Reforma në drejtësi dhe progres raporti i BE-së

Nga Ervin Sulko/Universiteti Ndërkombëtar i Tiranës, botuar në Shekulli Online, 20 janar 2014

Në muajin tetor 2013, Komisioni Europian publikoi progres raportin për Shqipërinë, ku përveç disa vlerësimeve minimaliste të zhvillimit, të cilat vijnë edhe si rrjedhojë e gjuhës diplomatike në këto raste, mbizotëron një frymë e qartë pakënaqësie ose e mosarritjes së standardeve të kërkuara për integrimin në BE.

Kjo kuptohet fare lehtë, në shprehjet që dominojnë pjesën më të madhe të progres raportit si, “progres i kufizuar”, “ende mbetet shumë për t’u bërë” ose “megjithë përpjekjet e vazhdueshme mbetet problem…”

Procesi i integrimit europian si një proces mjaft kompleks dhe gjithëpërfshirës trajton një sërë kriteresh e standardesh, por ne do të ndalemi tek disa nga kriteret më të rëndësishme në lidhje me sistemin e drejtësisë, si një kriter thelbësor për forcimin e shtetit demokratik në vendin tonë.

Rëndësia e këtij argumenti është tejet e rëndësishme, pasi hyn në kriteret bazike për integrimin e vendit  në BE, kriter i cili u trjatua gjerësisht në Konferencën Shkencore të organizuar në Universitetin Ndërkombëtar të Tiranës në muajin dhjetor.

Ndryshimet ligjore për Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese

Në ligjin organik për Gjykatën e Lartë, u bënë disa ndryshime të rëndësishme në lidhje me rritjen e numrit të gjyqtarëve nga 17 në 19, me qëllim përballimin e fluksit të punës dhe mbingarkesës së çështjeve. U përmirësuan dhe u forcuan kriteret e përzgjedhjes së gjyqtarëve, ku siç edhe jemi në dijeni ai përbëhet nga një numër i konsiderueshëm gjyqtarësh, të cilët nuk vijnë nga karriera gjyqësore.

U reduktua numri i tyre në maksimum deri në ¼ e të gjithë anëtarëve. Megjithatë, edhe pse ligji për organizimin dhe funksionimin e organeve kushtetuese është një ligj konsensual, përsëri mazhoranca dhe opozita nuk arritën të implementojnë një reformë tërësore për Gjykatën e Lartë.

Këto reforma mbeten të pjesshme dhe nuk mund të sigurojnë paanshmërinë dhe pavarësinë e organit më të lartë ligjzbatues në sistemin e drejtësisë e për pasojë, të mos përmbushin kriteret dhe objektivat për një pushtet gjyqësor të pavarur.

Duhet të kuptojmë se ndryshimet në nivel ligjor, nuk mjaftojnë të zgjidhin në thelb problematikën e Gjykatës së Lartë apo edhe të organeve të tjera të rëndësishme në sistemin e drejtësisë, për sa kohë formula e emërimit të anëtarëve të Gjykatës së Lartë është e sanksionuar në Kushtetutë.

Sipas parashikimeve të Kushtetutës, anëtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit (neni 136). Të gjithë anëtarët e kësaj gjykate propozohen nga Presidenti i Republikës dhe më pas duhet të jepet pëlqimi i Kuvendit, pëlqim ky i fundit, i cili jepet me shumicë të thjeshtë parlamentare.

Pa pëlqimin e shumicës parlamentare, nuk mund të ketë gjyqtarë në Gjykatën e Lartë, për rrjedhojë të gjithë anëtarët e kësaj gjykate, janë shprehje e shumicës parlamentare, çka bie në kundërshti të plotë me parimin e ndarjes së pushteteve. E njëjta gjë ndodh edhe me anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, ku parashikohet e njëjta formulë emërimi (neni 125).

Nuk mund të ndodh dhe nuk ndodh në asnjë vend, përfshirë edhe vendet e rajonit, ku anëtarët e këtyre organeve kaq të rëndësishme, të jenë shprehje e shumicës parlamentare dhe për emërimin e tyre mjaftojnë vetëm 71 vota.

Absurditeti që përfshin Kushtetutën tonë është edhe më i dukshëm në sanksionime të tjera, ku fjala vjen për emërimin e Avokatit të Popullit kërkohet një shumicë e cilësuar prej 84 votash, ndërsa për organe më të rëndësishme kushtetuese dhe kolegjiale, parashikohet një shumicë e thjeshtë.

Mbetet e pakuptimtë një reformë, e cila synon pavarësinë dhe paanshmërinë e sistemit gjyqësor, që bën ndryshime vetëm në nivel ligjor, duke mos patur parasysh se “thembra e Akilit” ndodhet diku tjetër, pikërisht, në nivelin kushtetues.

Me të drejtë, në progres raport evidentohet se megjithë ndryshimet e fundit në ligjin për Gjykatën e Lartë, procesi i emërimit të gjyqtarëve në këtë gjykatë mbetet një problem, sa i takon politizimit të tyre, për sa kohë dispozitat kushtetuese nuk amendohen.

Në fakt, me mënyrën e emërimit që parashikon Kushtetuta, çdokush do të kuptonte patologjinë e problemit të politizimit të gjyqësorit, pa qenë e nevojshme të jesh studiues i së drejtës. Ai buron që në procesin e emërimit e për pasojë të formimit të trupit gjykues.

As reforma kushtetuese e vitit 2012 nuk përfshiu ndryshimet në dispozitat kushtetuese lidhur me emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese; ajo u ndal vetëm në kufizimin e imunitetit të personave që e gëzojnë atë në bazë të Kushtetutës.

Mund të ketë qenë një rastësi, apo reformat e ndërmarra deri tani kanë qenë dritëshkurtra, nuk kanë arritur të jenë gjithëpërfshirëse, sa i takon sistemit gjyqësor? Nuk mund të jetë rezultative, përpjekja e gjithë klasës politike për përshpejtimin e reformave në drejtësi, me qëllim integrimin e vendit në Bashkimin Europian, kur vetë reformat e ndërmarra deri tani kanë qenë të pjesshme, gjysmake, dhe nuk arrijnë pritshmëritë e Bashkimit Europian për to.

Rishikimi i rolit të Ministrit të Drejtësisë në KLD

Një problematikë tjetër e evidentuar në progres raport, i referohet rolit të Ministrit të Drejtësisë në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Në fakt, ky është një problem akoma më i hershëm, i cili është trajtuar në sistemin tonë të brendshëm të drejtësisë, por që nuk u zgjidh në mënyrën e duhur.

Ka qenë vetë Gjykata e Lartë, e cila në kuadrin e një gjykimi incidental e dërgoi çështjen pranë Gjykatës Kushtetuese, lidhur me kushtetutshmërinë e ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë” dhe të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillin e Lartë të Drejtësisë”, ku në veçanti kishte dyshimet e arsyeshme lidhur me rolin tepër të fortë të ministrit të Drejtësisë, pra të ekzekutivit në gjirin e KLD-së.

Ekzistenca e dy inspektorateve të sistemit gjyqësor, të ngritura respektivisht pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Ministrisë së Drejtësisë, duket se cenonte pavarësinë e pushtetit gjyqësor.

Mbetet e paqartë mbivendosja e kompetencave të këtyre organeve, pasi të dyja ushtrojnë kompetenca të kontrollit dhe inspektimit mbi veprimtarinë profesionale të gjyqtarëve. Të paktën në dukje, prania e dy inspektorateve, si njësi paralele që ushtrojnë të njëjtat funksione, cenojnë pavarësinë e pushtetit gjyqësor.

Megjithatë, Gjykata Kushtetuese në vendimin nr. 11 datë 27.05.2004, rrëzoi kërkesën për antikushtetutshmëri të Gjykatës së Lartë, me argumentimin se, inspektorati i ngritur pranë Ministrisë së Drejtësisë në kuadër të ushtrimit të funksioneve të tij mund të konstatojë shkeljet, por nuk ka fuqi të vendosë sanksione për to; kjo është një prerogativë e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, për rrjedhojë nuk konsideron cenim të pushtetit gjyqësor.

Me këtë vendim, duket se u la në hije pozita e ministrit të Drejtësisë, i cili gëzon të drejtën ekskluzive të nisjes së procedimit disiplinor kundër një gjyqtari në KLD.

Kjo do të mjaftonte për të konstatuar një pleksje mes ekzekutivit dhe gjyqësorit, sidomos kur bëhet fjalë për masat disiplinore të gjyqtarit, të cilat mund të shkojnë deri në shkarkimin e tij dhe prekin pra statusin e gjyqtarit.

Edhe në këtë rast, Gjykata Kushtetuese deklaroi se, ministri i Drejtësisë ka vetëm kompetencën e nisjes së procedimit disiplinor, por jo vendimmarrjen, që i përket vetëm KLD-së si organ kolegjial.

Pavarësisht përpjekjeve të brendshme për zgjidhjen e kësaj problematike, ajo vazhdon të mbetet ende e pazgjidhur dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese e certifikoi atë si një problem që nuk ekziston dhe që është brenda parametrave kushtetuese.

