Indeksi Bertelsmann; Drejtësia më e dobëta, demokracia në rënie…

Nga Vladimir Karaj*, botuar në Mapo Online, 23 janar 2014

Demokracia shqiptare është në rënie të lirë, por po kështu edhe demokracia në pjesën më të madhe të botës. Ky është vlerësimi i fondacionit ‘Bertelsmann’ në Indeksin e tij të Transformimit 2014, që vlerëson situatën në vend nga 2006 deri në fillim të vitit 2013. Niveli i demokracisë vlerësohej 7.3 në 2006 dhe shënohet 6.7 në 2014. Viti më i mirë 2010 vlerësohet me 7.6, ndërsa prej këtij momenti fillon rënia sipas Indeksit që përcakton si periudhën më të keqe vitet 2012 dhe 2013. Shanset për përmirësim në këtë fushë nuk shënohen, ndërsa Indeksi vlerëson se dy partitë kryesore kanë krijuar me reformën kushtetuese të 2008 një sistem të kapur nga elitat e dy partive që do qeverisin vendin me rotacion dhe me autoritarizëm. Sipas raportit, elita qeverisëse deri tani është fokusuar në përfitime personale ekonomike e politike, gjë që ka dëmtuar rëndë ndarjen e pushteteve, drejtësinë në vend dhe madje ka përkeqësuar situatën ekonomike duke prapësuar reformat e ndërmarra në vitet 2006-2008.

“Problemi thelbësor nuk është mungesa e institucioneve demokratike apo procedurave, por keqpërdorimi i ligjeve dhe institucioneve nga elita drejtuese për përfitime politike dhe individuale. Kjo sjellje, apo përqendrimi i elitave politike tek qëllimet individuale në dëm të procedurave institucionale, ka sjellë ngecjen apo më keq kthimin pas të disa reformave të rëndësishme në menaxhimin dhe zhvillimin ekonomik”, thuhet në Indeksin për Shqipërinë.   Sistemi gjyqësor, sipas këtij Indeksi, është hallka më e dobët dhe po ashtu vlerësohet më e ulët se çdo pjesë tjetër e shtetit në Shqipëri, diçka që ndodh rëndom tashmë në çdo raport ndërkombëtar ku drejtësia shihet si pjesa më e keqe dhe me më shumë probleme në vend. 21 Janari, gjykimi i tij, zgjedhjet lokale dhe disa ngjarje të tjera shihen nga Indeksi si pika kyç të përkeqësimit të situatës politike, ndërsa theksohet se 2012 ishte edhe viti më i keq ekonomikisht i vendit në dekadën e fundit. “GDP ka rënë vit pas viti. Koha gjatë së cilës është bërë këqyrja konfirmon pikërisht këtë, me GDP që ra ndjeshëm në pikën më të ulët të dekadës së fundit në 0.6% më 2012”, thuhet në Indeks.

Ky i fundit ka bërë një parashikim jo të mirë edhe për demokracinë në botë, duke parashikuar më shumë censurë ndaj medias dhe më shumë trazira. Për Shqipërinë nuk shënohen trazira edhe pse vendi del me shumë probleme dhe me konfliktualitet të lartë . “Sipas Fondacionit Bertelsmann, revoltat në mbarë botën nuk do të reshtin as në vitet e ardhshme. Përkundrazi, sepse edhe qeveritë e zgjedhura në mënyrë demokratike kufizojnë të drejtat e qytetarëve të tyre, censurojnë median, apo përjashtojnë pakicat. Në shumë vende gjendja ekonomike është me të vërtetë më e mirë se para dy vjetësh, por nga fitimet përfitojnë vetëm pak shtresa të klasës së mesme në qytete. Edhe reformat sociale nuk zbatohen, konstaton Indeksi i Transforimit i Fondacionit me qendër në Gütersloh për vitin 2014”, shkruan “Deutsche Welle” që është bashkëpunëtore e fondacionit në ndërtimin e Indeksit.

“Edhe në të ardhmen mund të pritet një farë presioni nga poshtë”, thotë Hauke Hartmann, ekspert i të drejtave të njeriut në Fondacionin Bertelsmann për DW. Ai sheh këtë edhe për shkak të rritjes së përdorimit të teknologjisë. “Ne mund të supozojmë se protestat, si ato që vërejmë në Kiev apo Bangkok, përbëjnë më tepër rregullin se sa përjashtimin”, thotë Hartmann për DW.

Raporti bazohet në kërkimet që ekspertët e Fondacionit Bertelsmann kanë bërë në 129 vende në zhvillim dhe në tranzicion në bazë të pyetjeve të standardizuara, që i kanë përmbledhur në raportet për këto vende. Indeksi shqyrton, zgjedhjet e lira, shkalën e lirisë së mendimit, apo e respektimin e të drejtave të njeriut, gjendjen sociale, rendimenti ekonomik dhe lufta kundër korrupsionit. “Vendet e para për zhvillime pozitive i zënë për shembull, Uruguai, Estonia dhe Tajvani. Në vendet e fundit janë Siria, Mali, Jemeni dhe Sudani. Vendet e industrializuara perëndimore si Gjermania janë përjashtuar nga studimi”, shkruan DW.

Sipas indeksit bota nuk është bërë më demokratike se sa në vitin 2012, megjithë pritshmëritë e ushqyera nga e ashtuquajtura “Pranvera Arabe” apo protestat në vende të tjera me regjime autoritare. Ndërkohë Evropa cenohet nga kufizimi i lirisë së shtypit dhe mendimit, Indeksi ka gjetur se vende të lindjes edhe pse anëtare të Bashkimit Europian kanë probleme të mëdha me censurën e madje ka raste kur gazetarët kërcënohen dhe frikësohen. “Sidomos Bullgaria, Rumania, Maqedonia dhe Mali i Zi janë shqetësues”, citohet raporti. Sipas indeksit numri i protestave do të jetë më i madh dhe mes tyre edhe ato që do kërkojnë përmbysje qeverish për të sjellë një pushtet më autoritar. Shefi i fondacionit, Aart De Geus thotë se “bota ka nevojë për një dialog të ri, më të mirë dhe më konstruktiv me lëvizjet protestuese.”

*Bazuar pjesërisht në raportin e Deutche Welle. Raportin e gjeni në: http://www.bti-project.org/reports/country-reports/ecse/alb/index.nc?tx_itaoreport_pi1[action]=show


    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi