Ministri i Financave përballë Publikut
Nga Besart Kadia*, botuar në Mapo Online, 21 janar 2014
Një ditë më parë në Forumin Ekonomik të organizuar nga Shoqata e Investitorëve të Huaj në Shqipëri (FIAA), ministri Cani kërkoi ndjesë për miratimin e shpejtë të paketës fiskale, e cila kishte ardhur si pasojë e dy fakteve të rëndësishme. Së pari, niveli i lartë i borxhit në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto të Shqipërisë dhe së dyti, për shkak të negociatave me FMN-në dhe Bankën Botërore. I ndodhur në këto vështirësi, ministri Cani deklaroi se opsionet kanë qenë të shumta dhe janë diskutuar rreth 28 variante të ndryshme të paketës së re fiskale gjatë periudhës shtator-dhjetor 2013. Në pamje të parë kjo fjalë e ministrit të Financave mundet të interpretohet si një diskutim transparent me grupet e interesit për vështirësitë e buxhetit të shtetit dhe gjithashtu si një përgjegjshmëri publike e ministrit më të rëndësishëm në kabinet. Por, a mundet të interpretohet ky fjalim i izoluar nga fjalimet apo kërkesat e mëparshme të zotit Cani dhe grupeve të ndryshme të biznesit në vend?
Së pari, në ekonomi asnjëherë nuk mundet të marrësh vendime të rëndësishme të politikave ekonomike bazuar në pretendime për ekonominë; por në të dhëna zyrtare mbi gjendjen e ekonomisë. Kështu, ministri Cani në vitin 2010 dhe më pas shkruante se Shqipëria është në ditët më të zeza të ekonomisë dhe se borxhi publik ishte 100% e PBB-së dhe jo 60% e PBB-së, sa pretendonte qeveria e atëhershme. Për të marrë vesh nëse kishte të drejtë apo jo në përllogaritjet e saj, qeveria e re kërkoi që firma e famshme e auditit “Deloitte” të mund të bënte transparente borxhin real, duke konkluduar në nëntor 2013 se ai arrinte në 24.6 miliardë lekë ose sa afërisht 2.5% e PBB-së. Sipas “Deloitte”, këto detyrime janë për 150 firma, të cilat kanë ndërtuar rrugë dhe shkolla të reja. Ajo që vihet re është se borxhi publik shqiptar, megjithë këto të dhëna nuk shkonte dot më shumë se 65% e PBB-së dhe jo 100% e PBB-së që pretendonte zoti Cani në vitin 2010. Gjithashtu duhet të theksohet se rritja ekonomike në vitin 2010 ishte 3.1%, ndërkohë që në rajon ishte shumë më e ulët.
Së dyti, paketa e re fiskale, e cila rriti taksat për bizneset, motorin e ekonomisë sonë, hyri në fuqi kur të dhënat e INSTAT-it tregojnë se në tremujorin e fundit PBB ka rënë me 2.2%, niveli më i ulët në tetë vitet e fundit. E kombinuar kjo dhe me rënien e besimit të qytetarëve për të ardhmen e ekonomisë me 4.7%, siç tregon dhe vrojtimi i fundit i Bankës së Shqipërisë. Ndryshimi i këtyre pritshmërive tregon se retorika negative e politikës ka patur efektin e saj siç dhe teoria ekonomike e njeh. Ndaj, duke lexuar këto të dhëna të ekonomisë shqiptare, ministri i Financave duhet të paraqesë siguri dhe konfidencë për të ardhmen e ekonomisë duke ofruar alternativat më të mira për menaxhimin e burimeve të rritjes ekonomike. Por bizneset apo publiku nuk mundet të sigurohen kur vetë ministri i Financave pranon se kanë menduar 28 variante për paketën fiskale. Çorientimi erdhi gjithashtu kur në media u publikuan mbi katër variante gjatë muajit dhjetor 2013.
Pavarësisht këtyre të dhënave, më datë 17 dhjetor 2013, në fjalën përmbyllëse me misionin e FMN-së, ministri Cani u shpreh se “Politika fiskale do të menaxhohet në përputhje me gjendjen e ekonomisë, dmth do të lehtësohet, në qoftë se rritja ekonomike është më e dobët se parashikimi, dhe anasjelltas”. Duke qenë se të dhënat flasin qartë për një kontraktim të ekonomisë sonë, paketa fiskale e dhjetorit 2013 duhet të shkonte drejt lehtësimit të barrës së bizneseve ose të paktën në mosndryshim të saj. Kjo kërkesë u bë nga Dhoma e Industrisë dhe Tregtisë në Tiranë, Dhoma Amerikane e Tregtisë, Dhoma Britanike e Tregtisë në 13 dhjetor, në forumin e organizuar nga Fondacioni për Liri Ekonomike. E njëjta thirrje u bë dhe në takimet e organizuara nga opozita gjatë javës së diskutimeve në grupet parlamentare. Të tëra grupet e interesit sugjeruan që disa taksa të mbahen të pandryshuara, ndërsa disa të tjera të ulen ose ndryshojnë për të përmirësuar klimën e të bërit biznes në Shqipëri, pasi, po të miratohej taksimi progresiv, sidomos e tatimit mbi fitimin, do të ndikonte drejtpërsëdrejti në uljen e investimeve të huaja e vendase dhe do të çonte automatikisht në rritjen e informalitetit. Kur nuk kanë kaluar më shumë se dy javë nga implementimi i paktës fiskale, qeveria është detyruar të pranojë gjithashtu se do të përgatisë një ligj të veçantë për përjashtimin e biznesit fason, i cili punëson 100 mijë qytetarë, nga niveli i tatim-fitimit të ri prej 15%.
Së treti, ministri Cani dhe qeveria e re nuk kanë bërë publike asnjë nga detajet ekonomike të marrëveshjes me FMN-në dhe implementojnë politika të reja ekonomike si imponim nga FMN dhe Banka Botërore, në kurriz të biznesit dhe publikut. Për vitin 2014, qeveria ka menduar të marrë hua 300 milionë dollarë nga FMN dhe 600 milionë dollarë nga publiku vendas. Ndaj, pavarësisht perceptimit që kemi për FMN, publiku shqiptar mbetet aktori kryesor me të cilin qeveria duhet të negociojë e të ketë kujdes. Ministri Cani do të shprehej vazhdimisht gjatë periudhës shtator- Dhjetor 2013 se “jemi në negociata shumë të vështira me FMN-në”. Por pyetja legjitime është se këto negociata ishin të vështira për qeverinë, për publikun apo personalisht për ministrin e Financave? Sido që të jetë rishikimi i premtuar i paketës fiskale në verë 2014, i jep shpresë biznesit se qeveria pranon gabimin e bërë me Buxhetin e vitit 2014 dhe zëri i publikut shqiptar është më i rëndësishëm se i burokratëve të FMN-së.
*Drejtor Ekzekutiv i Fondacionit për Liri Ekonomike.