Nuk ka ndodhur kështu për Bashkimin Europian, i cili në progres raport thekson nevojën e rishikimit të rolit të ministrit të Drejtësisë në gjirin e KLD-së, i cili ka ende kompetencën ekskluzive të nis e të mbyll një procedurë disiplinore, kompetencë e cila shkon kundër standardeve europiane.

Konkluzione

Reformat e ndërmarra deri tani nga klasa politike shqiptare, duhet të jenë gjithëpërfshirëse dhe të synojnë zgjidhjen e problemeve ekzistuese, sa i takon kuadrit ligjor në sistemin tonë të drejtësisë.

Nëse qëllimi i reformave, ka qenë rritja e paanshmërisë së gjykatave dhe pavarësisë së tyre, në këto kushte, mosarritja e rezultatit i bën ato inekzistente. Pikë së pari, duhet një ndryshim i dispozitave kushtetuese në lidhje me emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese.

Mbetet i papranueshëm emërimi i anëtarëve me shumicën e thjeshtë, ç’ka vë në pikëpyetje pavarësinë dhe performancën e këtyre institucioneve. Në këtë drejtim, do të ishte e nevojshme rritja e shumicës me tre të pestat, të emërimit të tyre ose një ndryshim tërësor i formulës ekzistuese të emërimit.

Në variantin e dytë, preferohet që Kuvendi të mund të emërojë me shumicë të cilësuar vetëm një pjesë, një të tretën, të anëtarëve të Gjykatës, ndërsa pjesa tjetër të ndahet mes organeve të tjera kushtetuese si, KLD dhe Presidenti i Republikës. Vetëm në këtë mënyrë do të arrihet një ekuilibër brenda këtyre institucioneve.

Në disa prej reformave, asnjëherë nuk janë prekur dispozitat kushtetuese të lartpërmendura. Kjo nënkupton se asnjëherë forcat kryesore politike, nuk kanë parë të arsyeshme një ndryshim të tyre, për të ruajtur në këtë mënyrë një kontroll politik mbi institucionet e drejtësisë.

Dispozitat kushtetuese, kanë shërbyer si një shteg i sigurt për qeveritë e radhës, për influencën e këtyre organeve relevante, sa herë që anëtarëve të këtyre gjykatave u mbaronte mandati.

Vetëm në këtë mënyrë mund të shpjegohet mbajtja të pandryshueshme i këtyre normave kushtetuese, që nga hartimi i Kushtetutës e deri më sot.

Ndërsa sa i takon moderimit të rolit të ministri të Drejtësisë brenda Këshillit të Lartë të Drejtësisë, duhet të bëhen patjetër ndryshime ligjore, të cilat zbutin influencën e tij pranë KLD-së. Roli i ekzekutivit mbetet ende i fortë, kur mendon se monopolin e nisjes së procedurës disiplinore ndaj një gjyqtari e gëzon vetëm ministri i Drejtësisë.

Në këtë pikë, do të sugjeronim zgjerimin e nismës për një procedim disiplinor, e cila duhet t’i takojë të paktën një të tretës së anëtarëve të KLD-së dhe jo vetëm Ministrit. Kriteret të cilat duhet të plotësojë vendi ynë për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE, janë objektive dhe të matshme.

Arritja e tyre duhet të kalojë patjetër përmes realizimit të reformave të thella, të cilat nëse nuk bëhen të plota, si në rastet e mësipërme, vazhdojnë të mos prodhojnë rezultate konkrete, në drejtim të përmirësimit të sistemit të drejtësisë.

Rrugën drejt integrimit në Bashkimin Europian ne e ndërtojmë vetë dhe duhet të jemi të ndërgjegjshëm për sa kemi arritur dhe çfarë ka mbetur ende për t’u bërë.

Ajo që duhet të nënvizojmë në këto raste, është mungesa e theksuar e vullnetit të forcave politike për të çuar deri në fund reformat e nisura.

Luajaliteti mes forcave politike, nuk ka munguar, por është përdorur për reforma të cilat, nuk kanë zgjidhur asnjëherë në thelb problemin. Ajo që mungon, është vullneti për të realizuar reforma efektive të cilat japin edhe rezultatet konkrete aq shumë të dëshiruara edhe nga Brukseli.

Nëse lexoni progres raportin për Shqipërinë, nuk ka se si të befasoheni për mosdhënien e statusit kandidat në dhjetor. Ajo ishte diçka e pritshme, nëse kemi parasysh objektivat dhe kriteret e vendosura nga BE.

Për realizimin e kritereve kyçe kërkohet më shumë punë, një klasë politike më e përgjegjshme, e cila duhet të ndërmarrë reformat e duhura dhe me të vërtetë konkrete, për arritjen e interesit madhor kombëtar, integrimin e vendit në Bashkimin Europian.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi