demokracia ka avancuar në një spirale rënieje. Ka hapa pas në ndarjen e pushteteve dhe ka rënie ekonomike. Këtë e konstaton për periudhën 2012-verë 2013 një studim i Fondacionit Bertelsman për 129 vende.

Indeksi i tranformimit të fondacionit Bertelsmann u prezantua të enjten (23.01.2014) në Deutsche Welle. Aart De Geus, kryetar i Kryesisë të Fondacionit Bertelsmann dhe Drejtori i Përgjithshëm i DW, Peter Limburg (në foto)mbajtën fjalën kryesore.

Në një vështrim të përgjithshëm, studimi i Fondacionit Bertelsmann thotë se në të gjithë botën është rritur dhe pritet të rritet më tej pakënaqësia me pushtetin, me qeveritë. Kjo lidhet me shtimin e varfërisë në botë si dhe me përjashtimin social. Megjithëse shoqëria civile u ka rezistuar me forcë politikës së qeverive, nuk mund të flitet për një tendencë të re të përgjithshme në zhvillimet politike në botë. Kjo edhe pas përmbysjeve dhe pranverave arabe. Drejtimi i punëve dhe vendimet e fundit mbeten edhe më tej në dorën e qeverive, konstaton Fondacioni Bertelsmann.

Kjo sipas studimit është problematike, sidomos në rastin e Evropës Lindore dhe Juglindore, ku partitë e ndryshme politike nuk kanë rrënjë në shoqëri. Kjo nxit në këto vende afirmimin e lëvizjeve dhe të liderëve populistë. Shkëputja e pushtetit nga njërëzit ka bërë që të shtohen pakënaqësitë në shumë vende të këtij rajoni.

Studimi i Fondacionit Bertelsmann flet për një tendencë regresioni, kthimi pas, në shumë vende të Evropës Lindore dhe Juglindore. Kur qeveritë nuk i arrijnë dot me mjete demokratike synimet e tyre, u kthehen mjeteve të vjetra “të sprovuara” të dominimit e sundimit.

Me përjashtim të Shqipërisë, në vitin 2008, ndarja e pushteteve konsiderohej si e vënë plotësisht në jetë, ose vetëm e reduktuar minimalisht në të gjithë Evropën Lindore dhe Juglindore, konstaton fondacioni gjerman. Por sot, në 2014 kjo nuk mund të thuhet më për 6 nga 18 vendet e rajonit: për Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë, Malin e Zi, Rumaninë dhe Hungarinë.

Përfundime kritike për Shqipërinë

Studimi i Fondacionit Bertelsmann, përsa i përket Shqipërisë, analizon periudhën: fillim 2012 deri në verë 2013, pa përfshirë zgjedhjet parlamentare dhe periudhën paszgjedhore.

Për Shqipërinë përfundimet janë kritike, megjithëse analizat bazohen në gjendjen para zgjedhjeve parlamentare të verës. Shqipëria përmendet në studim, në një frymë me vendet më problematike të BE, me Rumaninë dhe Hungarinë. Edhe në Maqedoni shihen hapa pas.

Autorët e studimit shkruajnë se rrugëtimi i Shqipërisë për në demokraci dhe ekonominë e tregut ka qenë shpesh kaotik dhe padyshim ambigjen, i paqartë. Kjo, sipas studimit, shpjegon, pse Shqipëria është klasifikuar pas vendeve fqinjë, për përparimin demokratik dhe ekonomik – megjithëse vendet fqinjë kanë përjetuar madje edhe konflikte të dhunshme etnike. Studimi konstaton, se në përgjithësi, struktura e institucioneve në Shqipëri është e mjaftueshme për të ndërtuar demokracinë. Shqiptarët kanë qenë të shpejtë për t’i ngritur dhe përmirësuar institucionet formale demokratike.

Por kjo kornizë ka rezultuar si një “kurth ligjor”. Kjo pasi institucione të rëndësishme nuk e kanë ruajtur dot pavarësinë, përballë interesave të forta të elitës në pushtet dhe një ekzekutivi dominues. Kanë munguar argumentimet ligjore, për vendime të rëndësishme politike, si zgjedhjet, korrupsioni, abuzimi në detyrë, veçohet në analizë. Kjo ka bërë që edhe institucionet ndërkombëtare, të detyrohen të pranojnë vendime de facto të politizuara, të institucioneve vetëm pjesërisht të pavarura shqiptare.

Dobësim i mekanizmave të kontrollit

Në periudhën e analizuar, deri para zgjedhjeve të 2013-ës, autorët thonë se partitë në qeveri, i kanë përdorur shumicat parlamentare, për të dobësuar mekanizmat e kontrollit. Dhe për të forcuar pozicionin e vet në shtet dhe në shoqëri. Në Shqipëri kemi një model të politikës së pushtetit të orientuar te dominimi, konstaton studimi. Dhe kjo veçohet nga autorët si mangësi e rëndësishme, kur dihet që është politika konsensuale dhe përfshirëse, dhe jo dominuese, ajo që të kualifikon për Evropën.

Si kritikë për Shqipërinë, autorët përmendin më tej që Partia Demokratike i zuri poste të rëndësishme publike, siç janë presidenti i shtetit, shefi i shërbimit të fshehtë dhe prokurori i përgjithshëm, me pasues të saj. Kjo parti në pushtet, e arriti përmes një numërimi të diskutueshëm të votave, të zgjedhë kryetar bashkie të Tiranës, kandidatin e saj, në maj 2011, veçohet në indeks.Pra studimi tërheq vëmendjen në erozionin e ndarjes së pushteteve në Shqipëri.

Tendenca shqetësuese për ekonominë shqiptare

Në aspektin ekonomik, flitet për tendenca shqetësuese ekonomike për Shqipërinë. Në studim thuhet se arritja më e rëndësishme e Shqipërisë vitet e fundit, rritja e produktit të brendshëm bruto, GDP, ka rënë pikiatë në dekadën e fundit. Duke arritur në rritje 0,6 përqind, në 2012.

Indeksi i Bertelsmanit tërheq vëmendjen në faktin se ekonomia e Shqipërisë është shumë e dëmtueshme nga një goditje shoku, që i vjen nga jashtë. Kjo sepse varet nga remitancat e refugjatëve, që kanë rënë kudo në Ballkan, si dhe nga kapitali në formën e investimeve direkte të huaja.

Për të dalë nga kjo situatë, autorët rekomandojnë që Shqipëria të përmirësojë emrin e eksporteve shqiptare dhe të nxisë investime nga brenda vendit. Si dhe të tërheqë investorë të huaj, që duan të investojnë jo vetëm në mallra të patregtueshme, si bankat dhe komunikimi, por edhe në përmirësimin teknologjik, në pajisje dhe në krijimin e kapitalit fiks, bruto. Më tej ata propozojnë hartimin e politikave të punësimit për emigrantët që kthehen nga Perëndimi si dhe që të zgjidhet problemi i vjetër i pasigurisë pronësore mbi tokën.

Kritikohen organizata ndërkombëtare në Shqipëri

Indeksi i Bertelsmanit nuk do të kishte emrin e madh që ka, po të mos shikonte në mënyrë kritike edhe institucionet ndërkombëtare lidhur me Shqipërinë. Ndërkombëtarët kanë qenë të fokusuar në vlerësime afatshkurtra të reformave, thuhet në studimin e Bertelsmanit. Ndaj e kanë duartrokitur qeverinë shqiptare për përparimet formale institucionale. Pak aktorë ndërkombëtarë kanë vlerësuar se si janë zbatuar reformat dhe me cilat rezultate.

Veçanërisht ashpër kritikohen nga Fondacioni Bertelsmann raportet e pranisë së OSBE-së në Shqipëri. Përfaqësuesit e këtij institucioni, të cilët kompensohen shumë mirë për punën e tyre, duhet të vihen para përgjegjësisë për raportet e mjegullta që bëjnë për shumë mungesa në ndërtimin e institucioneve shqiptare, kërkohet në studim. Raportet “politikisht korrekte” të OSBE-së e kanë penguar një analizë të qartë dhe neutrale për difektet e demokracisë shqiptare, për përgjegjësit dhe për rreziqet e së ardhmes. Ky është njëri nga konkluzionet e analizës së Fondacionit Bertelsmann për periudhën 2012- verë 2013.

Indeksi i transformimit të Bertelsmannit është i vetmi indeks krahasues ndërkombëtar, që e mat cilësinë e veprimeve të qeverive mbi bazën e ekspertizave të detajuara për vendet. Ekspertizat hartohen nga 250 ekspertë nga universitetet më të shquara të botës, dhe organizata të ndryshme Think Tank. Fondacioni ka pyetur në vende e ndryshme p.sh. për mundësitë për zgjedhje të lira, për shkallën e lirisë së mendimit. Po edhe për sistemet sociale, për rendimentin ekonomik, për luftimin e korrupsionit.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi